19/04/2024

PERSIATJE, SOT NË DITËLINDJEN E POETIT

0

Shkodra, n’zemrën e n’vargun e Migjenit, kje kangë e kushtrim, zemëratë e gjëmim

Nga Albert Vataj

E deshti Migjeni Shkodrën, dhe s’drashtu tue i dhan njaq dashni e adhurim, njaq amëlci e idhnim, njaq andrra dhe gazmim, anipse t’vdirun prej lëngimit qi e përndoqi, e vdekjes qi e ndau prej vargjeve t’tij t’vetëtimshmë, e njatij shpirti fort t’dhembshun… Kjau e kangës i’a dha zoritshëm, qeshi e u mner, heshti dhe foli… jo nuk foli por gjimoi, siç nji krahnuer din me gjimue nan peshën e rand t’dhimbjes qi s’mujti me e kapërdi, pa i’a lshue piskamës, pa guxu malit me i’a ngjesh, grushtin e paligjshëm.

Migjeni i dha Shkodrës njaq sa veç nji zemër e ligshtueme, e nji shndet i molisun, një gulç shpërthyes e kushtrim i zashëm, munden me i ba vend n’krahnorin e vet ku kolla e gjuen me gjëmime e ithtim poterues.

Shkodra… u ngjiz n’shpirtin e poetit e u mrue me njaq andje, u gatit e gulçoi, shndriti… e mrazit të territ i’u gjegj me shkëndija zemrash e shkreptima buzësh n’puthje tinzare. Kanilit i lypi dritë me i’u lëshu piskamës, e drojes nuk i bani vend, n’përpjekjen për me i’u dhan kangës së mjerimit, si t’vetmes andërr ku rrxohet njaj turr i mraztë, njajo qasje për me mujt me shku e mrri, sa ma larg, kah dhimbja lyp për me xanun sa ma shum’ vend.

Shkodra, njaj qytet qi Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike”… Shkodra ishte parajsa dhe ferri i tij, vend i bani n’prehnin e vet e qiell i lshoj njasaj thirrje gjëmimtare. Jetoi e kumtoi me te, i dha dhe mori prej njatij hovi… kohë dhe kangë, rënkim e klithmë, ditë t’zezume e mramje lojcake, gjëmim e gjamë, e shterri ndër vaje synin, e buzën i’a eshku me zjarm zemrash.

Për Migjenin ishte dhe mbeti n’pambarim… “Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… e liqenit ëndërrtar në të cillin, në mëngjese të kullueta lan hijen e vet”. E njashtu u rrek me e majt n’zemër dashnin e rrokun, pa i’u dhan shterrimit të frymës.

Me za t’përvajshëm e me hov randuem, u ep e u ndesh, dritoi e vezëlleu, e tue vegue, lypi me ik pa ankim e rënkim, mos me lan mbi dhimbjen, qi e grryen, dhimbjen e vet, qi e molis keqas.

E njashtu, mbetun tue vujt ma shumë se tue gëzu, n’luftën pa i’a da me tançka mujti, Migjeni. Kështu do të shkruajë për Shkodrën kur i’u lyp me e sodiste prej larg, “Këtu në këtë largësi ndjej damarët e saj që rrahin, e rrahin… edhe sikur mjeku që tharpton ftyrën kur shef se pacienti i tij ka ethe, njashtu edhe unë pezmatohem n’idhnim, tue pa se si pulsi i dashnores seme nuk rreh siç duhet.”

Shkodra, ishte dhe mbeti, njajo qi Migjeni i’u dha me nji “dashuni tragjike”, dashuni e cila pilson në çdo vërshim, e amëlcohet n’tana andrrat, andjet qi e gjejn vend n’njat buzë t’nezun ndër perëndime t’purpurta, përmendet njata zemëra t’djeguna ndër zjarme gjimuse. Za, za lyp kah ka qiell e zogu kah lshon flatrimin… ikën e vjen, pran e bzan, viket e paqton dhimb e dihamë, tue ken prehër blatimesh adhurimi.

Ky uragan, kalitës i kushtrimit në zjarrin e zemëratës së tij ngre zanin e kumton: “Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë”. Çdo ditë e më i vetëdijshëm bëhet poeti e ma e vajtushme diftohet ç’ka synin i rrok e zemra i’a mbështjell. “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”. Ai asht i bindur se “inteligjenca pak kuj i solli lumtuni”. Por, në emër të “bijve të shekullit të ri” ai goditi themelet e sistemit të pashpirt: mjerimin, injorancën, amoralitetin, maskat, idhujt e rremë, dogmat e mitet, u ndesh me ta si një Titan, tue i’a besue ç’ka kishte n’zemër, fjalës, penës, vargut, poezisë.

Shpirtja e tij krijuese mrrini shkallën ma t’epërme, tue mbet sot e përgjithnji ndoshta rasti ma autentik, se si fjala, vargu, poezia, mundem me u shndriu në tharmin e gjëmimit të gjokseve e ndeshjes me t’keqen, me mjerimin, me gjithëçfarë skamja mkonte.

Në labirintin e zemrës e të ndjenjave t’poetit, dëshmue përmes “Vargjeve të lira”, gjen strehë, jo aq shum vetmia e poetit, se sa papajtueshmënia e tij me ç’ka sheh me zy e plas në zemër, me ç’ka prek me duar e gjoksin i’a gjuen me grushta.

Migjeni vizaton kontraste deri në ekstremet optimizëm – fatalizëm: “Fati ynë mizor – shpate e Damokleut”…”Dritë, jetë, gjallësi askund | vetëm errësinë e skam”…”Në vendin tonë | kudo valojnë | flamujt e një melankolie të trishtueshme”…”Nuk e dishe, o jetë,| se kaq i tmerrtë| asht grushti yt | që mbyt| pa mëshirë”. Në anën tjetër të kontrastit poeti shkruan:” O dhimbe krenare e shpirtit që vuen| dhe shpërthen ndër vargje të lira…| koha do t’ju bijë ngushllimin|…Vuejmë, defrejmë…|Jetën adhurojmë…| dhe adhrojmë pranverën me një apoteozë…Një jetë e re | me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim”…”Sado e mjerueme, jeta asht prap e dashtun”…”Qeshu, rini, qeshu! Bota asht e jote”.

Vërshojnë vargjet e Migjenit, pandalim, tue gjet në çdonjenin prej nesh nji dëshir me ken t’yshtun prej pëshpërimës e gjëmimit, kumbimit e kushtrimit, kungimit e atij vullneti qi nuk lyp me u dhan pa luftu. Ai na mëkoi shpirtin e tij, tue na m’su se si me dasht e me dhimt, se si më gjëmue e me u çue peshë, me e marr vargun e tij e me e ba zemër dhe armë për me u ndesh.

Ky ishte poeti, kjo ishte Shkodra, kjo mbeti çfarë asht Migjeni n’ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok