14/04/2026

Një zë shqiptar në skenat e muzikës klasike – Fjolla Iseini rrëfen rrugëtimin e saj artistik

0
Fjolla-Iseini1

Nga Nexhmije Mehmetaj

Në universin e muzikës klasike, ku çdo tingull kërkon disiplinë, ndjeshmëri dhe shpirt artisti, sopranoja shqiptare Fjolla Iseini përfaqëson një zë të ri që po afirmohet me finesë dhe përkushtim. E lindur në Shkup dhe e lidhur me muzikën që në fëmijëri, ajo e ka ndërtuar rrugëtimin e saj artistik hap pas hapi, nga skenat e festivaleve për fëmijë e deri te interpretimet në skenën operistike.

Me një formim të qëndrueshëm profesional në fushën e kantos dhe me përvojë në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, Fjolla Iseini i përket atij brezi artistësh që e shohin artin si një mision të vazhdueshëm kërkimi dhe përkushtimi. Sot ajo jeton dhe vepron në Zvicër, ku përveç aktivitetit artistik, kontribuon edhe në edukimin muzikor të brezit të ri, duke e ndarë pasionin e saj për muzikën me nxënësit.

Rrugëtimi i saj nuk ndalet vetëm në skenë: ai vazhdon edhe në fushën akademike, ku ajo po përmbyll studimet e doktoratës në teknikën vokale, duke thelluar më tej kërkimin mbi artin e këndimit. Në këtë bisedë, sopranoja Fjolla Iseini ndan me ne kujtimet e fillimeve, sfidat e skenës operistike, përvojën e jetës artistike në diasporë dhe vizionin për të ardhmen e saj në muzikën klasike.

Fillimet dhe zbulimi i talentit

NM: Fjolla, ju keni filluar rrugëtimin artistik që në moshën pesëvjeçare. Si e kujtoni kontaktin tuaj të parë me muzikën dhe skenën?

FI: Që në moshë të vogël e kam adhuruar këngën. Në shtëpi isha një fëmijë i hareshëm; luaja dhe këndoja vazhdimisht, madje merrja telekomandën dhe e improvizoja si të ishte mikrofon.

Rrugëtimi im artistik nisi shumë herët. Talenti im u vu re që në moshën 3-vjeçare, kur një ditë, teksa isha me prindërit në një lokal, papritur mora mikrofonin e këngëtarit Selami Kolonja — një emër i njohur për të gjithë sot — i cili më vonë u bë edhe profesori im i solfexhos gjatë studimeve Bachelor. Aty këndova këngën “A vritet pafajësia” të Leonora Jakupi.

Ai mbeti i habitur se si një fëmijë kaq i vogël mund të interpretonte një këngë të tillë dhe iu drejtua prindërve të mi duke u thënë: “Vajza juaj ka talent, mos ia ndalni rrugën, por filloni që tani ta mbështesni.” Ky moment shënoi hapin e parë të rëndësishëm, kur familja ime vendosi të më orientojë drejt muzikës.

NM : Cilat kanë qenë kujtimet dhe emocionet nga festivalet e para për fëmijë ku morët pjesë ?

FI: Në moshën 5-vjeçare mora pjesë në festivalin për fëmijë “Cicërimat e para”, që organizohej në qytetin tim, në Gostivar. Aty u njoha për herë të parë me skenën. Interpretoja një këngë shumë të bukur për fëmijë, “Babi, a më dëgjon?”, me të cilën u shpërbleva me çmimin e parë nga juria profesionale. Që nga ai moment, skena u bë si shtëpia ime e dytë — aty filloi gjithçka.

Çdo festival ku kam marrë pjesë ka pasur rëndësinë e vet, por kujtimet më të bukura lidhen me miqësitë dhe përjetimet me këngëtarët e vegjël. Shkëmbenim ide, flisnim për mënyrën se si do të paraqitemi, si do të këndonim dhe cila këngë do të dilte më e bukur. Natyrisht, momenti më emocionues ishte gjithmonë fundi, kur ndaheshin çmimet. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm sa herë që përmendej emri im si fituese e ndonjë çmimi.

NM: Sa ndikim pati familja në zbulimin dhe zhvillimin e talentit tuaj muzikor?

FI : Familja ime nuk i përkiste fushës së muzikës. Nëna ime ishte mësuese e ciklit të ulët fillor, ndërsa babai ekonomist. Unë isha e vetmja në familje që ndoqa këtë profesion. Tek unë, muzika ishte diçka e lindur, një dhunti natyrore që erdhi vetvetiu dhe që më pas e përforcova me shumë punë dhe përkushtim.

Megjithatë, familja ime pati një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin tim. Ata më mbështetën vazhdimisht dhe më inkurajuan të ec përpara, të dal në skenë, të këndoj dhe të ndjek shkollën e muzikës. Ishin një mbështetje e fortë dhe nuk më lanë kurrë të mbetem prapa.

Ajo që ishte më interesante ishte se, kur merrnim pjesë në festivale, shpesh na pyesnin nga e kishim trashëguar talentin. Shumë konkurrentë përgjigjeshin se e kishin nga nëna apo babai, ndërsa unë gjithmonë thosha se nuk e kisha trashëguar nga askush — isha e vetmja në familjen time që merresha me muzikë.

Formimi muzikor

NM: Studimet e para i keni filluar në drejtimin e pianos në Gostivar. Si ndikoi studimi i pianos në formimin tuaj si këngëtare lirike?

FI: Studimet e mia të para i nisa në drejtimin e pianos, edhe pse dëshira ime fillestare ishte të studioja flautin. Megjithatë, duke qenë se qyteti im, Gostivari, është relativisht i vogël dhe me një interesim më të kufizuar për muzikën klasike, nuk pata mundësi ta ndjek atë instrument. Në atë kohë, ofroheshin vetëm piano dhe solfezh, kështu që vendosa të filloj me pianon.

Ky instrument rezultoi të ishte një bazë shumë e rëndësishme për formimin tim muzikor. Studimi i pianos më ndihmoi jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e dëgjimit muzikor, ndjeshmërisë artistike dhe kontrollit të intonacionit, duke ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen time si këngëtare lirike në vitet në vijim.

NM: Ju jeni vlerësuar me shumë çmime në konkurrencën kombëtare dhe ndërkombëtare. Cili prej tyre ka qenë më domethënës për ju?

FI: Vlerësimet kanë qenë të shumta. Në pothuajse çdo garë apo festival ku kam marrë pjesë, kam arritur të shpërblehem me ndonjë çmim. Që në fëmijëri kam qenë shumë këmbëngulëse dhe ambicioze; shkoja në festivale me dëshirë dhe bindje se do të kthehesha me një çmim — dhe shpesh ia dilja. Në ato gara kishte shumë fëmijë të talentuar, shpesh edhe fëmijë kompozitorësh apo këngëtarësh, me zëra shumë të bukur, por unë isha e vetmja që arrija të vlerësohesha vetëm falë punës sime, pa ndihmën e askujt.

Një nga çmimet më të papritura dhe më domethënëse për mua ka qenë në garën “Gjeniu i Vogël” në Tiranë, ku merrnin pjesë fëmijë nga e gjithë bota. Aty u rendita me çmimin e dytë, me 90 pikë nga juria. Ishte një moment i jashtëzakonshëm për mua, sidomos kur përfaqësuesja moderatorë Alketa Vejsiu përmendi emrin tim dhe tha: “Një yll në skenën shqiptare po lind.” U ndjeva e habitur, por mbi të gjitha jashtëzakonisht e lumtur.

NM: Përmendet edhe aftësia juaj për dëgjimin absolut. Sa e rëndësishme është kjo dhunti në rrugëtimin e një këngëtareje operistike?

FI: Një tjetër vlerësim shumë i veçantë ishte kur u shpalla me “vesh absolut” në një konkurrencë në Strugë, ku merrnin pjesë pianistë të vegjël. Gjatë interpretimit tim në piano, fillova të improvizoj me akorde dhe juria vuri re aftësinë time për të dëgjuar dhe riprodhuar saktë tingujt. Kjo më solli vlerësimin si një nga dëgjueset më të sakta muzikore.

Kjo aftësi më ka ndihmuar shumë edhe në zhvillimin tim si këngëtare operistike. Gjatë studimit të veprave, shpesh i improvizoja tonalitetet në piano dhe i përvetësoja në këtë mënyrë. Falë këtij procesi dhe përkushtimit të vazhdueshëm, kam arritur të mësoj përmendësh një arie brenda dy ditësh, ndërsa një operë të plotë me katër akte brenda dy javësh. Kjo lidhet pikërisht me atë që quhet “vesh absolut” — aftësia për të përvetësuar dhe riprodhuar muzikën me saktësi, përmes dëgjimit dhe ndjeshmërisë së brendshme, shpesh edhe përtej notave të shkruara.

Studimet universitare dhe mentorët

NM Studimet e këndimit artistik i keni zhvilluar në Fakultetin e Muzikës në Shkup. Çfarë ndikimi patën profesorët tuaj, veçanërisht prof. Nita Zenuni dhe tenori Kastriot Tusha, në zhvillimin tuaj artistik?

FI: Studimet e mia të para për kanto i fillova në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku pata si mentor kryesor tenorin Kastriot Tusha. Ai ishte njëkohësisht edhe profesor i teknikës vokale dhe më ndihmoi jashtëzakonisht shumë në formimin tim profesional, sidomos në përvetësimin e teknikës së të kënduarit. Po ashtu, një rol shumë të rëndësishëm pati edhe asistentja, profesoresha Nita Zenuni.

Për mua, ata nuk ishin vetëm profesorë që punonin me mua gjatë orëve të mësimit, por edhe mbështetës dhe motivues të vazhdueshëm. Më inkurajuan të marr pjesë në koncerte të shumta dhe më shtynë të dal në skenë sa më shpesh. Falë besimit që patën tek unë, u forcova shumë si studente dhe fitova siguri në rrugëtimin tim artistik.

Besoj se një pedagog i mirë ka fuqinë të të ndërtojë fort në profesion, dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Nuk mjafton të kesh vetëm një profesor; e rëndësishme është të kesh një pedagog që di ta përcjellë dijen në mënyrën më të qartë dhe më frymëzuese të mundshme.

Profesorët e mi kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin tim dhe sot i përmend me shumë respekt dhe krenari.

NMNë vitin e tretë të studimeve u shpallët zëri më i mirë ndër solistët e fakultetit. Si e përjetuat këtë vlerësim?

FI: Edhe pse nuk ishim një numër shumë i madh studentësh në degën e këndimit, u organizua një garë e brendshme mes nesh, ku synohej të përzgjidhej zëri më i pastër dhe më voluminoz. Nga kjo garë u përzgjodha unë.

Vendimi u mor nga shefi i katedrës dhe komisioni vlerësues, jo vetëm mbi bazën e interpretimit që realizova në atë moment, por edhe duke analizuar punën time trevjeçare gjatë studimeve. Ky vlerësim më gëzoi jashtëzakonisht shumë, sepse ndjeva se përkushtimi dhe puna ime ishin kurorëzuar me sukses.

Edhe pse kishte studentë më të rritur se unë, të cilët kishin nisur studimet një vit më herët, komisioni e pa të arsyeshme të më përzgjidhte mua. Në këtë prezantim u paraqita me arien e Mrikës nga opera Mrika e kompozitorit Prenk Jakova.

NM : Sa e rëndësishme ka qenë përvoja me studion operistike dhe interpretimi i arieve nga repertori klasik botëror gjatë studimeve?

FI: Përvoja me studion operistike ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për formimin tim artistik. Aty nuk punonim vetëm me arie, por edhe me opera dhe opereta më të vogla, zakonisht me dy akte, nga repertori botëror dhe në gjuhë të ndryshme.

Kjo lëndë na ndihmoi të formohemi si artiste, sepse puna zhvillohej në mënyrë shumë të detajuar. Profesori ynë ishte shumë i përpiktë dhe nuk punonte vetëm mbi interpretimin e veprave, por edhe mbi shprehjen e ndjenjave dhe përjetimin emocional që duhet të përcjellë çdo interpretim në skenë. Kjo përvojë më ka ndihmuar shumë në ndërtimin tim si këngëtare operistike.

Përvoja në Operën e Maqedonisë

NM : Ju keni qenë e pranishme edhe në skenën e Operës në Maqedoni. Çfarë përvoje artistike dhe personale ishte kjo për ju?

FI: Gjatë studimeve pata mundësinë të paraqitem në skenën e Operës së Maqedonisë, një përvojë shumë e rëndësishme dhe e veçantë për mua. Pas disa muajsh, u punësova aty si koristë, çka më dha mundësinë të jem pjesë e vazhdueshme e jetës artistike në këtë institucion.

Kjo eksperiencë nisi me një koncert të organizuar për këngëtarët e rinj të muzikës klasike. Përzgjedhja u bë përmes një audicioni nga një dirigjent italian, i cili ishte organizatori i koncertit. Nga rreth 80 kandidatë, u përzgjodhëm vetëm 10, dhe kjo për mua ishte një arritje shumë e madhe.

Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të ngjitesha në atë skenë dhe të isha pjesë e një koncerti kaq madhështor. Kjo përvojë më ndihmoi të rritem si artiste, por edhe si person, duke më dhënë më shumë siguri dhe besim në vetvete.

NM : Ju u bëtë një nga artistet e para shqiptare në korin e Operës dhe Baletit të Maqedonisë. Çfarë sfidash dhe emocionesh solli kjo përvojë?

FI: Në korin e Operës së Maqedonisë, kam qenë një nga artistet e para të përzgjedhura përmes një konkursi të rregullt. Ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të veçantë ishte fakti se karriera ime në këtë institucion nisi me një moment shumë domethënës: interpretimin në operën e parë shqiptare, Skënderbeu.

Ishte paraqitja ime e parë si koriste dhe pikërisht me një vepër shqiptare, e cila për herë të parë vihej në skenën e Operës së Maqedonisë. Ndjenja që përjetova ishte e papërshkrueshme — një përzierje krenarie, emocioni dhe përgjegjësie artistike, që do ta mbaj gjithmonë në zemër.

NM: Nga repertori i kompozitorëve të mëdhenj si Verdi, Puccini, Mozart apo Bizet, cili rol ose vepër ju ka prekur më shumë si artiste

FI: Nga repertori i kompozitorëve të mëdhenj botërorë, të gjitha veprat që kam interpretuar kanë pasur një vend të veçantë në formimin tim artistik dhe më kanë dhuruar emocione të thella. Megjithatë, ndër më të dashurat për mua mbetet opera Aida e kompozitorit Giuseppe Verdi. Sa herë që e kam interpretuar, jam ndjerë shumë e lidhur emocionalisht me të dhe e kam kënduar me shumë dashuri. Është një vepër e gjatë dhe e vështirë, që kërkon përkushtim të madh, disiplinë dhe punë të vazhdueshme për t’u interpretuar në nivelin e duhur.

Jeta dhe aktiviteti në Zvicër

NM : Prej disa vitesh jetoni dhe veproni në Gjenevë. Si ka ndikuar ky ndryshim mjedisi në zhvillimin tuaj artistik?

FI: Kaluan gati pesë vite larg vendlindjes që jetoj në Gjenevë. Fillimet nuk kanë qenë të lehta: një vend i ri, një ambient i panjohur dhe largimi nga familja dhe shoqëria ime. Megjithatë, asnjëherë nuk u shkëputa nga profesioni im. Në fillim kisha dyshime nëse do të arrija të përshtatesha me tregun zviceran, jo për mungesë aftësie, por për shkak të rrethanave dhe pasigurive të natyrshme.

Me kalimin e kohës kuptova se, me përpjekje dhe këmbëngulje, gjithçka është e mundur. Gradualisht fillova të angazhohem edhe këtu në projekte artistike dhe koncerte të ndryshme, duke vazhduar kështu rrugëtimin tim profesional edhe në një realitet të ri.

NM: Si e përjetoni faktin që përfaqësoni kulturën dhe talentin shqiptar në skenën artistike të Zvicrës?

FI: Jam shumë e lumtur që në Zvicër, veçanërisht në Gjenevë, jeton një komunitet i madh shqiptarësh që kanë arritur suksese të konsiderueshme. Prania e tyre ka qenë një mbështetje e rëndësishme për mua, sidomos në fillimet e mia në këtë vend të ri.

Këtu ekzistojnë edhe institucione ku flitet gjuha shqipe dhe organizohen aktivitete e evenimente kulturore shqiptare, gjë që më ka ndihmuar të ruaj lidhjen me identitetin tim dhe kulturën nga vij. Në të njëjtën kohë, jeta në një qytet ndërkombëtar si Gjeneva më ka dhënë mundësi të reja artistike, duke më nxitur të zhvillohem më tej dhe të përballem me sfida të reja në skenën muzikore.

Sa herë që këndoj shqip në Zvicër, zemra më mbushet plot, sepse besoj fort se rrënjët tona nuk duhet të shuhen dhe se këngët tona të bukura meritojnë të dëgjohen kudo.

Kam vënë re me shumë kënaqësi se edhe publiku zviceran i pret shumë mirë këngët shqipe. Në disa promovime librash ku kam interpretuar, reagimi i tyre ka qenë shumë vlerësues.

NMA ka dallime mes jetës artistike në Ballkan dhe në Zvicër ?

FI: Po, ka dallime të dukshme mes jetës artistike në Ballkan dhe në Zvicër. Në Zvicër, gjithçka është më e strukturuar dhe profesionale; ekziston një organizim shumë i mirë, standarde të larta dhe më shumë seriozitet në qasjen ndaj artit. Kjo krijon mundësi të mira zhvillimi, por njëkohësisht kërkon edhe disiplinë dhe përkushtim maksimal.

Nga ana tjetër, në Ballkan jeta artistike është më e ngrohtë dhe më spontane. Ka më shumë afërsi njerëzore dhe emocion në interpretim, por shpesh mungojnë mundësitë e qëndrueshme dhe mbështetja institucionale.

Të dyja kanë bukurinë e tyre: Ballkani të jep shpirtin dhe ndjeshmërinë artistike, ndërsa Zvicra të ofron strukturën dhe profesionalizmin për ta zhvilluar atë më tej.

Angazhimi pedagogjik

NM : Krahas karrierës artistike jeni e angazhuar edhe në mësimdhënie. Çfarë ju motivon të punoni me fëmijët dhe të rinjtë në fushën e muzikës?

FI: Krahas karrierës sime artistike, mësimdhënia zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time profesionale. Ajo që më motivon më shumë për të punuar me fëmijët dhe të rinjtë është mundësia për të ndarë pasionin tim për muzikën dhe për t’i ndihmuar ata të zbulojnë dhe zhvillojnë potencialin e tyre artistik.

Për mua, muzika nuk është vetëm teknikë, por edhe një mënyrë e fuqishme shprehjeje dhe zhvillimi personal. Është një ndjenjë e veçantë të shohësh progresin e nxënësve, rritjen e vetëbesimit të tyre dhe gëzimin që përjetojnë përmes muzikës.

Ky proces më frymëzon vazhdimisht dhe më jep kënaqësi të madhe, si në rolin tim si pedagoge, ashtu edhe si artiste.

NM: Sa e rëndësishme është edukimi muzikor në zhvillimin e ndjeshmërisë artistike te brezat e rinj?

FI: Edukimi muzikor është thelbësor në zhvillimin e ndjeshmërisë artistike te brezat e rinj. Përvoja ime me fëmijët dhe të rinjtë më ka bindur se muzika është një mjet i fuqishëm që ndikon jo vetëm në formimin artistik, por edhe në zhvillimin emocional, intelektual dhe kreativ të tyre.

Është shumë frymëzuese të shohësh se si ata rriten jo vetëm si artistë, por edhe si individë më të sigurt dhe më të ndjeshëm ndaj botës që i rrethon. Përmes muzikës, ata mësojnë të dëgjojnë me vëmendje, të përjetojnë më thellë dhe të shprehin emocionet e tyre në mënyrë të vetëdijshme dhe kreative.

Edukimi muzikor nuk kufizohet vetëm në teknikë apo interpretim; ai ndikon drejtpërdrejt në formimin e botës së brendshme të individit. Në një botë gjithnjë e më të shpejtë dhe të dominuar nga teknologjia, muzika mbetet një hapësirë e rëndësishme ku të rinjtë mund të lidhen me emocionet e tyre, të zhvillojnë ndjeshmërinë artistike dhe të gjejnë mënyrën e tyre unike të shprehjes.

Kërkimi akademik dhe e ardhmja

NM : Aktualisht jeni në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e teknikës vokale. Çfarë synoni të sillni të re me këtë kërkim?

FI: Po, ashtu jam në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e teknikës vokale, dhe synimi im kryesor është të sjell një qasje më të integruar dhe bashkëkohore në pedagogjinë e zërit. Kërkimi im fokusohet në ndërthurjen e traditës së teknikës klasike me njohuritë moderne mbi trupin, frymëmarrjen dhe funksionimin e aparatit vokal.

Dua të kontribuoj në krijimin e metodave më të qarta, më efikase dhe më të personalizuara për këngëtarët, duke marrë parasysh individualitetin e çdo zëri dhe nevojat specifike të secilit student. Synimi im është që ky kërkim të mos mbetet vetëm në nivel teorik, por të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në praktikën pedagogjike dhe në zhvillimin artistik të këngëtarëve të rinj.

Besoj se zëri nuk është thjesht një mjet që prodhon tinguj, por një instrument shumë delikat, që kërkon njohje të thellë dhe punë të kujdesshme, sidomos në trajtimin e kordave zanore. Për këtë arsye, synoj të ndihmoj në ndërtimin e një teknike të shëndetshme, të qëndrueshme dhe artistikisht të pasur për çdo këngëtar.

NM : Si e shihni të ardhmen tuaj artistike : më shumë në skenën operistike, në pedagogji, apo në kombinimin e të dyjave?

FI: Të ardhmen time artistike e shoh si një kombinim harmonik të të dyjave. Skena operistike mbetet pasioni im më i madh, aty ku mund të shpreh emocionet, të interpretoj dhe të lidhem drejtpërdrejt me publikun.

Në të njëjtën kohë, pedagogjia është një dimension po aq i rëndësishëm për mua, sepse më jep mundësinë të ndaj njohuritë dhe përvojën time me brezat e rinj, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë zërin dhe ndjeshmërinë e tyre artistike.

Synimi im është që këto dy fusha të ndikojnë dhe të pasurojnë njëra-tjetrën: përvoja në skenë ta forcojë dhe ta bëjë më të gjallë mësimdhënien time, ndërsa puna pedagogjike të ushqejë reflektimin dhe rritjen time artistike.

Besoj se ky është një kombinim i bukur dhe i domosdoshëm, që nuk duhet lënë asnjëherë pas dore.

NMÇfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin një karrierë në muzikën klasike ?

FI: Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin një karrierë në muzikën klasike është të jenë të guximshëm, të durueshëm dhe të përkushtuar. Muzika klasike kërkon punë të vazhdueshme, disiplinë dhe pasion të vërtetë, por shpërblimi që sjell është i jashtëzakonshëm.

I këshilloj të rinjtë të kërkojnë mësimdhënës të mirë dhe të punojnë seriozisht për zhvillimin e teknikës dhe interpretimit të tyre, pa e humbur asnjëherë gëzimin dhe dashurinë për muzikën. Çdo zë është unik, dhe me përkushtim e këmbëngulje, ëndrrat mund të bëhen realitet.

Gjithashtu, besoj fort se një pedagog i mirë luan një rol vendimtar në formimin profesional të një artisti, sepse ai jo vetëm që të udhëzon, por edhe të ndihmon të zbulosh dhe të zhvillosh potencialin tënd në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 14.04.2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok