Pasqyra e një shoqërie në krizë gjykimi (PISA)
Shkruan: Ramiz Selimi
Duke jetuar gjashtë vitet e fundit më shumë në Kosovë, kam pasur mundësinë ta shoh shoqërinë tonë nga afër, jo vetëm përmes statistikave, raporteve apo deklaratave politike, por përmes jetës së përditshme. Dhe ajo që kam parë e kuptuar më ka bindur se problemi ynë është shumë më i thellë sesa një rezultat i dobët në një test ndërkombëtar. Shoqëria kosovare gjendet në një gjendje të vështirë arsimore, sociale dhe, mbi të gjitha, mendore.
Fëmijët janë ata që kanë më së paku faj për këto rezultate. Ata janë produkt i një sistemi të kalbur që nuk e kanë ndërtuar vetë, e që rrotullohet në të njëjtin rreth vicioz që nga paslufta. Megjithatë, rezultatet e PISA-s janë një tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm i gjendjes së një shoqërie, jo vetëm i gjendjes së arsimit. Ato nuk matin vetëm atë se çfarë ka mësuar një fëmijë në shkollë, por në një masë të madhe pasqyrojnë mënyrën se si një shoqëri mendon, si i rrit fëmijët, si e trajton dijen, sa investon në arsim dhe çfarë standardesh vendos për veten dhe për të ardhmen e saj.
Prej rreth dhjetë vjetësh matemi me botën përmes PISA-s dhe, në mënyrë të përsëritur, gjendemi në fund të renditjes. Edhe Palestina gjendet mbi ne. Atëherë pyetja është e pashmangshme: Pse?
Do të përpiqem ta shtjelloj këtë pyetje jo si ekspert i arsimit, por si një qytetar që e ka parë nga afër shoqërinë ku jeton.
Sistemi shoqëror që jemi përpjekur ta ndërtojmë gjatë më shumë se tri dekadave duket se vazhdon të ecë në të njëjtin drejtim, pa një strategji të qëndrueshme dhe pa një vizion afatgjatë. Ndërkohë, politika shpesh sillet sikur gjithçka është në rregull. Deklaratat e politikanëve, të arsimtarëve, por edhe të të rinjve për “avancim të shoqërisë në krahasim me vëllezërit e tyre mërgimtarë”, përsëriten me një siguri që nuk përputhet me realitetin që shohim përditë.
Si nuk u vjen turp të flasin për arritje, kur nuk janë në gjendje të rregullojnë as gjërat më elementare, kur në shumë vende ende ka probleme me ujin dhe rrymën?
Në sytë e mi, disa nga standardet që janë krijuar në Kosovë do të konsideroheshin anomali në shumë shtete të zhvilluara. Nuk po i rendis këtu, sepse secili prej nesh mund t’i gjejë me lehtësi në jetën e përditshme.
Dhe, nëse PISA do të ishte zhvilluar në Kosovë në vitet 2000, kam frikë se rezultatet nuk do të ishin shumë ndryshe. Sepse problemi nuk ka lindur sot, ai është grumbulluar ndër vite.
Por ka edhe një fakt tjetër, shumë më shqetësues. Me këtë nivel arsimor kemi prodhuar edhe shoqërinë që kemi sot. Këtu janë formuar politikanët, administrata, mësuesit, arsimtarët, profesorët, policët, mjekët dhe profesionistët e të gjitha fushave. Shkolla e dobët e djeshme është, në një masë të madhe, institucioni i dobët i sotëm. Ka dy vjet që nuk jemi në gjendje as të ndërtojmë institucione të qëndrueshme.
Prandaj është e dhimbshme t’i dëgjosh pikërisht disa prej këtyre njerëzve, në politikë, në arsim, por edhe të rinj, qytetarë të rëndomtë, tek flasin me aq vetëbesim për “avancimin” e vendit. Avancim ku? Si mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm kur pas kaq shumë vitesh ende nuk kemi arritur të ndërtojmë e të rregullojmë si duhet as sistemet themelore sociale, mes të cilave edhe atë pensional?
Nuk mund të ndërtohet një shtet i fortë vetëm me ndërtesa dhe statistika ekonomike në letër. Një shtet ndërtohet para së gjithash me njeriun. Dhe njeriu formohet shumë përpara se të hyjë në universitet, në administratë apo në një zyrë shtetërore. Njeriu formohet në familje.
Prandaj, për mua, bazamenti i shumë prej problemeve tona fillon pikërisht aty: te familja.
Si funksionon familja kosovare sot, në qytet dhe në fshat?
Familja është alfa dhe omega e zhvillimit të një shoqërie. Por sot, në shumë raste, ajo është e përfshirë në një garë të pafundme për mbijetesë. Shumë prindër punojnë gjithë ditën për të siguruar kafshatën e gojës. Shpesh nuk u mbetet as koha dhe as energjia për t’u marrë me fëmijët, për t’i dëgjuar, për t’i orientuar dhe për t’u ndërtuar atyre një botë ku dija, libri, puna dhe përgjegjësia kanë vlerë.
Në disa familje ekziston edhe një mentalitet tjetër: fëmijët, sapo rriten, shtyhen të krijojnë familje, shpesh sikur qëllimi kryesor të jetë vetëm shtimi i numrit të anëtarëve. Por të krijosh familje nuk do të thotë vetëm të kesh fëmijë. Do të thotë të marrësh përgjegjësi për formimin e tyre njerëzor.
Një fëmijë nuk rritet vetëm me ushqim, veshmbathje dhe shkollim. Ai ka nevojë për praninë e prindit, për kufij, për bisedë, për shembull personal dhe për përgjegjësi. Kur këto mungojnë, boshllëkun e mbush dikush tjetër.
Shpesh e mbush telefoni.
Fëmijët kanë qasje pothuajse të pakufizuar në celularë, rrjete sociale dhe përmbajtje që nuk janë gjithnjë të përshtatshme për moshën e tyre. Telefoni, në shumë familje, është kthyer pa dashje në një lloj dadoje elektronike: prindi është i zënë, fëmija është i qetë, dhe problemi duket sikur është zgjidhur. Por në të vërtetë vetëm është shtyrë.
Kur një fëmijë kalon orë të tëra para ekranit, ka gjithnjë e më pak kohë të merret me libra, me prindërit, me shokët, me sportin dhe me jetën reale. Prandaj nuk duhet të habitemi kur nesër të kemi një brez me vështirësi në përqendrim, në lexim, në të menduarit kritik dhe në komunikim.
Pastaj vjen shkolla. Dhe këtu kemi një tjetër hallkë të problemit.
Shkollat private, në vend që të ishin një alternativë që ngre standardin, në disa raste rrezikojnë të bëhen pjesë e problemit, sidomos kur mungojnë kriteret e qarta dhe mbikëqyrja e efektshme shtetërore. Arsimi nuk mund të matet me numrin e diplomave të lëshuara. Një diplomë pa dije është vetëm një copë letër. Dhe, çfarë mjerimi për një shoqëri, ende vuhet për një titull, qoftë ai edhe i blerë.
Nëse nxënësit vlerësohen pa standarde të qarta, nëse kërkesat e kurrikulave nuk zbatohen njësoj dhe nëse sistemi lejon që notat të bëhen më të rëndësishme se dija, atëherë prodhojmë atë që mund ta quajmë analfabetizëm funksional: njerëz që dinë të lexojnë, por kanë vështirësi të kuptojnë; dinë të shkruajnë, por nuk dinë të argumentojnë. Kanë diploma dhe tituj, por nuk janë të aftë të zgjidhin probleme reale.
Dhe kjo është ndoshta një nga tragjeditë më të mëdha të një shoqërie: kur dokumenti i dijes fillon të zëvendësojë vetë dijen.
PISA na e tregon këtë problem me shifra. Por shifrat janë vetëm sipërfaqja. Poshtë tyre qëndron një kulturë e tërë e arsimit, e familjes dhe e përgjegjësisë shoqërore.
“Çmenduria” është bërë norma jonë e re!
Kjo masë analfabetësh funksionalë ka prodhuar më pas produktin e vet më grotesk: politikën e sotme. Kur një shoqëri humbet gjykimin, pashmangshmërisht do të udhëhiqet nga të çmendurit. Sot në politikë, në polici e në çdo institucion kemi njerëz krejtësisht të shkëputur nga realiteti. A nuk është çmenduri politike kur kryeministri, me zgjerimin e rrugës për Pejë, diskriminon dhe deklason mijëra familje fshatarësh, duke u shkatërruar jetën e përditshme vetëm për të favorizuar interesa të caktuara? Një udhëheqës me mend në krye nuk e çon popullin e vet në këtë nivel poshtërimi. Ky njeri në pushtet nuk mund ta zgjidhë këtë problem shumë serioz të shoqërisë, siç është arsimi.
Nga kreu i shtetit e deri te qytetari i fundit gjendemi në një krizë të thellë mendore. Druaj se çmenduria është bërë norma jonë e re. I çmenduri shëtit lirshëm në shoqërinë tonë, e pastaj befasohemi kur ai vret motrën, nënën, vëllain, fëmijën,…
Kur një politikan e quan sukses një gjë që qytetari e përjeton si dështim, krijohet një hendek i rrezikshëm midis pushtetit dhe realitetit. Kur një sistem nuk pranon të shohë problemin, ai nuk ka asnjë mundësi ta zgjidhë atë.
Dhe njerëz me këtë lloj papërgjegjshmërie nuk i gjejmë vetëm në politikë. I gjejmë në administratë, në arsim, në polici, në institucione dhe, në forma të ndryshme, në shumë segmente të shoqërisë.
Prandaj, zgjidhja duhet të fillojë nga politika, por nuk mund të përfundojë vetëm aty.
Na duhet një pastrim serioz i mënyrës së mendimit politik dhe institucional. Na duhet të vendosim meritën mbi lidhjen, dijen mbi diplomën, përgjegjësinë mbi propagandën dhe interesin publik mbi interesin personal.
Duhet të fillojmë të pyesim jo vetëm sa shkolla kemi ndërtuar, por çfarë njerëzish po nxjerrim prej tyre.
Jo vetëm sa diploma dhe tituj janë dhënë, por sa dije ka mbetur në kokën e atyre që i kanë marrë.
Jo vetëm sa para janë shpenzuar për arsim, por çfarë ndryshimi kanë sjellë ato para në jetën dhe në mendjen e fëmijëve tanë.
Rezultati i PISA-s nuk duhet të na zemërojë me fëmijët. Duhet të na shqetësojë për veten. Sepse një fëmijë që del keq në një test nuk është dështim i fëmijës. Është një pyetje që shoqëria duhet t’ia bëjë vetes.
Dhe nëse pas dhjetë vitesh pyetja mbetet e njëjtë, ndërsa përgjigjet tona janë vetëm justifikime, atëherë problemi nuk është më te testi.
Problemi jemi ne.
