21/12/2024

Përurim i librit “ Dashuria bekohet në Elbasan” i autorit Fatmir Terziu

0
Terziu-Dashuria

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe të afërm të familjes Terziu!

I dashur miku im dhe i familjes sime, Famir Terziu!

Ju kërkoj ndjesë që nuk munda të vijë për arsye shëndetësore!

Fatmir Terziu në vazhdim të datës përkujtimore të prindërve të tij, jam e bindur se në nderim të kujtimit të tyre, sot si një rekujem i pavdekshëm po përuron librin prej dy vëllimesh me titull “ Dashuria bekohet në Elbasan”.

Me këtë rast, të përgëzoj Fatmir për këtë kujtesë nderimi dhe një përkujtimoreje të paharrueshme për prindërit tuaj të dashur, e cila do të jetojë gjatë dhe do të mbahet mend në qytetin e Elbasanit. I paharruar qoftë kujtimi i tyre. Sa të rroni t’i kujtoni!

Unë që nuk e kam lexuar librin, pyes:   Për cilën Dashuri flet Poeti i Madh Filozofik, Fatmir Terziu? Ky bir i Elbasanit, Zemra e Gjuhës Shqipe, qytetit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, me njerëzit e tij atdhetar e të mençur, të penës dhe dijes ku doli Alfabeti i parë, Gramatika e gjuhës shqipe dhe Fjalori shqip-greqisht, nga Kostandin Kristoforidhi i pavdekshëm. Mes shumë vlerave kulturore elbasanase, një vlerë e paçmuar ka qenë Aleksandër Xhuvani.

Fatmiri ka ndjekur rrugën e dijetarëve të mëdhenj të Elbasanit që i ka me bollëk, nën ndikimin e të cilëve ka madhuar emrin e tij, si Njeri, si poet i shquar, shkrimtar, publicist, mendimtar, kritik i shquar, kineast dhe i nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Si botues i portalit “Fjala e Lirë” dhe gazetës “Albania Post” është bërë melhem për gjithë shkrimtarët dhe miqtë e letrave, duke pasqyruar krijimtarinë e tyre.   Ai sot është pedagog në një nga Universitet e Anglisë dhe pikërisht në Londër.

Si Fatmiri, që jeton në emigracion, ka shumë shqiptarë që kanë nderuar veten, familjen, vendlindjen dhe Shqipërinë. Unë njerëzit që punojnë në diasporë me përkushtim për Shqipërinë, e cila përmes veprës së Fatmirit dhe të tjerëve bëhet e njohur dhe rritet prestigji i kombit më të lashtë, por i nëpërkëmbur i copëzuar dhe i gjymtuar, i quaj, Ambasador të Paemëruar të Kulturës sonë Kombëtare.

Cili është ky shqiptar i palodhur dhe i papërtuar që ka bërë emër në botën letrare apo atë akademike brenda dhe jashtë vendit? Në këto dy libra e më gjerë, ai ka derdhur shpirtin për mallin dhe dashurinë e vendlindjes, Elbasanit, ku u lind, u rrit, u edukua me historinë e lashtë, bukurinë, aromën dhe njerëzit e mirë të këtij qyteti. Aty, në atë tokë të bekuar prehen gjyshërit, nëna dhe babai, ndaj ai është i lidhur si mishi me kockën me kërthizën e kombit, Elbasanin e lashtë të ballakumeve apo tavës me kos. Veç këtyre ai ka derdhur mallin për kalanë, për Shkumbinin, për lagjet e qytetit, për sokakët me kalldrëm, apo rrugët e reja, për miqtë, shokët dhe bëmat e çdo moshe.

Fatmiri nuk lindi nga hiçi. I pajisur me një arsimim dhe kulturë të njëanshme (e politizuar), ai diti të rrëmbejë prej saj më të mirat duke i çuar më tej, në favor të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Jashtë shtetit, përmes një studimi këmbëngulës të gjuhëve të huaja, kritikës botërore klasike, socrealiste, realiste, moderne dhe bashkëkohore të çdo kohe, Fatmiri përherë ka kërkuar të jetë vetvetja. Si njohës i letërsisë dhe kritikës botërore, Fatmiri nisi ta shohë letërsinë me syrin e kohës nga një këndvështrim i ri ndaj botës humane. Duke u mbështetur në formimin e tij intelektual,individual, qytetar e profesional,arriti të studiojë dhe analizojë edhe veprat kinematografike botërore. Duke pasur parasysh kritikat e tij të panumërta dhe tejet bashkëkohore në dy volume, del se nuk kanë asgjë të përbashkët me atë kritikë të politizuar, shabllone dhe të drejtuar sipas direktivave të socrealizmit. Veprat dhe veçanërisht Kritika e tij është e një stadi të lartë pofesional, e parë me syrin estetik, analitik, psiko-social, filozofik, bazuar në evolucionin social, në ndryshimet sasiore dhe cilësore të kulturës në tërësi, gjithmonë duke e krahasuar me parametrat e kritikës bashkëkohore botërore. Kjo ka të bëj me atë ç’ka fituar Fatmiri në këtë jetë plot të papritura dhe vështirësi. Ai ka fituar diçka të madhe, e cila barazohet me jetën.

Kjo është Liria vetiake, Liria e individit, liria e mendimit, liria e shpirtit, e cila është e pavarur nga çdo lloj politike. Pa fituar këtë të drejtë legjitime Fatmiri nuk do të gjykonte në këtë mënyrë. Ai e di mirë se aty ku fillon arti, shkrimtari, artisti, kritika, del në oponencë me politikën. Në fund të fundit artistët janë të parët, që reflektojnë ndaj problemeve sociale, që janë pasoja të politikave të mbrapshta shtetërore dhe ndërshtetërore. Pikërisht liria e shpirtit e vendos atë në piedestal, duke sfiduar kohën që lamë pas. Ai duke u ndeshur me trajtime të ndryshme të këtyre dukurive negative apo pozitive, përmes veprave të autorëve të ndryshëm, krahas tyre duke studiuar si kineast, njohu zhvillimin dhe evolucionin e kinemasë në vite, gjë që e shndërroi këtë personalitet të kulturës shqiptare, në një kritik dhe studiues modern të filmit, duke u bërë mendimi i tij filozofik, objekt studimi i filmit narrativ botëror. Këto mendime kritike, këto sugjerime që ndihmojnë ecurinë e kinemasë, e gjejnë mbështetjen në realitetin real, si bazë e njohjes së botës, jetës dhe natyrës njerëzore.

Fatmir Terziu e ka vendosur veten mes tri emrave të shquar të mendimit intelektual botëror në kitikë.  Është vlerësuar me disa çmime, por unë do të veçoj: “Mjeshtër i Madh”; “Elitar i Kombit”; Dekorata “Gjergj Kastrioti”; Pena e Artë, Çmimi i Parë Ndërkombëtar për filmin “Skorjet e Elbasanit, në Indii përzgjedhur ngajuria me përfaqësues të tre kontinenteve, ” Çmimi Kadmus në Greqi, Pena e Artë në Sarandë etj..,

Urime Fatmir! Eshtë nder për çdo shqiptar, kur Fatmir Terziu, bir i një vendi të harruar dhe të izoluar, e vendos veten midis emrave elitarë të kulturës botërore, si në letërsi (në krijimtari dhe kritikë) edhe në kinematografi.

Unë si autore, që më keni kushtuar një libër me kritika, “Liria në optikën letrare të Vilhelme Vrana Haxhiraj” si dhe ribotimin të përpunuar,  ju shpreh mirënjohjen time për gjithçka keni bërë…!

Me mirënjohje!

Ju faleminderit! Miku ynë i mirë!

Me konsiderata,

Fitim dhe Vilhelme

Elbasan, 24.10.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok