21/12/2024

Një rrëfim idilik, përmes artit të fjalës

0
Gjon-Marku-Drita1

– Me librin e autorit Gjon Marku “Drita e syve të mi” – poezi, Botimet Emal, Tiranë 2024 –

Nga Llesh Ndoj*

Në thelbin e vet arti, në shumëformësinë e shfaqjes, është bërë për të nxitur tek “konsumatori” i tij ndjenjën e së bukurës, për të nxitur mendimin e tij, pse jo edhe imagjinatën e për t’a bërë atë, në njëfarë mënyre, “të arratiset” nga realiteti ku gjendet e të përjetojë, qoftë edhe për pak çaste, atë realitetin tjetër që autori i veprës ia prezanton përmes saj. Përballë një pikture të bukur, konsumatori udhëton në mënyrë imagjinare në peisazhin që ajo paraqet, futet në brendësinë e portretit, apo shplodhet në natyrën e qetë të saj, një melodi e bukur e bën shpirtin të vallëzojë, ndoshta pa e kuptuar, një këngë mund të shkaktojë gjendje emocionale ku nuk mungon edhe loti, një balet e bën shikuesin e vëmendshëm të vallëzojë me yjet, një shfaqje teatrale e vendos atë në skenën imagjinare të ngjarjeve ku është marrë subjekti i dramës nga autori etj. Këtë fuqi e kanë të shumëfishuar veprat e shkruara të artit, poezia e proza, edhe për shkak të “konsumit” të tyre pa presionin e kohës e mundësisë së kthimit e rikthimit në fuqinë që ato transmetojnë, sipas gjendjes emocionale të lexuesit, por edhe se aty njeriu konsumator e gjen veten më lehtë se në artet e tjera. Jo vetëm kaq, por përmes veprës njeriu krijon edhe përfytyrimin e tij mbi autorin e saj si njeri, mbi fizionominë e tij të jashtme e atë shpirtërore, mbi jetën e tij, virtytet e veset, nisur nga perceptimi se vepra letrare, pak apo shumë, i ngjet “enës” nga e cila ka dale.

Në se nuk e njeh autorin Gjon Marku, tashmë mjaft i njohur në rrethet lokale të krijuesve, por edhe në rang kombëtarë ku nuk mungojnë disa vepra unikale shkruar prej tij, dhe lexon i pa ndikuar nga njohja librin e tij me poezi “Drita e syve të mi”, botimet Emal, Tiranë 2024, mendja të shkon tek një autor i regjur me poezinë dhe nis e fantazon në se ke lexuar apo jo vepra të tjera poetike prej tij, ndonëse ky është libri i parë që ai boton në këtë zhanër e se poezia nuk është “zhanri i tij” i preferuar i të bërit letërsi. Kjo sepse autori Gjon Marku, siç e ka cekur në parathënien e librit edhe studjuesi Vlash Prendi, hyn në botën e poezisë me hap të sigurtë, pa ekuivoket e fillestarit, me një përzgjedhje të kujdesshme të tematikës, të fjalëve, të artit, e mbi të gjitha, të mesazhit që kërkon të përcjellë tek lexuesi. Brenda kontureve të këtij libri lexuesi do të gjejë t’i përshfaqen para syve poezi të vlerta që nga ato të formës klasike me varg e metrikë të rregullt, deri tek poezitë moderne, ato me varg të lirë, që nga poezitë që trajtojnë tema të mëdha kombëtare deri tek lirikat e dashurisë apo poezitë e ndjera dedikuar fëmijëve, nënës apo familjarëve të tjerë të munguar. Pavarësisht tematikës që rrokin, formës së shfaqjes, gjatësisë e madhësisë së vargut, mënyrës së organizimit e madhësisë së strofës, poezitë e Gjon Markut në këtë libër rimojnë bukur së brendshmi, duke shpërfaqur ndjesitë e autorit, transmetojnë mesazh me ndikim pozitiv tek lexuesi, duke pasqyruar mendimin e tij logjik dhe të bëjnë t’a përjetosh gjithë librin, pavarësisht organizimit të tij të brendshëm e shumëformësisë së shfaqjes së artit poetik të fjalës së tij, si një të tërë: Dritë e syve të shpirtit e të mendjes së tij.

I gjithë ky libër që lexohet me një frymë është organizuar në dy pjesë, e secila prej tyre në disa nëndarje, apo kapituj, ku në pjesën e parë autori ka rreshtuar poezitë që në dukje i përkasin më shumë atij e rrethit të ngushtë të tij, ndërsa në pjesën e dytë poezitë që reflektojnë mendime e qëndrime, ndjesi e përjetime të një niveli më të gjerë, atij kombëtar, e ku nuk mungojnë as poezitë për Mirditën, traditën e figurat e saj, për Shqipërinë e simbolet tona kombëtare si Flamuri e shqiponja, për Kosovën e figurat e saj me rrezatim mbarëkombëtar etj., për ta përmbyllur me një kapitull të titulluar “Marrëzi”, ku autori nuk mund të “qëndrojë jashtë” zhvillimeve aktuale e perspektive politike të kohës që jetojmë.

Në dukje, pjesa e parë e librit, paraqet një fushë “më të kufizuar” se ajo e pjesës së dytë, por në realitet në këtë pjesë autori përdor të gjithë artilerinë e tij të fjalëve të bukura, të shprehjeve të goditura, metaforave të qelluara, të mesazheve të drejtpërdrejta e të koduara, përmes të cilave transmeton, me fuqinë e artit të fjalës, botën e tij shpirtërore, dashuritë e perjetuara, dhimbjet e tij, brengat qe ka kaluar, duke mos mbetur kurrë “rob” i vetvetes. Në to lexuesi i çdo kategorie gjen vetveten, përjeton ato çfarë ka përjetuar autori, në formën e përmasat e tij, ndjen se edhe ai është pjesë e të njëjtës botë me autorin, ka ndoshta pikëpamje të njëjta e qëndrime të përafërta me të, por nuk zotëron “armët e tij”, posaçërisht artin e fjalës së tij, për të shprehur gjithë këtë realitet të brendshëm.

E pikërisht kjo është fuqia e artit në tërësi dhe e artit të fjalës poetike në veçanti. Artikuluar në formën e vendin e duhur, fjala nuk transmeton të njëjtën ndjesi, njësoj si e thënë në formën e zakonshme e në një kontekst të zakonshëm. Të gjithë, p.sh, mbajnë mend vendin e kohën ku e kur e kanë dhuruar puthjen e parë, por emocioni që ngjallin “degët e shelgut lotues” në disa poezi të autorit Gjon Marku e ngrejnë atë në një tjetër nivel dhe shpalosin tjetër përmasë artistike të fjalës. Ndoshta shelgu lotues i poezive të Gjon Markut nuk ka të bëj fare me një situatë reale e përjetim fizik, por është gjetje e bukur, sepse ngërthen brenda vetes brishtësinë e dashurisë (shelgu është bimë që rritet në brigje ujërash e jo kudo), privatësinë e saj (degët e shelgut krijojnë një si çadër të bukur në hijen e të cilës qëndrohet privatësisht e këndshëm), por edhe brengat e dashurisë (shelg lotues: s’ka dashuri pa lotë e brenga); apo tek poezia “Nënë hajde”, ku autori shpërthen në vargje të ndjera, me forcë të jashtëzakonshme, duke e kërkuar nënën në “gjumin e thellë”, “në vegimin e bardhë”, “në thellësinë e shpirtit” dhe duke i premtuar se “portën t’a kam hapur”, e përmbyllur me me lutje: Hajde,,…./Prej vetmisë po tutem/ …., fjalë e shprehje me fuqi të madhe emocionale që tregojnë se forca e dhimbjes dhe dashurisë e bëjnë shpirtin të shpërthejë në perla si këto. Të bukura e disi të ndjera vijnë vargjet për fëmijët e Gjonit, bashkë me porosinë (nuk guxoj t’a quaj amanet!) që ata të bëhen dëshmitarë, jo sa herë “…më kanë plagosur /, as “…sa herë më kanë vrarë /, por të asaj që kam arritur të jemë në jetë e ku ata të mos e kërkojnë të atin “…mes cepave të qiellit /, por t’a kërkojnë e t’a gjejnë “…brenda vetes./

Nuk mungojnë, e s’ka se si të mungojnë në këtë libër as vargjet që shfaqin tronditjet e autorit në jetë, pengjet e tij, mërzitjet e tij, shqetësimet e dyshimet e tij. Ato e shoqërojnë këtë vëllim me poezi si bashkëudhëtare të natyrshme të njeriut (edhe të autorit), por shfaqen disi më të grupuara në kapitullin “Pendesë”. Ashtu siç vijnë natyrshëm si pjesë e jetës, ashtu ato edhe mbyllen natyrshëm në mesazhin e tyre, në optimizmin e tyre e në atë që përbën, besoj, edhe bindjen e autorit se: “Sado e gjatë të jetë nata / Dita serish do të vijë.? (poezia “Serish do të vijë…”)

Poezia e arti në tërësinë e tyre, jo vetëm transmetojnë ndjenjë e emocion, por përmes këtyre ndikojnë edhe në qëndrimin etik e estetik të njerëzve ndaj botës që i rrethon. Kjo, sepse shpirtërorja, ana e brendshme e autorit, filtrohet përmes logjikës së mendimit pikërisht për të ndikuar tek lexuesi në edukimin e shijeve të tij e po aq edhe për të nxitur qëndrimet e tij ndaj botës që na rrethon, gjithnjë duke vënë në plan të parë fuqinë e të bukurës, të mirës, shembullit pozitiv. Fuqia e artit nuk matet vetëm me superlativat e të bukurës, të heronjëve pozitivë, që janë qëllimi kryesorë me anën e të cilëve autori synon të transmetojë pjesë të vetes tek të tjerët, por edhe përmes fuqisë që e shëmtuara, personazhet negative e ngjarjet jo të pëlqyeshme, vishen nga autori që konsumatori i artit t’i identifikojë ato lehtësisht në jetë. Sipas meje, fuqia e artit në një masë të madhe varet edhe nga kjo, nga përzgjedhja e kujdesshme e mesazhit, mesazh i lidhur ngushtë me raportin e autorit me botën që e rrethon.

Modestisht, në këtë fushë, do të veçoja tri kategori njerëzish (jo doemos autorë e lëvrues të artit!):

– Kategoria e parë: ata që bartin mendimin “Unë jam krejt bota”. Përgjithësisht këta njërëz nuk japin dot art, sepse nuk arrinë të shohin përtej vetes, të veçojnë atë që përbën të veçantën e pozitiven e të gjejnë pastaj mjetet e duhura për t’a “imponuar” artistikisht tek të tjerët,

– Kategoria e dytë: ata që bartin mendimin “Unë s’i përkas kësaj bote”. Të tillë ose nuk prodhojnë asgjë, në pritje të “perlave” që e “çuditin” këtë botën që është “inferiore’ ndaj tyre, ose rrëshqasin në idiotësira që nuk kanë asnjë vlerë artistike e pozitivisht ndikuese për shoqërinë dhe,

– Kategoria e tretë: ata që e mendojnë veten “Jam pjesë e kësaj bote”, prej të cilëve merren vepra me vlera të jashtëzakonshme artistike e me fuqi transformuese.

Autori ynë, Gjon Marku, me kontribute të rëndësishme në fushën e latrave, me një shkollim për ta patur zili e me disa kualifikime pasuniversitare, admirues i të bukurës në art, autor i disa vëllimeve me tregime, romane, monografi dhe ese, i njohur për veprat e veçanta publicistike si “Mirdita”, në tri vëllime, “Kosova dhe bijtë e saj” e “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” në dy vëllime; autorë i studimeve me vlerë si “Ndërfana”, “Mirdita në vizionin filatelik”, “Mirdita vend i kuvendve vetëqeverisëse”, “Gazullorët”, “Gjurmë në identitet” apo “Nënë Tereza në pullat postare të 118 shteteve” dhe me vëllimin me poezi të titulluar “Drita e syve të mi”, dëshmohet në kategorinë e njerëzve që e “shohin veten si pjesëz të kësaj bote” dhe si i tillë na ka sjell një poezi të kandshme, përfaqësuese, me fuqi emocionale e mesazhe të goditura. Shprehur në mënyrën që e “gjejë më të lehtë” unë, i gjithë libri mund të përmblidhet në mesazhin e bukur:

Unë jam…

Gur i rand i trollit

dhimbta e malli i pashuar

dashuria e vrarë e shpirtit.

Jam pendesa që po kërkoj

një kishë ku të lutem

e një rr’fyestar të rrëfehem,

por se gjejë.

Jam vetmia që vret

lutja që kryqëzon qiejt

n’kërkim të dritës

që i davarit retë.

Jam lisi degëshumë

kurrë i përkulur,

jo trungu n’kalbëzim

ku këmba lehtë rrëshket…

Mund t’a lexosh këtë libër si një pafundësi gjendjesh e çdo herë të përfitosh emocione të reja dhe këtu qëndron fuqia e artit të fjalës së poetit Gjon Marku në librin e tij me poezi: Drita e syve të mi”. Urime e suksese autorit.

————————————

* intelektual, studjues e poet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok