23/12/2024

Parking Art Gallery- një oaz i vogël kulturor në Tiranë

0
smart

smart

Nga Entela Binjaku
Viti 2023 është një vit me rëndësi në kalendarin e shoqërisë sonë: në pranverë qytetarët do t´i drejtohen votës për të zgjedhur qeverisësit vendorë ndërsa në vjeshtë pas 12 vjetësh shteti, nëpërmjet Instatit do tu drejtohet për t´i rregjistruar.
Në zgjedhjet e 14 majit ka edhe forca politike që vijnë nga radhët e pakicave kombëtare ndërsa në Censin e popullsisë dhe të banesave do të ketë edhe pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen në të drejtën e vetidentifikimit të individit…”. Të dyja këto procese lidhen me njëra-tjetrën pasi të dhënat statistikore për popullsinë dhe banesat do të përdoren për politikat publike, kombëtare, vendore.
Në përputhje me ligjin 96/2017 për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” në nenin 3 pika 2 thuhet: “Në kuptimin e këtij ligji, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare”. Ky ligj është miratuar në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, si dhe në përmbushje të prioriteteve që ka Komisioni Evropian për të drejtat e njeriut.
Në këtë atmosferë, pak ditë para nisjes së fushatës për zgjedhje vendore dhe 6 muaj para nisjes së Censit, çeli një gonxhe kulturore: një hapësirë e vogël në përmasa, e madhe në qëllime: Parking Art Gallery. Prej muajit mars në ndërtesën ku dikur ka qenë Ministria e Mjedisit e ku sot bashkëndajnë katet disa institucione të rëndësishme publike, është krijuar enkas një mjedis kushtuar përfaqësueseve të pakicave kombëtare të Shqipërisë. Në katin e sipërm të kësaj godine emblematike për qytetin ndodhet edhe vetë Komiteti për Pakicat Kombëtare,një institucion që njihet fare pak nga opinioni i gjerë.
Në lajmet për çeljen e saj mësohet se kjo hapësirë do të jetë e hapur për këdo nga 9 pakicat kombëtare që ka dëshirën, ambicien, pasionin por jo mundësinë për të ekspozuar punët e tyre. Nga mediat mësohet se kjo hapësirë do të shërbejë edhe për OJF-të e pakicave kombëtare për aktivitete të ndryshme që lidhen me promovimin e vlerave kulturore të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, si ekspozita, promovime librash, shfaqe dokumentarësh dhe filmash etj.
Me një përkushtim të admirueshëm e disi të rrallë për mendësinë e shërbëtorëve tanë publikë, në krye të kësaj nisme qëndron Sead Kazanxhiu, Nënkryetar i Komitet për Pakicat Kombëtare, njëherazi përfaqësues i njërës prej 9 pakicave të njohura në legjislacionin tonë. Sipas një kalendari të përcaktuar e që për këtë vit është edhe përmbyllur, pritet që ekspozitat t´i lënë vendin njera-tjetrës duke qëndruar mjaftueshëm gjatë të hapura, aq sa kushdo ka interes të shkojë e ta vizitojë.
Arben Koliçi nga Fieri, përfaqësues nga pakica arumune ishte i pari që në muajin mars nisi kalendarin e këtij mjedisi duke paraqitur punimet e tij në ekspozitën me titull “Prim`ordine”.
Prej 6 prillit 2023 qëndroi hapur ekspozita e dytë me titull: “Stacioni i gjelbër” dhe ka si protagonistë Xhenson Çelën dhe Malvina Luftën. Xhensoni është paraqitur në këtë aktivitet me vizatime dhe ilustrime grafike që sjellin çaste nga jeta e pakicës rome, vështirësitë dhe përballjet e mundimshme për mbijetesë. Ndërkohë që Xhensoni jetëson përmes grafikës rrëfime dhe ngjarje të forta me të cilët është hasur kjo pakicë, Malvina i jep shikuesit një kënd tjetër të vështrimit të trajtimit të veshjeve tona, sendeve tona. Ajo përdor kujdesshëm materiale me ngjyra e copë për të rindërtuar historinë rome duke u dhënë jetë personazheve nga jeta e kësaj pakice. Një mori kukullash të ricklueshme jetësojnë konceptet e saj për mjedisin, komunitetin rom si një reflektim mbi çështjet që lidhen me këtë komunitet. “Ekspozita “Stacioni i gjelbër” sjell dy artistë të rinj …që na ftojnë në një udhëtim të shkurtër duke reflektuar mbi situata të ndryshme nga jeta e tyre e përditshme, të frymëzuar nga bota e aktivizimit dhe e animacionit” thotë në fjalën e tij përshkruese të këtij aktiviteti Sead Kazanxhiu, që është kujdesur për organizimin e saj. Ekspozita vizitohet nga kureshtarë, aktivistë dhe qytetarë të ndryshëm duke zgjuar tek ata ndjeshmëri që flenë apo që kanë nevojë të krijohen. Kjo hapësirë kulturore për pakicat kombëtare dhe prej pakicave e vendosur në një nga rrugët simbol të kryeqytetit ka ndër të tjera këtë synim: respekt, vëmendje, vlerësim! Të gjitha këto në një vit të rëndësishëm, në një Tiranë ku bashkohen pasione, energji e shpresa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok