22/12/2024

PËR BALILIN S’KA KUSH TË SHKRUAJ

0
Mihal-Gjergji2

Nga Mihal Gjergji

Prej kohësh kam dashur të shkruaj për një figurë të ndritur të Kurveleshit, për Balilin e Inxhisë, djalë nga Nivica dhe nip në Bolenë. Jam kthyer në motet e largëta, rreth dy shekuj më parë, dhe kërkoj të mbledh kallëza në një tokë të pluguar prej disa brezash, me shpresën se diçka do të gjej, me besimin se kanë mbetur gjurmë gjaku dhe eshtrash nga luftëtari emërshquar. Edhe gjurmë këngësh, të cilat s’vdesin, asnjëherë. Mësoj të vërteta të panjohura për fisin Meço ku lindi dhe u rrit nëna e trimit. Bëhem kurreshtar dhe pyes; përse ka shkuar Inxhia deri në Janinë, te sarajet e Ali pashë Tepelenës dhe çfarë ka biseduar me vezirin? Bele Nesha, bija e Demo Eminit, teksa qëndronte mbi kaptellin e djepit dhe u këndonte ninulla nipërve dhe mbesave, mbillte ndërkohë edhe farën e zgjedhur të cilën e kërkojmë me kaq ngulm në ditët tona. Janë gojëdhëna të trashëguara në fisin ku ishte martuar. Dhe kujtimet e Beles janë ruajtur me fanatizëm deri te mbesa e saj, Gjenovefa. Në moshën e fëmijërisë, në rrethana ende të pazbardhura, Ali Pashën e përzënë nga Smokthina ku ishte strehuar dhe kërkon mbrojtje në Bolenë. Dhe u strehua në Leskodukaj, u rrit bashkë me Inxhinë, të cilën e konsideronte si motër. Shumë vite më vonë, burrat e mënçur dhe trima të Bolenës dhe Kurveleshit e dërgojnë në Janinë. Inxhia bujti te sarajet e Aliut, i cili e priti dhe e nderoi siç e meritonte. Dhe i kërkoi Aliut të hiqte dorë nga lufta kundër Kurveleshit dhe Himarës. -As kapedanët s’kanë guxuar të më flasin kështu, i tha Aliu, por unë të kam motër, ndaj të dëgjoj. -Dhe mos harro, i tha Inxhia, Balil Nesha që lufton kundër turqve eshte djali im. -Edhe unë i luftoj turqit si Balili, vijoi bisedën Aliu…Nuk dimë ç’kanë biseduar tjetër, sepse jemi në kushtet e burimeve të kursyera dhe më shumë hamendësojmë për probleme familjare apo fisnore të Inxhisë. Nuk dimë gjithashtu edhe për fatin e djalit tjetër të saj, Miftarit, po aq trim sa i vëllai, Balili. Hapa fjalorin e gjuhës shqipe dhe shikoj përqasjen e fjalës “neshter” asaj thikës së mprehtë që depërton deri në kockë, pastaj pyes; cila është lidhja me mbiemrin e Balilit? Edhe për nënën e tij me emër drite; Inxhi, që do të thotë margaritar. Populli s’gabon asnjëherë, sipas shtatit të pret kostumin. Me siguri që keni dëgjuar për luftën e Peshkëpisë në vitet 30 të shekullit XIX. Emin Pasha, valiu i Janinës, nisi trupat në drejtim të Gjirokastres. E ndërkohë, luftëtarët e Labërisë u nisën në drejtim të Janinës. U përplasën me forcat turke në afërsi të fshatrave Kakavije, Peshkëpi, Kserovalt dhe Guver. Shumica e kryengritësve u vendos në qafën e Peshkëpisë nën udhëheqjen e Balil Neshës. “Kuç, Kallarat e Bolenë/ gjithë me Balilë u ngrenë/ në lumë e zunë dyfenë/ mandata derë më derë” Pikërisht te hani i Kserovaltës, Balili goditet nga një gjyle topi. “Topçinjtë me top ta dhanë/ flaka të mori fustanë”. Betejat në të cilat ka marrë pjesë Balili janë të shumta, unë përmenda vetëm njërën prej tyre. Kur ndodh të shkoj në vendlindje, ndaloj dhe te varri i gjyshes time nga nëna, Trëndafiles. Ishte bijë nga Nivica. I vendos një lule dhe qendroj disa çaste te pllaka e varrit. Më bëhet se dëgjoj zërin e saj ngarkuar dhimbje e brengë: -Për Balilin s’ka kush të shkruaj…Vërtet, s’ka kush të shkruaj. E kishte dajo Balilin e Inxhisë. Ishte e bukur Trëndafilja, si dielli, por ja shkurtuan jetën, i burgosën djalin. S’e përballoi dot dramën, ju dorëzua vdekjes në mesin e jetës. Ajo luftë e pakuptimtë vazhdon ende, por në trajta të tjera. Asnjëherë s’kanë munguar kryezbrazurit e keqarsimuar që kanë vetëm vithje kali e s’ngurojnë të ngrejnë duart e fëlliqura për të hedhur baltë mbi këto figura madhore. Punë e madhe. Jam i bindur që edhe te balta e hedhur prej tyre do të çelin lule. Më vjen keq për mjerimin e tyre kulturor, edhe për gjuhën tonë të bukur që ata e lëndojnë, sepse s’dinë si shkruhet e si këndohet muzika e saj. Ata ulen të paftuar në sofrën që s’i përket sërës së tyre. Sikur të mungonin antishqiptarët, me siguri do kishim mbritur larg, por ja që s’ka ndodhur kështu, asnjëherë. Ndoshta s’më besoni, por Nivicës së Kurveleshit i mungon shtatorja në kujtim e nderim të Balil Neshës, ndërsa Hodo Aliut i mungon krahu i djathtë.

Tiranë, Maj 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok