06/11/2024

FLAKA E JANARIT, REZISTENCA GJITHË POPULLORE  DHE LIRIA

0

Kumtesë e lexuar në Tryezën e Flakës, më 14 janar 2023, Gjilan

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Të nderuar të pranishëm,

Jam e vetëdijshme se është e pamundur që në një kumtesë prej 2-3 faqesh, të bëhet një shtjellim kronologjik i të gjitha ngjarjeve e zhvillimeve politike nga ri okupimi i Kosovës (1945) e deri tek themelimi i Flakës së Janarit 1992. Andaj, do të mundohem që të shkëpus, vetëm disa prej atyre ngjarjeve të rëndësishme, për të dëshmuar organizimin e paparë e të padëgjuar të shqiptarëve, gjatë kësaj periudhe historike.

Sot, kur po shënojmë 32 vite të Flakës, një jubile që përkon me nismat e para të manifestimit mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit”, manifestim ky, që nderon sakrificën kombëtare që nga heronjtë e kohës së Skënderbeut e deri te historia më e re për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës. Më lejoni që, vetëm për pak, të zbresim shkallëve të historisë dhe, mund të themi se Flaka e Janarit, lindi në kohën, më të vështirë për popullin tonë. Gjatë viteve të okupimit jugosllav 1945-1999, të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Kosovës shkeleshin me dhunë sistematike. Por, sado i fuqishëm që ishte terrori, okupuesi nuk ia doli ta realizonte qëllimin kryesor të politikës së shtetit: ta thyenin krenarinë dhe rezistencën e popullatës së robëruar shqiptare.

E kërkesa për Kosovën-Republikë, historikisht ishte e drejtë, teoretikisht e shkencërisht e argumentuar dhe praktikisht e domosdoshme. Shqiptari, të cilit i ishte suprimuar liria në mënyrë represive, ishte i revoltuar, i pakënaqur. Mirëpo, në të vërtetë të shqetësuar, madje edhe të mjerë, ishin ata që këtë popull e robëronin. Individi, njësoj si kolektiviteti, mund të privohet nga liria, që me fjalorin e dhunës do të thotë se mund të burgoset. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se, me burgosjen e qenies fizike të njeriut, burgoset edhe qenia e tij mendore, ideja dhe vullneti për liri. I robëruari do të bëjë çmos për t`u çliruar, robëruesi nuk do të kursejë asgjë nga arsenali i dhunës, për ta kufizuar, për ta ndrydhur e për ta ngulfatur lirinë.

Pra, Flaka e Janarit, lindi, në kohën kur u bë Suprimimi i autonomisë së Kosovës dhe, rrënimi i të gjitha institucioneve politike e administrative, sociale e kulturore, të cilat paraqitnin qartë okupimin klasik të saj. Masat e dhunshme të administratës shtetërore serbe shkonin përtej çdo limiti demokratik. Ata, punonin institucionalisht, për zhdukjen e elementit shqiptar në trojet e tyre gjithandej ku jetonin në ish-Jugosllavi.

Më 5 korrik 1990, autoritetet serbe shpërndanë parlamentin e Kosovës dhe pushtuan mediat shqipe. U morën masa drastike, jo vetëm kundër shtypit dhe veprimtarisë botuese, por edhe kundër sistemit ekonomik, Akademisë së Shkencave dhe Arteve, instituteve shkencore, mjekësisë, arsimit, kulturës, sportit etj. Gjatë viteve ’90, në fakt, u shkatërrua çdo aspekt i jetës në Kosovë. Personeli mjekësor dhe mbi 6.000 arsimtarë u përjashtuan nga puna. Masat e dhunshme nxorën jashtë vendeve të punës mbi 100.000 shqiptarë. Gjatë viteve të 90-ta, arrestimet arbitrare dhe dhuna policore u shndërruan në një rutinë të zakonshme. Më 1992, filloi kolonizimi i Kosovës me rreth 30.000 refugjatë serbë. Dhe dihej se, çdoherë rezistenca lind si reagim i dhunës, padrejtësive dhe terrorit nga një palë tjetër. Pra, qëndresa e popullit shqiptarë, nuk është e re, gati-gati është e vjetër sa vet historia. Edhe nismëtaret që themeluan Flakën e Janarit, e dinin se edhe ky organizim ishte një formë e rezistencës, po në një formë tjetër, për ti treguar okupuesit se, qëndresa vazhdon.

Populli shqiptar në asnjë moment nuk qëndroi duarkryq. Bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli mobilizuan tërë popullatën për rezistencë aktive në çdo formë të saj. Më 2 korrik 1990, 114 deputetë shqiptarë nga 180, sa kishte Kuvendi i Kosovës, shpallën Deklaratën kushtetuese para dyerve të mbyllura të Kuvendit nga pushtuesit serb; Me 7 shtator, po të njëjtit vit, ndodhi Kushtetuta e Republikës së Kosovës; Referendumi gjithë popullorë për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, u mbajt më 26-30 Shtator 1991; Më 24 Maj 1992,  u organizuan zgjedhjet e para të lira dhe pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovë. Po, me 2 shkurt 1990, kishte fillua Aksioni për Faljen e Gjaqeve dhe Ngatërresave e shumë aktivitetet të tjera.

Andaj, “Flaka e Janarit”, si manifestim kombëtar u themelua dhe nisi rrugëtimin me 18.01.1992, në përvjetorët e vrasjeve të Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Grvallës, Nuhi Berishës, Rexhep Malës e shumë, e shumë atdhetarëve të tjerë, anë e këndë trojeve shqiptare dhe jashtë tyre. Edhe në nismë të manifestimit, qëllimi ishte që të nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit që kishin rënë në mbrojtje të lirisë. Flaka e janarit me të drejt konsiderohet një ndër organizimet më unike dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit.

Në Flakën e Janarit u mbanin fjalime që bënin thirrje për unitet dhe mobilizonin popullatën. Në to, u kultivua ndjenja e patriotizmit dhe rezistenca e pathyeshme e populli shqiptarë, si një amanet i shenjët ndaj  atdheut dhe lirisë. Në këto tubime, e që ishin shumë masovike, u jepnin drama patriotike që e përgatitnin popullin për ditët që na vinin; U deklamonin poezi për heronjtë dhe për të bëmat e tyre; U këndonin këngët për lirin, që nuk e kishim; U pikturonin dëshirat dhe dashurit për atdheun tonë të lirë. Flaka e Janarit ishte thjesht, një organizim që e tmerronte armikun dhe fuste popullin shqiptar në lëvizje për ti rezistuar kësaj trysnie të paparë barbare.

Këtë realitet historik, manifestimi Flaka e Janarit me tubimet e saja, arriti me sukses ta nxjerrë në dritë. Madje, jo vetëm ta hetojë e zbulojë, por edhe ta sistemojë e analizojë situatën politike, duke i ndriçuar, në mënyrë të thjesht e të qartë, synimet e sinqerta dhe idealet kolektive të popullit tonë, në periudhën e ngjarjeve të bujshme historike. Vite këto, të ulura me djersë e lot; Të karakterizuara me injorim e përbuzje; Të ngarkuara me mjerim e skamje; Të mbarsura me vuajtje e sakrifica; Të dënuara me gjak e jetë. Por, ama, në anën tjetër, të përballura me durim e vetëdije të lartë kombëtare; Me vendosmëri e qëndresë stoike; Me krenari e dinjitet njerëzor; Me fisnikëri e burrëri; Me trimëri e sakrificë deri në vetëflijim.

Andaj, të nderuar të pranishëm,

Okupuesit tentuan që ta ndalnin  manifestimin. T’ia ndalnin hovin e tubimeve. Duke harruar se, ideali për liri, dhe e vërteta, nuk mund të ndalen. E Niçe do të thoshte: ”E vërteta sa më tepër që të ndrydhet, shpërthimi i saj është më i vrullshëm”. Dhe, ky vrull tek shqiptaret, u manifestua gjatë tërë kohës, që u organizuan tubimet për Flakën e janarëve. Kohë kjo, kur u trand e tërë Jugosllavia; Kohë kjo, kur populli shqiptar lëvizte si një trup i vetëm, duke brohoritur e kërkua liri e pavarësi  për Kosovën.

Dhe, duhet shtuar në fund se, kjo ishim e vërteta e asaj situate me të gjitha vuajtjet dhe rezistencën tonë, Dhe, duhet shtuar se manifestimi kombëtar Flaka e Janarit, duke ecur nëpër vite, ajo u kthye në sinonim të vullnetit dhe të dashurisë sonë individuale dhe kolektive, për t’u bashkuar me rrjedhat e rezistencës, dhe për t’u mobilizuar, në fusha të ndryshme të rezistencës kombëtare.

Ndërsa, jeta e vepra e atdhetarëve dhe, e patriotëve të tjerë, të rënë në altarin e lirisë, fryma, roli, aksioma e jetëve të tyre, ishte një dhe e pandarë: Kryekëput në shërbim të kauzës së lirisë. Veçse, kjo kauzë, e parë nga dimensioni universal i kauzës së lirisë,  ishte në bërthamën e saj, edhe si një kauzë me mesazh ndërkombëtar. Se, çfarë ishte roli dhe ndikimi i rezistencës kombëtare nëpër vite, e tregon fakti se, pas këtyre ngjarjeve, rezistenca aktive në Kosovë, hyri jo vetëm në momentet e pakthyeshme të saj, porse, depërtoi, edhe në agjendën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja politike dhe ushtarake në Kosovë, përgjatë vitit 1999, tregon më së miri se si ngjarjet e janarit, e e shumë janarëve të tjerë, patën ndikim të drejtpërdrejtë në arenën ndërkombëtare. Andaj, obligim yni mbetet që, duke ndriçuar të bëmat e Flakës së Janarit e ngjarjeve të tjera, t’ia japim vendin e merituar në historisë më të re të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok