Film dramatik për plagën e madhe të papunësisë
Nga Blerim Rrecaj
Filmi “Shame and Money” i regjisorit Visar Morina pos që është një film që paraqet një prej plagëve të mëdha siç është papunësia, një prej problemeve të njohura e që vazhdon të mbetet proplem i pazgjidhshëm, sidomos në trojet shqiptare. Duke qenë një problem shumështresor për shekuj të tërë, ky film paraqet shkaqet dhe pasojat në Kosovën e pasluftës që përmbledhin tri dekadat e fundit.
Rrëfimi fillon kur njëri nga anëtarët e një familjeje në pjesën qendrore të Kosovës në një fshat të Drenicës, më saktësisht Çikatovë e vjetër merr rrugën e mërgimit për mungesë perspektive, e pas tij pjesa tjetër e kësaj familjeje mërgon brenda vendit po për të njejtat arsye duke u vendosur në kryeqendër, në Prishtinën e kaosit e transformimeve të mëdha, ku edhe këtu perspektiva për një jetë të dinjitetshme vazhdon të mbesë e vrazhdë, e egër e dërmuese, një luftë e përditshme për ekzistencë, pa e ditur se si do shkojë dita e si do të agojë ajo. Dy personazhet kryesore të filmit, bashkshortët Shabani dhe Tixhja që s’lënë vend pa kërkuar, e që s’lënë punë pa provuar për të mbajtur familjen, përballen me lloj llloj sfide, për fitimin e ca të hollave për ta shtyer jetën nga dita në ditë e na java në javë. Pasi që duhen para për gjërat elementare për ta mbajtur familjen me bukë, ujë e nevojat e domosdoshme, për pagesën e banesave ku jetojnë me qera, të cilat detyrohen t’i ndërrojnë aq shpesh, për nënën e fëmijët.
Jeta e mezipërballueshme vazhdon me shumë ndodhi, çaste e detaje dhe është një maratonë e gjatë përpjekjesh, vuajtjesh, mundimesh, rropatjesh marramendëse e të njëpasnjëshme.
Duke parë e pasi shohim këtë film na përshfaqen shumë raste qoftë individuale, shoqërore a raste të personave tjerë, të afërm, të njohur, e raste e ndodhi të përjetuara a të dëgjuara me të cilat është tejngarkuar vendi ynë, e mbase ky shkak bën që filmi dy orësh të na duket film shumë më i gjatë por duke na mbajtur përqëndrimin e vëmendjen në nivel të lartë se si do të shkojë puna me punët e dy bashkëshortëve, e çfarë rrjedhash do na sjell lufta e tyre për mbijetesë që në masë të madhe përfaqëson pjesën tjetër të shoqërisë të dalë nga lufta e që vërdallisen në një tranzicion që s’i duket fundi.
Personazhi i filmit Shabani së fundmi zë vend si rojtar nate në një lagje luksoze dhe biseda që zhvillohet në kabinën e rojës së natës, mes tij dhe një punëtori që së shpejti do ta lë punën këtu për t’u kthyer në një qendër tjetër, në vendlindjen e tij, më saktësisht në Pejë, dhe këtë ai e bën për shkak të rrogës së vogël e kursimit që do bëjë nga mjetet e udhëtimit, tregon krizën e rëndë që vazhdon e kushedi se kur mund të duket ndonjë shteg, e ndonjë dritë në horizont.
Filmi përfundon kur Shabani mbyll laurën ku hyn njëra nga veturat në këtë lagjeje. Dhe është muzg. Me këtë mbyllje porte ai sikur mbyll plagët e papunësisë…
Pos tjerash ky film është një pasqyrë e madhe realiteti e fshati Çikatovë e vjetër dhe kryeqyteti Prishtina janë dy na pjesët e kësaj pasqyreje në të cilat secili prej nesh mund ta shohim veten, edhe të kthehemi për ta parë këtë gjëmë të madhe që na ka rënë hise dhe me të cilën përballemi përditë…
