Prezantim i suksesshëm i shkrimtarëve shqiptarë në Vjenë
Vjenë, 25 shtator 2026: Në një sallë përballë Katedrales së Vjenës, anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, lexuan tekstet e tyre në gjuhën gjermane duke dëshmuar kështu përkushtimin për një integrim sa më kuptimplotë në shoqërinë vendase. Ata po ashtu deklamuan edhe vargje në gjuhën shqipe duke bërë që publiku austriak të ndjejë më afër këtë gjuhë, ndër më të vjetrat në botë. Ky aktivitet bën pjesë në vazhdën e rrjetëzimit me shoqatat tjera kulturore në këtë shtet mik.
Nga Anton Marku
Në emër të nikoqirit, Shoqatës së Shkrimtarëve Katolikë në Austri, të pranishmit fillimisht i përshëndeti Felix Jeanplong. Ai në mënyrë të veçantë falënderoi për praninë e tij meshtarin shqiptar dhe udhëheqësin e Misionit Katolik Shqiptar në Austri, don Pren Kolen.
Më pas Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili edhe drejtoi këtë mbrëmje letrare, nënvizoi rëndësinë e aktiviteteve të këtij lloji, sidomos ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes popujve dhe njerëzve duke shfrytëzuar fjalën e shkruar si mjet komunikimi mes tyre. Ai, në pika të shkurta, përshkroi historinë e themelimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ si dhe veçoritë e gjuhës shqipe.
Në pjesën qendrore të këtij evenimenti, para publikut austriak u paraqitën katër anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ si dhe një autore mysafire. Fillimisht Gjergj Jozef Kola lexoi fragmente nga drama e tij ‘‘Rini e pa dhunshme’’ ndërsa Gabriela Mujaj deklamoi vargje nga libri i saj ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’. Vargje të tyre lexuan edhe Besim Xhelili dhe Fitnete Bashota-Krasniqi, e cila kishte udhëtuar nga Linz-i për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Në anën tjetër Lilla Binbrika, e lindur në Budapest dhe e rritur në Vjenë, ishte e ftuar në cilësinë e mysafirit që të jetë pjesë e këtij programi duke i shtuar shumëllojshmërinë dhe bukurinë kësaj mbrëmjeje artistike, të cilës i dha një intonacion të veçantë edhe pjesët muzikore në violinë të interpretuara me mjeshtri nga Erseka Nekaj.
Në fund, Johannes Wais, sekretari i përgjithshëm i shoqatës nikoqire, duke falënderuar mysafirët për leximin e teksteve të tyre, tha se ndjehet shumë i kënaqur me kualitetin e shkrimeve të lexuara si dhe me tingullin e gjuhës shqipe. Ai citoi edhe një thënie të Shën Terezës, ku ajo është shprehur: ‘‘Unë jam një laps i vogël në duart e Zotit, me të cilin Ai shkruan letrën e dashurisë së Tij për botën.’’
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo sivjet feston 15-të vjetorin e krijimit dhe është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Me një qasje serioze dhe cilësi në organizimin e më shumë se 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shumë domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

