12/07/2026

PËRMENDJET MË TË HERSHME TË SHQIPTARËVE DHE TË SHQIPES

0
Xhelal-Zejneli1

Nga Prof. Xhelal Zejneli

“Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” viti 1285 Raguzë

(Dëgjova një zë që thërriste në pyll në gjuhën shqipe).

*   *   *

Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit.

Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës.

Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja.

Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit.

Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

*   *   *

Në analet e historisë së dokumentuar, shqiptarët kanë hyrë në gjysmën e dytë të shekullit XI. Në “Historinë” e tij të shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates, rreth vitit 1020 – pas vitit 1085)* qe i pari që përmendi se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Kostandinopojës më 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të Dukës së Dyrrachiumit (Durrësit).

ShënimMihaelis Ataliates (Michael Attaleiates, rreth vitit 1020 – pas vitit 1085) ishte avokat, gjykatës dhe historian bizantin i shekullit XI. Gjatë sundimit të perandorëve Romanos IV dhe Michael VII u ngrit në poste të larta. Vepra e tij “Historia” mbulon vitet 1034–1079 dhe mbetet rrëfim i rëndësishëm i dëshmitarëve okularë të krizave të perandorisë, përfshirë betejën katastrofike të Manzikertit. Lindi në Ataleia (Antalia e sotme, Turqi). Si i ri u transferua në Kostandinopojë për të studiuar drejtësinë dhe për të ndërtuar karrierë në oborrin perandorak.

*   *   *

Po ashtu, historiani bizantin i fundit të shekullit XI Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes, 1040 – 1110), në vitin 1081 përmend fjalën Arbanites si pjesë e trupave të mbledhur në Durrës nga gjenerali bizantin i fundit të shekullit XI, Niqifor Basilaku (Nicephorus Basilacius, lindi ? – vdiq në vitin 1079).

Për ekzistencën e gjuhës shqipe, për herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i shekullit XIV. Në të vërtetë, midis viteve 1285 dhe 1332 kemi katër përmendje të qarta dhe të padyshimta.

E para nga këto përmendje në histori për ekzistencën e gjuhës shqipe është ajo e vitit 1285, në Ragusë (Dubrovnik), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një proces hetuesie, midis tjerash figuron edhe fjalia:

“Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca

(Dëgjova një zë që thërriste në pyll në gjuhën shqipe).

Njëzet vjet më vonë hasim një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin “Anonymi Descriptio Europae orientalis” (Përshkrim anonim i Evropës Lindore).

Është një tekst mesjetar i vitit 1308 i cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i shkolluar në Francë, me shumë gjasa i Urdhrit Dominikan, i dërguar në Serbi, ku edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin. Përveç pjesëve që pasqyrojnë rajone të ndryshme të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë, Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla për këtë vend në vitet e para të shekullit XIV (1308). Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje të gjuhës shqipe:

“Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus

(Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë).

Për herë të tretë, për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që në shqip mund t’u thuhet Simon Simoni i Zrdhrit Françeskan dhe Hugo Ndriçuesi, gjatë udhëtimit, më 1322 u ndalën në Shqipëri, me ç’rast i pari bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij jep një vështrim të gjallë të bregdetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV, d.m.th. në vitin 1322. Këta dy u nisën nga Klonmeli i Irlandës. Nga Uellsi verior kaluan në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien, Paris, Bonë (Beaune), Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë dhe Viçencë, deri në Venedik. Vijuan rrugën me anije për të arritur në Pullë, Zarë, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të mbërrinin në Aleksandri. Përshkrimet e Simonit njihen si:

Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam

(Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë).

Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh. Udhëpërshkrimi përmban të dhëna për kontrollin dhe procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe prodhimet e vendeve të vizituara, për kishat etj. Midis tjerash, ai shkruan:

”Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens”

(Shqipëria është një provincë midis Sllavëve dhe Romanisë (Bizantit), me një gjuhë të vetën). Ai shkruan edhe për Durrësin.

E fundit nga këto raste ku përmendet gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e vërtetë për ekzistencën e shkrimit në shqip ka qenë ajo e vitit 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard ose Frère Brochard (lat. Brocardus monacus)*.

ShënimVëllai Brokard (Brochard) i njohur edhe si Brocardus Monacus ose Burcard) ka qenë frat dominikan dhe prelat katolik i shekullit XIV. Është i njohur për dorëshkrimin e tij latin të vitit 1332 me titull “Directorium ad passagium faciendum” (Drejtoria për të bërë  pasazh). Është një traktat gjeopolitik dhe fetar i shkruar rreth vitit 1332. Autori bën thirrje për kryqëzatë. I kushtohet Mbretit Philip VI të Francës.

*   *   *

Në një vepër latinisht me titull Directorium ad passagium faciendum, Brokardi shkruan:

“Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris”

(Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre).

Nuk dihet saktë nëse Brokardi ka pasur parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok