22/12/2024

Nuk qetësohet Reçaku pa dënimin e gjenocidit të Milosheviçit e të Vuçiqit në Kosovë!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Dje ishte 15 janar! Ikën 24 vite nga dita kur ambasadori William Walker denoncoi masakrën e Reçakut në afërsi të Shtimes në Kosovë. Nuk ishte ajo e para masakër e shtetit të Serbisë kundër shqiptarëve. Ishin bërë masakra të tjera edhe më të tmerrshme, si ajo kundër familjes së Adem Jasharit në marsin e një viti më parë. Por, Reçaku u bë pika e kthesës në historinë e Kosovës. Ajo masakër, të cilën e dëshmoi dhe e denoncoi Walker, paralajmëroi përfundimisht botën se “Bosnja e dytë” kishte nisur të bëhej realitet në Kosovë.

Masakra e Reçakut solli Rambujenë, e më pas 24 marsin e vitit 1999, kur NATO-ja nisi bombardimet e saj kundër Serbisë. Në qershor solli çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ndërkaq presidenti i Serbisë e ka mohuar dhe e mohon vazhdimisht Reçakun dhe masakrën e tij. Dje ai kishte vënë ministrin e Punëve Sociale ta mohonte atë e ta quante një rrenë. Qëllimi është të “harrohet e kaluara” dhe të rikthehet një vendimmarrje tjetër për statusin e Kosovës. Edhe kryeministri i Shqipërisë urdhëroi ministren Xhaçka të shkruajë diçka për këtë masakër, por pa adresuar autorët e saj, Serbinë e Milosheviçit dhe Vuçiqit.

Megjithatë qeveria dhe institucionet e Kosovës e bënë atë që nuk ishte bërë në këto 24 vite. E nisën përkujtesën për masakrën e Reçakut me sponsorizimin e kujtimeve dhe shënimeve të ambasadorit Walker. Më pas Albin Kurti foli në disa medie ndërkombëtare për masakrat serbe në Kosovë. Ajo që ai tha në Akademinë Diplomatike të Vjenës ishte një përkujtesë unike për bashkësinë ndërkombëtare. “Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vërejti një objekt që notonte në ujë”, tha Kurti në qendrën e diplomacisë austriake. “Ai thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë e pjesë tjera të trupit fillojnë e bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë kufomat me 86 trupa dhe tri koka njeriu (trupat pa kokë dhe kokat pa trupa, shënimi im). Mes tyre edhe trupi i vogël i një vajze 7 vjeçare…” Dhe Kurti vazhdon: “Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në lum… Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku u dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës dhe se kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë”!

Ky është një paragraf i cituar nga fjala e zotit Kurti në Vjenë. Por, të gjitha enigmat e këtyre masakrave i di personalisht Aleksandër Vuçiqi. Ai ishte asokohe ministër i Informacionit i qeverisë së Milosheviçit, prandaj ishte i informuar për zhdukjen e gjurmëve të krimit serb në Kosovë. Ai kishte për detyrë në atë kohë që ta keqinformonte botën dhe opinionin serb, duke i mohuar këto krime makabre kundër shqiptarëve. Dhe e ka realizuar me përkushtim këtë detyrë.

Por, fatkeqësisht Aleksandër Vuçiqi, edhe pse në funksionin e presidentit të Republikës së Serbisë, ende sot vazhdon ta bëjë detyrën e shefit të propagandës së Milosheviçit dhe ministrit të Informacionit të tij. Ai vazhdon dhe e mohon Reçakun. Nuk pranon masakrat dhe gjenocidin serb në Kosovë. Dhe e gjitha ndodh që të “mos jetë humbës” në tavolinën e dialogut me Kosovën. Pra, që të marrë akoma nga Kosova. Ai ka marrë mijëra jetë njerëzish në këtë vend dhe tani dëshiron të marrë edhe territore. Pikërisht këtë ka parasysh zoti Rama kur thotë se “Serbia do të kërkojë falje për krimet e saj në Kosovë, por do ta bëjë këtë në fund të procesit”! D.m.th., kur të ketë arritur qëllimin e ndarjes së saj.

Në Tiranë zhvillohet sot ceremonia e dekorimit të ambasadorit William Walker. Presidenti Bajram Begaj përmes këtij dekorimi ka vendosur ta zyrtarizojë dënimin politik e shtetëror të autorëve të asaj masakre. Me siguri që do të ketë punë me Edi Ramën, por mesa duket në këtë pikë presidenti nuk pajtohet me kryeministrin. Lajm i mirë! Megjithatë kjo nuk mjafton.

Por, ditën e djeshme kam vënë re se shumica dërmuese e politikanëve dhe deputetëve të parlamentit shqiptar kanë shkruar dhe kanë evokuar ngjarjen e rëndë të 15 janarit 1999, pra Masakrën e Reçakut. Kishte një dallim thelbësor në këto deklarata: – Politikanë dhe deputetë, të cilët dënojnë masakrën dhe vinin gishtin te agresori, te autori i kësaj masakre, pra te Serbia e Millosheviçit dhe e Aleksandër Vuçiqit. Dhe politikanë e deputetë, të cilët shprehin keqardhje për atë masakër e ndërkohë nuk përmendin autorin e saj. Kërkonin të “harrojmë të shkuarën në emër të së ardhmes”! Pikërisht këtu dallojnë bashkëpunëtorët e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, me ata që duan drejtësi dhe liri.

Politikanët e diplomatët shqiptarë kudo në Ballkan e në botë duhet të flasin me një gjuhë. Të dënojnë të gjitha masakrat serbe në Kosovë, me të cilat provohet gjenocidi i Milosheviçit dhe Vuçiqit kundër shqiptarëve. Nëse do të bëheshin bashkë do ta ligjësonin këtë gjenocid edhe në parlament. Madje dhe deputetët shqiptarë në Maqedoni duhet të kërkojnë dënimin me ligj të krimeve serbe në Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok