15/06/2024

MIRATIMI I REZOLUTËS NJË HAP I RËNDËSISHËM CIVILIZUES NË LUFTËN PËR TË VËRTETËN DHE DREJTËSI

0

NGA NIKË GASHAJ

Projekt – rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, duhet të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara, më 23 maj 2024. Krimi në Srebrenicë u shpall gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ai i referohet vrasjes së më shumë se 8.000 boshnjakëve, siç përcaktohet nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, në korrik 1995, nga ushtria dhe policia e Republikës Serbe. Lidhur me këtë, në përvjetorin e gjenocidit, Unioni Evropian deklaroi se Srebrenica është një nga faqet më të errëta të historisë evropiane.

Propozuesit oficiel të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda, dhe sponzorët janë vende nga të gjithë bota. Midis tyre janë vendet perëndimore më me ndikim dhe SHBA-së. Vendet nga rajoni aplikuan gjithashtu për të sponsorizuar rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëra, Maqedonia e Veriut. Edhe pse 35 deputetë të Parlamentit të Malit të Z, 84 OJQ dhe më se 100 intelektualë të shquar iu drejtuan me shkrim qeverisë së Mali të Zi më një kërkesë për një vendim për të sponsorizuar rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe vendet të tjera rajonale, Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se Mali i Zi nuk do të sponzoroj Rezolutën e Kombëve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë, por do ta mbështesë atë.

Në ndërkohë, qeveria e Malit të Zi i ka përgatitur dhe dorëzuar propozuesëve të rezolutës dy amendamente për rezolutë në fjalë. Në amendamentin e parë thuhet:”Duke përsëritur se fajësia për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”, ndërsa në amendamentin e dytë thuhet:”Rikonfirmimi i paprekshmërisë së Marrëveshjes së përgjithshme kuadër për paqën në Bosnjë dhe Hercegovinë në të gjitha dispozitat e saj”.

Mirëpo, shumë ekspertë juridikë dhe politikë e kanë vlerësuar se ndërhyrja e qeverisë së Malit të Zi ka qenë e panevojshme, sepse amendamentet janë të përfshira në tekstin e rezolutës. Andaj edhe kryeministri Spajiq, e dinë atë, por qëllimi tij është të riparojë dëmit politik në marrëdhëniet me Serbinë për shkak të vendimit për të votuar për rezolut.

Gjithashtu, subjekti tij politik “Evropa tani” është në një koalicion të gjerë të shumicës  parlamentare politike me parti proserbe/proçetnike dhe proruse, si dhe me shumicën e partive shqiptare në Mal të Zi. Pra të gjitha këto parti kanë gjetur një gjuhë dhe vlera të përbashkta politike. Ajo është dhe e natyrshme, sa që janë në një koalicion, apo në një “përqafim” të përbashkët politik. Prandaj, për fat të keq, partitë politike shqiptare kanë hyrë në “Vallen çetnike dhe proruse” për shkak të karriges.

Kryeministrit, Spajiq, amendamentet i shërbejnë si “ perde tymi” për të qetësuar tensionet politike dhe për t’ua bërë më të lehtë partive të koalicionit që ta “përpijnë” votimin e rezolutës. D.m.th. të konfirmojnë besnikërinë ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq dhe ideologjisë që ua mundësoi strukturës aktuale politike që të vijë në pushetin shtetëror të Malit të Zi.

Pushteti politik në Serbi ka kundershtuar prej vitesh miratimin e çdo rezolute që do ta quante krimin në Srebrenicë gjenocid. Qeveritarët në Serbi edhe sot janë fuqishëm kundër miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Andaj, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka lobuar kundër miratimit të rezolutës  për ditë të tëra në selinë e Kombëve të Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk do ta pengojë miratimin e saj në Organizatën e Kombëve të Bashkuara.

Ekzekutimi i  akteve gjenocidiale, kriminale, antinjerëzore janë produkt i regjimeve politike diktatoriale shtetërore, sikurse ka qenë regjimi politik i diktatorit Millosheviq. Në lidhje me krimet gjenocidiale në Srebrenicë ekzistojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare të formuara nga OKB-a. Prandaj, tëra shpjegimet të tjera janë irelevante dhe të pa pranueshme në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë.

Antari i Kryesisë së BeH-së, Denis Beqiroviq, para pak ditësh, në fjalimin e tij para Kombëve të Bashkuara, theksoi: “Gjenocidi në Srebrenicë është vertetuar me vendimet e gjykatave të OKB-së, si dhe me vendimet e gjykatave në BeH. Më tutje, ai tha: “Në Srebrenicë 8.700 persona u vranë, duke përfshirë 563 fëmijë, se 85 varreza masive u konfirmuan dhe se më shumë se 800 persona të zhdukur janë ende duke i kërkuar. Më shumë se 2.500 pjestarë të ushtrisë/policisë morën pjesë në gjenocid, se 79 persona u dënuan me 783 vite burg, me pesë burgime të përjetshme.

Dr. Zharko Koraq, profesor në pension i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë, thotë: “Është një tronditje për pushtetin politik serb që bota befas tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën. Megjithatë, faktet historike nuk mund të ndryshohen, sepse në tre aktqykime të gjykatave ndërkombëtare përmendet fjala gjenocid me një shpjegim të detajuar. Më tutje profesori Koraq, shprehet: “Ata që “kërcejnë” më shumë kanë qenë në politikë kur gjenocidi ka ndodhur. Mendimi im është se ata po e kundërshtojnë vetëm për veten e tyre. Por, për fatë të keq, kjo politikë vazhdon edhe sot. Përfundimi është se si ne e trajtojmë krimin e kryer në emrin tonë”.

Profesori i njohur i së drejtës ndërkombëtare, akademiku Tibor Varadi, shprehet:”Për sa i përket situatës juridike, vendimet e gjykatave ndërkombëtare janë të një rëndësie kyçe dhe ato vendime janë marrë. Dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër para nesh në botë, përpos asaj që e kanë vërtetuar gjykatat ndërkombëtare. Më tutje konkludoi, se Gjykata e Tribunalit e ka konfirmuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid”.

Në projekt-rezolutën, asnjë komb i vetëm nuk përmendet si fajtor për gjenocidin në Srebrenicë. Por në projekt-rezolutën kërkohet të dënohet pa rezerva çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë dhe të inkurajohen  anëtaret e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë programe të përshtatshme përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen. Ai dënon gjithashtu veprimet që lavdojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta e OKB-së do ta shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, të kryer në vitin 1995. Të gjithë ata që kundërshtojnë miratimin e rezolutës të OKB-së për gjenodin në Srebrenicë po përpiqen të mbrojnë politikën kriminale të luftës. Në fakt, është një përpjekje për të ndaluar atë që nuk mund të ndalet – të vërtetën. Gjegjësisht, bëhet fjalë për faktin se disa politikanë do të donin të justifikonin të kaluarën e tyre politike.

Më në fund, Jamë i bindur se Serbia ka kryer gjenocid dhe në Kosovë ku gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë mbetur të vrarë rreth 13,500 persona, mijëra të tjerë janë të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Muaji më i përgjakur ishte prilli i vitit 1999 me rreth 4 mijë viktima. E gjithë kjo meriton një padi të Kosovës kundra Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mirëpo, për këtë ekziston një problem formal, pasi Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Por, juridikisht ekziston një mundësi, që padia në emër të Kosovës të ngrihet në Gjykatën Ndërkombëtar të Drejtësisë përmes një vendi të tretë, antare i OKB-së.  Mirëpo, në praktikë vështirë mund të supozohet se një palë e tretë do ta pranonte një rol të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok