22/11/2024

NJË POEZI SHPIRTI NË TRE VARIANTE

0

Nga një poet për një poet mik

Nga Timo Mërkuri

I- Një fotografi çasti e një filxhani kafe me sfond një anije turistike në gjirin e Sarandës dërguar me viber Sabit Rrustemit në Gjilan në mëngjesin e datës 25 Tetor 2022 e nxiti këtë të fundit të postonte poezinë e Musa Ramadanit “Homazh për mikun tim” me poshtë shënimin “Beqir Musliut” dhe të ma niste dhe  mua në mesenxher. E veçanta e dukshme e kësaj poezie qëndron te fakti se është shkruar në tre variante si dhe në tre data të ndryshme: 24.06.2005 varianti i parë, në 25.06.2005 varianti i dytë dhe në 3.07.2005 varianti i tretë. Poezia, ose më mirë: tre variantet e një poezie më pëlqyen shumë dhe meqenëse  i njihja nga krijimet të dy poetët, madje për Beqir Musliun kam shkruar, sipas natyrës sime, i kërkova Sabit Rrustemit të më thoshte diçka për miqësinë e dy shkrimtarëve të shquar nga Kosova, të cilët vendlindje të tyre kanë Gjilanin.  Më duhej  që të kuptoja diçka më shumë rreth miqësisë së tyre sepse kjo poezi në tri variante nuk ishte shkruar rastësisht.

II- Sabit Rrustemi papritmas më “përcolli” te Ibrahim Kadriu, sepse sipas tij edhe vetë Ibrahimi bënte pjesë në atë grupim miqsh, por përkundër shpresave të mia të shtuara, ky më përgjigjet me një tekst të shkurtër: “Ka ekzistuar ajo miqësi, po, është e vërtetë. Të të them se, aso kohe, domethënë pas pjesës së dytë të viteve gjashtëdhjetë e sidomos viteve të shtatëdhjeta, e kishim shoqërinë e përhershme Beqir Musliu, Musa Ramadani, Teki Dervishi dhe unë. Na lidhte mosha dhe përkushtimi. Ishte një kohë e artë…”, tekst për të cilin Sabit Rrustemi u shpreh (sigurisht duke qeshur me vete):  “Ibra paska kaluar në 360 klm në orë, në një miqësi që ka zgjatur për afro  4 dekada...”.

Ndonëse përgjigja e Ibrahim Kadriut më zgjeroi hapësirën e miqësisë, nga dy në katër poetë dhe konkretizoi periudhën e kësaj miqësie: në vitet e nxehta pas gjashtëdhjetë e pesë  e sidomos vioteve shtatëdhjetë,  e ndjeva se ishte një informacion që “nuk thoshte shumë” dhe nisa të mërmërit me vete. Tre variantet e poezisë që i lexova, nga tre herë secilën, thoshnin shumë më shumë se këta dy poetë, ndaj nisa lundrimin në internet, por meqenëse nuk dola dot në ndonjë breg të “hajrit”, duke “shkelur” etikën, i shkrova sërish  Sabit Rrustemit që të mësoja më shumë rreth tyre. Se, ishte poezia ajo që më intrigonte.

Musa Ramadani e Beqir Musliu kanë qenë të dy nga i njëjti  qytet,  Gjilani. Nisur nga datëlindjet,  Musa Ramadani ishte më i madh, por në krijimtarinë letrare së pari ka hyrë Beqir Musliu, madje qysh nga shkolla e mesme. Është pikërisht koha që afrohet me veprimtarinë atdhetare të Rexhep Elmazin, po nga i njëjti qytet,  i cili bashkë me Teki Dervishin  arrestohen si  pjestarë të grupit të Adem Demaqit dhe më pas dënohen me burg të rëndë në vitin 1964, si Rexhepi ashtu dhe Tekiu.  Dënimin e vuajnë në Goli Otok, burgu më famëkeq në ish Jugosllavi. Sigurisht që në objektiv të policisë ishte edhe Beqir Musliu, por si nxënës i shkollës së mesme, paksa e shpëtoi edhe  rastësia. Nuk u dënua për fat, por u lirua. Musa Ramadani në këtë periudhë ka qenë më i distancuar nga ky grupim shkaku I rrethanave familjare Pas vitit 1968 dhe rivendosjes së tyre në qytetin e lindjes, miqësia e këtyre ( Rexhepit, Beqirit e Musës ) forcohet tej mase.

Beqir Musliu, nga viti 1965 – 1968 kishte të botuara tri libra, madje edhe një poemë për  Skënderbeun. Pas  daljes nga burgu të Rexhep Elmazit, Treshja e famshme gjilanase kthehet në skenë, kësaj here përmes letërsisë. Për nga stili dhe figuracioni që përdornin,  krijimtaria e tyre rëndom cilësohet si “hermetike”, simbolikë etj., por ajo në vetvete është një krijimtari letrare moderne, madje  me një vokacion krejt ndryshe nga Podrimja, Azem Shkreli e Rrahman Dedaj.  Qasje moderne në  letërsi atë kohë, me krijimet e tyre letrare shpërfaqin dukshëm edhe dy gjilanasit tjerë, Ibrahim Kadriu e Mirko Gashi.

Ndonëse patën probleme me pushtetin, marrëdhëniet mes këtyre pesë krijuasve gjilanas të asaj kohe ishin marrëdhënie tejet vëllazërore. Me të drejtë mund t’i quajmë “Pesëshja e Artë e Gjilanit” në letërsinë shqipe. Këtë miqësi e forcoi, pastroi dhe kaliti në rradhë të parë arti dhe letërsia, të cilës ju përkushtuan që në nga mosha rinore, kur ëndërrat krijojnë profilin jetësor të poetëve.

Koha e kërkoi dhe këta krijues u bën edhe më tok në Prishtinë, ku kishin mundësi më të mëdha në përsosjen e artit letrar. Përmes studimeve si dhe angazhimeve në të vetmen gazetë të përditshme  në gjuhën shqipe atë kohë ( Rilindja),  brenda pak vitesh, gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjeta, u gjendën njëri pas tjetrit, në Prishtinë.

Në Gjilan mbeti vetëm  Rexhep Elmazi, i cili përgatitej dhe priste momentin që të zhvendoset dhe ai në Prishtinë. Një atentat “misterioz”, që për këdo ishte e qartë se qe kurdisur nga UDB-ja, më 16 maj 1978  e plagos rëndë dhe pas nëntë ditësh luftë mes jetës e vdekjes, vdes më 25 maj 1978 në spitalin e Prishtinës. Dyshohet me të drejtë edhe sot  se në vdekjen e tij “ndihmuan” edhe mjekët e spitalit të Prishtinës që ishin nën kontrollin e UDB-së.

Nga vitet shtatëdhjet e më pas, Beqi Musliu, Musa Ramadani dhe Ibrahim Kadriu vazhdimisht do të jenë bashkë, dhe këtu ka rolin e saj edhe “RILINDJA”, ku  punonin.   Musa Ramadani dhe Beqir Musliu, në Prishtinë ranë në sy shpejt me shetitjet e tyre të përbashkëta nëpër korzon e famshme të Prishtinës dhe sidomos me daljet e përbashkëta në kafe “ELIDA”, afër Pallatit të Shtypit, aty ku sot është NEWBORN. Ishte si një rutinë e përditëshme  që reth orës 10 e 30 t’a pinin bashkë kafenë e mëngjesit, aty, afër qendrës, po edhe Pallatit të Shtypit. Një tavolinë më tej vendoseshin rëndom, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti e Zejnullah Rrahmani. Kishin raporte të mira mes vete, po tavolinat nuk i bënin bashkë.

Elita letrare dhe intelektuale e asaj kohe ishte mësuar tashmë t’i shihte te ELIDA  dhe, mund të habitej vetëm po t’i shihte ndaras, gjë që nuk ndodhte.

Në qoftë se dikush do pyeste se: cila ishte tema e bisedave të tyre të përditshme që nuk iu krijonte monotoni, përgjigja është e kuptueshme: Letërsia.

Në krijimtarinë letrare Beqir Musliu do ecte më shpejt, falë talentit të tij, por edhe Musa Ramadani ishte krijues produktiv, sidomos me angazhimin e tij postmodernist në letërsi. Librin e parë NEUROSIS e botoi privatisht dhe ishte një poezi ndryshe nga ajo që shkruhej në atë kohë në Kosovë. Mund të thuhet se ai ishte “babai” i postmodernizmit në Kosovë. Pastaj vijnë veprat e tjera, si nga njëri ashtu edhe nga tjetri,deri në… shuarjen e tyre.

Kësaj Tresheje (Beqir Musliu, Musa Ramadani dhe Ibrahim Kadriu) në Prishtinë, pas daljes nga burgu i bashkangjitet Teki Dervishi, i cili  gjeti “strehë” në gazetën “Flaka e vëllazërimit” në Shkup si dhe Jusuf Gërvalla. Shtëpia që i mbante nën një kulm, s’do mend ishte RILINDJA.

Tekiun, fjala vjen, distanca nuk e pengonte të mbante miqësinë. Ata i kishin të tyret  fundjavat, teatrot dhe artin letrar që i  bashkonte kurdoherë e kudo, në Gjilan, në Prishtinë, në Gjakovë apo dhe në Shkup. Që të tre do të bëheshin  propoganduesit, afirmuesit e vlerësuesit më të denjë të jetës letrare dhe teatrore në këtë pjesë shqiptare që ndodhej në ish Jugosllavi. E, mbështetës të forte në “Rilindje” e kishin Ibrahimin, i cili redaktonte faqet e kulturës, po edhe Mirko Gashin, i cili përveç si poet, njihej si njëri nga përkthyesit më të mirë nga shqipja në serbokroatisht dhe anasjelltas.

Ishte vdekja ajo që e ndërpreu këtë miqësi.

Fillimisht ajo mori Beqir Musliun, i cili, si askush tjetër ishte i lidhur me Gjilanin. Madje edhe pushimet verore ishte i vetmi që i bënte në Gjilan. Musa Ramadani psh. pushimet i kalonte në Ulqin, e Teki Dervishi shkonte në Gjakovë. Beqir Musliu u shua më 24 qershor 1996 (në Prishtinë) ku ndikoi dhe një operim jo i sukseshëm që ai bëri në një nga spitalet e Moskës. Vlen të themi se atje, në spitalin e Moskës ai kishte shkruar edhe “Ditarin e Moskës”, veçse këtë ditar e kishte “shkruar” (më mirë do thoshnim: e kishte koduar) përmes figurash. Pas vdekjes së tij, askush deri më sot nuk ka arritur ta deshifrojë. Si duket, qëllimisht e kishte koduar përmes figurash, për ta shprishur kur të kthehet në shtëpi, por nuk arriti.

 

 

III-Nga qershori i vitit 1996 e deri në vdekje ( 10 mars 2020 ), Musa Ramadani, te ëmbëltorja ELIDA do të dilte dhe do të rrinte fikall i vetëm. Rrallë do t’i jepte leje dikuj tjetër të ulej aty, ku dikur rrinte Beqir Musliu.

Kjo është edhe  arsyeja që Musa Ramadanit do t’i vetëtojë në mendje, mbase dhe përditë, kafja e pa pirë e Beqir Musliut.  Sepse, ishte malli për mikun, dashuria, dhimbja e mërzia e pa fund që e ngacmonte.

Në Prishtinë, aty te kafe “Elida“ atë ditë të 24 qershorit 2005, ditën e nëntë vjetorit të shuarjes së mikut të tij,  i trishtuar shkroi këtë poezi. Poezia ishte e bukur, por  atij nuk i pëlqeu ai variant, ndaj shkoi përsëri të nesërmen te kafja “të takonte mikun e tij” . Beqir Musliu përsëri nuk erdhi, por në vend të tij ja behën kujtimet dhe ajo flutura e një dite më parë, ndaj  ai e rishkroi përsëri poezinë, porn ë . Ishte data 25.06.2005. Dihet që poetët janë të vetmit që nuk kënaqen me poezitë e tyre dhe nuk reshtin së korigjuari ato, madje edhe pas publikimit, kështu që Musa Ramadani shkoi përsëri disa ditë resht te  kafe “Elida” me bindjen se: sigurisht do të vinte Beqir Musliu, si para nëntë vjetësh apo para një shekulli.  Ndoshta ju kujtua shkarazi që ai ishte shuar, por “shuarja” nuk ka qenë asnjëherë pengesë për poetët.   Përsëri  Beqir Musliu “nuk erdhi”, por Musa Ramadani i rrethuar nga kujtimet që zhurmonin rreth tij bashkë me atë fluturën  përherë e pranishme, aty te NEWBORN e rishkroi përsëri poezinë, atë që ai e quan variantin e tretë, të datës 03.07.2005. Shkoi në shtëpi i trishtuar dhe i rilexoi me vëmëndje të tre variantet, ku pa i habitur se nuk kishte shkruar një poezi të arrirë, por kishte hedhur në qiellin poetik një kostelacion prej tre yjesh, të cilat qëndronin pranë  njeri tjetrit, si të lidhura me një fushë magnetike me emrin e Beqir Musliut. Dhe jo vetëm me emrin e tij.  Këto tre poezi-yje të lidhura në një kostelacion miqësie  nuk i ngacmoi më për t’i ndrequr, e kush i “ndreq” për t’i bërë më të mirë e më të bukur  yjet?

Kështu i la për ne, me atë dritëz pakëz të verdhëlluar nga trishtimi.

Me qënë se Teki Dervishi iku në qershor të vitit 2011 e Musa Ramadani u shua në 10 mars 2020, ndërkohë që Mirko Gashi kishte shkuar më 6 qershor 1995, i vetmi prej këtyre “gjilanasve të Artë” që ka mbetur është Ibrahimi Kadriu, i cili për miqtë e tij flet pak, sepse i dhemb shumë çdo kujtim i tyre.

IV-Le të shohim tri variantet e poezisë “Homazhe për mikun”, ose më saktë, si i shoh unë këto tre variante.

Musa Ramadani

HOMAZHE PËR MIKUN TIM

Beqir Musliu

(Varianti i parë)

Kaherë s`kemi pirë kafe espresso!

Ishte e premte, ora 10,30, te „Elida“

Sapo çeli bliri, 24 qershor, 2 mijë e 5

Porosita dy espresso të gjata, or mik

Te tavolina e parë, aty, pranë dritares

Në takëmin e filxhanit-te luga e sheqeri

Ta vura një lulebliri e një cigare…

Seanca spirituale filloi në kujtime

Shpejt paskan preftuar nëntë vite!

S`kemi pirë espresso bashkë kaherë

Prita një orë e gjysmë-dialog me vetmi

Asnjë mik a mikeshë jona nuk erdhi

Një shpirt vërtitej në trajtë fluture

Pranë tavolinës, sipër karriges tënde

Atëherë nisa ta pija espresson time

24.06.2005

Te “Elida“ PR.

E parë si një poezi më vete, ndjejmë qysh në vargun e parë një dhimbje të autorit për vetminë e tij, por ja që në vargun “Porosita dy espresso të gjata, or mik” për një moment ai harron që është vetëm. Ai është i vetëm fizikisht sepse shpirtërisht është bashkë me mikun e tij, ndaj jo vetëm që porositi dy ekspreso të gjata, por: “Në takëmin e filxhanit-te luga e sheqerit/Ta vura një lulebliri e një cigare”, veprime këto që kryhen instiktivisht në pritje të ardhjes së afërt të mikut, thua se është duke larë duart para se të ulet në tavolinë. Shikon orën 10.30, tavolinën, dritaren, të njejta si para nëntë vjetësh. Vendosja e një cigareje është ritual që bëhet për një mik a shok, por vendosja e një lule bliri tregon se personi që pritet të vijë është një mik i ngushtë. Veçse poeti vjen në kujtesë: “Shpejt paskan preftuar nëntë vite” (24 qershor 2005-24 qershor 1996) dhe ishte pikërisht dita që miku i tij kishte “ikur”. Ishte përvjetori i nëntë i ikjes së tij. Ai ndoshta instiktivisht ka shkuar te ajo kafe pikërisht atë ditë, por dhe ky instikt ishte nxitur nga një kujtesë e brendshme.  Shumë personave u ka ndodhur që në përvjetorin e ndonjë miku të kryejnë instiktivisht veprimet që kryenin së bashku në të gjallë, madje në të njëjtin vend apo objekt. E parë në këtë këndvështrim këto veprime duken si një ritual nderimi për atë që mungon. Veçse në këtë rast, kjo “mungesë“ mungonte, pasi: “Një shpirt vërtitej në trajtë future/Pranë tavolinës, sipër karriges tënde”. Beqir Musliu fizikisht nuk erdhi, por shpirti i tij mbërriti në formën e një future dhe Musa Ramadani s’kishte pse të priste më, ndaj : “Atëherë nisa ta pija espresson time”. Poeti u qetësua, piu kafen dhe nxitoi për në shtëpinë e tij ku shkroi poezinë e …takimit me poetin.

HOMAZHE PËR MIKUN B.M

(Varianti i dytë)

Nga sh.20  s`kemi pirë espresso

Veçsa erdhi kafeja për ty

Syprina e filxhanit u davarit

Aty u sajua një shkronjë : B.

Pranë lugës e sheqerit,aty

Anës tavllës së filxhanit

Ta vura një cigare e lulebliri

Duhanin e pije sall për hatër timin

E aromën e blirit e adhuroje.

Espresso-n e fundit e pimë, vallë

Këtu e nëntë vite më parë tok?!?

Për sa kohë ke humbur nga unë

Aq jam mplakur unë prej teje!

Zura ta gjerbja espresson time

Ajo jotja shformësohej papra

Kamarieret më pyesnin për shokun

Që më mungonte, vonohej, harronte

Pas afro dy orësh, në vend teje

Arriti një flutur si shpirti yt

Seanca spirituale nisi pa fjalë

Në praninë e frymës tënde aty

Ende s`kemi pirë kafe në sh.21!

25.06.2005

Te “ Edi_2“ PR

Tashmë mungesa nuk është nëntë vjet, por  realisht është nëntë vjet e një ditë, kohë që për poetin bën plot një shekull. Në këtë cilësim poetin e ndihmon fakti që ikja e Beqir Musliut ka ndodhur në vitet e shekullit njëzetë (24.06.1996), ndërkohë që poezia është shkruar në shekullin njëzetë e një (25.06.2005). Një shënjë i thotë se diçka po ndodh: “Syprina e filxhanit u davarit/Aty u sajua një shkronjë : B”. Është nënvetëdija e tij ajo që i shfaq iluzionin e shkrimit të gërmës “B” që tregon praninë e Beqir Musliut.

Nuk dihet në se Musa Ramadani  thërret në ndihmë kujtesën, apo i erdhi vetë : “Duhanin e pije sall për hatër timin/E aromën e blirit e adhuroje”, duke na dhënë pa dashje imtësitë e një miqësie ku Beqiri e pinte duhanin për t’i bërë shoqëri Musait, ndërkohë që këtij të fundit i kujtohej se sa shumë e adhuronte aromën e blirit tjetri. Kjo miqësi e “ikur” nëpër kohë ka lënë jo gjurmë, por pasoja te poeti Musa Ramadani, që ai i shpreh duke kaluar dorën te balli i tij plot rrudha:  “Për sa kohë ke humbur nga unë/Aq jam mplakur unë prej teje” dhe mua mu kujtua Schopenhaueri kur shkruante: “Është humbja ajo që na mëson vlerën e gjërave”, në këtë rast vlerën e miqve.

Në qoftë se variant i parë ka 15 vargje, variant i dytë ka 21 vargje, por tej numrit të vargjeve, e dukshme është se poezia e dytë,  vargu i dytë thotë: “Veçsa erdhi kafeja për ty”, sikur do t’i thotë:”shpejto të vish se po të ftohet kafja”.e cila ”(Ajo e jotja) shformësohej pa pra”. Mosardhjen e mikut të tavolinës Musa Ramadani sigurisht që nuk e ka vënë re,pasi me atë po bashkëbisedonte, por mungesa është vënë re nga kamarierët , të cilët: “Kamarieret më pyesnin për shokun/Që më mungonte, vonohej, harronte”. Te ky variant pritja ka qënë më e gjatë; “Pas afro dy orësh, në vend teje” se në variantin e parë ku: “Prita një orë e gjysmë-dialog me vetmi”, veçse në të dy rastet ka: “Një shpirt vërtitej në trajtë future” në variantin e parë dhe “Arriti një flutur si shpirti yt” varianti i dytë. Duke parë variantin e tretë:

Homazhe për mikun B.

PAS NËNTË VITESH,MIK

(Varianti i tretë)

Krahu i djathtë i fluturës

Preku ajkën e espresso-s

Lehtas,leee-ht, lehtësisht

Ne filxhan vizatoi gërmën B.

(Kafe e porositur veç për ty)

Nisa ta gjerbja espresson time

Duke soditur filxhanin tënd

Kamarieri tri herë më pyeti:

A do të vijë miku yt sot?

Unë po pres-gjegja-nuk di!

Ishte 24 qershori i vitit 2005

Çudi, kaq shpejt kaluan 9 vite

Pa pirë bashkë kafe espresso!

P.s.

Ishte shpirti yt ai

Që si flutur zbriti!

3.07.2005

Te “Edi-2” PR

E diel, me shi

…shohim se kemi  jo vetëm një rikthim te poezia me pesëmbëdhjetë vargje, si në variantin e parë, por edhe në spostim të vargjeve të mëparëshme.  Këtë herë  poezia nis me krahun e djathtë të fluturës, që pasi prek ajkën e kafes espressit, sigurisht lehtas, si një shpirt, në filxhan vizatoi germën B sikur donte të prezantohej apo të njoftohej që kishte ardhur nga tejbota veç për ‘të: “Krahu i djathtë i fluturës/ Preku ajkën e espresso-s/Lehtas,leee-ht, lehtësisht/Ne filxhan vizatoi gërmën B”. Sigurisht që këtu pyetjet e kamarierit nuk kanë atë tension si te varianti i parë dhe përgjigja duket pakëz “indiferente” për arsye se poeti Musa Ramadani e ndjeu më shumë se sa e kuptoi që: “Ishte shpirti yt ai/Që si flutur zbriti”! Interesant është fakti që Musa Ramadani e shpreh periudhën e mospirjes së kafes: te varianti i parë-në nëntë vite, të variant i dytë- një shekull dhe te variant i tretë rikthehet përsëri në nëntë vite. Pra e parë gjeometrikisht kemi pozicionin e një rombi me qëndrim vertikal, ku dy skajet e tij këndngushtë të sipërme janë të njejta: nëntë vite dhe skajet e mesit janë në një shtrirje një shekull. Kjo mund të duket si rastësi, por duke kujtuar që edhe vargjet sipas varianteve janë 15-21-15, pra në formën e një rombi vertikal, mendoj se poeti qëllimisht e ka krijuar këtë figurë gjeometrike në këtë krijim të tij.

Le ta vazhdojmë këtë vëzhgim: Vargu i parë te varianti i parë është:”Kaherë s`kemi pirë kafe espresso”, ndërkohë që vargu i fundit te variant i tretë është: “Pa pirë bashkë kafe espresso”, pra vargje me të njëjtën domethënie.

Te varianti i parë vargjet vijuese janë: “Ishte e premte, ora 10,30, te „Elida“/Sapo çeli bliri, 24 qershor, 2 mijë e 5”, ndërkohë që të variant i tretë vargjet mbyllëse janë: “Ishte 24 qershori i vitit 2005/Çudi, kaq shpejt kaluan 9 vite”. Cilësojmë këto dy vargje se vargjet: “Ishte shpirti yt ai/Që si flutur zbriti” kanë funksionin e një ylli në bredhin e vitit të ri, janë vargje triumfi si brohoritja e fëmijëve në orën 12.00 të datës 31 dhjetor kur shpallin ardhjen e vitit të ri. Pra strukturalisht këto dy variantet ( i pari dhe i treti) janë si reflektim i njeri tjetrit në syprinën e variantit të dytë, i cili është më i gjerë. Sigurisht ne nuk duhet të kërkojmë një “reflektim pasqyre” të detajeve, këtu flitet për poezi dhe detajet sigurisht që janë poetike.

Këto tre variante mendoj se nuk duhen parë të shkëputura nga njera tjetra dhe të diskutojmë se cila është më e bukur. Këto tre variante janë të lidhura me njera tjetrën, jo vetëm më idenë poetike, jo vetëm me strukturën vargore, por në radhë të parë shpirtërisht.  Janë rënkime shpirti nga dhimbja të cilat fillimisht vijnë me madhësi më të vogël, shoqërohen  më pas me një rënkim “shpirti”( i  themi ne) të gjatë e të fortë dhe për tu mbyllur me një rënkim gati të njëjtë me të parin.

Mos u përpiqni t’i ndani nga njera tjetra këto variante, këto janë tre “strofa” të së njëjtës poezi dhe unë do t’ju thoshja: të një poezie shpirti.

Sarandë, më 1-3 nëntor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok