02/05/2024

OMER ÇERKEZI- QËNDRESA E TIJ HEROIKE PËR SHQIPËRINË ETNIKE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1919- e mbytën në det 1954)

“Unë bashkë me ju jemi duke e bërë detyrën që na takon, për popullin dhe atdheun nuk duhet ta kursejmë as pikën e fundit të gjakut”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Omer Çerkezi, u lind më 3 qershor 1919, në Mitrovicë të Kosovës, nga babai Ibrahim Çerkezi. Familja e Omerit ishin të kamur. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje. Gjimnazin e kishte vazhduar në Shkup dhe e kishte mbaruar më vitin 1939. Në po të njëjtin vit ishte regjistruar në Fakultetin Bujqësor-Pylltarisë në Zemun. Në universitet edhe kishte studiuar por edhe kishte punuar dhe kishte marr pjesë në lëvizjet studentore përparimtare. Kishte qenë anëtar i udhëheqjes profesionale, anëtar i këshillit aksionar të shoqatave të studentëve të Universitetit të Beogradit. Anëtar i kryesisë të këshillit të Spanjës. Në fund të vitit 1940, e deri në gjysmën e muajit mars 1941, kishte qenë i internuar në llogoren e Smederevska Pallankës. Më tej, pas kapitullimit të Jugosllavisë kishte qenë udhëheqës i LNÇ-së në rrethin e Mitrovicës. Ndërsa në muajin gusht të vitit 1941 kishte kaluar në Kollashin të Ibrit për të formuar aradhet partizane. Më 1942, në muajin korrik arrestohet nga forcat italiane, më vonë iu dorëzohet forcave bullgare, dhe nga aty ik. Në fund të vitit 1942, ai kalon në Bosnjë, dhe angazhohet përsëri në LNÇ në Banjallukë, pastaj kalon në Kozarë në radhët e UNÇ-së dhe qëndron deri në ofensivën e VI.

Me largimin e forcave partizane nga Bosnja, Omer Çerkezi kapet nga forcat gjermane në fshatin Jabllan, dhe e depërtojnë në Gjermani. Pas çlirimit, në kampet gjermane, Omer Çerkezi formon Këshillin antifashist të të liruarve jugosllav në Gjermani. Aty ishte zgjedhur sekretar i këtij këshilli, në Bremen, te llogoret “BASSUM”. Ky këshill merrej kryesisht me organizimin, transferimin dhe bartjen e të gjithë të burgosurve që ishin nga ish-Jugosllavia. Pas çlirimit (1945), ai përsëri kthehet në Kosovë dhe gjerë më 1948,e angazhuan në shumë funksione si në Mitrovicë, ashtu edhe në Prishtinë. Ishte drejtor i gazetës së parë shqipe “Rilindja” dhe në shumë funksione me përgjegjësi në Lidhjen e Sindikatave.

Dashuria ndaj atdheut dhe bashkëkombësve të vet tek ai ishte vërejtur qysh herët. Ndoshta edhe më herët se në vitin 1939, derisa ishte student i agronomisë në Universitetin e Beogradit. Dihej se më 1938 në mes Turqisë dhe Jugosllavisë nënshkruhej Konventa e njohur për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Por, intelektualët e paktë e hetuan mashtrimin e politikës jugosllave, andaj ata më të guximshmit reaguan hapur. Vlen të përmendët reagimi i studentëve shqiptarë që studionin në Beograd. Studentët shqiptarë nënshkruan kërkesën kolektive, në të cilën kërkohej anulimi i kësaj marrëveshjeje. Fillimisht kërkesën e kishte shkruar e nënshkruar vetë Omer Çerkezi. Por, pastaj, kësaj kërkesë i bashkohen edhe nënshkrimet e këtyre studentëve, si : Zenel Hajdini (Topallë, Medvegjë), Meto Bajraktari (Mitrovicë), Abdullah Presheva (Preshevë), Shaip Mustafa (Preshevë), Selim Selimi (Preshevë), Jahja Osmani (Vaksinë, Kumanovë), Abdyrrahman Hajdarpasha (Gjakovë), Hivzi Sylejmani (Topallë, Medvegjë)), Aziz Sylejmani (Tupallë, Medvegjë), Esad Ymeri dhe Mexhid Shala.

Siç është veç e ditur, se për të qenë në ndonjë vend udhëheqës e të rëndësishëm politik e partiak në Jugosllavin komuniste, pushtetarët aplikonin metodën vertikale e horizontale të hulumtimit familjarë, vetëm e vetëm për të ardhur deri të të dhënat biografike se sa besnik ishin dhe do të jen ndaj shtetit të “ri komunist jugosllav”. Andaj, Omer Qerkezit, kurr nuk ia harruan dhe asnjëherë nuk iu falën reagimin dhe nënshkrimin që e kishte bë kundër Konventës për shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi.

Në kohën kur Omer Çerkezi ishte në zenitin e famës, kur populli e donte, i besonte dhe e respektonte, më 1948, në një dokument thuhej se, Pavle Joviqeviqi kërkonte nga organet përkatëse që Omer Çerkezit, t’i ndërpritej dhënia e punës dhe çdo aktiviteti tjetër politik. Që nga kulmi i fuqisë së tij, ky atdhetar u desh që të shfytyrohej në vetëm pak ditë në një njeri të urryer nga pushteti. Po në këtë kohë, Omer Qerkezi bashkë me shokët e idealit si: Xheladin Hana, Rifat Berisha, Faik Pruthi, nuk qëndruan duarkryq, pa hezituar krijuan një bërthamë organizative  në Prishtinë, të cilën e kishin quajtur “Fronti Kombëtar”, të legalizuar në kuadrin e Frontit Popullor, e cila shërbente si maskim i të parit. Pas konstituimit të grupit, anëtarët e saj u angazhuan që kjo organizatë të formojë degët e veta edhe në qendra tjera në Kosovë. Një qendër e tillë u formua në Ferizaj më 27 shtator të vitit 1948, në shtëpin e Idriz Kupinës, ku merrnin pjesë: Rifat Berisha, Xheladin Hana, Ibrahim Muhaxheri, Rexhë Balaj, Vesel Rexhepi, Kurtesh Agushi, Omer Çerkezi, Faik Pruthi, Muhedin Hadri dhe Hajdar Pruthi, qëllimi i së cilës ishte sendërtimi i Programit të Lëvizjes Popullore për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje nuk e dinin se ishin të përcjell në çdo lëvizje dhe në çdo hap, andaj, nuk ishte aspak e papritur kur edhe u bë arrestimi i disave nga ata. U burgosën Faik Pruthi, Omer Çerkezi dhe Muhedin Hadri. Duke e parë se çfarë po ndodhë me anëtarët e grupit, Ibrahim Muhaxheri e Xhafer Vokshi kalojnë kufirin dhe vendosen në Shqipëri. Në ndërkohë organet e UDB-es, Xheladin Hanën e vrasin  tinëzisht, ndërsa Rifat Berishën e likuidojnë s’bashku me vëllezërit e tij. Nuk shkoj gjatë edhe Omer Çerkezi u ndodh prapa grilave duke i ngritur aktakuzën nga prokurori Ali Shukriu, se ai kishte zhvilluar veprimtari kundër popullit dhe kundër shtetit.

Pas arrestimit të Omer Çerkezit (1948), udbashët kërkuan që ai të bashkëpunonte me ta, t’i tregonte shokët. Ishte fyerje një sjellje e tillë ndaj atdhetarit, andaj, ai ishte edhe më këmbëngulës në qëndrimet e veta. Kurrë dhe asnjëherë nuk bashkëpunoi me ta, nuk i tradhtoi shokët dhe qëndroi stoik duke mbrojtur edhe me jetë, aspiratën e idealin e tij dhe të të gjithë shqiptarëve për një shtet gjithë shqiptarë.

Në burgjet jugosllave ndaj tij u përdor dhuna që gjerë më atëherë nuk ishte dëgjuar. Atë e rrahën me shkopinj gome dhe kondak dyfekësh, dhe thonjtë e gishtave ia shkulën. E detyruan që të lëpinte kripen nga dyshemeja dhe nuk e lejonin që të pinte një gllënjkë ujë. E përplasën në mes të ujit që ishte me akull dhe mundoheshin me korrent elektrik t’i shtonin edhe më tepër të dridhurat. Do duhej të përmendsha edhe torturat fizike; kërcënimin që iu bënte se në burg do t’i futeshin edhe familjaret e tjerë. Udbashët në mënyrën më perfide ndaj tij krijonin atmosferën psikologjike se ai përgjithmonë ishte i humbur, dhe nuk kishte asnjë shans shpëtimi. Është interesante se në organet e UDB-es, ishte si një lloj qëndrimi se sa më i lartë të kishte qenë pozicioni i personit në shoqëri, ai edhe më barbarisht torturohej. E po, Omer Çerkezi, ishte një njeri që kishte pasur funksione të larta në pushtet, e mbi të gjitha kishte qenë edhe partizan, gati-gati kishte luftuar anë e kënd Jugosllavisë. Ishte njeri që gëzonte autoritet dhe njerëzit e rëndomtë i besonin.

Do t’i referohesha të dhënave që na i ofron një bashkëvujtës i tij i burgut, një mik e atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare -Ali Aliu-Kelmendi, që së bashku kishin përjetuar të gjitha katrahurat e burgut në Golli Otok. Nuk kemi ndonjë të dhënë se sa vite e dënojnë me burg Omer Çerkezin, por miku i ngushtë i tij- Ali Aliu,  dëshmon se në burgun e Goli Otokut qëndroi deri më 1951. Pas “lirimit”, lirim i thënçin, ai nuk kthehet në Kosovë, por shkon në Beograd gjëja për të përfunduar studimet. Sipas të gjitha gjasave dhe ngjarjeve që pasojnë më vonë del se Omer Çerkezin asnjëherë nuk e liruan plotësisht, ngase hijet udbashe e përcillnin në çdo vend ku shkonte ai. Nuk vonoi shumë pas dy viteve, më 1953, ata përsëri e arrestojnë Omer Çerkezin, kësaj radhe për të mos  dal fare nga aty. Përsëri e akuzuan se ishte “armik i përbetuar i shtetit”. Përsëri e hedhin në llogoren-burg, në Golli Otok. Torturat e dhuna ndaj tij tani ishin edhe më të mëdha dhe më të egra. Në fillim ia thyen një bri, por më vonë i thyen edhe këmbën e majtë e pastaj të djathtën, i thyen edhe duart e kurrizin, pastaj i nxjerrin edhe sytë, e në fund edhe kokën ia përplasin për gurë. Ashtu si një copë mishi, që e karakterizonin vetëm sytë me një shikim të rreptë, qëndronte në një birucë i vetmuar. Të gjithë shokët e donin dhe ndjenin dhembjen për të, porse ishte e pamundur që ta ndihmonin, shkruan baca Ali. Për të vazhduar me një respekt të veçantë për të se “kur ne e admironim për qëndresën heroike, ai nuk mburrej por vetëm shtonte “Unë bashkë me ju jemi duke e bërë detyrën që na takon, për popullin dhe atdheun nuk duhet ta kursejmë as pikën e fundit të gjakut”, dhe vërtet ashtu ndodhi. Udbashët e spiunët duke e parë se Omer Çerkezi ishte i admiruar nga të burgosurit politikë, e sidomos nga komuniteti shqiptarë, vendosën që ta likuidonin në mënyrën më mizore. Omer Çerkezin, i cili pas një angazhimi titanik për të drejtën e vetëvendosjes për shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, pas LDB=së, ai arrestohej, dënohej dhe dërgohej në burgun famëkeq të Goli Otokut, dhe më 1954, pasi e masakrojnë duke i thyer duart, pastaj këmbët, brinjët, e duke i nxjerr sytë e hedhin në detin Adriatik për të humbur gjurmët e krimit.

Më 1954, fshehtas, në natën e zezë fut, e hedhin në ujërat e Detit Adriatik, për të humbur gjurmët e krimi.

Jeta e atdhetarit përfundoi në mënyrën më tragjike, ku së bashku me të u zhduk i tërë dokumentacioni dhe shkrimet e tij prej poeti. Dosje të veçantë në Arkivin e Kosovës nuk ekziston për të, përveç një fashikull, e cila dëshmon për shumë të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tij prej luftëtari të paepur që u angazhua deri në momentet e fundit të jetës, për një liri universale e mbi të gjitha për të drejtat shqiptare, që pa dashjen e tyre u copëtuan dhe u ndanë padrejtësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok