PËR NE SHQIPTARËT, MBRETËRESHA TEUTA MBETET NJË FIGURË E LASHTËSISË ILIRE, EMRIN E SË CILËS E KEMI RUAJTUR ME RESPEKT NË HISTORINË, KULTURËN DHE FAMILJET TONA
Shkruan: Lekë Mrijaj
Në bregdetin shqiptar të Adriatikut, mbi Ranën e Hedhun në Shëngjin, disa ditë më parë u përurua shtatorja monumentale e Mbretëreshës Teuta, një prej figurave më të njohura të historisë së lashtë ilire.
Vendosja e kësaj shtatoreje monumentale më nxiti të reflektoj jo aq mbi debatet historiografike rreth Teutës, sesa mbi vendin që figura dhe emri i saj kanë zënë në kujtesën shqiptare.
Ditë më parë, me disa miq të mi intelektualë të qytetit të Klinës, diskutuam pikërisht për këtë çështje. Në historiografinë dhe kulturën tonë, Teuta dhe Agroni janë njohur gjerësisht si figura të rëndësishme të historisë ilire. Me kalimin e kohës, emrat e tyre janë bërë të pranishëm edhe në jetën dhe shoqërinë shqiptare. Siç e trajtuam edhe në bisedën tonë të përbashkët, ne shqiptarët kemi baballarë, nëna, vëllezër, motra, bij dhe bija që mbajnë emrat Agron dhe Teuta, q? do të thotë se për ne, pikërisht kjo është shumë domethënëse. Pa pretenduar se vetëm emrat mund të dëshmojnë vazhdimësi historike apo prejardhje, përdorimi i tyre tregon, së paku, afërsinë kulturore dhe emocionale që shqiptarët kanë krijuar me kujtesën e botës ilire.
Pas përurimit të shtatores, vëmendjen ma tërhoqi edhe komenti i historianit kroat Ivan Pamiç, i cili e vë theksin te dallimi ndërmjet historisë antike dhe interpretimeve kombëtare bashkëkohore. Ai argumenton se Teuta duhet lidhur më fuqishëm me bregdetin lindor të Adriatikut, veçanërisht me hapësirat që sot u përkasin Malit të Zi dhe Dalmacisë jugore. Ky këndvështrim i tij ndoshta edhe jo aq i matyruar, mua më shtyn ta shoh çështjen me më shumë kujdes dhe në një kontekst më të gjerë historik.
Teuta i përket një kohe shumë më të hershme se shtetet, kombet politike dhe kufijtë e sotëm. Prandaj, figura e saj nuk duhet domosdoshmërisht të lexohet vetëm përmes hartës politike bashkëkohore. Por kjo nuk e zbeh domethënien që ajo ka marrë në kujtesën shqiptare.
Përkundrazi, këtu qëndron edhe reflektimi im analitik. Pra, një figurë historike mund të lidhet me një hapësirë të gjerë gjeografike dhe, njëkohësisht, të zërë një vend të veçantë në kujtesën historike e kulturore të një populli.
Për ne shqiptarët, në përgjithësi, Teuta, Agroni dhe figura të tjera ilire janë pikërisht ndër ato personalitete të lashtësisë që janë ruajtur në historiografinë, kulturën dhe simbolikën tonë. Edhe përdorimi i emrave të tyre ndër shqiptarë është një shprehje e kësaj kujtese dhe e kësaj afërsie kulturore. Prandaj, shtatoren gjigante të Teutës mbi Ranën e Hedhun nuk e shoh si një pretendim për ta kufizuar figurën e saj brenda një historie ekskluzivisht kombëtare, por më fjalë tjera e shoh si një shenjë nderimi ndaj një figure të lashtësisë ilire, e cila ka zënë një vend të rëndësishëm edhe në kujtesën historike dhe kulturore shqiptare.
Popujt e tjerë përgjatë Adriatikut mund ta kujtojnë dhe ta interpretojnë Teutën në raport me historinë dhe trashëgiminë e hapësirave të tyre. Kjo nuk ka pse ta përjashtojë mënyrën se si shqiptarët e kanë përfshirë atë në kujtesën e tyre historike dhe kulturore.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron simbolika më e bukur e shtatores mbi Ranën e Hedhun: Mbretëresha Ilire Teuta qëndron përballë Adriatikut – një hapësire më të gjerë se kufijtë e sotëm – ndërsa për ne shqiptarët mbetet një figurë e lashtësisë ilire, emrin e së cilës e kemi ruajtur me respekt në historinë, kulturën dhe familjet tona. Ky është, për mua, kuptimi i saj më i natyrshëm: jo pretendim mbi historinë, por respekt ndaj kujtesës.
Klinë, 26 shtator 2026
