26/12/2024

On the road to Shishtavec

0
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

I raftë pika kujt e di se Shishtaveci është i famshëm vetëm për patate.

I largët, i ftohtë, verior, malësor, kufitar, nuk lihet pa u pa Shishtaveci.

Shqiptari që nuk shkon me pa Shishtavecin, nuk është shqiptar, është parazit, zvarranik, kërrmill, vemje, krimb, bacil.

Rruga për në Shishtavec nis në lindje të Kuksit.

Humnera e ngushtë shkëmbore ku gjarpëron rruga, është më madhështori dhe më i bukuri kanion i botës.

Sapo ke hyrë në atë mrekulli që Zoti e ka bërë me dorën e vet, ndjen një shqetësim, një preokupim, dhe i bën pyetje vetes:

Ku po më degdis kali Suzuki, ku po më çon mushka Toyota, ku më ka sjellë gomari Benz ? A e meritoj këtë udhëtim ? A kam Ftesë Hyjnore me kalu këndejpari ? A i plotsoj kushtet psiko-fizike për të vazhduar ? Zemra, mushkëria, truri, a më punojnë si duhet ? A jam shpirtërisht i përgatit për çfarë do shoh, dëgjoj, nuhas, prek ? Me ç’mënyrë do depërtoj ? Si drejt një aventure që i dihet fillimi por jo fundi ? Si në një sallë koncerti ku luhet muzikë serioze që tallazit shpirtin ? Si në një galeri arti ku ka vetëm kryevepra që s’mjafton jeta për t’i kqyrur ?

Nëse këto kushte nuk i plotëson, mos i lodh kot mushkat e japanit, as gomerët e nemces. Kthehu nga u nise. Atje ku e meriton si ngordhalaq që je, mes thashethemexhinjve të qytetit dhe bjerrakohsave të kafeneve të shtysh ditët duke pritur të ngordhësh.

Nëse kupton dhe ndjen, se kushtet i plotëson, ke trokitur në portën e duhur. Vazhdo rrugën, fundosu teposhtë mes shkëmbinjve drejt një qielli tjetër, një qielli të përmbysur, një nënqielli, më të kaltër e më të bukur se ky i ditëve banale mes gromësimave të gazetave e televizioneve, pordhologëve të kudondodhur që po ta nxijnë jetën.

Përrenj që zbresin plot shkumë nga majat e maleve, lëndina, pyje, zgavra shkëmbore misterioze.

Kanioni është i tëri një arenë lufte darviniane mes bimësisë mesdhetare dhe kontinentale.

Çka mbetet nga ky dyluftim, është një blerim alpin që s’ka penë e pentagram që e kap.

Një piktor gjenial ka shkundur penelin mbi faqet e maleve duke lënë mbi to splasha me ngjyra, fshatrat e mahnitshëm.

Thëllimi të futet në mish.

Një çoban, një fëmijë i vetmuar që shkon në shkollë, një kalimtar në hall të vet, tre a katër fuoristrada që ngjiten si tigra me kthetra mbi një serpentinë malore plot kthesa, janë preludi i një simfonie madhështore.

Pas një laryshie natyrore marramendëse me përrenj, korie, pyje, kanioni shkëmbor mbaron. Para syve të del një det me dallgë kodrinore me të ikë menia, Shishtaveci elegant plot me hire dhe mistere.

________

Edhe për të paktën 100 vitet e ardhëshme italianët do vinë në Shqipëri për të pushuar me qindramijra.

Jo vetëm në verë. Edhe në dimër. Në çdo ditë të vitit. Po aq thjesht, natyrshëm, këndshëm, sa ne vendalinjtë shkojmë për të pushuar në perlat tona Theth, Valbonë, Sarandë, Pogradec, Pukë, Shëngjin, Gramsh, Përmet, Divjakë, Mokër etj. etj.

Që mrekullia të mos ndalet, mblidhini ku i keni e ku s’i keni paret, përvojat, energjitë, fantazitë.

Ndreqini ose bëni të reja: hotele, restorante, bujtina, resorte, dhe gjithçka tjetër duhet për turizmin e të gjitha stinëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok