PANDEMIA DHE KRIZA ARSIMORE NË MAQEDONINË E VERIUT

0

Nga Prof. Dr. Avzi MUSTAFA

Arsimi dhe edukimi për çdo komb në botë është një ndër faktorët kryesor të mbijetesës së tij. Më ardhjen e pluralizmit ,edhe në vendin tonë edhe ne iu gëzuam mundësisë se do të bëjmë transformime të thella demokratike edhe në sistemin arsimor. Por, kjo nuk ndodhi, ashtu siç ne synonim dhe dëshironim, kjo sepse gjatë periudhës së tanzicionit në vend që ta bëjmë më të mirën për arsimin, filloi një “pandemi”, ku se pari nëpërmjet firmave e nëpërmjet rrugëve të korrupsionit, tregtisë së paligjshme, prostitucionit etj., shkolla e humbi kuptimin e saj themelor. Si rrjedhojë, të pashkolluarit hapën firmat e u vetëshpallën “presidentë” ose “menaxherë” të firmave, ndonëse nuk kishin fare dije për atë që e bënin. Ky pasurim i shpejt e iluzor jo që e shkatërroi vetëm individin, por edhe shoqërinë dhe kombin në përgjithësi. Në këtë rrëmujë u shkatërrua edhe ajo që ndoshta ishte edhe e mirë.

Kjo na ndërgjegjësoi se arsimit i duheshin strategji të menduara mirë, ku do të vinte në pah arsimi demokratik, arsim okluziv dhe integrimin euro-antlantik. Nevoja e kërkonte gjetjen e një strategjie të përbashkët kombëtare me zhvillime afatmesme e afatgjata në fushën e arsimit. Përkundër kësaj, reformimi i arsimit filloi të bëhet nga kornizat e ngushta të një partie ose të partive që e udhëhiqnin pushtetin, ndërsa në krye të kësaj reforme gjithnjë qëndronte ministri i Arsimit.

Ndërkaq ministrat, me suitat e tyre, filluan të bëjnë ekskursione nëpër Europë, ku mahniteshin me modelet arsimore dhe pastaj vinin e përpiqeshin ta kopjojnë ndonjë koncept arsimore, pa marrë parasysh a kishim ne bazë financiare si vend. Ata miratonin ligjet që u duheshin, ndërsa ndërrimeve partiake vinte një ministër tjetër dhe ai e hidhte poshtë të parin dhe kërkonte model tjetër arsimor të ndonjë shteti tjetër. Kështu filluan të pranonin lloj-lloj projektesh të shteteve të huaja, ashtu që në vendin tonë u sollën vërdallë me dhjetëra e dhjetëra projekte, që asnjë herë nuk u vlerësuan dhe askush nuk dha përgjegjësi. Ata kokë më vete sillnin ligje pa i pyetur as nxënësit, as arsimtarët, as prindërit e as ata që i menaxhonin financat.

Nga ana tjetër, në vend që arsimi të demokratizohet, ai po centralizohej. Organet arsimore, si Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra për Vlerësim e shumë organe të tjera, u lanë si “oaza” që nuk dinin se çka punojnë dhe cila është detyra e tyre. Madje, si kërpudha pas shiut u hapën disa agjenci arsimore, të cilat kontrollonin çdo gjë, por mbi të gjitha ministri duhej të ishte i informuar për punësimet, bile edhe të një punëtore sanitare, se a është e partisë së tij.

Dhe, ndonëse do të mbushen gati 30 vjet nga tranzicioni, ne ende nuk kemi arsim të transformuar. Gjatë gjithë kësaj kohe te ne gjithë energjia është harxhuar për reforma të jashtme. Dhe, më e keqja është se secili ministër që vjen në këtë dikaster, e fillon punën nga e para, secili merr ndonjë model nga Europa dhe pa analizuar më shumë, dëshiron që ta zbatojë atë në kushtet tona të arsimit.

***

Gazetat dhe portalet, që nga janari i vitit 2020, filluan të shkruajnë për infektimet e njerëzve me virusin Covid-19. Më 26 shkurt ky virus arriti edhe në vendin tonë. Vijoi karantina, shifrat e të sëmurëve dhe të vdekurve, ndërsa ajo që lindi si problem ishte shkolla.

Kjo ishte arsyeja që shkollat u mbyllën dhe e vetmja alternativë ishte mësimi në distancë. Ky ishte një shok si për nxënësit, ashtu edhe për prindërit dhe për arsimtarët. Autoritet arsimore vepruan ashtu siç bënin edhe shtetet e tjera përreth ose edhe shtetet e tjera të Europës – mësimi filloi të zhvillohet pa prezencë fizike në shkollë.

Të marrësh vendime është lehtë, por t’i zbatosh kjo është shumë e rëndë. Së pari nuk kishte as plan-programe për gjendjen e katastrofave natyrore ose luftërave, me ç’rast mund të zhvillohen vetëm disa tema bartëse të mësimeve, ndërsa shkollave u mungonin pajisjet për mësim në distancë, si: interneti, kompjuteri, llap-topi, por edhe përgatitja e arsimtarëve për këtë lloj mësimi.

Arsimi në distancë ishte një sfidë e veçantë për drejtorët, mësuesit, nxënësit, studentët dhe, madje, edhe prindërit. Kjo formë e punës krijoi shumë probleme, sepse shumica e aktorëve mësimorë u ndeshën me të për herë të parë.

Në fillim për shumë nxënës e, sidomos për ciklin e lartë dhe shkollat e mesme, kjo ishte një festë. Megjithatë, shumë shpejt u kuptua se ajo është në të vërtetë një sfidë e vërtetë. Madje, për nxënësit kjo gjendje ishte një shkollë e veçantë, që kurrë nuk e kishin parë, por edhe për shumë arsimtarë, që për herë të parë po përballeshin me këtë lloj mësimi. Kishte edhe të tillë që i kushtuan një vëmendje të madhe këtij lloj mësimi dhe me një angazhim të zellshëm një pjesë shumë e madhe e arsimtarëve ia dolën ta përvetësojnë.

Sidoqoftë, mësuesit gjithashtu kishin nevojë për të marrë arsim shtesë gjatë mësimit në distancë, pasi kjo formë e punës kërkonte njohuri të reja prej tyre. Ata morën pjesë në punëtori të ndryshme me video, ku fituan njohuri të reja në fushën e didaktikës, pedagogjisë e psikologjisë. E sa u ndihmoi kjo arsimtarëve, u vërejt në procesin mësimor.

Mësimdhënia nëpërmjet të internetit solli shumë risi e probleme. Së pari filloi të përdoret termi e-klasa, që për të gjithë ne ishte shumë stresuese. Në fillim, nëpërmjet e- klasës, u paraqitën disa mësues, që mbanin mësim, por pa ndonjë përgatitje të duhur. Ata vetëm e bënin punën e tekstit që e shkruanin në tabelën elektronike dhe atë e lexonin.

Pas pak ditëve të gjitha shkollave u dërguan shkresa nëpër shkolla që të paraqiten arsimtarët, t’i përgatitin orët mësimore nëpërmjet internetit dhe ato të dërgohen me shkrim nëpër shkolla.

Por, shkollave u mungonin kompjuterë. Ose, dikush e kishte ndonjë kompjuter të vjetër “të papërdorshëm” 10-vjeçar, të siguruar nga shkolla me sistem operativ “të papërshtatshëm” për klasat në internet.

Ministria e Arsimit, siç deklaronte një mësuese, bënte presion që arsimtarët të fillojnë me regjistrimin e orëve dhe t’i fusnin ato në internet, por kishte mësues që ishin në një situatë shumë të keqe kur bëhet fjalë për pajisjet,”

Gjithë kjo i ngjante një pune që bëhej sa për të thënë se po behet diçka ose, siç thotë prof. Xheladin Murati, “hajde të luajmë teze”, ndërsa unë do të thosha se nga ajo që e përjetuan nxënësit, kjo ishte një “video-lojë me shokët e klasës ”. Kjo tek nxënësit nuk ishte asgjë më shumë se një lojë, por assesi mësim. Prandaj nxënësit e ciklit të ultë filluan ta shikojnë institucionin shkollë jo më si një institucion edukativo-arsimor.

Për fat të keq, edhe nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët nuk kishin qasje në klasat në internet në vitin e kaluar shkollor, ndërsa shkollat në fshatra aspak nuk mbajtën mësim që prej marsit të vitit 2020 deri sa mbaroi gjysmëvjetori i dytë, duke u notuar vetëm me ato nota që i kishin nga gjysmëvjetori i parë.

Ndërkaq nëpër fakultete, edhe pse mësimi mbahej në distancë, provimi duhej të mbahej me prezencë fizike, varësisht nga profesori dhe studenti.

Sipas të dhënave të mbledhura, numri më i madh i studentëve në vendin tonë në semestrin e dytë të vitit të kaluar shkollor ishte i përfshirë në zbatimin e mësimit në distancë.

Nëse duam t’u përgjigjemi pyetjeve se:

  • Cili është problemi i mësimdhënies në internet në kohën e virusit korona?
  • Si duket mësimi në distancë në fshatrat e thella të Maqedonisë së Veriut?
  • Çfarë u solli shkolla nga televizioni nxënësve në Maqedoni?

Epidemia Covid-19 i transferoi nxënësit dhe studentët nga katedrat e shkollës në tryezat e tyre shtëpiake dhe mësuesit nga zyrat e mësuesve në shtëpitë e tyre.

Mirëpo, mangësitë ishin të dukshme që nga fillimi. Në vitin 2016 ishte premtuar digjitalizimi i shkollave dhe interneti me shpejtësi të lartë për të gjitha institucionet arsimore, prezantimi i ditarëve elektronikë dhe informatika si lëndë mësimore nga klasa e gjashtë, madje njohuritë e para ishin parashikuar që nga klasa e tretë, por kishte dhënë shumë pak efekt.

Ideja “Për çdo nxënës një kompjuter” mbeti vetëm një përpjekje më shumë për përfitime korruptive sesa digjitalizim i shkollave. Arsimtareve iu shpërndanë disa kompjuterë kinezë, që i përdornin si ditarë elektronikë, ndërsa në shumë shkolla nuk ka pasur asnjëherë internet me shpejtësi të lartë, që arsimtarët ta kryenin këtë detyrim prej shtëpie.

Pandemia Covid-19 e gjeti të pa përgatitur vendin tonë. Pa asnjë klasë të përgatitur me internet e kompjuterë e të mos të flasim për shkollat rurale ose familjet me asistencë sociale, si dhe familje ku mësojnë 2 ose tre 3 nxënës në një familje. Pandemia e nxori në pah qartë se edhe në shekullin 21 nuk kemi klasa të mjaftueshme dhe se ende në shkolla po punohet në dy e tre ndërrime. Problem paraqisnin edhe mjetet dezinfektuese, tualetet pa ujë e pajisje të tjera higjienike, por edhe klasat dhe korridoret e ngushta, që nuk krijonin mundësi për ta respektuar distancën e përcaktuar, Problem tjetër paraqiste edhe kuadri mësimor, sidomos gjeneratat më të vjetra, që nuk mund ta përballonin këtë lloj mësimi dhe ishin të detyruar të hapin pushime mjekësore.

Sipas një informacioni të siguruar, deri në fund të vitit shkollor gjatë vitit 2020, një numër i madh i fëmijëve në Maqedoni nuk mund t’i ndiqnin klasat në internet, sepse ata nuk kishin mundësi të hyjnë në internet, pra përveç TV-klasës nëse dikush nga prindërit do të insistonte. Kishte, po ashtu, edhe studentë që nuk kishin qasje internet, ngase prindërit e tyre nuk kishin para për të blerë llap-topë ose kompjuterë. Ndërkaq, nga ana tjetër, ministrja e Arsimit deklaronte se mësimi në distancë “po realizohet me sukses dhe se arsimtarët janë të kënaqur”.

Megjithatë, këto deklarata u kontestuan nga shumë prindër e arsimtarë. Këtu po citoj vetëm një mendim të një prindi, i cili thotë se “nxënësve u thonë se disa nga mësuesit nuk mbajnë fare orë mësimore në internet, por që ata ua dërgojnë nxënësve vetëm detyrat e shtëpisë, pa ua dorëzuar përmbajtjen, ndërsa të tjerët thonë se platforma e përdorur – klasa Google – nuk është më e përdorshme, sepse është e mbingarkuar”.

Një numër i nxënësve ishin të detyruar që nxënësve që nuk kishin pajisje të nevojshme teknike, të vinin në shkollë për të marrë materialet e nevojshme mësimore, ndërsa kur e bënin këtë, u duhej të ktheheshin përsëri në shkollë, në mënyrë që mësuesit t’i rishikonin detyrat e tyre.

Si problem tjetër është edhe ajo se mësuesit ankohen se janë nën presion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe se studentët dhe prindërit përsëri janë nën presionin e mësuesve dhe profesorëve.

Edhe viti i ri shkollor 2020/2021 filloi me vonesë për një muaj. Ministria mori vendim se si do të ndiqet shkollimi, ngase pandemia ishte në pikun e infektimeve. Atëherë u vendos që nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë të kenë klasa ditore në shkollë, në grupe më të vogla, ndërsa nxënësit e shkollës fillore klasat e larta t’i ndjekin mësimet në mënyrë alternative, nëpërmjet TV-shkollës dhe në distancë, si edhe në grupe më të vogla, të përcaktuara nga Ministria dhe Këshilli Shëndetësor i Shëndetit Publik, gjithnjë sipas protokolleve.

Nxënësit në shkollat ​​e mesme janë gjithashtu të njëjta pozicione si në vitin shkollor të kaluar. Edhe pse ata kërkonin me këmbëngulje që fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 ta fillojnë me prezencë në klasë, atyre nuk iu plotësua dëshira, andaj nxënësit e shkollave të mesme nuk do të shkojnë në shkollë, pos shkollat profesionale që mësimin praktik gjatë javës do të mund ta ndjekin, kurse mësimin do ta vijojnë në distancë. Një pjesë e madhe e tyre e bojkotuan mësimin, ndërsa në disa komuna mësimi u zhvillua pa prezencë fizike. E njëjta situatë ishte edhe në universitetet ku mësimi më shumë mbahej në distancë sesa me prezencë fizike, ndërsa provimet me teste, por me prezencë fizike. Orët mësimore u shkurtuan në 30 minuta.

Mësimi në klasat e larta të nëntëvjeçares dhe të shkollave te mesme po zhvillohet nëpërmjet platformave të caktuara nga Ministria e Arsimit. Platformat digjitale fillojë me plot mangësi, madje edhe kur fillojë, tek nxënësit bëhen sa për sy e faqe, kështu që shumë nxënës i kalojnë ditët pa e prekur fare librin ose nuk paraqiten në platformat mësimore, duke u ankuar se u bie interneti, se nuk kanë valë ose se nuk dëgjohen. Ndonjëherë paraqiten nga vende të ndryshme dhe shkëputen me arsyen se nuk dëgjojnë, se nuk kanë internet e kështu me radhë.

Te një pjesë e nxënësve nuk kishte seriozitet në fillim, por më vonë me këtë lloj mësimi u ndje reduktimi i kontakteve, gjë që shkaktoi izolim shoqëror dhe ulje të solidaritetit në grup. Kjo vërtet ishte shumë e dhimbshme, si për mësuesit, ashtu edhe për nxënësit. Ky izolim pati ndikime psikologjike. Veçanërisht ishte i rrezikshëm për nxënësit, pasi ata mund të ndjeheshin të vetmuar, duke rezultuar kështu me një rënie të produktivitetit dhe pakënaqësi me punën në shkollë. Mungesa e kontaktit me mësuesit mund të ndikonte gjithashtu edhe në pranimin e njohurive e në marrëdhëniet familjare. Si rezultat, mësuesit ndjejnë presion, stres dhe mund të vuajnë nga sëmundje profesionale dhe psikologjike.

Pandemia më tepër u shkaktoi dëm nxënësve shqiptarë të cilët më shumë janë nxënës të viseve rurale dhe jetojnë në familje me më shumë pjesëtarë, si dhe me shkolla me numër nxënësish të madh dhe pa pajisje të mjeteve që i kërkon ky lloj mësimi.

Duke u nisur nga ajo që e ndjemë dhe e përjetuam si prindër, si arsimtarë, si nxënës e si studentë, në realizimin e synimeve për t’i arritur qëllimet arsimore dhe cilësinë e mësimdhënies e të nxënit, kjo ka kohë që nuk po arrihet, sepse arsimi ynë tashmë tri dekada gjendet në krizë, ndërsa pandemia është edhe një shkaktar që e rëndoi edhe më tepër arsimin, ngase përmes saj u ndeshëm me një sërë vështirësish, që u thelluan edhe më tepër, andaj sot kemi produktivitet të ulët në punën individuale, varfëri të diskutimeve në klasë, përcjellje të pamjaftueshme të arritjeve të nxënësve, mësim uniform pa informacion kthyes, mosnjohje të aftësive të nxënësve, shmangie të shumë punëve krijuese, si dhe të mësuar në nivel të ulët.

Megjithatë, më keq qëndron puna me nxënësit e ciklit të parë të shkollës fillore, sepse çdo cikël në shkollë funksionon si një mekanizëm i plotë, në të cilin po u prish ose po u dëmtua një hallkë, prishet edhe ritmi i hallkave të tjera të arsimit gjatë gjithë jetës arsimore. Kështu, nëse nuk gjendet ndonjë model që në mësimin nga distanca të ripërsëriten të paktën disa tema mësimore, që janë bazike për nxënësit, ata do të mbeten analfabetë funksional, ndërkaq të gjithë dakordohemi se “më mirë i paditur se gjysmak”.

Shkup, 07.03.2021

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok