21/11/2024

PESHA E THELLËSIVE FILOZOFIKE, NGROHTËSIA POETIKE DHE PËRJETËSIA SHENJTËRORE E NJË VEPRE

0

Në kuadër të ditëlindjes, këto ditë doli nga shtypi libri i 42-të i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA

(Sejdi BERISHA: “Lotët e Poseidonit”, -ose, një copë hartë për tokën time- botoi Club Kultura-Pejë, 2021)

Nga Lulzim LOGU

…Poeti, kredon e tij poetike, testamentin e tij të parakohshëm njerëzor dhe poetik, shenjën e brendisë së tij shpirtërore, që vlon në thagmën e bërthamës së qenies, si një vullkan gati në të shpërthyer dhe herë pas here flakë përtej saj gaca të shndritshme, lutje fisnike dhe kujtesë krenare për bashkëkombësit dhe brezin e tij, e shndërron pikërisht në këtë kuptim shenjtërie, me të cilin identifikohet dhe bëhet që nga fillimi deri në fund të librit…

_____________

“Një copë hartë për tokën time”, ky është kuptimi dhe kodi i komunikimit shumëdimensional i shkrimtarit me lexuesin, me historinë…

Sa nevojë kemi për krijues-kronikanë të ndershëm, për kronika reale dhe objektive të çasteve historike, që shkojnë saora dhe nesër marrin trajta të tjera në përfytyrimin e atyre që vijnë më pas dhe duke dashur të ngrehin bazamentin e tyre jetësor, duan të njohin të shkuarën e vendit dhe kombit të vet!…

Më vjen papritur ky mendim, teksa shfletoj me padurim dhe kridhem thellësive të mistershme dhe joshëse e filozofike, përplot ngjyra dhe tone të forta poetike, të librit më të ri të poetit Sejdi Berisha, si një ylber që ka pushtuar fuqishëm horizontin dhe i bën të gjithë kalimtarët të ndalojnë një çast ritmin e tyre të jetës dhe ta adhurojnë atë, duke u trembur se ai mund të ikën ashtu pa kujtuar siç u shfaq përballë tyre: “…Në këtë kohë/Që gjithçka po dridh/Ku ta gjejmë atë njeri/ Që trungun e madhështon/Që kombit dhe atdheut/Kuptim shenjtërie ti japë…”!

Ndryshe, poeti kredon e tij poetike, testamentin e tij të parakohshëm njerëzor dhe poetik, shenjën e brendisë së tij shpirtërore, që vlon në thagmën e bërthamës së qenies, si një vullkan gati në të shpërthyer dhe herë pas here flakë përtej saj gaca të shndritshme, lutje fisnike dhe kujtesë krenare për bashkëkombësit dhe brezin e tij, e shndërron pikërisht në këtë kuptim shenjtërie, me të cilin identifikohet dhe bëhet që nga fillimi deri në fund të librit…

Një copë hartë për tokën time, ky është kuptimi dhe kodi i komunikimit me lexuesit, që tash e pesëdhjetë vite a më shumë e ndjekin pa e tradhtuar në udhëtimin dhe përpjekjen e tij prej sizifi, duke qenë sendërtues dhe bashkëvuajtës kah e vërteta, ku Peja është Itaka e tij e adhurueshme, nga e cila duart e rreshkura të nënës dhe loti i nxehtë i babait i shtruan udhën e përballjes me botën e madhe.

Kosova, në çdo çast shndërrohet në perspektivën e fundme të këtij udhëtimi, një vend ku liria do të ketë pambarimisht emrin e merituar dhe kuptimin e vet të paqes, shenjtëruar në ëndrra të prera para kohe fëmijësh, vaje të pafundme nënash me gjinj të tharë dhe hirit të nxehtë akoma të tokës, në shtretër eshtrash të luftëtarëve, që shkuan, ndonjëherë edhe të nëmur prej fatit njëqindvjeçar:

“…Pejë,

Po kush ka fuqi të na shpalojë historinë

Që është në një libër të veçantë e të pahapur

Edhe fare të pashkruar

Kush ka fuqi të na ndajë ne të dyve…”

Peja, e ka pasur dhe e ka kronikanin e vetë të ndershëm dhe objektiv, atë që mbanë të gjallë në “arka” dhe “defterë” të pashlyeshëm kohe historinë e saj, që me ritmin stinor të Lumëbardhit shkon me të vërtetat e duhura në memorien e qytetarëve të vetë, të cilët sa herë ndjejnë nevojën e përsiatjes dhe komunikimit me fatin e tyre historik, e gjejnë sa hap e mbyll sytë, në korpusin e madh krijues të Sejdi Berishës.

Që nga peizazhi i mrekullueshëm dhe i papërsëritshëm natyror i saj, pikturuar me figuracion tronditës dhe dashuri të sinqertë prej biri, tek eshtrat dhe kujtimet e të parëve, te teatri dhe zejet, te këngët dhe baladat, tek lufta dhe frika e humbjes, te ringjallja dhe shpresa:

“…Pejë,

Nuk ka si të mos shkruhet

Për shenjat e historisë që pak të kanë ngelur

Se nuk i kemi ruajtur

Pak i kemi hedhur dritë dhembjes e krenarisë

 

Si të mos këndohet për këtë histori

E cila sipër tokës pak ka gjurmë

Kurse eshtrat flasin e kuvendojnë

Për ty Pejë

Që Bjeshkët e Nemuna të rrethojnë

Flasin e kuvendojnë për Kosovën

Për atdheun e shkapërderdhur…”

Një poemë e shkruar natyrshëm gjatë gjithë jetës së poetit, një poemë e pambaruar, një dhimbje prej lehone në pritje të vazhdimit të saj, një rrokje komplekse e atdheut në një qasje ambicioze poetike, e cila menjëherë të sjell ndërmend “Fijet e barit” të Witmanit të madh. Poema ka strukturë të qëndrueshme, hapësirë të admirueshme tematike, solemnitet të vargut, nostalgji dhe intimitet artistik, që si një fije e artë e përshkruan fund e krye, duke e shoqëruar lexuesin, ndërsa identifikohet dhe përpiqet të gjejë veten dhe kontributin e tij në historinë e mbijetesës dhe krenarisë së vendlindjes. Diku, befasisht vezullon si tehu i mprehtë i një thike e vërteta realiste e tradhtisë, qielli i poemës ngryset dhe dhëmb, por bash këtu poeti di të jetë në thelb kronikan i vërtetë dhe jo i llastuar dhe as manipulues i historisë:

“…Pejë

Më dhemb edhe tradhtia për ty

Nuk di si të shpjegohet kjo

Por, historianët le ta mbledhin mendjen

Le t’i mprehin lapsat

E dhembshme është kjo

Por duhet të thuhet e të ndriçohet…”

E parë në kompleks, poema “Pejë, dhembja dhe krenaria ime”, është dhe do të mbetet padyshim preludi i bukur i këtij libri, por edhe tërë krijimtarisë së Berishës, pavarësisht faktit se në të gjithë librat e tij, Peja dhe adhurimi i saj ka qenë dhe mbetet detyrimi i tij letrar dhe jo vetëm. Poeti ishte dhe mbeti një ndër të vetmit poetë shqiptarë, që duke shenjtëruar vendlindjen, por edhe duke prekur fort të vërtetat e saj të dhimbshme, personifikoi tek ajo vetveten dhe kombin, si një krijesë ku të dyja nuk bëjnë pa njëra tjetrën, qeshin dhe qajnë së bashku, dhembin dhe triumfojnë bashkë dhe shpresojnë në të ardhmen e ndritur. Ashtu, si Poseidoni…!

Refleksioni i fuqishëm, adekuat dhe intelektual krijues, ku pasqyrohet fati i individit dhe i shoqërisë, shpesh herë i ngelur në udhëkryq…!

Duke qenë së pari një njeri dhe intelektual aktiv dhe i spikatur, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, jeton kohën e vetë dhe të vendit të tij, duke përjetuar çdo moment që kalon përmes trandjeve shpirtërore, por jo pa krye dhe pa rrugëdalje. Poeti përshkruan, ndjen, vuan dhe apelon, duke qenë krah bashkëqytetarëve, modest dhe krenar dhe di të vendoset pastaj në vendin që i takon natyrshëm, si prijës shpirtëror, motivues dhe mbështetës i ndjenjave të thella shpirtërore.

E dukshme kjo në çastin kur trajton ndikimin e pamohueshëm të pandemisë Covid- 19, në jetën dhe veprimtarinë e gjithsecilit në veçanti dhe të mbarë komunitetit në përgjithësi:

“…Tash askush nuk troket në derë

Oborri rri pendueshëm

Nuk thotë gjë për heshtjen

Që e ka kapluar edhe gjelbërimin

E unë herët në mëngjes

Ulur në karrigen e zjarrit

Mundohem ta frenoj dhembjen

Për pemët dhe beharin

E kësaj pranvere të plagosur…”

Tej dhimbjes dhe pamundësive, humbjeve të shumta dhe tronditjes masive, poeti gjen dhe hap dritaren e shpresës poetike, me gjuhën e thjeshtë të ditës arrin të përshkruajë izolimin total dhe të depërtojë me fjalën dhe kontekstin realist me lexuesin e tij, duke dashur t’i bëhet një mundësi tjetër ëndërrimi nga pranvera e harruar, ashtu si në një moment delikat, kur mbarë bota u gjet në fije të perit, artistët hapën kanatet dhe nisen drejt njerëzve të pashpresë mesazhe mirësie me vargun, këngën dhe meloditë e tyre të interpretuara:

“…Por e kam një lutje

Të bëhemi bashkë unë e ti

Dhe sërish botën ta bëjmë të lumtur

Edhe njerëzit që janë trembur

Si zogjtë pa fole…”

Poema ”Qetësohu të lutem e bashkë ta bëjmë lumturinë e re”, është si një vazhdim i poemës së vendlindjes, i lidh në thelb mbijetesa, vazhdimësia dhe qëndresa, tre shtylla ku mbahet edhe vetë kombi në këtë kohë, kur e ardhmja po pikëtohet vuajtjesh dhe dilemash, sakrificash dhe durimi pafund, ashtu siç pikëtohet një shtëpi e madhe brezash, ku jeta i ka të gjitha llojet e përjetimeve. E pastaj, shtyllat i çimenton ashtu siç duhet dashuria njerëzore, e cila si lulja e brishtë e pranverës, çel bash atëherë, kur kujtojmë sa ka humbur dhimbjeve të dimrit të madh:

“…Kur të kaplon mërzia

Thur këngë me vargjet e mia

Ktheji të gjitha në kujtime

 

Nëse do edhe ëndrrat që i kisha

Në përmallimin e vargut tim

Ndoshta të gjitha do të kujtohen…

 

Shfletoji do libra

Lirisht këndo për rrugëtimin tim

Por edhe për kujtimet e tua…”

E veçanta tematike dhe gjerësia e stilit, madhështia figurative dhe guximi krijues, autorin e kësaj vepre tashmë e kanë kthyer në ikonë të vendosur në panteonin e merituar të kulturës…

Rrugëtim, madhështi toke, golgotë dhe shërim plagësh, kaligrafi malli, adhurimi në pragun e shtëpisë, varret dhe martirët si dhe perdja e mjegullt e moshës që ndihet paksa tek bie si pa u ndjerë në motivet dhe natyrën e vargut dhe ndjeshmërisë së poetit, janë përmbledhtas harta poetike e këtij libri, që qëndron rëndë dhe dinjitoz në kronologjinë dhe ecurinë e krijimtarisë së tij ndër vite.

Universi poetik i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, gjithmonë ka origjinalitet dhe qartësisht individualitet të veçantë, krahasuar me homologët e brezit të tij; është pesha tematike dhe gjerësia e stilit, befasia figurative dhe guximi krijues, mbi të gjitha besimi tek komunikimi me një gjuhë të thjeshtë, e cila direkt shënon ndjesinë dhe prekjen emocionale të lexuesit. autori i këtij libri tashmë është kthyer në ikonë e vendosur në panteonin e merituar të kulturës së Pejës, Kosovës dhe shumë më larg, trojeve të tjera shqiptare.

Në hapësirën e kuvendimit të tij poetik, nuk mungojnë risitë dhe përpjekjet për të qenë në një hap me zhvillimet e shpejta të artit, tek cikli mbi hajkun, të vonuar siç shprehet me sinqeritet dhe dinjitet autori, dallohet dukshëm prirja e pranimit të kësaj lloj poezie në stilin e autorit, vjen e freskët në motive, qasje gjuhësore dhe frymë të ngrohtë emocionale.

 

Nga një këndim i “çmendur “ me lotët e Poseidonit, tek peizazhi i butë me motive natyrore të hajkut, nga ironia therëse, deri në sarkazëm për varret, që flasin duke kënduar, saga poetike e Berishës të fton ta ndjesh dhe ta ndjekësh me një lexim të vëmendshëm, duke përftuar mesazhe të thella nga koha dhe interpretimi i saj, duke shijuar ndjesi të përbashkëta nga jeta e tij, e jotja dhe e qytetit tënd, ku jeton, një trini që të mban zgjuar deri në vargun e fundit dhe të duken ndoshta pak 200 faqet e librit, ndërsa shmon me veten, ashtu si autori, zëdhënës i adhuruar shpirtëror:

“…Kur të vjen koha për të fjetur

Do përpiqem të shtrihem ngadalë

E të mos e lëndoj as shtratin as tokën

As zogjtë të mos i pikëlloj

Në stinët me lule dhe në ato me shi

Do përpiqem të mos i tradhtoj vargjet

Që nganjëherë dridhen nga malli im…”

E reja që konstatoj në librin e ri të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, është trajtimi i vetmisë si motiv, nën siglën e pagëzimit të saj si dhimbje kohe, por me një shikim kompleks, ku autori ka shmangur personalizimin e rëndomtë, duke i dhënë kësaj konotacion më të madh, që përfshin jo vetëm atë si individ, por edhe atdheun, dhe ngërthen fatin e tij me vetveten.

Libri ka larmi stilesh dhe tematike, është simbolikisht hija e rëndë dhe frymëmarrja e shpeshtuar e poetit, takikardia dhe ndoshta aritmia e tij e vrullshme, ndërsa pasionet nxjerrin krye, duke rënkuar me dihatje të pandalshme, sikur autori të ishte në fillimet e veta letrare.

Autori ka avancim dhe emancipim të vargut të tij, duke ruajtur traditën, por edhe duke shfaqur tendenca të qarta të kërkimit figurativ dhe gjuhësor, ka një përfshirje në prozën poetike dhe hajku si dhe shpalos tejdukshmëri dhe delikatesë të poezisë lirike.

Mbetet një poet i konsoliduar dhe serioz, një pasuri dhe aset i çdo areali kulturor, i cili dëshmon që poezia jonë, pavarësisht tronditjeve të kohës, di të adaptohet dhe të jetë një pasqyrë e dinjitetshme e zhvillimeve historike dhe jo vetëm.

(Maj, 2021)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok