Gjelosh-Gjokaj

Një kujtim për akademik Gjelosh Gjokajn në dhjetë vjetorin e amshimit

Nga Neki Lulaj

Ka mëngjese shtatori që nuk zbardhin si të tjerët.

Edhe kur dielli ngrihet në horizont dhe dita nis udhën e zakonshme, në kujtesën e njeriut mbetet një hije që nuk largohet. Disa data nuk janë thjesht numra në kalendar; ato bëhen porta përmes të cilave kthehemi te njerëzit që koha nuk ka mundur t’i largojë prej nesh.

Për mua, një datë e tillë është 25 shtatori.

Mëngjesi i së dielës, 25 shtator 2016, solli lajmin e hidhur se kishte pushuar së rrahuri zemra e atdhetarit, akademikut dhe piktorit dhe shqiptarit të madh, Gjelosh Gjokaj.

Ishte një nga ato lajme që, edhe kur i dëgjon, mendja për një çast  nga dhimbja nuk pranon t’i besojë. Njeriu kërkon ta shtyjë të vërtetën, sikur fjala vdekje të mos mund të hyjë në jetën e e njeriu aq tinëzisht që ende e ndien të gjallë në kujtesë.

Gjelosh Gjokaj  lindi më 25 07 1933 në fshatin Milesh të Malësisë së Tuzit. Nga ajo trevë  malësije,e pasur me histori, kujtesë e dhimbje shqiptare, ai do të merrte me vete jo vetëm kujtimet e fëmijërisë, por edhe një botë të tërë shpirtërore, të cilën më vonë pa hezitim do ta shndërronte në art.

Gjeloshi ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe një nga emrat më të afirmuar të artit pamor shqiptar në Evropë. Ishte profesor Universiteti në Prishtinë atje edhe i lindi muza për art  i cili njihej si ” babai i artit grafik” më vonë jetoj 15 vite Romë të Italisë dhe 25 vite në Gjermani.

Për artistin nuk jeton vetëm në data e lindjes dhe të vdekjes. Ai jeton në veprën që lë pas.

Dhe Gjelosh Gjokaj kishte shumë për të lënë pas.

Në vitin 1983 ai u vendos në Augsburg të Gjermanisë. Ishte larguar nga vendlindja, por jo nga ajo. Njeriu mund të ndërrojë vendin ku jeton, por është më e vështirë të ndërrojë vendin ku i ka rrënjët .Mileshi ishte djepi i thellë qe i mbeti  gjithëmonë në shpirt.

Augsburgu u bë vendi i jetës dhe i punës së tij, me mbi 50 ekspozita individuale dhe 80 ekspozita të tjera në grupe është opusi i tij krijues, ndërsa kujtesa e vendlindjes mbeti një nga burimet e pashtershme të botës së tij krijuese.

Në këtë udhëtim mes dy botësh, Gjokaj nuk ishte thjesht një artist shqiptar që jetonte në Romë dhe Gjermani. Ai ishte një njeri që e sillte me vete një kujtesë dhe e përkthente atë në gjuhën universale të artit. Ngjyrat nuk kanë autorësi as kufij ato janë të te gjithëve.

Por edhe as arti.Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga madhështitë e tij: ai nuk u mbyll në kufijtë e një vendi, por e mori vendlindjen me vete dhe e la të fliste përmes veprës se tij artistike.

E kam takuar Gjelosh Gjokajn.

Dhe ky takim, edhe pse i largët në kohë, vazhdon të jetojë në kujtesën time i freskët

Ka njerëz që i takojmë dhe harrojmë sapo ndahemi. Ka të tjerë që, edhe pas shumë vitesh, vazhdojnë të na shfaqen në mendje me zërin, mënyrën e të folurit, qëndrimin, buzëqeshjen apo thjesht me atë ndjesinë që lanë pas.

Gjokaj ishte nga këta të dytët, takimi me të ishte i ngrohtë. Në praninë e tij ndjeje kulturën e një akademiku, por edhe thjeshtësinë e një njeriu që nuk kishte nevojë ta shpallte veten të madh. Ishte i kulturuar, komunikues, i afërt.

Dhe  në mbrendin e shpirtit të tij kishte diçka të rrallë: një ngrohtësi njerëzore që nuk vinte nga fjalët e mëdha, por nga mënyra se si të dëgjonte e si të fliste.

Ndoshta madhështia e vërtetë e njeriut nuk matet me titujt që mban, por me mënyrën se si i bën të tjerët të ndihen pranë tij pranë Gjeloshit ndiheshe mirë.

Sot, kur mendoj për të, më duket sikur ai ende qëndron përballë një pikture grafike.

Ndoshta ende kërkon një ngjyrë një dritë apo një hije.

Dhe pikërisht këtu kujtesa bëhet më e fortë se vdekja, sepse një artist i madh nuk largohet plotësisht. Ai vazhdon të jetojë në veprën e tij.

Pikturat e tij nuk janë thjesht sipërfaqe të mbuluara me ngjyra. Ato janë gjurmë të një shpirti që ka kërkuar, diçka te madhe,ka vuajtur, ka ëndërruar dhe ka parë botën ndryshe nga ne.

Prandaj, kur një artist ikën,  vepra nuk mbetet bosh ajo  bëhet dëshmi, bëhet kujtim bëhët frymëzim për gjeneratat qe vijnë.

Bëhet një lloj fjalori i heshtur ku brezat e ardhshëm do të kërkojnë gjurmët e atij që e krijoi.

Maestro…

Kështu do të doja ta thërrisja edhe sot, jo për titullin akademik, jo për emrin që kishte fituar në botën e artit por për atë që ishte. Një maestro i ngjyrës. Njeriu, që dinte ta kthente heshtjen në figurë dhe ngjyrën në mendim. Sot më mungon ngjyra, më mungon fjala. Më mungon ajo prani e qetë që e bënte bisedën më të ngrohtë. Pa ty, disa telajo duket sikur kanë mbetur jetime. Por ndoshta kjo është vetëm ndjenja ime. Sepse tela jot e tua nuk janë jetime. Ato kanë mbetur me ty.

Dhe tani janë ato që flasin. Flasin në vend të autorit.

Kur një njeri vdes, kujtimet fillojnë të marrin një tjetër dritë. Detajet që dikur na dukeshin të zakonshme bëhen të çmuara.

Një takim i shkurtër bëhet një kapitull. Një shtrëngim duarsh bëhet kujtim i përjetshëm.

Një bisedë që dikur e mendonim të zakonshme, pas shumë vitesh bëhet diçka që do të donim ta dëgjonim edhe një herë.

Kështu ndodh edhe me njerëzit e artit. Ata nuk na lënë vetëm veprat.

Na lënë edhe një mënyrë tjetër për ta parë botën. Gjelosh Gjokaj na la ngjyrat e tij.

Na la heshtjen na la një pjesë të Mileshit. Na la një pjesë të Augsburgut. Na la një urë mes vendlindjes dhe botës. Dhe mbi të gjitha, na la një vepër që vazhdon të jetojë përtej tij.

Gjelosh Gjokaj — Maestro.

Një emër i shkruar jo vetëm në historinë e artit, por edhe në kujtesën e atyre që patën fatin ta njohin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok