28/04/2024

NJË RRUGË QË TË LIDHË TROPOJËN ME… SHQIPËRINË!

0

NGA NDUE DEDAJ

Benet Beci, kryetari i Bashkisë së Shkodrës (të cilit paraprakisht i shprehim ngushëllime për ndarjen nga jeta këto ditë të të atit, gjuhëtarit të njohur Bahri Beci) kishte hedhur në rrjetet sociale një video ku shihej një varinsk që po gërmonte në një terren shkëmbor zgjërimin e një rrugë thuajse të pakalueshme, 17 km të gjatë, shoqëruar me pak fjalë: “Filluam menjëherë tani në gusht, nga Prekali drejt Kirit, që të mos na zërë dimri…” Një rresht, po që i thotë të gjitha: puna ka filluar në një nga rrugët më të vështira të republikës, ka filluar tani në verë, që të mos e zërë dimri pa u bërë, ka filluar në pikun e turizmit, ku janë aq të shumtë ata që duan të venë në malësitë e Dukagjinit, Shoshit e Shalës, një nga trevat më vitale të Shqipërisë, me një bukuri natyrore të rrallë, që e dëshmon qoftë dhe “Lumi i Shalës”, që është veçse një margaritar turistik i këtyre anëve. Pa shkuar te Thethi, përmasat e të cilit dihen tashmë në fushën e turizmit shqiptar. Çdo drejtues i përgjegjshëm është i vetëdijshëm se punët e mëdha në dobi të komunitetit nuk mund të presin për nesër. Dukagjini duke “pritur” ka shkuar në kufijtë e ekzistencës, prandaj: o sot o kurrë! Nga ky vizion duket se kryebashkiaku i ri i Shkodrës, duke sfiduar tranzicionin me ndërtimin e një rruge “kooperative” që ka vetëm gjurmën, nuk don të mbyllë ca “llogari” (në kuptimin e premtimit elektoral) me banorët e atyre maleve, por ta ringjallë vendin e tyre nga e para. Një malësi e shquar për qendresën epike të banorëve, dioqezën e Pultit, djelmninë e përmendur të Shalës, doket dhe ritualet autentike, shkrimtarët e artistët e shquar, si dhe ashtin natyror të saj.

E bëmë këtë “hyrje”, para se të vijmë te rruga që është objekt i këtij shkrimi, ajo e Fierzës, për të thënë se sot ka ardhur koha që hapësira veriore, të mos lidhet me pjesën tjetër të vendit me rrugë të ngushta, apo më keq, tërthorazi, por të përshkohet lehtësisht. Prandaj lexuesi s’ka pse habitet nga ky titull që “provokon” qeverinë, me dëshirën që i pari lexues i tij të jetë Kryeministri Rama dhe merret me mend se përse, për shkak të vendimarrjes. Dihet që Tropoja është Shqipëri, por nuk ka një rrugë normale për të shkuar atje. Njerëzit shkojnë në Tropojë ose nga Gjakova, ose me traget nga liqeni i Komanit, por nuk mund të mbërrijnë as për “tri ditë” rrugës natyrale nga Fushë – Arrëzi. Si ka mundësi që Tropoja ka mbetur një “ishull” i shkëputur nga pjesa tjetër e vendit? Ka disa “arsye” të paarsyeshme. E para, që malësia e Pukës nga kalon kjo rrugë deri në Fierzë është e braktisur nga banorët dhe sipas logjikës se ftohtë zyrtare, burokratike që ngec te shifrat, si mund të investohet në një vend pa njerëz, qoftë ajo dhe një rrugë strategjike?! E dyta, rruga është mjaft e gjatë (rreth 70 km nga Fushë-Arrëzi në Fierzë) dhe në një terren të vështirë malor gjithë kthesa, teposhte dhe tërmale, që do të thotë se kërkon shumë para për t’u bërë ashtu siç duhet, dykalimshe me krejt infrastrukturën e nevojshme të veprave të artit. E treta, para shumë vitesh, rruga nëpër të cilën dikur ishin mbartur me mundim materialet e hidrocentralit të Fierzës, është marrë nëpër duar dhe asfaltuar, por sot kërkohen të tjera standarde nga ato të fillimeve të tranzicionit, ku aq mundësi investuese kishte. Çfarë mund të thuhet kur autombulanca nuk mund të niset nga “Bajram Curri” për në Tiranë, nga Fushë-Arrëzi, pasi nuk dihet kur do të mbërrinte dhe fati i të sëmurit do të ishte veçse në dorë të Zotit!?…

Tropoja nuk është një katund atje matanë maleve, në gji të Alpeve, ku thjeshtë do të shkojë makina me miell për banorët njëherë në tre muaj. Ajo është një nga krahinat gjeografike dhe historike më të rëndësishme të botës shqiptare. Tropoja si Malësi e Gjakovës është sa Shqipëri sa Kosovë, nëse duam ta shohim dhe nga kjo anë. Turistët nuk mund t’i bien nga “Kina” për të shkuar në Tropojë, si me thënë, të kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë apo ndërsjelltas. Çfarëdo që të thuhet dhe sido të argumentohet, është e papërligjur që Tropoja ka mbetur matanë… Shqipërisë. Se po ta shohësh hollë, për të shkuar në Tropojë nuk ka asnjë rrugë! Ta zëmë se pëson defekt trageti i linjës Koman – Fierzë e nuk rregullohet për një javë, nuk “punon” dogana në Morinë, se ka qejfmbetje mes dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës (vërtet shtet vëlla, ama duhet të kalosh nëpërmjet “gardhit” të tij për të shkuar në një qytet të republikës tënde), dy variantet supermalore, nga Qafa e Malit dhe Hasi për në qytetin e Plakut të Maleve, bëhen të pakalueshme nga dëbora deri në tre metra, kaq duhet që në Tropojë të shkohet veç me helikopter! Çka ka ngjarë shpesh dhe është bërë problem qeveritar.

Duke mos pasur një rrugë normale nga Fushë Arrëzi në Fierzë, turistët humbasin një visar turistik të pabesueshëm, luginën liqenore të Drinit, me një larmi relievi të pazakontë. Po të udhëtosh andej me “sytë” e turizmit, eksplorimit, të bukurës, mbase mund të kërkosh dhe atje “sy të kaltër” alpinë, ujëvara mrekulluese, vaska shkëmbore për t’u larë, kanione të thella, shpella të pasura, që deri dje ishin një “asgjë”, kurse sot po fitojnë pushues dhe eksplorues të huaj e të vëndit. Është një reliev malor gjithë thyerje që iu paraprinë Alpeve. Një rrugë nga më panoramiket (që të kujton atë të Shkopetit) nga Xathi, Kumria, Blerimi, Dardha, Arst – Miliskaja, Fierza, të gjithë emra shqip. Çfarë po bëjnë të huajt këtë verë këtu? Po vijnë të na zbulojnë hurdhat ku laheshim dikur në fëmijëri, zallishtet, shkrepat, rrobujt e moçëëm. Po ecin nëpër shtigjet tona të dhive. Po sikur t’i kishim ruajtur dhe kullat pa ua lënë trarët t’iu kalbeshin apo digjeshin? Puna do të ishte shumë herë më mirë! Megjithatë, sado shkret të duket, ka dhe në ato anë bujtina mjaft të mira, si në Shkozë, Fushë-Arrës, Kryezi, Iballe, Dardhë etj. Njerëzit vërtet kanë ikur në shumicë, por ata kthehen herë pas here, sidomos për festa, si fundjavën e shkuar në Kryezi, ku u mblodhën për të kremtuar rreth treqind vetë.

Sa i përket infrastrukturës së rrugëve, ia vlen të përmendet çdo vepër e rëndësishme, në jug e veri, si tuneli i Llogarasë në ndërtim, që do të lidhë Vlorën me Sarandën, pa të cilin dhe atë të rrugës Kardhiq – Delvinë, Saranda do të ishte thuajse si Tropoja. Rrugë të gjata në standade janë dhe ajo e Vërmoshit e Thethit, përkatësisht 100 dhe 70 km nga Shkodra, krahas Rrugës së Arbërit që vazhdon. Nga FSHZH është ndërtuar para shumë vitesh rruga për në Iballe, mbi 35 km. Po kështu vitet e fundit është rikonstruktuar dhe rruga nga Repsi në Gjegjan e Fushë-Arrës. Ka mbetur vetëm segmenti prej ish-qytetit të sharrëtarëve deri në Fierzë, 70 km. Disa mendojnë se do të ishte e volitshme t’i bihej nga Iballja, Mërturi i Gurit e Bugjoni, ku në këtë rast ajo që do bërë e re është veçse 15 kilometra, që sot për sot përshkruhet si “rrugë me zhavorr, pa mirëmbajtje, vetëm për makinat “Off-Roads”, që ecin rrugë pa rrugë. Është interesante të dëgjosh propozimet gjithnjë të vlefshme të njerëzve, mjafton të përzgjedhësh mes tyre. Një njohës i mirë i turizmit rajonal dhe rrugëve të vjetra, propozon që të bëhet dhe rruga tradicionale që lidhte dikur Shkodrën me Gjakovën, që del në Qafë të Malit e merr tërthor për në Va – Spas (Shëmri), për t’u ngjitur pasatj nëpër Has drejt Qafë-Prushit.

Nuk jemi ne për t’i dhënë këshilla askujt, aq më tepër niveleve të larta të drejtimit të shtetit, por si qytetarë që na ka rënë rasti të vemi shpesh në ato zona, mendojmë se do të ishte e nevojshme t’i vizitonte dhe Presidenti i vendit, edhe si Komandant i Forcave të Armatosura, jo nga frika e ndonjë lufte, po qoftë dhe për natyrën e ashpër të emergjencave civile. Pse jo, dhe për të dëshmuar mbështetjen e kreut të shtetit ndaj disa komuniteteve larg metropolit, që në zgjedhjet e fundit vendore nuk votuan mazhorancën. Vërtet pushtetet janë të ndara e secili në shtet ka punën e tij, ama kur është fjala për të rivitalizuar një pjesë të madhe të territorit të vendit, të braktisur nga popullata e të lënë në mëshirë të fatit nga tranzicioni, institucionet duhet të jenë në një zë për prosperitetin e tyre, që sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë “njerëzit të kenë me shumicë gjithçka, një jetesë me të mira materiale të shumta e të qëndrueshme, mirëqenie, begati”. Puka si një epiqendër është shembulli ku duhet me qenë bashkë të gjithë aktorët për këtë qëllim. Puka e pyjeve dhe sharrave të djeshme historike. Puka e kthyer në një qytet turistik këto vite, falë bashkëpunimit të frytshëm qeveri – bashki, por fjala është për krejt arealin malor prej dhjetra e dhjetëra fshatrash nga Gomsiqja e Bërdheti deri në Tropojë e Kukës, që përfshihet në dy bashki, të Pukës dhe të Fushë-Arrësit, mundet me të ardhurat më të pakta në shkallë vendi. “Sa larg është Tropoja nga Shkodra?” pyeti dikush dikë dikur. “Hiq Pukën dhe është veç njëzet minuta!” ishte përgjigja. Përtej batudës, Puka, që shtrihet në zemër të Shqipërisë veriore, “hiqet” veç me investime serioze. Mjafton të thuash se tre nga ujërat më të mirë në tregun shqiptar janë nga ky vend, “Lajthiza”, “Qafa e Malit” e “Mida”, që burojnë nga mali i Roshit dhe ai i Krrabit. Dihet se çfarë ndodh, nëse nuk bëhen rrugë dhe investime, territori bëhet jo vetëm i pabanueshëm, por pak nga pak kthehet në një “xhungël”, ku nuk mund të shkosh as për të mbledhur kërpurdha, pasi do të jetë ndarë në zona influence nga hashambjellësit dhe “veprimtarë” të tjerë të paligjshëm të pyllit, natyrës, përrenjëve dhe mjedisit. Rruga nuk është një stoli, që veç i jep hijeshi bjeshkës. Ajo është në radhë të parë punë. Përmendëm më sipër propozimet e banorëve gjatë bisedave të lira me ta. Një ndër to ishte rimbjellja e pyjeve me drurë farorë, filiza etj. Kjo do të ishte të shohësh afër dhe larg, për sot dhe për nesër. Me siguri që Europa i gjen donacionet për projekte të tilla, mjafton që të kemi vullnetin për ta kthyer në “identitet” pyllin dhe pylltarinë.

Për në veri të vendit ka rrugë nga më të mirat, nga ana veriperëndimore dhe verilindore, por jo dhe drejtpërdrejt nga pjesa qendrore! Një rrugë për në Tropojë. A do të bëhet? Nuk e ke të lehtë të thuash me të parën, po. Jo për mungesë dëshirë, por në radhë të parë vizioni. Ne nuk kemi menduar për rrugë në bregdet, pa e kemi vijën bregdetare gjithë bunkerë, e vetëm tani ka nisur rruga nga Velipoja për në Shengjin!? Kurse Mali i Zi fqinj është gjithkund me rrugë atomobilistike dhe krejt bregdeti dalmatin. Puna është mos të bëjmë dhe me malet gabimin që kemi bërë me bregdetin. Pa thënë se “Rruga e Kombit” mbeti në Mamurras e nuk mbërriti dot deri te sheshi “Skënderbej”, nga ku duhej të niste.

Benet Beci e nisi rrugën e vështirë drejt Dukagjinit dhe do t’ia dalë, duke shkuar deri në Theth edhe në këtë anën nga Kiri e Shoshi. Kurse rruga e Tropojës shpresojmë ta ketë “kumbarën” drejpërdrejt në qeveri. Mbase dhe me një mundësi më shumë – ndërtuesit kryesorë të rrugëve në Shqipëri janë pukjanët, kompantitë e drejtuara prej tyre, e nuk ka kuptim që ata të bëjnë krejt rrugët e “botës” dhe mos të bëjnë ato të “shtëpisë” së tyre, nga ku dhe e kanë pasë fillesën e mbarë bizneset e tyre!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok