08/10/2024

PËRSE SHKRUAJMË*)

0

E s e

Nga Adil FETAHU

Që në fillimet e historisë njerëzore, njeriu ka treguar interes të shënojë atë që dëshiron ta thotë. Kështu, Samaritanët filluan të shkruajnë gjuhën e tyre, e cila përbëhej nga fije të vizatuara në baltë, në kocka ose në metale. Më pas, erdhi faza e shkrimit fotografi, ku fjala shprehej nëpërmjet formave të ndryshme të kafshëve. Që atëherë njeriu nuk është ndalur së shprehuri me qëllim që të mos i humbet nami e nishani në regjistrat e historisë.

Sa herë që shfletoj libra, pyes veten: “Përse shkruan njeriu? Përse vazhdon ta shprehë dhe të mos e mbajë fjalën për vete? Është i detyruar të shprehet, apo e bën këtë si zgjedhje”? Disa besojnë se të shkruarit është një lloj çmendurie, por si mund të shkruajë një i çmendur për të mençurit?

Të shkruarit është një nga elementet ekzisenciale që thurin jetën e njeriut. Sa herë që dikush shkruan, ai rivizaton veten e vet, e ndonjëherë rivizaton të tjerët, që të shndërrohet pas njëfarë kohe në një pjesë të jetës së tyre.

Heret është thënë: “Zgjedhe shkrimarin siç do ta zgjedhje mikun”. Shkrimtarit të cilit i beson, në fakt i beson mendjes tënde dhe ndjenjat tij i sheh dhe i dëgjon nëpërmjet tij. Fjalët e disa shkrimtarëve na falin besim tek jeta, ndërkohë që fjalët e disa të tjerëve na falin besim tek vetja jonë.

Kush shkruan le pas vetes shkëndija me të cilat orientohen udhëtarët në rrugën drejtë së vërtetës. Mbase nuk mund t’ua tregosh njerëzve të vërtetën, por mund t’u flasësh për të.

Shkruajmë për të eksploruar botën, për të ndriçuar thellsitë e ekzistencës; shkruajmë për të shprehur veten, e mbase për të hedhur hapa drejt saj. Nuk është e domosdoshme të jesh gazetar, romancier apo mendimtar për të shkruar. Mjafton ta ndjesh që të nisësh të shkruash. Të shkruarit është një gjendje emocionale që prekë njeriun pa e ditur, dhe për ta mësuar përgjigjen, i duhet të shkruajë, mandej fillon e kërkon mes rreshtave. Nuk është e rëndësishme të prekësh ndjenjat e të tjerëve që të jesh shkrimtar i suksesshëm. Më e rëndësishme se kjo është që të arrish të trazosh mendimet e amullta në mendjet e lexuesve.  Arritja më e madhe që mund të shënojë një shkrimtar është t’u mësojë lexuesve si të mendojnë.

Të shkruarit është një vepër arti dhe disa shkrime meritojnë të ekspozohen në muze që të shijohen nga njerëzit. Shkrimtari pikturon me fjalët e tij, gdhend me penën e tij dhe ngjyros me shprehjet e tij. Nuk ka rëndësi lloji i ngjyrave që përdor; e rëndësishme është të vlejnë për të ngjyrosur dhe jo për reklamë dhe marketing. Disa shkrimtarë ngjyrosin tokën, disa të tjerë ngjyrosin qiellin, e të  tjerë ngjyrosin ëndërrat me të cilat lartësohen. Kush shkruan për kujtimet, harrohet me vdekjen e tij, e kush shkrun për ëndërrat, na meson më shumë pas vdekjes së tij se sa gjatë jetës.

Shkrimtari tregon kujdes të veçantë për tekstin dhe formën, ashtu siç tregon kujdes edhe për përmbajtjen. Ai e trajton tekstin si një qenie të gjallë, merr parasysh kohën dhe rrethanat ku jeton, nuk e ngarkon me gjëra të tepërta dhe sa më shumë të shtohet teksti, aq më shumë piqet ai për t’u përballur me jetën.

Shkrimtar i vërtetë është ai që shtron pyetje, të cilat, në përgjithësi, njerëzit e tjerë  kanë frikë t’i shtrojnë; është ai që kërkon aspekte të cilat njerëzit orvaten t’i mbajnë nën hije. Ai është si aventurieri i cili i shkon në fund botës, që të kthehet plot tregime për t’ua rrëfyer të tjerëve.

Shkrimet më të bukura janë ato që ripërkufizojnë gjërat, duke ua sjellë njerëzimit në një formë të plotë ose, më saktë, në formën e saj të vërtetë. Shumica e të vërtetave fshiehen pas përkufizimeve, ashtu siç degdisen brenda kuptimeve të shumta të fjalëve. Shkrimtar i rralllë është ai që arrinë të qëndrojë mes përkufizimeve, edhe nëse ato janë shpërndarë pa rregull. Këtë ai e bën sepse më shumë i druhet shpërqëndrimit të shoqërisë, se sa vetë shoqërisë. Të shkruash do të thotë të rendësh pas së vërtetës. Kush nuk ka mbërritur akoma tek e vëreta, nuk ka përse ta shpikë atë, sepse e vërteta është e përjetshme, nuk mund të grabitet dhe as të riprodhohet.

Shkrimtari vë jetën e tij në librin që shkruan, ndërsa lexuesi kërkon jetën e vet në librin që lexon. Kush orvatet t’i mbajë sekretet e jetës së vet në zemër, thjesht po përpiqet ta shtyjë publikimin e tyre për ca kohë, sepse letra është më e tejdukshme se zemra.

Disa tekste që lexojmë na lënë përshtypje për një kohë të gjatë, na i mbushin zemrat me shpresë dhe na inkuraojnë për më shumë punë. Tekstet që nuk ia arrijnë kësaj, janë të mangëta, ato sikur marrin prej nesh sa më shumë që i  lexojmë.

Misioni i shkrimtarit qëndron në pleqërimin e asaj që duhet të  jetë e jo të asaj që është, sepse shkrimtari është përgjegjës për hapjen e rrugëve të reja, jo për mirëmbajtjen e tyre. Mu për këtë, ai s’ka përse harxhon kohë dhe energji për të reformuar zakonet e shoqërisë, pasi zakonet janë fenomene natyrale; njerëzit u nënshtrohen  atyre, sepse nuk i nënshtrojnë dot. Pandaj dhe një shkrimtar mendjemprehtë është ai që restauron mendimet dhe debaton me to. Në fund të fundit, mendimi i duhur është në gjendje të prodhojë një shoqëri të re, me zakone të reja që i përngjajnë të ardhmës së dëshiruar.

Nuk ke nevojë të thellohesh tek rregullat e shkrimit që të shkruash; shkruaj tani dhe mëso me kohën. Është e rëndësishme të mësohesh t’i shpërthesh fjalët para vetes dhe  jo pas. Mos ki frikë nga çfarë shkruan. Kush u frikësohet fjalëve të tij, nuk e meriton të mbajë në dorë penën.  Kur ndonjë prej nesh fillon të shkruajë, teksti është pjesë e vetes së tij. Me ta përfunduar, ai tashmë është shndërruar në pjesë të atij teksti.

Kush shkruan i dhuron njerëzimit një pjesë të shpirtit të tij, prandaj  ai që shkruan është i pavdekshëm.  Kushdo që vjen pas tij dhe lexon nga veprat e tij, e risjell në jetë. Shkrimi është një akt i shenjt, sepse zanafillën e ka në qiell, detyra jonë është të mos e ndotim atë në tokë.

Dikush më pyeti: – Përse shkruan? I thash: shkruaj që të lë gjurmë dhe që të mos jem gjurmë.

________

*) Nga libri “Hiqe këpucën”, (botim “Ajan”, Shkup, 2020), i shkrimtarit dhe prezentuesit televiziv, Yasser Hareb, nga Dubai,  përkthyer në shqip nga Elmaz Fida).  Libri përmban 40 ese, secila më e mirë se tjetra. Parathënien e librit , me vlerësim shumë pozitiv, e ka shkruar shkrimtari i njohur brazilian Paulo Coelho, autori i romanit  “Alkimisti”, fitues i shumë çmimeve të mëdha. Në pasusin e fundit të Parathënies së tij, Koelho thotë për autorin e librit: “Jasser-i është shkrimtar aventurier i cili  nuk mjaftohet me frymëzimin që përcjell tek ne, por ai  rrëmben drejt aventurave të tij mendore. Së shpejti, ai do të ketë një vend në fushën e letërsisë, nëse do të heqë dorë nga gjërat e tjera të cilat ia vjedhin kohën dhe do ta vërë lapsin aty ku vë zemrën. Do ta lexoj gjithmonë, sepse ka guxim në të shkruar”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok