Për jetimët duhet të mendohet çdo ditë jo vetëm në 20 Maj

0

Ishte Ditë Kujtese dhe reflektimi për më shumë vemendje dhe politika sociale në ndihmë të jetimëve

Nga Albert Z. ZHOLI

20 Maji njihet ndryshe si Dita e Fëmijëve Jetimë. Pra është dita e atyre, që rrallë u gëzon shpirti, rrallë u qesh buza, shumë rrallë ndjejnë një dorë të ngrohtë mbi supet e njoma. Aktualisht në Shqipëri ka 31 mijë fëmijë jetimë. Të vetëm në rrugët e jetës, të vetëm në ditë festash, të vetëm në qarjen e halleve. Ata, për të arritur diçka më minimale kanë sfiduar jetën, kanë sfiduar hallet, duke i thënë vetes stop, mjaft me ndihmën mjerane të shtetit, të shtetarëve inidiferentë, por investo vetë për të qenë dhe ti pjesë integrale e shoqërisë. Dje Bashkia e Tiranës së bashku me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë zhvilluan një aktivitet të përbashkët për Ditën e Jetimëve. Fokusi i takimit ishte organizimi i punës së përbashkët për ndihmën, që duhet t’i jepet në vijimësi kësaj shtrese në nevojë të shoqërisë shqiptare. Nuk ishte Ditë Feste. Ishte Ditë Kujtese dhe reflektimi për më shumë vemendje dhe politika sociale në ndihmë të jetimëve. Në këtë takim merrnin pjesë zëvëndëskryetari i Bashkisë Tiranë z. Andi Seferi (në mungesë të z. Erion Veliaj për arsye pune), Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë z. Ilir Çumani, fëmijë nga ky komunitet, artistë, poetë, intelektualë të fushave të ndryshme. Mes tyre ishin dhe shumë intelektualë me emër që dikur jetimë, sot janë figura të shquara në shumë fusha të artit, sportit, shkencës. Midis pjesëmarrësve mund të përmendim z. Bekush Birçe, Bujar Asqeriu, Ema Qazimi, Bashkim Alibali, Shqipe Zani, Myfarete Laze, Liljana Kondakçi, Pëllumb Elmazi, Irma Libohova, Tefta Cami, Kozma Dushi, e shumë të tjerë. Në fjalën e tij nënkryetari Seferi e vuri theksin te domosdoshmëria e përkrahjes së kësaj pjesë të shoqërisë shqiptare, e cila është gjithmonë më e rrezikuar  ndaj problemeve sociale. Ai përmendi punën e vazhdueshme që bën Bashkia më Institutin e Fëmijëve Jetimë për të qenë gjithmonë pranë kësaj kategorie. Z. Velia është një kryetar që gjithmonë e ka në qendër të vëmendjes këtë kategori dhe jep ndihmën e tij konkrete e të vazhdueshme për ta. Njëkohësisht duhet të nxjerr në pah bashkëpunimin e vazhdueshëm me z. Çumani,- përfundoi Seferi. Ndërsa z. Çumani duke falënderuar Bashkinë për përkrahjen i bëri një rezyme të shkurtër punës së Institutit që ai përfaqëson në ndihmë të jetimëve përgjatë 20 vjetëve të egzistencës së Institutit. Ai tha se 20 Maji duhet të shikohet si një ditë Apeli ndaj qeverisë dhe institucioneve bamirëse apo dhe individëve. “Mendoj se i ka kaluar koha valëvitjes spekullative të “kartës sociale të mëshirës” nga individë dhe matrapazë social, që prej shumë vjetësh kanë luajtur në mënyrë abuzive dhe të shëmtuar me ndjeshmërinë dhe sensibilitetin e shtetit dhe të shoqërisë në lidhje me jetimët. Vitet e fundit kjo ditë është kthyer në formën e festës dhe ku fëmijëve i dhurohet diçka, por më shumë se dhurata Institucioni Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë (ai që ka ndihmuar shumë në këtë çështje) kërkon mbështetje nga qeveria për të përmirësuar dhe ndihmuar gjendjen ku ndodhen këta jetimë-theksoi Çumani. Pas tij e morën fjalën shumë personalitete të arti dhe të kulturës:

-Pëllumb Elmazi-këngëtar

-Është kënqësi për mua sot të jem në këtë ditë të rëndësishme  të Ditës së Fëmijëve Jetimë. Për këtë kategori gjithkush ndjen dhimbje dhe dëshirë për të ndihmuar. Dëshiroj që kjo ditë të shërbejë si një thirrje për gjithë institucionet shtetërore, por edhe JOQ për të bërë ligje, të cilat do t’i shërbejnë në vijimësi kësaj kategorie të pambrojtur të shoqërisë sonë. Ligjet për ta duhet të jenë favorizuese që të sjellin ndryshime rrënjësore për një jetë sa më të mirë dhe të sigurtë.

Bujqar Asqeriu, “Nderi i Kombit”

-Kjo ditë është një ditë Apeli. Është një ditë ndërgjegjësimi për këtë pjesë të shoqërisë sonë. Ne kemi një të kaluar të hidhur ndaj duhet të jemi më sensibël për ta. Atyre u mungojnë shumë gjëra, që nga dora e ngrohtë e nënës, fjala e ngrohtë, ndihma në shumë raste, të cilat i kanë penguar të rriten pa problem. I takon një shoqërie të emancipuar, një shoqërie të civilizuar që atyre t’u japë dinjitetin e duhur. Ditë të tilla ata duhet të kenë vazhdimisht se gëzimi dhe ngrohtësia njerëzore nuk mjaftojnë për një ditë.

-Ema Qazimi, “Mjeshtre e Madhe”

Unë e përjetoj shumë këtë ditë. Një pjesë të fëmijërisë, 4 vjet i kam kaluar në Shtëpinë e Fëmijëve 8 Nëntori, sot “Zyber Hallulli”. Kam bërë 4 vjetët e shkollës fillore aty, duke qenë se familja ime kishte probleme sociale dhe ekonomike. Në jetimore unë kam qenë bashkë me 3 motrat e mia. Kam një nostalgji për atë kohë, për atë jetë. Ndjej emocione kur e kujtoj, aq emocione, saqë nuk i kam ndjerë as në skenë. Falënderoj bashkinë dhe z. Çumani për të gjitha ato që kanë bërë për këtë kategori fëmijësh.

Bejkush Birçe, ‘Mjeshtër i Madh”

Kjo është një ditë e veçantë: një ditë që të bën të mendosh shumë. Për këtë kategori duhet të mendojnë të gjithë. Fëmijët sot duan më shumë sheshe për lodra, më shumë fusha futbolli, më shumë fusha për aktivitete të ndryshme. Ata duhet të përkrahen që të gjejnë veten si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë me prindërit. Ne tashmë duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë pas kësaj dite.

Myfarete Laze “Mjeshtre e madhe”

Gjithmonë këtë ditë e kujtoj me këtë Institut të z, Çumani. Për mua si nënë është një ditë  specifike. Nënat e shohin me sy tjetër këtë ditë. E shohin me krahasime vitesh si ishin, si janë. Mendoj se vërtetë duhet të jetë ditë Apeli. Për këtë kategori nuk duhet të rreshtim së ndihmuari. Viti ka 365 ditë dhe ndihma ndaj tyre nga të gjithë duhet të jetë e vazhdueshme ashtu si ne ndihmojmë fëmijët në familje.

Tefta Cami-ish ministre Arsimi

Ndihem mirë që jam pjesë e kësaj ceremonie. Çdo shoqëri ka detyrimet e saj ndaj kësaj kategroie. Sot më tepër se kurrë në këtë kohë krize ndihma ndaj jetimëve duhet të jetë më korrekte. Ata janë si ëngjëj, që presin ndihmën nga çdo njeri, individ, institucion që i ndihmon me zemër.

Në fund të takimit u ndanë dhe shumë vlerësime nga Bashkia e Tiranës për pjesëmarrësit, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për këtë kategori të shoqërisë shqiptare. Z. Ilir Çumani u vlerësua me titullin “Medalja e Lartë e Mirënjohjes” me rastin e 20-vjetorit të themeilimt të Institutit.

Ndërsa me “Certifikatë Mirënjohje” u vlerësuan:

Perikli Çuli – Skulptor i Popullit; Ema Qazimi – Këngëtare, Mjeshtre e Madhe; Tefta Cami, ish Ministre e Arsimit dhe e Kulturës; Kolec Traboini – Kineast, Mjeshtër i Madh; Shyqyri Sako- Piktor i Filmit Shqiptar, Artist i Merituar; Prof. dr. Lekë Sokoli – Sociolog, Pedagog; Mimika Luca – Aktore, Artiste e Merituar; Bujar Asqeriu – Aktor, Nder i Kombit; Bejkush Birçe – Ish Trajner i Kombëtares së Futbollit, Mjeshter i Madh; Ilir Çumani- Aktivist i Shoq. Civile për mbrojtjen dhe Integrimin e Fëmijëve Jetim- Dr. i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Kur do ndahehshin të gjthë pjesëmarrësit bënë një fotografi për të pëjetësuar këtë takim mbresëlënës, që shtoi më shumë dhe një rreze drite ndihme për jetimët shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok