23/12/2024

NUMËRAT E DASHURISË TË MUSA RAMADANIT

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Kemi folur për poezinë e poetit  Musa Ramadani dhe qasjen e saj me  rrymën abstrakte në poezinë moderne, por njohja me poezinë e tij “Dashuria nëpër numra vizuelë” ishte pëër mua një befasi më vete, pasi kjo poezi eksploron ndjenjat e dashurisë përmes një strukture numerologjike, ose e thënë ndryshe shpreh udhëtimin e dashurisë nëpërmjet numrave, duke përdorur ata si simbole dhe metafora për të shfaqur ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënies së dashurisë. Kuptimshmëria e numërave në këtë poezi të Ramadanit realizohet nëpërmjet një lloji të simbolizmit numerik dhe ndjekjes së një rregulli ose parimi të përdorimit të tyre nëpër kontekstin e dashurisë. Kështu ndërsa poeti fillon me numërin zero dhe vazhdon me numra që rriten progresivisht (1, 2, 3, 4, 5…). është pikërisht kjo rritje graduale që simbolizon një evoluim ose rritje në ndjenjat dhe përvojat e dashurisë, ku çdo numër ka një kuptim të veçantë në kontekstin e poezisë. Psh., zero përfaqëson fillimin e gjërave, një boshllëk potencial ku lind, fillon dashuria, ndërsa numri pesë (5) simbolizon një fazë të rëndësishme të transformimit dhe zhvillimit të dashurisë. Po kështu numrat që përsëriten në poezi ose janë të lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë simbolike, psh rrotullimi midis numrave gjashtë dhe nëntë (6 dhe 9) mund të simbolizojë një lloj ciklit të pafundëm të dashurisë, një lëvizje që nuk ka fillim e as fund. Çdo numër përshfaq një fazë të ndryshme ose një aspekt të dashurisë, duke e bërë kështu poezinë të pasur me metafora dhe simbole që rrisin ndjeshmërinë dhe kuptimshmërinë e saj. Të kuptohemi, në studimin e poezisë dhe simbolikës së numrave, nuk ka një rregull apo teori që zbatohet në mënyrë absolute për të interpretuar kuptimin e tyre. Megjithatë, ka disa shpjegime dhe koncepte të cilat janë përdorur për të kuptuar rëndësinë e numrave në kontekstin e poezisë dhe letërsisë në përgjithësi:

Kështu, duke patur edhe ndihmën e numërologjisë, e cila është një praktikë e vjetër që përdor numrat për të zbuluar kuptimin e përvojave dhe nddjenjave njerëzore, ku çdo numër ka një kuptim të veçantë dhe mund të interpretohet në kontekstin e një personi apo një ngjarjeje të caktuar, në letërsi, numrat përdoren si simbole për të shprehur ide, ngjarje, ose për të theksuar karakteristikat e personazheve apo situatave, psh, numri tre mund të paraqesë një unitet, ndërsa numri shtatë mund të përfaqësojë perfeksionin ose transcendencën. Sigurisht që kuptimi i numërave mund të ndryshojë në varësi të kontekstit kulturor dhe histori, psh., në kulturën perëndimore, numri 13 mund të konsiderohet si një numër i terc, sjell fatkeqësi ndërsa në kulturat e tjera, ai mund të ketë një kuptim të ndryshëm. Pavarësisht këtyre, interpretimi i numrave në poezi mund të jetë i ndryshëm nga lexuesit në varësi të perceptimeve të tyre personale, përvojave dhe kulturës nga vijnë, pavarësisht se ka disa rregulla dhe koncepte themelore për interpretimin e numrave në poezi dhe letërsi.

Përfundimisht  “numerologjia” që shfaqet në poezinë “Dashuria nëpër numra vizuelë” nga poeti Musa Ramadani nuk është e pakuptimtme, veçse ka të bëjë me përdorimin e numrave si simbole dhe metafora për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë në një mënyrë të fuqishme dhe simbolike.

I-Në strukturën e kësaj poezie, numrat shërbejnë si simbole që përfaqësojnë fazat e ndryshimit dhe evoluimit të dashurisë dhe të zgjerimit të hapësirës së ndjenjave e ndërgjegjësimin në tekst, ku përkthimi e interpretimi i tyre si simbole dashurie krijojmë kuptimshmërinë e re, që në këtë poezi, në kontekstin e dashurisë i përafrohet interpretimit se:

Numëri “Zero”si fillim përfaqëson nisjen, fillesën e gjërave, një hapësirë boshe, ku lind, krijohet, formohet dashuria, është fillimi i udhëtimit të dashurisë.

Njëshi (1) në këtë kontekst, përfaqëson fillimin e individit, ndarjen nga bota e të pavarurit, por edhe ndjenjat e para të dashurisë. Vargu “Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle” është një imazh poetik dhe metaforik që paraqet një gjendje emocionale apo një eksperiencë njerëzore në mënyrë shumë e bukur dhe simbolike. Fjala “Njësh” mund të përfaqësojë një ndjenjë të unitetit dhe të  qenit të tërësishëm, ndërsa “ngrihesha mbi kërryle” mund të simbolizojë ngritjen, progresin dhe zhvillimin e një personi në marrëdhënien e dashurisë, duke sjellur imazhin e një personi që rritet dhe zhvillohet nëpërmjet dashurisë.

“Dyshi” përfaqson një lidhje përtnerësh, kur dashuria fillon të pjestohet në dy veta dhe të formohet në mënyrë më komplekse. Nqse “treshi” paraqet rritjen e marrëdhënies, dy gjysmëharqet e tij sugjerojnë konfliktet dhe sfidat që përjetojnë partnerët në një marrëdhënie.

Në numrin “katër” lindin tre “L” vizualisht si shkronja “L”, të cilat përfaqësojnë lidhjen, lëvizjen, dhe lirinë, ndërsa vargu “Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti” është një imazh metaforik që shfaq  transformimin e ndjenjave të dashurisë në një gjendje tjetër, të ndryshme, pasi numri pesë simbolizon një moment tranzicioni, një ndryshim ose fazë të re në marrëdhënien e dashurisë, pasi është një numër që sjell lëvizje dhe ndryshim.

Ndërmjet gjashtës (6) dhe nëntës (9), dashuria rrotullohet, pra paraqitet si një lëvizje rrethore (të 6 të kthyer në 9) që tregon kompleksitetin dhe ndryshimin  konstant të ndjenjave. Në poezinë “Dashuria nëpër numra vizuelë”, rrotullimi i numrave është simbol i ndryshimit dhe paqëndrueshmërisë në marrëdhënie. Numrat 6 dhe 9 rrotullohen dhe vërtiten, duke paraqitur një ndjenjë të pafundme të lëvizjes dhe ndryshimit të ndjenjave. Në simbolikën numerike, numri nëntë është i lidhur me përfundimin, plotësimin dhe përsosmërinë, në kontekstin e poezisë, numri nëntë mund të paraqesë një fazë përfundimtare të marrëdhënies, një moment kur gjithçka bëhet e qartë dhe plotësohet.

Shtata (7): sjell një vijë e cila mund të interpretohet si një lidhje e përhershme midis dy të dashuruarve, një lidhje që do të mbetet në kujtesën e tyre.

Teta (8): me dy rrathët e mbyllur mund të paraqesë një unitet të plotë, një lidhje të përhershme që nuk ka fillim e as fund.

Dhe dhjeta (10) është përfundimi i një cikli, një fillim i ri që tregon përfundimin e një periudhe të dashurisë, por edhe fillimin e një tjetre.

Duke patur parasysh se numerat në matematikë fillojnë me zero dhe vazhdojnë në pafundësi, përfshirë dhe numrat negative që vijnë nga pafundëesia dhe shkojnë në pafundësi,  kur flasim për numrin dhjetë, nuk duhet të themi se ai na çon në zero në kuptimin e drejtpërdrejtë të numrit në matematikë. Në kontekstin e poezisë dhe përdorimit metaforik të numrave, numri dhjetë mund të simbolizojë një kthesë, një fillim të ri,(pse përbëhet nga 1 dhe 0, interpretimin e të cilëve e pamë më sipër) pra nuk  i referohen drejtpërdrejtë zero-s matema-tikore. Në poezi, numri dhjetë mund të përfaqësojë një pikë kritike, një moment transformimi, ose një fazë të rëndësishme në zhvillimin e një marrëdhënieje apo një historie.

Pra, edhe pse në matematikë numri dhjetë nuk na çon drejtpërdrejtë në zero, në poezi, ai ka një kuptim simbolik dhe metaforik që përfaqëson një ndryshim, një fillim të ri, një fazë të re në kontekstin e historisë së poezisë. Ky është një aspekt i rëndësishëm për të kuptuar më saktësisht përdorimin e numrave në kontekstin  letrar dhe metaforik të poezisë. Në këtë kontekst, numrat nëntë dhe dhjetë janë simbole që shprehin  përfundimin e një faze të marrëdhënies dhe fillimin e një cikli të ri. Ata kontribuojnë në rrugën e përkryer dhe të plotësimit të marrëdhënies së dashurisë, duke shtuar hapësirë dhe përmbajtje në poezinë “Dashuria nëpër numra vizuelë”.

Vlen të theksojmë jashtë numërave  se: “Kënga e mjellmës” te vargu:“Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria” është një metaforë për harmoninë dhe kënaqësinë që sjell dashuria. Është shfaqur si një imazh i bukur dhe i gëzueshëm që shfaq ndjenjat e plotësisë dhe lumturisë që vijnë me një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të harmonishme dhe simbolizon një lloj përqafimi apo pranimi të sinqertë të dashurisë në të gjitha format e saj. Është si një thirrje që shpreh thelbin e ndjenjave të sinqerta e të përjetshme të dashurisë.

Referimi te pleqëria te vargu:” Dashuria ime gulçonte pleqërisht” simbolizon një maturi të dhimbshme ose një perspektivë të ndryshuar mbi dashurinë, ndoshta një kujtesë e herëshme që mbetet e gjallë në kujtesën e autorit.

Interesant është vargu: “Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe” e cila është një shprehje simbolike që paraqet një moment final në udhëtimin e dashurisë. Shprehja në vetvete ka një karakter metaforik, ndërsa përmasat e numrave (1) dhe (0) e vogël dhe e madhe përdoren për të paraqitur disa koncepte thelbësore të dashurisë dhe përvojës së saj, ku:

Shprehja:”1 të vogël” paraqet numrin (1) si diçka e vogël, e pakët dhe mund të interpretohet si një fillim modest, një fillim i vogël në raport me gjithësinë e dhjetës, por gjithashtu mund të përfaqësojë një fillim të vogël, një hap të vogël drejt misterit dhe thellësive të dashurisë.

Shprehja:”0 të madhe”paraqet numrin (0) si diçka e madhe dhe e plotë, ku numri zero është simbol i boshllëkut dhe potencialit të pafundëm. Në këtë kontekst, zero përfaqëson një përmasë të madhe, një potencial të plotë për të filluar një udhëtim të ri, një fillim me madhështi dhe fuqi, që ka mundësinë për të krijuar gjithçka.

Për shkak të këtyre konotacioneve dhe simbolikave të fjalëve “i vogël” dhe “i madh”, përdorimi i tyre paraqet një moment të fillimit të dashurisë, një moment modest por plotësisht të mbushur me potencial dhe mundësi të mëdha për zhvillim dhe rritje. Bashkimi i tyre në kontekstin e “Dhjetësh-it” nënvizon një fillim të përsosur dhe të gjallë për një udhëtim të madh dhe të pasur emocional.

Kthimi në Zero dhe Një te vargu :” mes Zeros e Njëshit” mund të interpretohet si një cikël i fillimit e mbarimit, duke theksuar që dashuria fillon dhe mbaron gjithmonë, por në çdo fillim ka një potencial të ri.

Si përfundim mund të themi se poezia e Musa Ramadani përmes përdorimit të simboleve numerike, paraqet rrugëtimin e dashurisë si një udhëtim që nis nga një pikë boshe (moment i rastësishëm) dhe evoluon nëpër ndryshime, sfida dhe përjetime të ndryshme, duke përfunduar në një cikël të pafundëm që rifillon me çdo moment të ri dhe përjeton një lloj  përjetshmërie në kujtesën dhe përvojën e personit. Duhet të theksojmë se interpretimi i numërave dhe

kuptimshmërisë së vargjevë nuk është statike por  ndryshon sipas lexuesit, kulturës dhe këndvështrimit të tij.

II- Numrat që përdor Musa Ramadani në poezinë “Dashuria nëpër numra vizuelë” janë simbole, pasi përfaqësojnë një ide, koncept, apo realitet të caktuar.  Në kulturën tonë, numrat kanë kuptime të veçanta dhe simbolizojnë ndryshme  psh., numri një mund të përfaqësojë fillimin, ndërsa numri shtatë mund të përfaqësojë fatin e mirë. Këto simbole dhe kuptime përforcojnë mesazhin e poezisë, ku numrat në tërësi përfaqësojnë një gamë të gjerë idesh dhe përvojash në lidhje me dashurinë dhe jetën. Duhet të kuptojmë  se në këtë poezi numrat përfaqësojnë koncepte të përgjithshme, jo të veçanta dhe përdoren për të paraqitur procesin e zhvillimit dhe transformimit të dashurisë.

Ndërkohë që në këtë poezi numrat janë simbole, ata përdoren metaforikisht ku shërbejnë për të shprehur përvojat dhe ndjenjat që ndodhin e trasformohen  nëpër kohë dhe në udhëtimin e dashurisë në mënyra, që fjalët konvencionale nuk mund të bëjnë. Në poezi, numrat përfaqësojnë ndryshime dhe zhvillime në marrëdhënien e dashurisë, psh., nisja nga zero shpreh fillimin e një marrëdhë-nieje të pastër dhe të paformësuar dhe me kalimin e kohës, numrat rriten e transformohen, tregojnë maturimin dhe ndryshimet në raportin e dashurisë. Le ti paraqesim me pasazhe vargjesh idetë që shprehëm më sipër:

Te vargu:”Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle”, simboli është numri “Njësh” që përfaqëson fillimin dhe përpjekjet e para në një marrëdhënie dashurie, ndërkohë  metafora: “Lëvarja” e dashurisë është  një imazh i lirë dhe i lehtë, që sugjeron fillimin e një rrugëtimi emocional dhe romantik.

Te vargu:”Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh”, numri “Tresh” simbolizon unitetin e harmoninë,  “dy gjysmëharqet” mund të përfaqësojnë dy individe që përpiqen të pajtojnë ndjenjat e tyre, ndërkohë që metafora: Kthimi i dashurisë në “Tresh” paraqet një fazë ku ndjenjat bëhen më të qëndrueshme dhe të plotësuara në një lidhje, mirëpo “dashuria që kthehet në Tresh” paraqet një imazh ashtu si dhe”dy gjysmëharqet”.

“Ndërmjet 6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria” shkruan poeti me simbolet e numërave të kundërt ( gjashtë dhe nëntë), por këtë e shpreh metaforikisht: “rrotullohej e vërtitej Dashuria”.

III-Poezia “Dashuria nëpër numra vizuelë” e poetit Musa Ramadani përkthehet si një përfaqësim i rrymës moderne në poezi, pasi  shfaq karakteristikat e modernitetit poetik për arsyen se:

Poezia eksperimenton me formën dhe strukturën, duke përdorur numra si një mjet për të organizuar dhe paraqitur përvojat dhe ndjenjat e dashurisë në një mënyrë innovative, psh.”Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe”ku eksperimenti me strukturën, është një tipar i rëndësishëm i poezisë moderne.

Numrat në poezi përdoren metaforikisht për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë përveçse si simbole, dhe përdorimi i simbolizmit e metaforës është një nga karakteristikat kryesore të poezisë moderne, pse e  bën më komplekse dhe më thelbësore në interpretim.

Poezia shfaqet si lëvizje larg formave tradicionale të poezisë pse përqëndrohet në eksperimentimin me formën, strukturën dhe përmbajtjen.

Poezia shfaq një nivel të lartë të ekspresionizmit, duke përdorur imazhe dhe simbole të forta për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e thella njerëzore: “Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle”.

Përdor abstraksionin dhe simbolizmin për të shprehur mendime, ndjenja dhe emocione, që janë përtej realitetit fizik, duke krijuar një atmosferë poetike dhe metafizike psh.”Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po”.

Përdorimi i imazheve të pasura dhe të ngjashme me vizionet është një element i theksuar i modernitetit poetik në këtë poezi. Poeti spërdor imazhe të arira për të krijuar një kuptim përvojë intensive poetike psh: “Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti”

Janë këto elemente që e rendisin poezinë”Dashuria nëpër numra vizuelë” në kontekstin e rrymës moderne në poezi. Ajo ndjek një qasje të lirë dhe inovative ndaj formës dhe përmbajtjes, duke e bërë atë një përfaqësuese të larmishme të poezisë së shekullit të 20-të dhe të poezisë bashkëkohore në përgjithësi.

IV- Duhet të specifikojmë se përdorimi i kuptimit të numërave në poezinë “Dashuria nëpër numra vizelë”  të Musa Ramadanit ka një qasje më shumë me rrymën e poezisë moderne që përdor abstraktin për të shprehur ndjenja dhe ide. Në këtë rast, numërat përdoren si simbole dhe metafora për të shfaqur marrëdhënien e dashurisë dhe ndryshimet që përjeton ajo. Kjo nuk është një qasje e zakonshme në poezi, por është një stil i veçantë që shpesh përdoret për të shprehur emocione dhe përvoja në një mënyrë që shmang shprehjen e drejtëpërdrejtë  dhe kuptimshmërinë e thjeshtë.

Përdorimi i numerave në poezi mund të quhet si një formë e poezisë simbolike, ku numrat përfaqësojnë ide dhe ndjenja në mënyrë të koduar, ndërsa shprehja e tyre metaforikisht e shpie poezinë në shtegun metaforik. Kjo qasje e poezisë shtron lexuesin për të gjetur kuptime të thella nëpërmjet simboleve dhe metaforave, duke e bërë atë më shumë se thjesht një rrëfim linear, prandaj stili i përdorimit të numërave në këtë poezi të Ramadanit mund të shihet si një formë e poezisë moderne e rrymës abstrakte, që shpreh ndjenjat dhe idetë në një mënyrë që lë shumë hapësirë për interpretim. Përdorimi i numerave ka një qasje abstrakte, duke i përdorur ata si simbole që përfaqësojnë ndjenjat, përvojat dhe rrugën e ndryshueshme të marrëdhënies së dashurisë. Në këtë mënyrë, poezia shfaq një lloj lirizmi dhe transparence, duke lejuar lexuesin të përcjellë një përvojë të re shpirtërore.

Prandaj, ky stil poezie mund të konsiderohet si një mënyrë e re dhe inovative për të shprehur ndjenjat dhe përvojat njerëzore në mënyrë  të ndjeshme, ai sjell një dimension shtesë dhe kompleksitet në poezinë moderne.

Realisht përdorimi i numerave në poezinë “Dashuria nëpër numra vizuelë” shërben edhe si mënyrë për të krijuar ndjenjën e misterit poetik, duke e bërë atë më intriguese dhe tërheqëse për lexuesin. Misteri qëndron në faktin se numrat përdoren si shenja të koduara që kërkojnë të dekodohen dhe të interpretohen, duke e lënë hapësirë për shumëllojshmëri kuptimesh dhe interpretimesh. Kështu, përdorimi i numerave shtron një sfidë për lexuesin për të kuptuar dhe për të lidhur pjesët e ndryshme të poezisë në një pikturë të plotë. Kjo mund të interpretohet si një thirrje për të eksploruar ghjeografinë e marrëdhënies së dashurisë dhe për të zbuluar kuptime të reja që mund të qëndrojnë pas pamjes së jashtëme të poezisë dhe jo për të zbërthyer misticizimin poetik, të cilin realisht Ramadani nuk e ka si qëllim.

V-Ndoshta dhe për këtë arsye poezinë “Dashuria nëpër numra vizuelë” të Musa Ramadani duhet ta shohim në dimensionet që interpretohen nga një perspektivë filozofike, pasi shfaq elemente që mund të lidhen me temat dhe aspektet filozofike, duke reflektuar përvojën dhe kuptimin e dashurisë në një mënyrë ndryshe.

Në këtë poezi, numrat dhe ndryshimet që paraqiten përfaqësojnë një rrugë të pashmangshme të ndryshimit dhe zhvillimit e cila mund të interpretohet në dritën e filozofisë eksistenciale, ku jeta dhe marrëdhëniet shpesh shihen si një udhëtim i pashmangshëm dhe i paqëndrueshëm.

Në përdorimin e numrave poezia ka një aspekt të njësimit,  pajtimit ku përmes rrugës së ndryshimit e rrotullimit të numrave, mund të shihet një përfaqësim i procesit të njësimit e pajtimit me veten dhe me të tjerët (jo vetëm partnerin), një temë që shpesh luhet në fushën e filozofisë.

Numrat dhe struktura e tyre në poezi mund të interpretohen në dritën e kohës dhe eksperiencës njerëzore. Ajo paraqet një rrugë të kohës, me fillimin dhe përfundimin e një marrëdhënieje, duke reflektuar mbi përvojat dhe ndryshimet që na formojnë në kohë.

Në filozofi, numrat (shpesh) janë parë si simbole të strukturës së realitetit dhe të kuptimit të tij, ndaj përdorimi i tyre në poezi mund të interpretohet si një përfaqësim i kësaj ideje, duke sugjeruar se ka një rregull dhe një harmoni në strukturën e dashurisë dhe marrëdhënies njerëzore.

Këto aspekte filozofike e bëjnë poezinë më shumë se thjeshtë një  rrëfim poetik; ajo e çon lexuesin në një udhëtim reflektimi dhe përmbysjeje të kuptimit të marrëdhënies njerëzore dhe të gjerësisë së ndjenjave që ajo sjell

VI-Kam folur për modernitetin e poezisë së poetëve kosovarë dhe për figuracionin e tyre “të mbyllur” në zbërthyeshmërinë e tij nga censura për tu shpëtuar “rrufeve zeusiane”, por në rastin e kësaj poezie të Ramadanit “arsyeja” nuk duhet kërkuar te shmangia nga censura. Arsyeja e vërtetë e këtij stili poetik, ku në modernitetin e së cilës gërshetohen simbolizmi, metaforizmi, imazhizmi dhe abstraktia duhet kërkuar te synimi i autorit për ti ngritur krijimet e tij në një kuotë sa më të lartë, për tu dhënë vargjeve kuptimshmëri dhe interpretim sa më të gjerë dhe bashkëkohor europian. Poezia është shkruar në vitin 1993 dhe do ishte e natyrëshme që të shkruante për një temë revolte (psh) në këtë stil për tju shmangur censurës, por vetë tema dhe mënyra e trajtimit të saj shpalos qëllimin që i ka vënë vetes autori për të krijuar një poezi të rrafshit europian, duke dhënë sinjalin se në këtë vend (Kosovë) në këtë kohë, poezia është e kuotave europiane. E parë në këtë aspekt kuptohet, ndjehet dhe ngjall krenari kjo poezi. Poetët janë të parët që arrijnë në botë të re.

 

Sarandë, shkurt 2024

 

Musa Ramadani

 

DASHURIA NËPËR NUMRA VIZUELË

 

Fillimisht isha një Zero ku banonte Dashuria

Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle

Pastaj u bëra Dysh e në mua u pjesëtua Dashuria

Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh

Kur arrita në Katërsh lindën tri “L” nga Dashuria

Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti

Ndërmjet 6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria

Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po

Në numrin Tetsh u mbyllën dy rrathët e Dashurisë

Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe

Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria

Dashuria ime gulçonte pleqërisht mes Zeros e Njëshit

 

/Mars 1993/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok