AKTIVITETE KUSHTUAR SHËN NENË TEREZES – “DASHURI MË TË MADHE NUK KA”

0

Nga Frank Shkreli

Në Dardani, Kisha dioqezane e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë ka njoftuar organizimin e aktiviteteve, “Ditёt e Shenjtës Nёnё Terezё”, nga data 26 gusht, (ditëlindja e Ganxhe Bojaxhiut) e deri mё 5 shtator — dita e festës sё saj liturgjike, qё përkon edhe me kalimin e saj nё amshim.  Por “Drita e Gonxhës” u ndez në sheshin e Shkupit aty ku është pllaka përkujtimore e vendlindjes së Nënës Terezë, ku edhe u hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që sivjet fillon si edicion i veçantë i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Sipas këtij Instituti, ceremonia, filloi me vendosjen e luleve nga delegacioni i Institutit, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, nga delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – i përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Universiteti “Nëna Terezë”, i përfaqësuar nga rektori, Akad. Izet Zeqiri, ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja, nga bashkësitë fetare – Kryetari i BFI-së, H. Shaqir ef. Fetahu, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe Z. Pepi Levi nga Bashkësia Hebraike e Maqedonisë së Veriut, si dhe drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Z.Naser Curri. “Drita e Gonxhes” u ndez në Shkup – ITSH

Nga Shkupi në Prishtinë — Të premten që kaloi, në Qendrën “BogdaniPolis”, u përkujtua ditëlindja e shenjtëreshës shqiptare, Shën Nënë Tereza, me një akademi solemne të organizuar nga Katedralja e Prishtinës, përkatësisht, Dioqeza Prizren-Prishtinë.  Ditëlindja e Shën Nënë Terezës u kremtua me një akademi solemne (drita.info)

Me moton “Unë kam në zemër popullin tem shqiptar”, thënie e vet Nënë Terezës dhe me himnin e saj, filloi atmosfera solemne, ku tё pranishmit i përshëndeti, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodё Gjergji: “Duam t’i përngjajmë asaj nё thjeshtësi, nё dashuri, nё sakrificë, në punë të vogla, bёrё me dashuri të madhe siç thoshte Nёnё Tereza”.  Me këto fjalë, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodё Gjergji, hapi akademinë solemne përkujtimore, organizuar nё Kurien dioqezane nё Prishtinё.  Akademia solemne, u mbajtë në qendrën ‘Bogdanipolis”, me pjesëmarrje tё gjërë tё qytetarëve, tё perfaqesuesve tё jetës politike, shoqërore, kulturore e fetare, nё mesin e të cilëve pati edhe përfaqësues tё Bashkësisë Islame tё Kosovës, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit.

Programi i veprimtarive, kushtuar Nenë Terezës, që pritet të mbahen në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë.  Edhe Federata Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork ka njoftuar një tubim përkujtimor kushtuar Nënë Terezës e që pritet të mbahet të shtunën që vjen me 3 shtator, 2022 në qendrën e Vatrës në Nju Jork. Autori i këtij shënimi pritet të mbajë një kumtesë me titull: Amerika për Nënë Terezen.

Jam i sigurt se edhe në pjesë tjera të botës do të përkujtohet ky përvjetor me aktivitete të ndryshme kushtuar kujtimit të Nenë Terezës.  Këtu në Shtetet e Bashskuara është njoftuar se me këtë rast do të shfaqet një film dokumentar me titullin: “Nenë Tereza: Nuk ka dashuri më të madhe”, (Mother Teresa: No greater love). Filmi — që është realizuar nga organizata amerikane më e madhe katolike në botë, “Kalorësit e Kolombos” (Knights of Colombos) — do të shfaqet, fillimisht, për herë të parë në Vatikan, të mërkurën me 31 gusht.

Burime të medias këtu në Amerikë njoftojnë se filmi pastaj do të shfaqet në fillim të Tetorit këtu në Shtetet e Bashkuara në më shumë se 960 teatro filmash anë e mbanë Amerikës. Filmi përshkruan jetën e shënjtëreshës së shekullit 20-të dhe ndikimin e veprimtarisë së saj dhe të urdhërit të Nenë Terezës, “Misionaret e Dashurisë”, një komunitet fetar katolik i dedikuar t’u shërbejë më të varfërve, anë e mbanë botës. Në ekranin filmik do të shohim rishtas Nënë Terezën – nenën e “të varfërve më të varfër” në botë, nënën dhe motrën e njerëzimit, gruan më të madhe të shekullit 20-të.   Filmi dokumentar është realizuar në 5 kontinente, duke ndjekur punën dhe veprimtarinë e Misionareve të Dashurisë në ditët e sotëme, sipas të dhënave në median amerikane. Filmi përfshin edhe komentet e personaliteteve fetare dhe civile mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Kanë kaluar 25-vjet nga dita që Nenë Tereza ka kaluar në përjetësi. Si rrjedhim, ky përvjetor duket se ka shkaktuar nxitjen e një interesimi të ri në botë për këtë personalitet botëror të shekullit të kaluar, për këtë bijë të Kombit shqiptar – njëherazi edhe një gjigande shpirtërore të njëzetit (20) shekull. Sipas promovimit të këtij dokumentari, filmi është realizuar, siç shënova më sipër, në 5 kontinente ku vepron urdhëri i Nenë Terezës, duke përdorur dokumentacion nga arkivat institucionale të Misionareve të Dashurisë dhe të tjera, por edhe në aktivitetin aktual të Misionareve të Nënë Terezës. Filmi, jo vetëm që dokumenton se kush ishte Nënë Tereza, por gjithashtu tregon edhe se si Misionaret e Dashurisë veprojnë edhe sot bazuar në vizionin e saj për tu shërbyer dhe për tu kujdesur, për më të vafërit e më të varfërve të botës.  Është pra, një dokumentar, por më shumë se, thjesht, një film. Është gjithashtu edhe një nderim, një homazh që sa vjen e shtohet ndaj një ikone shpirtërore – për një dëshmitare të fuqishme të dashurisë së vërtetë autentike të krishterë, si dhe një shembull për të gjithë ata që kërkojnë shpresën në këto kohë të turbullta, thuhet në promovimin e filmit.

Për aq sa është njoftuar deri më tani, programi i veprimtarive, kushtuar “Ditëve të Shën Nenë Terezës”, pritet të realizohet në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë dhe nga Nju Jork nga Federata Pan-Shqiptare Vatra.

Ndërkaq, edhe një NJOFTIM në përputhje me këto aktivitetet kushtuar Nenë Terezës nga Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare — VATRA PËRKUJTON NËNË TEREZËN NË 25 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM –Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ditën e Shtunë, më 3 Shtator 2022, ora 11 AM, në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd,  Bronx, NY 10458, në një ceremoni solemne do përkujtojë 25 vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë. Ceremonia e përkujtimit dhe nderimit do të organizohet në Selinë Qëndrore të Vatrës me pjesëmarrjen ekskluzive të:

-PhD Ines Murzaku me temë: “Nënë Tereza dhe Revolucioni i Brishtësisë”.

-PhD Elmi Berisha me temë: “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.

-Z. Frank Shkreli me temë: “Amerika për Nënë Terezën”.

-Dr. Paulin Marku me temë: “”Nënë Tereza”, malli dhe dhimbja për atdheun”.

Moderon aktivitetin, Editori i Diellit.

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie të veçantë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok