22/12/2024

NJË SHTRIRJE E PASUR E PËRVOJAVE ARTISTIKE E NJERËZORE

0
Llesh-Ndoj-Lindjen

(Llesh Ndoj, “Lindjen mbaj në gji”, poezi, 2024)

Nga Prend BUZHALA

Sado që vargjet e vëllimit poetik “Lindjen mbaj në gji” të Llesh Ndojt ngërthejnë thënien racionale të vargut; megjithatë poezia ngërthen edhe një dimension tjetër, jashtë logjikës së thënies, përmasën delikate të vetëdijes, një hapësirë ku ndjesitë shndërrohen në fjalë. Libri është strukturuar në katër pjesë a cikle. Secili cikël ka emërtesën me një varg poetik dhe që shënjon edhe boshtet tematike të tyre. Kështu, cikli i parë emërtohet me vargun aforistik “Dashuria është e verbër, por sytë e saj të shpirtit pikturojnë botën e së nesërmes” e që përfshijnë lirikat e dashurisë. I dyti shënjohet me thënien “Atdheu nuk mund të jetë “lopa plle”, veç me e mjelë! Përpara se të jap, ai kërkon të ushqehet me dashurinë tënde” e që mbajnë ligjërimet poetike për atdhesinë. I treti “Besimtar nuk mund të jetë ai që falet gjithë ditën në kishë, a xhami e natën del  e vjedh, vret e pret! Besimtar është ai që kishën e xhaminë i ngrit në shpirt!” janë lirika të përshpirtshme, kurse i katërti “Ndoshta asgjë s’mund të zgjedhësh në jetë, por ta jetosh atë me ndershmëri, varet vetëm nga ti” me lirika refleksive e të aktualitetit shoqëror, etik e historik. Gërshetimi i këtyre temave të ndryshme, sjell një shtrirje të pasur të përvojave artistike e njerëzore, duke krijuar një libër të pëlqyeshëm për t’u lexuar dhe për ta shijuar poezinë në të gjitha format e saj të ndryshme.

Nëpërmjet poezive të dashurisë, poezive atdhetare, të përshpirtshme dhe lirikave biografike e refleksive, lexuesi njihet me një gamë të gjerë të figurave, ideve, emocioneve, mendimeve dhe përvojave njerëzore. Në këtë mënyrë, lexuesi identifikohet me ndjenjat e dashurisë, të frymëzimit kombëtar, të reflektimit shpirtëror dhe të reflektimit mbi jetën. Poezia, në të gjitha format e saj, është një mjet i fuqishëm për ta shprehur dhe për ta kuptuar botën rreth nesh, duke na dhënë një perspektivë të thellë mbi përvojat dhe emocionet njerëzore. Krijimi poetik ka prirjen për të nxitur ndjenja të forta tek lexuesi dhe për të krijuar një lidhje të ngushtë midis shkrimtarit dhe lexuesit. Ajo ofron një hapësirë ku lexuesi arrin të identifikohet, të reflektojë dhe të qëmtojë mendimet dhe emocionet e tij nëpërmjet fjalëve dhe imazheve poetike. Nëpërmjet poezisë ne shohim botën në një dritë të re, i kuptojmë thellësisht përvojat tona personale dhe i ndajmë njëkohësisht me një përvojë të përbashkët njerëzore.

Edhe te ky vëllim poetik, poezia është një trajtë efektive për të shprehur emocione të vështira dhe komplekse, me gamën e gjerë të ndjenjave njerëzore. Poezitë përmbajnë emocione të ndryshme si dashuria, trishtimi, gëzimi, ankthi, dhimbja, dhe shumë të tjera, dhe ato japin shprehje të ndjeshme dhe të thella të këtyre emocioneve nëpërmjet fjalëve dhe imazheve poetike. Po ky libër ka botën e vet të reagimeve ndaj kohës dhe hapësirës ku jeton e vepron autori. Është një gjuhë intime, sepse kërkon të zbulojë thelbin e unit poetik dhe të objektit poetik me të cilin shprehet dhe këtë e bën me fjalë e asociacione të konceptuara dhe të njohura vetëm nga poeti.

  1. Poezia dhe koha

Nuk është thënë më kot, prandaj, se poetët dhe adhuruesit e poezisë janë shpirtra të ndjeshëm. Po qe se lexuesi Tjetër, dhe poeti Tjetër, që nuk e kanë këtë përmasë për ndjeshmërinë e lirikës, do ta kenë të mbyllur atë kalim magjik, nëpër të cilin lëviz poezia, dhe të tillët i ndrydhin emocionet e tyre.

E kam ndalur kohën

n’vargje t’poezisë,

Ndezur brenda meje

prej hireve t’bukurisë.

Poezia “E ndala kohën” e paraqet këtë kohë si diçka që ndalohet për t’i përjetuar momentet më të bukura të dashurisë. E,  vetvetiu, dashura dhe poezia për të, janë emocion. Poeti e përshkruan një çast t të ndaluar në kohë, kur ai është i zhytur në mrekullinë e dashurisë së tij. Imazhet e natyrës dhe bota emocionale, janë pjesë e një përjetimi të thellë dhe intim. Metafora e ndalimit të kohës në këtë poezi përdoret për përshkrimin e një momenti të veçantë dhe të përjetshëm të dashurisë dhe emocioneve. Koha është një koncept i abstraktuar që përshkruan rrjedhën e saj dhe kalimin e momenteve. Ndërkohë, ndalimi i kohës është një metaforë për një çast të tillë të jashtëzakonshëm dhe të çuditshëm, ku ndjenjat dhe emocionet janë të ndjekura përjetësisht. Ky ndalim i kohës simbolizon përjetësinë e ndjenjave dhe një çast të pashlyeshëm të lumturisë dhe dashurisë. Koha nuk vazhdon të kalojë, por është kapur në një pikë të caktuar, duke e bërë këtë çast të qëndrueshëm dhe të pashlyeshëm për autorin. Kjo metaforë përshkruan forcën e ndjenjave të përjetshme dhe fuqinë e tyre për t’i kapur dhe mbajtur në mënyrë të pashlyeshme momentet e lumturisë dhe dashurisë.

E bukuria është femër

njëjtë dhe poezia,

Ndezur ta mbajnë ndjenjën

s’u ikën kurrë shija!

Poezia ka një strukturë të përafërt të ndarë në strofa, dhe ka një rrjedhë të qartë mendimesh dhe ndjenjash nëpër to. Në strofën e parë poeti fillon me një përshkrim të një momenti të qetë dhe të thellë të ndaluar në kohë, duke përdorur metafora nga natyra për t’i përshkruar ndjenjat e thella të dashurisë dhe qetësisë. Strofat 2 dhe 3 vazhdojnë temën e ndalimit të kohës (si kohë eternale) në ndjenjat e dashurisë, duke përdorur simbole dhe metafora të tjera për ta përshkruar më tej thellësinë dhe intensitetin e kësaj ndjenje. Strofat 4 dhe 5:paraqesin ndjesitë tjera të tij në lidhje me virgjërinë dhe fuqinë e këtyre ndjesive të qëndrueshme në kohë. Ai përdor figura mitologjike për ta përforcuar këtë ide të një ndjenje që ndalon kohën dhe qëndron përjetësisht. Strofat 6 dhe 7 përfundojnë poezinë duke theksuar lidhjen midis bukurisë dhe poezisë me dashurinë, duke i shqiptuar ato si të pandryshueshme dhe të përjetshme, ndërsa koha ndalohet në këtë moment të bukurisë dhe dashurisë së përjetshme.

Përdorimi i metaforës ku bukuria dhe poezia krahasohen me një femër, tregon fuqinë dhe ndjeshmërinë e tyre të ngjashme. Ndërkaq, poetit i bëjnë përshtypje se këto fuqi janë të njëjtat në përjetësi, duke e mbajtur ndjenjën e dashurisë së shijuar përjetësisht, pa humbur kurrë magjinë dhe kuptimin e saj.  E përfundon poezinë në një notë të qëndrueshme dhe të mahnitshme për fuqinë e dashurisë dhe poezisë për t’i kapur momentet e shenjta që përjetohen në jetë. Poet merr shenja biografemash e shenja toponimike të vendlindjes:

Ajo s’ndryshoi kurrë

I tha kohës “ndal”!

E mua më përkund

në hovin djaloshar.

Janë vargje shtojnë një ndjesi të veçantë të përjetimit të kohës së ndaluar në një moment të bukurisë dhe dashurisë. Autori ka prirje të kthehet në kujtesën e tij tek momentet e përjetuara, duke iu referuar Pyllit të Gështenjave dhe Hurdhës së Zezë, dy vende të vendlindjes që përfaqësojnë bukurinë dhe ndjenjat e thella. Ky reflektim thekson qëndrueshmërinë dhe përjetësinë e ndjenjave të tij, duke treguar se pavarësisht kalimit të kohës, kujtimet dhe ndjenjat mbeten të pandryshueshme. Më tutje, zhdrivillohet poetikisht raporti me legjendat e përrallat:

E kam ndalur kohën

n’virgjërinë e ndjenjës,

Me Hirushen e prrallës

e Gzhetën e rrëfenjës.

Kjo pjesë e poezisë përdor figura mitologjike për t’a përforcuar idenë e një momenti të veçantë dhe të përjetshëm të ndaluar në kohë. Hirushja është një personazh i njohur në folklorin shqiptar, që konsiderohet si simbol i bukurisë dhe magjisë. Në këtë kontekst, poeti e përdor Hirushen si një simbol të fuqisë së përjetshme të dashurisë dhe ndjenjave të thella. Gzheta, një tjetër personazh nga folklori, ka qenë e lidhur me histori të mbretërve dhe heroinave, duke përfaqësuar një ndjenjë të rrëfenjës dhe të thellësisë së ndjenjave. Ky përdorim i legjendave dhe përrallave, shërben për ta theksuar përmasën e madhe dhe të rëndësinë e ndjenjave të përjetshme të dashurisë dhe për të krijuar një atmosferë më magjepsëse dhe misterioze për momentin e ndaluar në kohë.

  1. Poezia dhe dashuria

Të tilla janë poezia dhe dashuria përgjatë këtij vëllimi poetik. Përgjithësisht, te ky vëllim, poezia përfaqëson pikën e takimit mes fjalëve dhe ndjenjave. Bota emocionale përplaset me dridhma përmes rrezatimit figurativ e refleksiv të fjalëve. Në dobi edhe të thënies së qartë (racionale) edhe të botës së pasur emocionale, shkon edhe komunikimi i sinqertë i këtyre poezive.

Te lirikat e dashurisë shprehja “Dashuria është e verbër, por sytë e saj të shpirtit pikturojnë botën e së nesërmes” sugjeron një aspekt të ndryshëm të dashurisë, duke e krahasuar atë me një perceptim të thellë të botës dhe të së të së ardhmes. Në një nivel të hollësishëm, shprehja sugjeron se dashuria është e paqartë dhe e paqëndrueshme, si një gjendje që nuk mund të shihet ose të perceptohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë, ndjenjat dhe shpirti i qenes që dashuron, shohin përtej pamjes së jashtme dhe e perceptojnë një botë të ndryshme, një botë të së ardhmes, e cila është e pikturuar në forma të ndryshme nga sytë e thellë të shpirtit. Shpreh idenë se dashuria është një forcë kreative, e cila ndryshon dhe e pikturon botën në trajta të reja dhe të paparashikueshme, duke sjellë një perspektivë të re për të ardhmen.

Kur poeti e nis motivin e tillë me poezinë “Zemreku i kësaj bote”, ai e bën lidhjen e natyrës me dashurinë dhe emocionet, ashtu siç e bëri këtë lidhje mes poezisë, kohës, bukurisë e dashurisë. Këtu jepet një pamje që shfaq rëndësinë e ndjenjave në një kontekst të frymëzuar nga natyra dhe qielli. Vargjet e para paraqesin një moment të bukur të puthjes së dy yjeve në qiellin e kaltër, që ndez sytë e të gjithëve që e shohin. Kjo pamje e bukur shkakton ndjesi të pëlqyeshme edhe te ata që nuk mund të shohin. Mandej këmbehet një çast i trishtë, kur dy yjet ndahen dhe bie shi, që shkakton lotët në sy të tyre. Është një reflektim i rëndësisë së lidhjeve dhe humbjes në jetën tonë. Poezia përfundon me një afishim të fortë për rëndësinë e dashurisë, e cila shihet si një forcë hyjnore dhe e cila bën që koha të ndalojë dhe tregohet si dëshmi e qenies sonë.

Më tutje, tek poezitë tjera, lexojmë larushi ndjesish dhe të mungesës (poezia “Për pak vlagë”), ndaljes së kohës në një mënyrë intime dhe emocionuese, gjithnjë me një gamë të gjerë emocionesh dhe reflektimesh nëpërmjet imazheve të bukura dhe të ndjeshme. Ndërsa dashuria lind dhe bien e vyshket, ajo nuk vdes kurrë (“Vyshket, nuk vdes…”), ajo është një përjetim i mrekullueshëm dhe intim që shkakton ndjenja të forta të lumturisë dhe dashurisë për natyrën dhe për njëri-tjetrin, në një moment të mëngjesit kur dielli shkëlqen dhe ngroh zemrën e folësit lirik (“Përqafuar me diellin”); apo kur poezia shpreh një dashuri të thellë dhe të qëndrueshme për një person të veçantë (“Asaj…”):

Kur unë flas për jetën

të kam parasyshë ty

Janë vargje ku qenia e dashur është thjerrëza e qëndrueshme e jetës së poetit dhe rri në qendër të mendimeve dhe ndjenjave të tij.

Mes mijëra portretesh

vizatuar ngjyra shumë,

Ti më mbete e vetmja

që më ngjanë, si “unë!

Vajza e dashur është ajo që përputhet më mirë me të dhe është e vetmja që ai e ndjen si “vetveten”. Poezia e krahason të dashurën me një vepër arti të madhe siç është “Monaliza”, duke e përshkruar si diçka tejet të çmuar dhe të pashlyeshme në jetën e tij. Ndërkaq, një gamë të gjerë emocionesh dhe përjetimesh hasim te poezia “Këngëtar pa zë”, me një përjetim të pashpjegueshëm të dashurisë, duke e krahasuar atë me një këngë të bukur që këndon pa fjalë dhe pa zë. Ky përshkrim tregon intensitetin e ndjenjave të tij për të dashurën. Poezitë tjera, si “Bijë…”, “Ninulla e dyfishtë”, vijnë me përjetime të qeta dhe të mahnitshme në mes të natyrës e vajzave, ashtu siç na shfaqet një perceptim i bukur i dashurisë dhe frymëzimit te poezia “Oazë dashtnie”. Te poezitë “Bosh bota pa ty!”, “Në mes vetëtima”, “Ah marak, marak”, “Ëndërr e pabesë”, “Ç’ka me t’ thanë…”, “Breshta e harlisur”, “Etje”, “Ç’është koha?!” etj. së bashku me ndjesitë e thella të humbjes dhe mungesës së qenies së dashur, një bote si një vend bosh dhe të errët pa praninë e saj; vijnë përjetime të fshehta dhe të ndjeshme në mes të natyrës dhe shpirtit njerëzor, si një vetëtimë e mistershme që ndryshon dinamikën e mendimeve dhe ndjenjave; vijnë përjetime të frustrimit dhe lodhjes nga një situatë e vështirë, me nevojën për një ndryshim dhe për t’u larguar nga e keqja që e ka rrethuar; përplaset me një përjetim të ndjenjave të thella dhe të mahnitshme në një ëndërr të papërshkueshme, me përjetimet e një gjendjeje të shenjtë dhe të fshehtë, duke e krahasuar atë me një dhëndër të bukur; shpreh ndjenjat e tij të ngrohta dhe të ndjeshme për një moment të mrekullueshëm me një flutur; shfaqet një përjetim i thellë i bukurisë dhe mahnitjes së natyrës; përsëritet ndjenja e thellë e etjes dhe mungesës për qenien e dashur dhe, më në fund, përsëri reflekton për kohën dhe jetën. Krahasimi me një det të trazuar me dallgë i përjetimit të thellë të dashurisë bëhet te poezia “Dallg’t e dashtnisë”, e ku poeti reflekton se këto ndjesi janë instinkte të lashta që i japin kuptim jetës sonë. Janë të shumta poezitë ku bëhen përqasjet e dashurisë me natyrën dhe ku shqiptohet dëshira për të qenë pranë të dashurës në çdo moment të jetës apo të ndjesive të humbjes. Nga ana tjetër, e thekson edhe ndikimin e dashurisë në jetën e tij (“Një pse në menu”), por e thekson edhe rëndësinë e pyetjes “Pse?”, si një mënyrë për ta kuptuar më mirë këtë ndjenjë të thellë. Përplotësohet ky kuadër i pasur erotik e dashuror me konceptin e dashurisë dhe përpjekjen për ta kuptuar atë (poezia “Ç’është dashuria?”), Poeti reflekton mbi shumë definime të dashurisë dhe për ndjenjat që e shoqërojnë atë, duke arritur në konkluzionin se ajo është diçka që nuk mund të përkufizohet, por ndihet thellë në shpirt dhe shpërthen në një gjendje çmendurie dhe lumturie. Këto poezi përcjelln një gamë të gjerë të emocioneve dhe përvojave të lidhura me dashurinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe shprehin një dëshirë të thellë për lidhje të përjetshme, për njohjen dhe kuptimin e ndjenjave të tilla, si dhe një dëshirë të vazhdueshme për ta shfaqur dhe përjetuar dashurinë në forma të ndryshme.

Ti je muza që më ngacmon

Je panorama më e bukur…

thotë te poezia “Lindjen mbaj në gji” e ku e dashura përshkruhet si burim i frymës dhe inspirimit të poetit. Dëshirën për të ndarë momente të bukura me të dashurën dhe për të qenë bashkë përjetë, e shqipton te vargjet:

Dhuroma një çast!

Të embël si ti,

N’kalendar shtuar

Me emrin dashtni!

Një tjetër gamë të pasur ndjesish vjen me ato të ëndrrave, dëshirave dhe ndjenjave të përcjelljes në aspekte të ndryshme. Lexohet një dilemë për ta kuptuar pse dashuria shpesh përjetohet si një moment i përkohshëm (“Pse një ditë?”), apo përjetimi i dashurisë si një nevojë themelore për jetën dhe ekzistencën e njeriut (“E dashur”), me shenjat e një dashurie të thellë dhe të qëndrueshme që përforcon reciprocitetin dhe ndjenjën e kuptimit të njëri-tjetrit. Shprehja e ëndrrave dhe dëshirave për një dashuri ideale, duke përdorur metafora nga bota e princërve dhe princeshave (“Princesha ime”), shqiptohet me ndjenjat e adhurimit dhe përkushtimit ndaj të dashurës, si një entitet i çmuar dhe i padiskutueshëm, së bashku me ndjenjat e ndarjes dhe frikës se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, duke paraqitur dilemat dhe sfidat e një marrëdhënieje të tillë. Ndjenja e qetësisë dhe mbrojtjes që jep dashuria, duke paraqitur të dashurën si një shtëpi ku gjejmë strehim dhe siguri, paraqitet bukur te poezia “Liman i qetësisë”. Nevoja për të komunikuar dhe për të shprehur ndjenjat e thella emocionale përmes fjalëve dhe gjesteve të përzemërta, është një ndër elementët që përfshihen në rrezatimet kuptimore të kësaj poezie. Disa elementë të tjerë i hasim brenda një poezie, si te “Pranë dhe larg”: kontrasti midis pranisë dhe largimit nga personi i dashur, përjetimi i ndjenjave të ngrohta dhe mungesës së tyre; ndjenja e mosmarrëveshjes dhe nevoja për të qenë pranë të dashurës, edhe pse ka momente kur ndodh largimi fizik; përqendrimi në ndjenjat e ndarjes dhe përpjekjet për ta mbajtur lidhjen aktive edhe në distancë… Kurse tregues të këtillë te poezia  “Grepat për dashtni” janë: përdorimi i imazheve natyrore për ta përshkruar përsosmërinë dhe intensitetin e dashurisë; shprehja e gëzimit dhe e kënaqësisë që sjell dashuria, si një shpërblim i bukur dhe frytdhënës dhe përjetimi i shkëlqimit të dashurisë dhe përsosmërisë së saj, duke e krahasuar me një peshk, i cili është i përkushtuar për t’u zhytur në detin e thellë të dashurisë. Ndërkaq, kritika ndaj mënyrës së jetesës së vrullshme dhe përqendrimit në sukses dhe karrierë, duke e krahasuar me rëndësinë e dashurisë; përqendrimi në fuqinë dhe ndikimin që ka dashuria mbi zgjedhjet dhe vendimet që bëjmë në jetë dhe ndjenja e nostalgjisë për të kaluarën dhe përjetimi i humbjes së frymës së dashurisë në rrugëtimin e shpejtë të jetës, shfaqen te poezia “Fuqi mbi fuqitë”.

Tregues të tjerë tematikë janë: përdorimi i letërsisë si një mjet për të shprehur ndjenjat e thella dhe për të komunikuar me qenen e dashur; përjetimi i ndjenjave të forta dhe dëshirës për t’u lidhur më thellë me të dashurën; nevoja për t’u shprehur dhe për t’i bërë me të ndjera ndjenjat e dashurisë dhe admirimin ndaj personit të dashur (“Kinezka”); apo: shprehja e misterit dhe mburrjes në lidhje me një marrëdhënie të pazgjidhur dhe të pasqyruar në një imazh të pabesueshëm; përdorimi i ironisë dhe humorit për t’i përshkruar sfidat dhe pengesat që përjetohen në një marrëdhënie të komplikuar, si dhe ndjenja e pasigurisë dhe moskuptimi në lidhje me përjetimet dhe komunikimin me personin tjetër, duke shfaqur një çudi në marrëdhënien e tyre.

Te “I thashë lules” poeti përdor metaforën e një luleje për t’i përshkruar ndjenjat e plakjes dhe pritjes së dashurisë. Dialogu midis personazhit dhe lules është një trajtë për ta përshkruar marrëdhënien ndërmjet natyrës dhe jetës njerëzore. Lulet shfaqen edhe te poezia “Lule mbi gurë”, ku ajo simbolizon dashurinë dhe rritjen e saj në një mjedis të vështirë. Personazhi shpreh dashurinë e tij të pafund dhe përkushtimin ndaj të dashurës, duke e krahasuar këtë lidhje me rrënjët që mbeten të qëndrueshme në shkëmb. Leksema gege “Me dashtë…”, që e përshkallëzon këtë ndjesi, shpreh nevojën për dashuri dhe përkushtim në jetë. Ka një reflektim filozofik:

S’ka nevojë për tjetër,

Se dashuria e vetë e gjen,

aty ku është e vjetër.

Ja edhe “Mallkimi i Platonit”, ku poeti shfaq një ndjenjë të ndërliqshme në relacion me filozofinë e dashurisë, duke e shfaqur kundërshtimin midis idesë romantike për dashurinë dhe realitetit të dashurisë së humbur; aty ja në edhe “Portat e Parajsës”, ku paraqitet një udhëtim emocional drejt dashurisë dhe lumturisë, me dëshirën për të qenë pjesë e një dashurie të shenjtë dhe të përjetshme. Vjen i pasur një “Portret dashurie” ku përshkruan artistikisht një lidhje të thellë emocionale midis dy personazheve të dashuruar e ku jepet portreti i të dashurës si një bukuri e rrallë dhe një pjesë e jashtëzakonshme e jetës së tij. Imazhet e pikturës dhe portreteve simbolizojnë thellësinë e emocioneve dhe natyrën e qëndrueshme të dashurisë. Poezitë sugjerojnë se dashuria e vërtetë është një vepër arti, e dashur dhe e admiruar nga ata që e përjetojnë atë. Portretet e të dashurës vijnë te gjashtë poezi, në përqasje me muzikën, ku kënga që ajo sjell është shumë më e bukur se muzika e kompozitorëve të famshëm si Mozart dhe Beethoven (Portret dashurie 3); vjen me metaforën e një pylli që merr jetë për t’a përshkruar fuqinë dhe jetën që dashuria i jep botës e ku ajo shkrin zemrat e njerëzve dhe bën mrekulli, siç bëjnë edhe forcat e natyrës (Portret dashurie – 4); se folësi lirik nuk e do të dashurën për pamjen e jashtme, por për shpirtin e saj, për misterin që fsheh brenda, e ku bukuria e vërtetë nuk është e dukshme për të gjithë, por mbetet e pashlyeshme në zemrat e tyre (Portret dashurie – 5) dhe shprehja e  nevojës për praninë e saj dhe përqafimin me të… (Portret dashurie – 6).

Sikundër pamë, për poetin Llesh Ndoj ndjenja më fisnike njerëzore është dashuria, kurse gjëja më e mrekullueshme që ngjet në jetën e njeriut, është kur dashurohen një grua dhe një burrë. Meqenëse folësi lirik i këtij vëllimi ligjëron në veten e parë dhe shpesh i drejtohet një vete të dytë, qenies që e do, vetja e dytë është vetëm qenie e pranishme, por nuk i mungon zëri… Këto poezi paraqesin një pasuri të pafund të trajtave të vizionit lirik të dashurisë. Së këndejmi, jo më kot poeti vë në ballë të librit poezitë e dashurisë.

  1. Poezia dhe atdhesia

Kur në pjesën e dytë lexojmë frazemën “Atdheu nuk mund të jetë ‘lopa plle’ “, veç me e mjelë! Përpara se të jap, ai kërkon të ushqehet me dashurinë tënde” dhe u biem në fund këtyre lirikave, do të vërejmë se po kaq e pasur është edhe gamave e këtyre motiveve. Motoja e emërtuar në cikël është shprehje e idesë se për të përfituar dhe për të pasur një lidhje të fortë me atdheun, është e nevojshme që individët të japin dhe ta shprehin dashurinë e tyre ndaj tij. Atdheu është paraqitur si një entitet që kërkon dashuri dhe kujdes nga qytetarët, për ta zhvilluar dhe për ta përparuar më tej. Kjo shprehje përshkruan edhe nevojën për përkushtim dhe punë për t’i arritur qëllimet kombëtare dhe për t’i përmbushur detyrat ndaj tij. Përmendja e “lopa plle” dhe e “mjeljes” sugjeron se përfitimi nga atdheu nuk mund të jetë një proces pasiv ose egoist, por kërkon përpjekje aktive dhe përkushtim për ta arritur suksesin dhe për të përfituar nga lidhja me vendin e origjinës.

Lirikat e këtij cikli shprehin ndjesi të forta të identiteti kombëtar dhe një përkushtim të madh për atdheun. Poeti e lidh atdheun me një marrëdhënie emocionale dhe personale, duke e bërë të njohur atë si një pjesë thelbësore të identitetit të tij. Ka edhe poezi që shprehin përjetime të forta lirike për Kosovën dhe përshkruajnë një lidhje të thellë emocionale me atdheun dhe historinë e popullit shqiptar. Kosova është shndërruar në një simbol të fuqishëm për popullin shqiptar. Ajo përfaqëson luftën dhe sakrificën e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë. Përmes poezive, Kosova përshkruhet si një “Jeruzalem shqiptar”, një vend i shenjtë për shqiptarët, ku gjaku i tyre u mbjell në tokën e saj. Poezitë përshkruajnë ngjarjet historike dhe identitetin kombëtar. Nëpërmjet referencave të historisë së lashtë dhe ngjarjeve moderne, poeti shpreh krenarinë dhe respektin për popullin dhe historinë e tyre. Tema kryesore është dëshira për liri dhe pavarësi. Flamuri Kuq e Zi përfaqëson unitetin dhe guximin e shqiptarëve në kërkimin e lirisë. Ai është një simbol i fuqishëm i identitetit kombëtar dhe përkushtimit për atdheun.

Po këto krijime me këtë tematikë, shprehin edhe dhimbjen dhe sakrificën e popullit shqiptar nëpër histori. Poeti reflekton mbi vuajtjet dhe mundimet e shqiptarëve në kohë të ndryshme dhe shpreh respektin e admirimin për ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Në përgjithësi, këto poezi shfaqin një lidhje të thellë emocionale dhe historike me Kosovën dhe me historinë e popullit shqiptar. Ato përhapin mesazhin e unitetit, guximit dhe përkushtimit për ta mbrojtur dhe për t’i promovuar vlerat e lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

Në poezinë “Flamuri Kuq e Zi”, flamuri është simbol i fuqishëm i identitetit kombëtar dhe përkushtimit për atdheun.

Je ëndrra që s’mbaron

e majat don me mbërri,

Një “Po” e madhe

një pikënisje e re,

Gjersa trojet t’i mbuloje

Flamuri Kuq e Zi.

Poeti shpreh përjetimet e tij për historinë dhe identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet referencave të ngjarjeve historike dhe figurave të rëndësishme si Skënderbeu. Në vargun “Një Gur kilometrik në udhën e ëndrrës”, figura e Skënderbeut është simbolikisht e përmendur.

Këto poezi janë mbushulluar me simbole dhe tema të ndryshme. Poezitë përshkruajnë tokën si një simbol të sakrificës dhe përkushtimit të shqiptarëve ndaj lirisë së tyre. Toka është e përshkruar si e shpuztë dhe e mbjellë me eshtra, ndërsa gjaku i dëshmorëve është shndërruar në gjak të tokës. Kjo paraqet lidhjen thelbësore midis shqiptarëve dhe atdheut të tyre, të cilin ata janë të gatshëm ta mbrojnë edhe nën kushte të vështira. Pranvera është përdorur si simbol i rinisë dhe rilindjes së shpresës. Aroma e barit të njomë, e cila përshkruhet si një lloj freskimi, është simbol i ringjalljes së jetës dhe shpresës për të ardhmen Poezitë përshkruajnë edhe Rugovën si një vend me një rol të rëndësishëm në historinë dhe kulturën shqiptare. Ajo është portretizuar si një vend i urtë dhe i vendosur, që jep frymëzim dhe forcë për shqiptarët.

N’Rugovë t’Pejës

gjithshka flet,

Rrugëve të jetës

larg mendja të tret.

Në poezinë “Toka jonë”, poeti e paraqet tokën si simbol të shpirtit dhe identitetit kombëtar.

Toka jonë e shpuztë

toka arbnore,

Më shumë se gur e dhé

mbjellë me eshtra.

Toka përshkruhet e mbjellë me eshtra, që simbolizojnë sakrificën dhe përkushtimin e shqiptarëve ndaj atdheut.  Në poezinë “Aromë e barit të njomë”, autori përdor pranverën si një simbol të rinisë dhe rilindjes:

Rishtas kur rinë,

Trupin ta rinon

Moshën ta përtërin.

Në poezinë “N’Rugovë t’Pejës”, poeti këndon:

…ushtoi mali:

– Bini ju trima!

pat thirr shqiptari.

Këto vargje me jehonë epike, i përshkruajnë shqiptarët si trima dhe të vendosur në mbrojtjen e territorit të tyre. “Gegnishtja…: ” është një poezi që e përshkruan gegnishten në mënyrë simbolike dhe poetike si gjuhën e Perëndisë dhe të shpirtit, gjuhë të lirisë dhe rebelimit…

Gegnishtja…

Është gjuhë e zotave n’Olimp,

Djallëzisht e transformuar

Iliada e Odisea, me të shkruar.

(…)

Është gjuhë e kreshnikëve,

E Lahut’s, e Mujit dhe Halilit,

Dhuratë zbritur prej Perëndisë

Kurorë e ndjenjave të shpirtit.

Është e thellë ndjesia e poetit për identitetin kombëtar dhe e krenarisë për trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore. Poezia “N’Shkodër…” rrëfen për historinë dhe kulturën e qytetit, duke iu referuar edhe legjendës së Rozafës. Edhe te kjo poezi këto rrënjë trashëgimie janë të pazhdukshme e të pashkëputshme. Qyteti i Shkodrës personifikohet dhe idealizohet si simbol i historisë dhe trashëgimisë shqiptare. Përmendja e legjendës së Rozafës, e një gruaje që ofrohet për t’u sakrifikuar për ndërtimin e mureve të qytetit, shpalos një ndjenjë të thellë për lidhjen e shqiptarëve me historinë dhe traditat e tyre.

Kur hyn n’Shkodër

mbetesh i fiksue

tue kundrue Rozafën.

janë vargje që paraqesin një përjetim sa epik aq edhe legjendar. Shprehja e kundrimit ndaj Rozafës, përfaqëson një lidhje të thellë emocionale me historinë dhe kulturën e qytetit. “Çou shqiptar, mos të raftë pika” – një tjetër poezi që shfaq sfidat dhe vuajtjet e shqiptarëve nëpër histori, duke përdorur një ton inkurajues dhe përshëndetës. Ajo i nxit bashkatdhetarët të mos dorëzohen përpara sfidave dhe të mbeten të vendosur për ta përballuar çdo pengesë. “Dëshmi…”, – është poezi që paraqet një ndjenjë të thellë krenarie… Ajo përshkruan trajtat karakteristike të identitetit shqiptar, siç janë mbajtja e plisit dhe e shallit, si dëshmi të thella të trashëgimisë dhe identitetit kombëtar Është vetëdija e rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit kombëtar për brezat e ardhshëm.

– Ah, shqiptar, shqiptar!

Po të thërrasin rrënjët

e kësaj toke:

– Ruaje emrin e lindjes

shamikuqen – flamur,

qefin, shallin e bardhë

amanetin më të madh,

T’dëshmojnë trishtueshëm

krenare mbi varr:

Se u linde ti, jetove

dhe vdiqe shqiptar!

Disa poezi tjera gërshetojnë socialitetin e rëndë me ndjesinë atdhetare. Në këtë kuadër, s’kemi se si të mos e lexojmë edhe poezinë “Loti i mërgimtarit”, ku një mërgimtar shqiptar e nden peshën e largimit e të mallit për ndaj vendlindjes dhe familjes së tij.

Pragu i derës kur po loton

Trau i kullës kur po gjëmon…

e ku nëpërmjet imazheve të trishta si pragu i derës, trau i kullës dhe gurët e votrës, poezia shqipton vuajtjen dhe mallin e mërgimtarit për vendlindjen. Ka edhe shpresë për kthim për t’i rikrijuar lidhjet me të dashurit e humbur. Në traditën artistike të poetëve të letërsisë sonë, është krijuar poezia “Vaji i dallëndyshes”: është një situatë e  dhimbshme ku një burrë shkatërron shtëpinë e tij, duke lënë në mjerim një dallëndyshe. Në këtë kontekst, dallëndyshja përfaqëson një simbol të pafajësisë dhe përballet me vuajtjen që sjell konflikti mes njerëzve. Kjo poezi interpretohet edhe si kritikë ndaj dhunës dhe shkatërrimit … “Fjala e plakut”: poezi që paraqet vuajtjen dhe dhimbjen e një plaku që ndjehet i braktisur nga fëmijët e tij dhe i mbuluar nga malli për të kaluarën. Nëpërmjet imazheve të kujtimit dhe zhgënjimit, poezia shprehë një ndjenjë të thellë nostalgjie për kohën e kaluar.

Me tone solemne e me imazhe të traditave dhe zakoneve shqiptare, paraqitet poezia “Jam shqiptar”: “Bash si rrinë degët e një lisi, / Rrinë fustanella, xhubleta e plisi”. Këso tonesh ka edhe poezia “Kalorësi i Krishterimit”, një apologji poetike për Gjergj Kastriotin, i cili u shpall “Kalorës i Krishterimit” nga Vatikani për veprat e tij të mrekullueshme në mbrojtje të atdhesisë, fesë dhe vendlindjes.

Te poezitë tjera ka një udhëtim personal nëpër rrugët e vendit dhe lidhjen me to nëpërmjet një përfaljeje për historinë dhe ngjarjet që kanë ndodhur; me kërkimet për t’iu rikthyer kohës së kaluar (“Udhëve të vendit tim”); është forca e guximi  grave kosovare, duke i krahasuar ato me figura të rëndësishme si Antigona dhe Rita Ora, me admirimin dhe lavdërimin për rolin e tyre në shoqëri dhe histori (“Kosovarja”); një marrëdhënie e thellë emocionale me tokën dhe trashëgiminë kulturore, nëpërmjet imazheve të bukura dhe të ngrohta, me besimin në një lloj magjie të pranishme në lidhjen midis njeriut dhe natyrës, duke pasqyruar admirim dhe përkushtim për vendlindjen dhe tokën e lindjes (“Magjia e (at/mëmë)dheut”); një thirrje për përmirësim personal dhe shoqëror në një nivel të thellë, duke e nxitur lexuesin të mendojë për nevojën për ndryshim dhe përparim në jetë (“Na duhet…”) etj.

Poezitë tjera si “Kush e qëndisi Flamurin?”, “Fshatar…”, “Kulla e ngujimit – 1 dhe 2”, “Kosovë”, “Malli djeg zjarr”, “N’takim me historinë”, “Shqiptarisht”, etj, përfaqësojnë të njëjtln gamë motuvesh e ndjesish atdhetare, tradutsh e trashëgimish. Dallon “Kulla e ngujimit – 1 dhe 2”, me smbolizimin për shpresën, besimin dhe të drejtën për pajtim; përshkruajnë një pamje të thellë filozofike dhe morale, duke e shfaqur kullën si një simbol të pajtimit dhe forcës së njeriut për t’i përballuar sfidat dhe vuajtjet e jetës. Kjo kullë është një simbol i fortë i forcës së njeriut për t’i përballuar sfidat dhe vuajtjet e jetës. Poezia përshkruan këtë kullë si një strukturë e ftohtë dhe e pa ngjyrosur, por brenda saj mbart një jetë të plotë dhe ngrohtësi shpirtërore. Nëpërmjet simbolizmit të kullës, poeti shpreh mesazhin se edhe në momentet më të errëta të jetës, njerëzit gjejnë shpresë dhe fuqi për t’i përballuar vështirësitë dhe për të arritur pajtimin; se njerëzit mund të gjejnë shpëtim dhe pajtim dhe duke punuar për një bashkëjetesë harmonike. Poeti e fton lexuesin të reflektojë mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndërtimit të një mjedisit të përshtatshëm për pajtim dhe harmoni.

Poezia “Kosovë” shpreh ndjenjën e brengës dhe dhimbjes për gjendjen e Kosovës, si një vend i vuajtur, me thinjat e flokut që numërohen dhe brajat e dhimbjes që shënojnë trupin e saj të shënjuar. Në këtë kontekst, autor shpreh një urim të me zemër për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një ëndërr të pambaruar që e kthen vëmendjen nga Shqipëria. Një dimension historik dhe përkujtimor, duke u referuar në datën e Besëlidhjes së Madhe të vitit 1444, shfaqet te poezia  “Ku me marrë…” Kjo kujtesë shërben si urim për të arritur unitetin dhe solidaritetin e sotëm në përballje me sfidat e kohës së sotme. Poezia “Në Reçak” shqipton edhe njëherë dhimbjen dhe trishtimin për ngjarjen tragjike të masakrës së Reçakut, një ngjarje e luftës në Kosovë në vitin 1999. Autori e përshkruan peizazhin e trishtë dhe shkatërrues të Reçakut, duke përdorur imazhe të fuqishme për t’i paraqitur vuajtjet dhe dëshpërimin e banorëve të këtij vendi; shprehet me një pyetje morale për të gjithë njerëzit, se për çfarë drejtësie luftojmë nëse lejojmë masakra të ndodhin pa u ndëshkuar? Kjo poezi ndez zjarrin e kujtesës dhe urdhëron drejtësinë të interesohet për viktimat e Reçakut.

Poezia “Nusja mirditore” na jep pamjen e bukur dhe përlavdëruese të një nuseje mirditore në ditën e martesës së saj, me detaje të imazhit të nuseve dhe kujton një pamje të këndshme lumturie. Kjo poezi shpalos ndjenjën e dashurisë dhe respektit për traditat dhe kulturën e Mirditës, duke e cilësuar nusen si një simbol i bukurisë dhe lumturisë së bashkëshortësisë. Poezia “Zymtësi”, përshkruan takimin e autorit me presidentin Rugova, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Autori shpreh ndjenjën e respektit dhe admirimin për udhëheqësin.

Dashuria për Shqipërinë, thirrja për përkushtim vijnë edhe të disa poezi tjera.

  1. Poezia dhe e përshpirtshmja

Dy ciklet tjera me motot “Besimtar nuk mund të jetë ai që falet gjithë ditën në kishë, a xhami e natën del  e vjedh, vret e pret! Besimtar është ai që kishën e xhaminë i ngrit në shpirt!” dhe katërti “Ndoshta asgjë s’mund të zgjedhësh në jetë, por ta jetosh atë me ndershmëri, varet vetëm nga ti”, vijnë me lirika të përshpirtshme dhe me lirika refleksive, të aktualitetit shoqëror, etik e historik e motivesh të ndryshme.

Motoja e ciklit të lirikave të përshpirtshme, thekson se besimi nuk është vetëm një çështje e fjalëve dhe ritualeve të jashtme, por mbi të gjitha është një çështje e sjelljes dhe karakterit të një njeriu. Ngritja e kishës ose xhamisë në shpirt përbën thelbin e besimit të vërtetë, duke pasur kujdes dhe respekt për të tjerët dhe duke u udhëzuar nga parimet morale dhe etike në gjithçka që bëjmë. Kjo shprehje na bën të reflektojmë mbi thelbin e besimit dhe rëndësinë e tregimit të tij nëpërmjet veprimeve tona në jetën e përditshme.

Spiritualiteti dhe poezia janë dy dimensione që shpesh ndërthuren dhe pasqyrojnë njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Poezia, si një formë e shprehjes së artistit, i fton lexuesit të shkojnë përtej sipërfaqes së fjalëve dhe të eksplorojnë thellësinë e ndjenjave dhe mendimeve. Në këtë drejtim, ajo shërben si një mjet për të shprehur dhe qëmtuar përvojat spirituale të një njeriu. Poezitë që shfaqin temat e spiritualitetit, shpalosin mendime mbi çështje të tilla si kuptimi i jetës, misteri i ekzistencës, lidhja me natyrën, dashuria dhe dhimbja. Ndriçojnë ndjenjat e adhurimit dhe falënderimit ndaj një fuqie më të madhe, supreme, ose të shprehin sfidat dhe kërkimet për një sens më të thellë të qenies. Në momente të thella të reflektimit dhe ndjenjave të thella të frymës, poetët krijojnë poezi që përshkruajnë përvojat e tyre shpirtërore dhe udhëtimin e tyre në kërkim të kuptimit më të thellë të jetës.

Kështu, spiritualiteti dhe poezia qëndrojnë të bashkërenduara në forma të ndryshme, duke krijuar një hapësirë ku emocioni, mendimi dhe shpirti shprehin veten në trajta të pasura dhe të frytshme. Në poezitë “Jetoj në Ty”, “Më jep o Zot…” dhe “Portat e qiellit” shprehet lidhja e ngushtë midis shpirtit të autorit dhe Zotit, dashuria dhe bekimi i Zotit si një botë e re për autorin; kërkimi i forcës dhe durimit për t’i përballuar sfidat dhe për ta refuzuar ndikimin negativ dhe për ta ruajtur ndjenjën e dashurisë së nanës, si dhe një karakter më abstrakt dhe simbolik te poezia e fundit me kërkimin e gjetjen e një lloj çelësi për t’i hapur portat e qiellit, të cilat përfaqësojnë arritjen e qëllimeve shpirtërore dhe hyrjen në një dimension më të lartë të ekzistencës.

Portat e qiellit janë

si portat e zemrës,

Hapen me dashtni

s’u bie tjetër çelës.

Titulli i poezisë “U baftë vullnesa jote…”, korrespondon  me uratën tradicionale të të krishterëve ndër shqiptarë, me admirimin dhe nderimin ndaj figurës së Gjergj Kastriotit, i njohur si Skënderbeu, si një shenjtor dhe udhëheqës i lavdishëm. Autori dëshiron të shprehë ndjenjat e respektit dhe mirënjohjes për trashëgiminë dhe veprën e tij të madhe. Ndjenja e humbjes dhe mungesës së miqve, si dhe kujdesi për shpirtin e tyre në botën tjetër, shqiptohet te poezia “Qiri përshpirtje”, kurse një ngjarje e veçantë dhe mrekullia që ndodh në një kishë pas një furtune të fortë, shfaqet në poezinë “Një mrekulli e vogël – në Kishën e Shmarramejt”. Poeti përshkruan rezistencën e mureve të kishës përballë furtunës dhe mrekullinë e shpëtimit të trashëgimisë së besimit, duke e lidhur atë me një fjalë të ngrohtë morale.

Shumica e poezive përfshijnë një dimension të thellë të besimit, përshkruajnë ngjarje dhe emocione që lidhen ngushtë me besimin dhe marrëdhënien me Zotin ose me dimensionin e shenjtë. Disa poezi shprehin respekt dhe admirim ndaj figurave historike, si Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) dhe Nëna Tereze, dhe i përshkruajnë ato si shembuj të lavdishëm dhe frymëzues për të gjithë. Në disa të tjera krijime, përballimi me humbjen dhe mungesën e të dashurve është një temë mbizotëruese, ku poeti shpreh dhimbjen dhe mallkimin për humbjen, por gjithashtu shpreh edhe lutje për shpirtin e tyre. Të tjerat shprehin krenarinë për trashëgiminë dhe identitetin kombëtar, duke i lidhur emocionet personale me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Këto dimensione e bëjnë të qartë se poezitë janë më shumë se thjesht vargje, ato janë një reflektim i thellë i ndjenjave, besimeve dhe përvojave njerëzore. Spikat ndërdija ose nëndërgjegjja dhe lidhja me dimensionin shpirtëror, si në rastin e zhvirgjërimit të natës në lutje me Perëndinë dhe në ndjesinë e lehtësimit të shpirtit. Shqiptohen ndjesi të sinqerta të lutjes dhe besimit në një fuqi më të madhe, duke kërkuar kuptim dhe udhëzim përballë sfidave dhe dilemave të jetës, ashtu sikundër nënvizohet rruga drejt rilindjes, duke përshkruar rrugën e ndërlikuar drejt dritës dhe të arriturave të reja pas përpjekjeve dhe vuajtjeve të përjetuara. Poezitë reflektojnë mbi kuptimin e jetës dhe të ekzistimit, duke iu përgjigjur pyetjeve thelbësore mbi identitetin, qëllimin dhe misteret e jetës. Në disa poezi shfaqen ndjenja të mrekullisë dhe të ngrohta, duke përshkruar momente të veçanta që e bën poetin të ndihet i privilegjuar dhe i lidhur me botën dhe me të tjerët.

Te poezia “E zhvirgjërova natën” paraqitet një lidhje e thellë shpirtërore e autorit me natyrën dhe botën shpirtërore. Përshkruhet një moment i përjetimeve të thella dhe një tip komunikimi me botën natyrore dhe Perëndinë nëpërmjet lutjeve dhe mendimeve të thella të poetit. Dimensioni i të përshpirtshmes është i dukshëm në përpjekjen për të gjetur kuptim dhe qetësi shpirtërore në heshtjen dhe hijen e natës.

E zhvirgjërova natën

n’padritësinë e saj,

tue fol me yjet

ulur në gjoksin e pa faj.

“Tash jemi, tash s’jemi”: kjo poezi përshkruan ndjenjën e ballafaqimit me të pashmangshmen e jetës dhe vdekjes. Përmes një dialogu të imagjinuar me një prift, shfaqet një reflektim mbi kuptimin e jetës dhe vlerën e çdo momenti të jetës, me përpjekjen për ta kuptuar misterin e ekzistencës dhe për ta përballuar vdekjen me një qëndrim të qetë dhe të pranueshëm.

E fuqishme lexohet poezia “Shën dashuria”, e cila i dedikohet figurës së Shën Terezës dhe shpreh admirimin dhe respektin për veprën dhe besimin e saj të thellë në dashurinë dhe shërbimin ndaj të tjerëve. Përmes përshkrimit të ndikimit të Shën Terezës në botë dhe në të gjithë ata që e kanë njohur, poezia ka përmasën e përshpirtshmërisë nëpërmjet shfaqjes së besimit dhe ndjesisë së dashurisë universale.

– Kam etje! – tha Krishti në Kryq

– Kam etje! – thoshje edhe ti,

Shën Tereza, nëna e gjithë Globit

Ti simbol i etjes për dashuri.

Përjetojmë një tip të udhëtimit shpirtëror nëpërmjet vuajtjeve dhe sfidave të jetës, duke e përmendur figurën e Shën Terezës si një udhëheqëse shpirtërore. E përshpirtshmja shfaqet në përpjekjen për të gjetur kuptim dhe shpresë në ndërtesën e veprave dhe ndërhyrjeve që i shndërrojnë gjërat e ndyra në virtyte dhe dritë. “Zot ndihmoje!” klith përshpirtshëm një tjetër poezi, me kërkesën për ndihmë dhe mbrojtje nga Zoti nëpërmjet simboleve të natyrës. Përshpirtërinë e lexojmë në përpjekjen për të gjetur mbështetje dhe kuptim në besimin dhe lutjet për ndihmë dhe mbrojtje në momentet e vështira dhe sfiduese të jetës.

Përmes këtyre leximeve, shihet se secila poezi ka një dimension të të përshpirtshmes në trajta të ndryshme, duke shprehur lidhjen e poetit me botën shpirtërore dhe me kuptimin e thellë të jetës.

Të tilla na vijnë edhe poezitë “Lutje Atit” (lutje ndaj Zotit për paqe dhe mbrojtje nga armiqtë, në lidhjen e thellë të autorit me besimin dhe në përpjekjen për të gjetur mbrojtje dhe qetësi nën hijen e mëshirës së Zotit); “Paqes” (një kontrast midis fjalëve të bukura dhe rrëfimit të ngjarjeve të vërteta në botën e luftës dhe konfliktit, me ndjenjën e mosbindjes ndaj retorikës së paqes në një botë ku vazhdimisht prodhohen armë dhe ku konfliktet nuk pushojnë, kurse e përshpirtshmja shfaqet në përpjekjen për të gjetur një kuptim më të thellë dhe për të kërkuar paqe nëpërmjet besimit); “Për shpirtin tim” (një lutje për të gjithë shpirtrat e njerëzve, duke kërkuar ndihmën e tyre për ta arritur mëshirën dhe dashurinë e Zotit, me dilemën e humbjes dhe distancimit nga besimi dhe dashuria ndaj Zotit, por në të njëjtën kohë shpreh dëshirën për t’u kthyer mbrapsht dhe për ta gjetur rrugën drejt tij, me kërkesën për lidhje dhe mbështetje në botën shpirtërore). Me këso reminishencash të përshpirtshme vijnë edhe poezitë “Shkëmb” e “Dhe vjen një ditë…”. Te e para kemi simbolet e natyrës për ta shpallur një mesazh mbi forcën dhe qëndrueshmërinë në ballafaqim me sfidat dhe problemet e jetës, kurse te e dyta një reflektim mbi moshën dhe pasigurinë që vjen me të. Poeti i inkurajon lexuesit të jenë të qëndrueshëm dhe të mos  ndryshojnë vlerat e tyre nën presionin e situatave të vështira, me përshpirtshmërinë që shfaqet në përpjekjen për ta gjetur forcën dhe qëndrueshmërinë në besimin dhe vlerat e tyre, si dhe ankthin për të ardhmen dhe për jetën pas; por, në të njëjtën kohë, shpreh edhe besimin se dashuria dhe kënga e jetës do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Te poezitë tjera (Ku shkoi uji i Drinit?”, “Lutje”, “Isha apo s’isha?”, “Herë, herë…” etj.) lexojmë reflektimet mbi humbjen e dijes dhe lidhjen me hyjnoren, një lutje për ndihmë dhe udhëzim nga shenjtërorët për t’i mbrojtur njerëzit nga mëkatet dhe t’i kthejnë ata në rrugën e drejtë, një reflektim mbi identitetin dhe misionin e një njeriu në këtë botë në një rrugëtim personal në kërkim të dashurisë dhe kuptimeve të thella, një ndjenjë të besimit dhe shpresës në fatin e folësit lirik, me besimin e tij se fati do ta mbrojë dhe udhëzojë atë në rrugën e tij të jetës, edhe në momente të vështira dhe një reflektim mbi natyrën e njeriut dhe luftën midis të mirës dhe të keqes në brendësi të tij. Te kjo e fundit (“Herë, herë…”) ky reflektim shfaq natyrën kontradiktore dhe komplekse të njerëzve, me ndjesinë e përzierjes midis dritës dhe errësirës, dobësisë dhe fuqisë, duke reflektuar mbi luftën e vazhdueshme midis të mirës dhe të keqes në botën njerëzore.

Të bukura janë edhe poezitë në vijim. “Dielli i jetës”: Dielli është simbol i jetës dhe dritës që i jep shpresë dhe kuptim njerëzimit; “Antarktida”: paraqet një krahasim midis ngrohjes globale dhe distancës njerëzore e ku ngrohja e akullit në Antarktidë shqiptohet si një metaforë për ndryshimin klimatik dhe largësinë e emocioneve dhe lidhjeve njerëzore në shoqërinë moderne; “Besimtari”: përshkruan një ndjenjë të thellë të besimit tek Zoti dhe në veten e autorit, si një udhëzues dhe burim krenarie dhe fortese; “Çelësi i Parajsës”: shpreh një mesazh moral për rëndësinë e ndjekjes së rrugës së drejtë dhe besimit tek Zoti; “Bashkudhëtar…”: bashkudhëtim si rrugë e ndërgjegjësimit për ta ndihmuar njëri-tjetrin në udhën e jetës apo “Drit’ e Dritës”: poezi që shpreh dëshira për rilindjen dhe shpresën që sjell Krishtlindja për njerëzimin.

Të larmishme vijnë edhe poezitë tjera sprituale. Në disa prej tyre, spiritualiteti shfaqet në formën e lutjes dhe përkushtimit ndaj Perëndisë, ndërsa në të tjerat, manifestohet në kërkimin për kuptim më të thellë dhe për një lidhje më të ngushtë me të tjerët.

Këto poezi shprehin një kërkim të thellë shpirtëror dhe një dëshirë për të qëndruar në udhëtimin e drejtë dhe të qetë. Autori kërkon mbrojtje dhe udhëzim nga Zoti në rrugën e jetës, duke shprehur frikën dhe dëshirën për ta shmangur mëkatin dhe t’i ndjekë urdhërimet e Tij. Për nga idetë aktuale, dallohet poezia “Zoti flet shqip”, ku poeti i bën thirrje Zotit për ta kuptuar dhe për të komunikuar me të në gjuhën e tij amtare, shqip. Këtu, gjuha shqipe është një simbol i identitetit dhe vlerave kombëtare që autorin e lidhin me Zotin në një mënyrë të thellë dhe të personalizuar.

Krejt në kontrast me ciklin pararendës, motivet refleksive, kritike etj. te cikli i fundit, shfaqen në raportet shoqërore me politikën e pushtetin  (poezia “Në emër të…” ), si një realitet ku njerëzit manipulohen dhe shfrytëzohen në emër të interesave të partive politike dhe politikanëve. Autori ndjen keqardhje për manipulimin dhe shfrytëzimin e njerëzve nëpërmjet votës së tyre dhe angazhimit në politikë. Poezia “Fletët e kalendarit” shpreh një reflektim të rëndësisë së kohës dhe kujtesës së viteve që kalojnë. Autori përjeton një dhimbje të brendshme duke i parë ditët të shkuara, të cilat e bëjnë atë të ndjehet i vetmuar dhe i moshuar. Kalendari përfaqëson kohën që shkon pa kthim, duke shtuar ndjenjën e humbjes dhe largimit. Poezia “Zili” shpreh një ndjenjë të zilisë për bletën dhe aftësitë e saj në mënyrën e punës dhe organizimit. Bleta përfaqëson ndjenjën e mirënjohjes dhe admirimit për punën dhe devotshmërinë e saj në natyrë. Kjo poezi shihet si një simbol i ndërgjegjësimit për ta vlerësuar dhe respektuar punën dhe angazhimin e të tjerëve. “Dy gisht në ballë”: shpreh një ndjenjë të shtrembëruar ndaj vetes dhe një dëshirë për të qëndruar i pavarur, pasi është përballur me ndjenjën e një mungese identiteti dhe vlerësimi personal. Në fund, folësi lirik përjeton një çastt të reflektimit ku përfundon se ndryshimi i vetes është i pamundur, dhe tregon ndjenjën e trishtimit dhe përqendrimit ndaj pamundësisë së ndryshimit. “Varri s’e mban lavdinë”: është një histori e fuqishme dhe emocionuese për një hero të lavdishëm kombëtar, Pjetër Bogdanin, ku  e përshkruan varrin e tij që nuk u pranua në kohën e vet, por u nderua më vonë nga një monument i madh. Poezia përshkruan një histori të fuqishme për lirinë dhe pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e vlerave të shqiptarisë. Tema e zhvarrimit të tij është trajtuar te një varg krijimesh të letërsisë sonë. Ndonjë poezi tjetër merr trajtën e një fabule, si “Dhelpra e këndezi”, ku përshkruan një marrëdhënie të ngushtë dhe të dashurisë midis një njeriu dhe një kafshe, duket sikur e përmbys arketipin e mashtruesit, por shprehia e vjetër merr ngjyra të reja të metamorfozës: Pastaj unë…

n’zanatin e vjetër,

një nga një

pulat përlaj.

Ty të ruaj

për një kohë tjetër,

bukuria kur t’na lëjë!

Për t’u përpjekur për një analizë më të thellë të poezive të paraqitura, do një përqendrim në tema, motive dhe elemente të veçanta stilistike dhe emocionale që poeti  përdor për t’i shprehur mendimet dhe ndjenjat e tij. Te poezia “Big Brother” shfaqet tema e kritikës sociale ndaj shoqërisë së mediave dhe politikës, kure tek “Dolën minjtë” paraqitet tema e korrupsionit dhe mungesa e drejtësisë. Autori shpreh zhgënjimin dhe dëshpërimin e tij ndaj situatës aktuale dhe kërkon që drejtësia të bëhet më efektive për t’i luftuar korrupsionin dhe abuzimet. Kështu, edhe te poezia “Lakmia”, tema e pasurisë dhe materializmit shpreh kritikën ndaj lakmisë së njerëzve për t’u pasuruar dhe për të arritur suksesin material.

Objektivi ndërrohet me ngjyra tjera. Poezia “Me sytë nga…” me temën e refleksionit mbi jetën dhe shpirtëroren, shpreh dëshirën për ta gjetur kuptimin e jetës dhe për të qëndruar i vetëdijshëm për karakterin kalimtar të kohës. Në fund, folësi lirik përjeton një ndryshim shpirtëror, duke pranuar qëndrimin e tij në botën e shpirtit dhe shpresën për një rilindje të re. Trashëgimia dhe dashuria për natyrën (N’bahçen time”), fillimi i një dite të re me shpresë dhe optimizëm (“Mëngjesi”), tradita dhe kultura shqiptare në festat popullore (“N’Gjirokastër bëhet dasëm”), bashkëveprimi i natyrës dhe shpirtit poetik (“Nëse vdes…”), mbasvdekja dhe lidhja e përjetshme me të dashurit  etj., përbëjnë një tjetër spektër të pasur motivesh, idesh dhe mesazhesh poetike.

Edhe te poezitë si “Yjet dhe…” (perceptimi i realitetit dhe mendimi filozofik), “Trëndafil i bardhë” (dashuria dhe shpirti njerëzor), “Xhungla padrejtësi” (drejtësia dhe vuajtjet shoqërore), “Vjeshtë, moj e bukura…” (vjeshta si simbol i moshës dhe kohës), apo “Tek tabela qytetëse” (vdekja dhe perceptimi i saj në shoqëri), e pasuron këtë spektër poetik.

  1. Në dalje

Poezia dhe koha janë dy dimensione që shpesh janë të ndërlidhura në krijimtarinë letrare. Koha është një element thelbësor në poezi, pasi poetët e përdorin kohën si një mjet për t’i shprehur ndryshimet, përvojat dhe emocionet njerëzore nëpërmjet fjalëve dhe imazheve poetike. Për shembull, disa poezi fokusohen në kohën historike ose në ngjarjet që ndodhin në një moment të caktuar të historisë. Ato e shprehin kohën si një forcë që formon dhe ndryshon karakteret dhe botën rreth tyre. Poetët gjithashtu e shfrytëzojnë kohën si mjet për ta shprehur nostalgjinë, melankolinë ose reflektimin mbi kalimin e kohës dhe jetës. Përveç kohës historike, koha ka një rol të rëndësishëm në poezinë personale. Poezitë reflektojnë përvojat dhe ndjenjat e një momenti të caktuar në jetën e autorit ose të shoqërisë, duke përshkruar momente të lumturisë, trishtimit, dashurisë ose çdo emocion tjetër që ndodh në një kohë të veçantë.

Poezia dhe reagimi poetik ndaj kohës aktuale, janë ngushtë të lidhura. Poetët shprehin mendimet, ndjenjat dhe reflektimet e tyre në lidhje me ngjarjet dhe sfidat e kohës së tyre përmes poezisë, duke i dhënë një formë dhe një strukturë ndjesive dhe përvojave që ndryshojnë me kalimin e saj. Kjo e bën poezinë një medium të veçantë për t’i shprehur përvojat e njeriut në lidhje me kohën dhe për të reflektuar mbi kuptimin e jetës në kontekstin e saj të pafund. Nëpërmjet leximit të poezisë, ne përballemi me një gamë të gjerë temash, stilesh dhe formash të përdorimit të gjuhës. Për më tepër, leximi i poezisë na ndihmon të lidhemi me një përdorim më të kulturuar dhe më të thellë të gjuhës.

Në botën e poezisë gjejmë edhe reflektime mbi natyrën, kulturën, historinë, politikën etj. Poezia gjithashtu shfaq shpirtin krijues dhe imagjinatën e autorit, duke krijuar botë të reja artistike dhe imagjinare që janë të mbushura me magji, ëndrra dhe mite. Kështu, jeta në botën e poezisë është një eksperiencë e shkëlqyeshme dhe e pasur, ku lexuesit shijojnë dhe ndiejnë thellësinë dhe bukurinë e fjalëve dhe imazheve poetike.

Poetët janë zëra të rëndësishëm në shoqëri, të cilët ndikojnë në mendimin dhe ndjenjat e njerëzve. Ata janë frymëzues për ndryshime sociale dhe politike, duke shfaqur një vëmendje të veçantë ndaj temave si drejtësia sociale, liria dhe toleranca. Kështu, poezia, edhe pse fillon nga një qëndrim individual, ndikon dhe formon opinione dhe perceptime shoqërore, duke u bërë një mjet i fuqishëm për komunikim dhe përfaqësim kulturor.

Prill 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok