MOTRA E MADHE – HANËMSHAHE ILAZI, KRENARI E MOTEVE SHQIPTARE
“Çdo komb që i harron fëmijët e vet të vrarë, është i dënuar të rritet pa rrënjë.” (Hanëmshahe Ilazi)
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Ishte vera e vitit 2018. Vapë! Prishtina gumëzhinte sa nga të nxehtit, po aq nga mërgimtarët entuziast që lëviznin sheshit i cili kishte mbetur i vogël dhe sapo kalonim në Sheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mund të merrje frymë më lehtë. Sapo e filloje rrugën drejt Sheshit Dr. Ibrahim Rugova, sërish ngushtohej hapësira dhe duhej kujdes nga çiklistët dhe motopicet e shpejta të ngarë nga kamerier apo fëmijë. Mes këtij pështjellimi gushti, ishim unë e Djaloshi, miku im. Të dy vinim nga larg; Djaloshi nga Cyrihu kurse unë nga Vjena e Karl Gegës. “Kah do ia mbajmë, shoqit, u sos rruga, nuk mund të qëndrojmë kështu gjatë, e sheh jemi djersitur dhe llafet na janë terë”, i them Djaloshit me shaka.
Po, harrove, edhe një orë e kemi takimin në Iliria me Motrën e Madhe , Hanëmshahen , ke dëgjuar, të kam folur, më duket, kur u takuam në Velipojë verën e kaluar.
Ai! Paskam harruar fare! Më vjen mirë, por duhet pak të më tregosh rreth Motrës suaj, është para teje apo pas teje, ka kryer shkollë apo diç tjetër, nuk më ke treguar, – fola me ndjenjë ngrohtësia se do takohem me motrën e mikut tim, dhe kisha harruar ato që i kisha dëgjuar n# verën e kaluar. Djaloshin kisha vite që e njihja gjithandej shëtitjeve në disa vend, por e veçanta e gjithë kësaj ishin arbëreshët në Kalabri e Sicili.
Djaloshi i kujdesshëm nuk u lagua që të më humbë në masën e njerëzve derisa u përshëndeta me dy kolegë, mësues, nga Gjermania. Nga larg e vërejta se Djaloshi nxori kamerën e tij dhe shkrepi në drejtim të Teatrit Kombëtar.
-Ishin kolegë nga Gjermania, – i tregova Djaloshit për arsyetim. Ecim, mos të vonohemi, tha Djaloshi duke e futur kamerën e tij në këllëfin që mbante varur në krah. Do të kënaqeni muhabet, Motra është shumë shpirtmadhe dhe llafatore, – krejt kjo nga respekti e dashuria që ka për njerëzit e vyer. Ajo mezi pret të takohet, i kam folur për ty. Pa mbaruar mirë, arritëm në hyrje, u lëshuam shkallëve dhe motra na kishte vërejtur, dukej se kishte pritur në këmbë.
Rrallë takon në kohën tonë njerëz me qëndrim kaq pozitiv dhe vlerësues. Mbi tavolinë kishte vendosur disa libra, nga të cilët lexova me kureshtje “Gratë e huaja për shqiptarë dhe shqiptaret e diasporës” .
S’ke se si të mos ngazëllohet njeriu kur mëson aq shumë gjëra, aq shumë përjetime nga jeta e një intelektuale shqiptare e brumosur me gjakun e Shën Terezes, Shote Galicës, Norës së Kelmndit, Xhevë Lladrovc dhe shumët tjera heroina. Jeta e saj është e ndërtuar nga pjesë jete e të gjithave prej tyre.
Këtë, nisa të mësoj që nga ajo ditë. Ky mësim u rrit e u pasurua vite me radhë në takimet tona në aktivitet shënjuese historike, aktivitetet letrare dhe në shënimin e festave të veçanta. Ajo dallohet me vlerësimin pozitiv ndaj punës së tjetrit. Nëse dikush nga njerëzit është ndriçues, kjo është Motra e Madhe.
Derisa, miku im, Djaloshi, e quante motër me shumë të drejtë, diçka që u ndërtua nga jeta e tyre e përbashkët në qytetin e Ferizajt, që nga Shkolla Normale ku kishin ndarë bankën së bashku, deri tek veprimtaria kombëtare, Djaloshi si gazetar e organizator i aktiviteteve të shumta në “Rilindje” e Ferizaj, kurse motra krahas tij e pa ndalur në punën e saj në mbrojtje e të drejtave kombëtare.
Lufta ishte sprovë e përvojë. Hanumshahe Ilazi u gjend aty ku frymon lufta e luftëtari, aty ku nënave e fëmijëve u duhej ndihma. Në Drenicën e kallur nga lufta, në gjithë Kosovën Hanemshahen e kishe kudo në detyrë. Në shumë detyra deri në llogoret e qëndresës, në mision lidhje, ndihmë të plagosurve, të uriturve. Andaj, të gjithë e njohin, por jo më emrin e shkruar, por me emrin e madh të dalë nga afërsia, aty ku dora e motrës shëron plagë e shpirt, e njohin si Motër, Merreni si të dëshironi, por Motra e Madhe është emri i saj që njihet e jeton në Drenicë dhe gjithë Kosovën. Motra nuk rri, ajo shkruan e shkruan dhe ka për çka të shkruan nga jeta e saj, përjetimet e saja. “Njeriu nuk mund të shkruan, nëse nuk ka çka të tregon nga jeta e saj”, e tha Dritëroi ynë. Dhe, këtu plotësohet në faktin real, një jetë skenar për jetën e intelektuales trime deri në heroizëm, e tri epokave. Po ku janë regjisorët, skenarin e kanë të gatshëm, personazhin aktiv, në dokument me vlera historike! Apo, presin lekun e fitimit, lekun e biznesit!? Një jetë e tërë për lirinë e prosperitetin e kombit nuk përsëritet shpesh. Njeriu një ditë do ikë e bashkë me te zëri i tij, por jo vepra e tij.
Hapësira e pritjeve në Iliria gumëzhinte. Motra e Madhe ngriti zërin: Dy librat e rinj i kam sjellë dhuratë për ju, -tha e gëzuar që do dhuronte vepra të punuara me aq shumë mund e harxhime. “Drenicë, jemi me Ty!” – një vepër bazuar në ditarin e saj të pasur nga lufta në fshatrat e Drenicës. “… ditarët e luftës dhe sytë më ndalen tek emri i redaktorit Agim Zogaj: “Ditarët e luftës, siç është ky i Hanëmshahe Ilazit, kanë reflektime edhe në krijimin e opinioneve për periudhën e luftës së Kosovës. Është gjurmë e sakrificave më sublime të popullit tonë në rrugëtimin e tij historik drejtë lirisë.”

Lexojmë vetëm pak. E mërkurë, më 16.12.1998 Ishin prezent 29 fëmijë moshash të ndryshme, ku disa fëmijë të grupit tim kishin ardhur më parë: si fëmijët e dr. Lecit të masakruar në spitalin e Gradicës, fëmijët e falmiljes Graiçevci nga komuna e Suharekës dhe familjes Maloku, gjithashtu për herë të parë nga Plloçica. Të tri këto familje i kishin baballarët e masakruar”…
Vepër tjetër që do vlerësohet gjeneratave, e veçantë është “A vriten engjëjt?!”, kushtuar fëmijëve të vrarë nga barbaria serbe në Kosovë. Kjo vepër përmbledhë 1392 fëmijë të vrarë e të zhdukur nga viti 1981 deri në vitin 1999. Ashtu siç shprehet vet autorja: “Libri nuk është vetëm përkujtim, por edhe akuzë morale ndaj ndërgjegjes kombëtare por edhe botërore. Për çdo fëmijë të vrarë, autoret kanë përfshirë emrin, moshën, vendin dhe rrethanat e vrasjes, duke krijuar një mozaik të tmerrit qe përjetoi populli shqiptar në fundin e shekullit të njëzet.” Autorja le porosi, se nuk guxon të harrohet as një çast: Fëmijët e vrarë nuk janë vetëm viktima, ata janë pasqyrë e barbarisë që nuk guxon të amnistohet.” (H. Ilazi, 2014). Në vështrimin e tij rreth librit “A vriten engjëjt?!” Don Lush Gjergji shkruan: Historia e jonë i përngjanë historisë biblike, vrasje e Fëmijëve të Pafajshëm…. Mirëpo, gjaku i tyre mund t’na godas edhe neve nëse nuk dimë t’i çmojë, t’i nderojmë, ta kryejmë dhe zbatojmë porosinë dhe testamentin e tyre të shkruar me gjak, të vulosur me vdekje, të derdhur me pafajësi dhe me dashuri.”
Shqipe Bytyqi, poete. “Hanëmshahe Ilazi është një prej zërave më të përkushtuar te letërsisë dhe publicistikës shqiptare, me një mision të qartë, të mos harrohet asnjë fëmijë i vrarë nga makineria serbe në Kosovë. E lindur në Ferizaj, e shkolluar n? Ferizaj dhe Prishtinë ajo ka jetuar dhe dokumentuar tragjeditë e popullit të saj me ndjeshmëri njerëzore dhe vetëdije kombëtare”. “Fëmijët dëshmojnë”, ku përmes intervistave dhe rrëfimeve reale, fëmijët e mbijetuar flasin për përjetimet e tyre gjatë luftës.
Biografi
Hanëmshahe Ilazi u lind në Ferizaj në vitin 1946 në një familje arsimdashëse e përparimtare. Shkollimin fillestar e mbaroi në vendlindje kurse Fakultetin Filozofik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Për disa vite punoi në arsim. U mor me shkrime të cilat i botoi në “Rilindje” dhe “Shkëndija.” Në vitet e luftës ishte aktive në zonat e luftës e cila u dalluar për guximin, përkushtimin në rrethana tepër të vështira të luftës, veçan në zonën e Drenicës.
Hanemshahe Ilazi është akoma aktive në klubin “Soroptimist International” dhe shoqatës “Benefator” Është veteranie e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për logjistikë. Për punën e saj mori mirënjohje të shumta. Mbi të gjitha: respektin e gjithë banorëve ku veproi. Ajo ka ligjëruar, organizuar orë përkujtimore, lexime publike dhe përurime librash në shumë shkolla të Kosovës. Stili i saj është shpesh i përmbajtur në fjalë, por i rëndë ne peshë emocionale. Ajo zgjedh të tregojë dhimbjen përmes faktit, jo përmes retorikës. Kjo e bën veprën e saj të fortë, të dëshmueshme dhe ndërgjegjësuese. Vepra e saj duhet të lexohet jo vetëm si literaturë, por si dokument përballje me të kaluarën dhe si test ndërgjegjeje për të ardhmen.” Për veprimtarinë e saj ka marrë shumë mirënjohje.

