25/12/2024

NJË PËRMENDORE E PËRJETSHME PËR SHENJTËRESHËN

0
u6_Berisha-Nena-Tereze1

NËNA TEREZE NË SHTATË SHPALIME –

NJË PËRMENDORE E PËRJETSHME PËR SHENJTËRESHËN

(Anton Nikë Berisha: Nëna Tereze në shtatë shpalime, në shatë vëllime, botoi “Faik Konica” Prishtinë dhe Kuvendi Françeskan, Gjakovë, 2019)

Nga Prend BUZHALA

“Në rrjedhën e historisë janë të pakta rastet që të jenë shkruar kaq shumë libra për një krijesë njerëzore, siç ka ndodhur me Gonxhe Bojaxhiun, motrën Maria Tereza, që më vonë u bë e njohur me emrin Nëna Tereze”[1], thotë studiuesi i mirëfilltë i kësaj figure, Anton Nikë Berisha. Është konstatim i autorit, që, ndër shqiptarët, edhe pse bijë e gjakut dhe e gjuhës sonë, ne bëmë pak për të: “Ndoshta ky veprim e përligj atë thënien në Bibël se profetët vetëm në vendin e vet nuk çmohet dhe nuk pranohet!”[2]

Dhe, gjithnjë në këtë vazhdë të përdegëzimeve shpirtërore, ja edhe një projekt tjetër monumental i këtij studiuesi që vjen para nesh: është projekti studimor mbi veprën e Nënës Tereze. Kësaj radhe, autori i sistemoi brenda një kompleti veprash shtatë vëllime e që i përkufizon me titullin e përbashkët “Nëna Tereze në shtatë shpalime. Ndërkaq, të shtatë vëllimet e Anton N. Berishës vijnë si një tërësi shpalimesh monumentale, ku ecin dorë për dore Fjala Imagjinative dhe Fjala Diskursive, letërsia dhe studimi, poezia dhe trajtesa, romani dhe eseistikja. Nëse letërsisë sonë deri më tash i kanë munguar sintezat shkencore e diturore kushtuar kësaj figure, këtë boshllëk e përplotëson  me përkushtim të madh ky studiues.

Kësisoj, brenda kësaj tërësie monumentale, ka strukturuar vepra të dy fushave të shkrimit: të krijimtarisë imagjinative apo fiksionale, sikundër janë romanet “Nëna e Dritës”[3] dhe “Ëndrra e erës” (titull i ri i romanit “Dritë në shtjellën e gërbulës- rrëfim i Nënës Tereze”, roman, botoi “Fjala Hyjnore”, Prishtinë – Shkodër 2012), kurse te vëllimi i tretë përfshin poemat “Ujëvarë drite në zemër” dhe “Sytë e heshtjes”.

Krahun tjetër, prej katër vëllimesh e përbëjnë veprat e letërsisë diskurseve, studimet, monografitë, trajtesat si “I desha njerëzit me dashurinë e hyjit” (doracak për Nënën Tereze, vëllimi i katërt), “Shën Pali dhe Nëna Tereze” (vëllimi i pestë), “Shën Maria dhe Nëna Tereze” (vëllimi i gjashtë), kurse vëllimi i shtatë përbëhet nga tri studime: “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, “Testamenti shpirtëror” dhe “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”.

”. Deri më tash, nga autorë shqiptarë, jemi mësuar të lexojmë libra të tërë poetikë që i kushtohen kësaj shenjtëreshe, apo ndonjë roman si ai i Ibrahim Kadriut (që vjen me tre tituj në tri botime: “Nëna”[4], “Qerrja e dritës”[5] dhe “Shqiptarja e gjithë botës”[6], të cilin autori edhe e ka dramatizuar),  apo drama si ajo e Abdullah Zenelit “Nëna lutet për ne”, një dramë e Bashkim Kozelit (Shkodër), luajtur nga Tetari “Migjeni më 2016[7]; apo dhe libra të shumtë të rrafshit dokumentar, publicistik apo teologjik të disa autorëve të tjerë. Kurse repetimin letrar, përkatësisht trajtimin e figurës së Nënës Tereze në poezinë tonë, na e vë në tryezën e leximit vetë autori, me punimin dhe “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”.

Të mos harrojmë: Anton Nikë Berisha, më intensivisht me këtë figurë, preokupohet qe dy dekada rresht. Përpara këtij kompleti, që të gjitha këto vëllime qenë botuar më aprë, herë si vëllime më vete, herë me tituj tjerë, si: “Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze”[8], “Nëna Tereze: jeta është vetë jeta e Zotit në ne”[9], “Testamenti shpirtëror i Nënës Tereze”[10], “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”[11], “Shën Pali dhe Nëna Tereze”[12], “Ujëvarë drite në zemër”[13], “Lutja është zëri i Zotit në thellësinë zemrës”[14], “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”[15], “Nëna Tereze në tri shpalime”[16], “Shën Maria dhe Nëna Tereze”[17] dhe “Doracak për Nënën Tereze”[18]. Disa nga këto vepra janë përkthyer edhe italisht. Është i pasur e me vlerë edhe vlerësimi e receptimi letrar e studimor nga autorë italianë e arbëreshë i veprës së Anton N. Berishës në italisht.

1. Modelet e jetës: struktura e shpalimeve në letërsi dhe studime

Si do të gjendet shkrimtari dhe studiuesi para një figure të tillë markante në të shtatë shpalimet e tij?

Shpalimeve iu prin romani “Nëna e Dritës”[19], i cilie realizon denjësisht e artistikisht shëmbëlltyrën e Nënës Tereze. Është një portret shumëzërësh që shtrihet në hartën e leximit botëror, me frymën e thelbit shqiptar.

Anton N. Berisha dëshiron që në portretizimin letrar, studimor e jetësor të personalitetit të kësaj nëne, lexuesin ta njohë jo vetëm me Nënën Tereze, po edhe me strukturën e brendshme të shkrimit, në të cilën dalin në pah elementet e krijimtarisë së tij, nga njëra anë, dhe vlerat e shumta përmasore të studimeve, nga ana tjetër.

Me aq e aq thjeshtësi, po edhe me aq përkushtim, me anë të bioligjërimit, Berisha na e jep atë sprovën e rëndë të Nënës Tereze, të provuar në rrugë të vështira e të mundimshme, për t’u pranuar si personalitet botëror; ashtu sikundër këtë thjeshtësi shpirti e jete ajo e bartte kudo. Autori arrin ta shqiptojë këtë shtegtim botëror e personal të Nënës Tereze, e cila e shpie botën shqiptare e atdheun shqiptar në përmasa botërore krejt natyrshëm, në mënyrën e saj; e shpie shqipen e saj në gjuhë të panumërta të botës, duke kërkuar përgjigje e duke dhënë përgjigje në të gjitha gjuhët: dashuria ndaj njeriut është vlerë universale. “Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje” shprehet diku kjo Nënë shenjtëreshë. Rruga jetësore e kësaj Nëne të Dritës arrin afirmimin botëror, kur Thesari i saj përkushtues bëhet thesar universal, gjithëbotëror. Ajo ligjëron, mediton, kujton, lutet dhe përshpirtet gjithnjë për Atdheun e saj, Shqipërinë, dhe për Vendlindjen e saj, për Jakovën, Shkupin, Perzerendin, e vendbanimet tjera që janë stacione të jetës së saj. Mirëpo, ky Atdhe tingëllon krejtësisht ndryshe në fjalën e në përshpirtjet e saj: është i ngritur në shkallën e Universalitetit; ky Atdhe jeton në memorien përshpirtërore të kësaj Nëne universale; me traditat popullore e fetare, me mënyrën e jetesës së dikurshme shqiptare. Atdheu i saj nuk përkufizohet vetëm me gjuhën e me historinë; as me kufij shtetesh a kufij politikë. Jo. Atdheu i saj është i bartur në thellësitë e shpirtit, nga do që të endet; ai jeton te një lutje a te një kujtim, te një emër a te një takim.

Pena e Berishës në të shtatë shpalimet e zë shëmbëlltyrën e Nënës Tereze në përligjjen e pasurisë së saj shpirtërore, guximit, përshpirtërisë dhe sakrificës së saj për njeriun e këtij planeti, nga njëra anë; ashtu sikundër e shquan këtë përligjje artistike e studimore tek kodi i thellësisë së saj shpirtërore, tek veprimi konkret i dashurisë apo të “dashurisë në vepër”, si pohonte ajo; dhe, më në fund, tek përligjja e përmasës hyjnore. Këto shtatë shpalime për Nënën Tereze, janë një përmendore e përjetshme për shenjtëreshën.

Përmasat e portretizimit të saj gërmohen thellësisht edhe në ato të fjalës së saj urtake, të njohjes së kulturave, religjioneve, shteteve, shtresave shoqërore. Nëse janë dy figura madhore të krishterimit e të civilizimit europerëndimor, si Shën Pali që përhapi krishterimin dhe Shën Maria, nëna e Jezusit; atëherë ai, te studimet monografike “Shën Pali dhe Nëna Tereze” e “Shën Maria dhe Nëna Tereze”, e vë në këtë rrafsh përqasjesh edhe Nënën Tereze, e cila vetë deklaronte se i ka modele të jetës së saj.

Romani “Nëna e dritës” vë në plan të parë idetë e mëdha që ndërthuren me personalitetin e kësaj nëne të botës.

Duket sikur romani “Nëna e dritës” është vetëm prelud për veprat që do të pasojnë. Nga romani te një poemë, e së andejmi te studimet monografike e punimet tjera të analizës e të shqyrtimit, kemi një shtegtim të koncepteve, si: lutja, drita, dashuria në vepër, përkushtimi ndaj Hyjit, apo përbërës metaforikë biblikë e që marrin konotacione të tjera, si: kam etje, nusja shpirtërore, grishja hyjnore, hyjnorja, heshtja e shenjtë, e shumë të tjera.

2. Përmasat e të përshpirtshmes  dhe socialiteti i të varfërve

Përbërësi më i rëndësishëm i këtyre shtatë shpalimeve, është ai i të përshpirtmes, ku shquhen shpirti dhe koncepti i kësaj Nëne mbi përshpirtërinë dhe për botën. Pos personazheve të rrethit familjar, të rrethit të vendlindjes e të botës shqiptare, tek të dy romanet defilojnë popuj, shtete, qytete, personalitete botërore, personazhe të vuajtjes e të përshpirtërisë; defilojnë ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare e botërore; kurse në fonin narrativ të romanit jehojnë, të sintetizuar e të asimiluar artistikisht, edhe zëra nga librat letrarë e të literaturës së gjerë botërore për shenjtorë, për përshpirtërinë a për religjionin, për botën shqiptare etj; shqiptohen me devocion arti, lutjet e uratat e Nënës Tereze. Kudo nëpër vepra jepen zëra nga lutjet, poezitë, letrat e nga ditari i saj, nga intervistat e nga shtegtimet e saj jetësore. Ato procedohen si ndërshtresa artistike e studimore, tek e krijojnë frymën e përbashkët të veprave.

Socialiteti i të varfërve në Shkup a në viset tjera shqiptare, i cili kërkon dorën e përkujdesjes, është i njëjti edhe në Indi, në Kalkutë apo në Dajeerling, në Khaligat apo në Himalaje, a në viset tjera ku ajo u end dhe e shtriu dashurinë e saj.

Njerëz që janë të vetëdijshëm për vlerat e vendimeve që marrin: për t’iu përmbajtur këtyre parimeve dhe për t’i zbatuar ato vendimmarrje, ata, posi Nëna Tereze, iu nënshtrohen sprovave të rënda, ndërsa iu duhet të vetësakrifikojnë shumëçka nga vetvetja, sikundër janë gëzimet jetësore, spektaklet e jashtme… ashtu sikundër iu duhet për t’i parë gabimet a mëkatet a dobësitë e veta drejt në sy, për t’i pranuar para vetvetes, sepse ashtu pranohen para Hyjit.

Sfilitjet e brendshme psikologjike vijnë pas kërkesës së Hyjit për flijime mu në vatrat tronditëse të llahtarisë e të lemerisë sociale. Dhe, qenie njerëzore jemi, flijimi dosido nuk e përmbush kërkesën, sikundër na thotë vëllimi i shtatë, aty ku personaliteti i Nënës Tereze, nuk do t’ishte i plotë as i ndërliqshëm, pa këtë përmasë sfilitjesh e mundimesh të rënda shpirtërore.

Jeta e saj lëviz midis këtyre kategorive të skajshme të ekzistencës dhe gjallimit, si ndërveprim estetik e filozofik: midiskontemplacionit dhe aksionit, midis dyshimit dhe besimit e hirit të Hyjit, sikundër na e japin edhe dy romanet, edhe studimet. Përpos në romane e poema, më gjerësisht këto aspekte trajtohen te punimet e vëllimit të shtatë: “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj” dhe “Testamenti shpirtëror”.

3. Vetëdija moderne për lutjen

Përpos kundrimit të kësaj figure në rrafshin artistik nëpërmes romaneve e poemave, janë veprat studimore ato që zbulojnë një tjetër hapësirë mundësish të pakufishme për trajtime kulturologjike, filozofike e teologjike, për kundrime eseistike e etike, për përsiatje të përshpirtshme, për interpretime letrare dhe për zbërthime meditative. Ky është një atdhe tjetër i kërkimeve autoriale; nuk ekziston vetëm atdheu i hapësirave etnike, me sheshe e tregje, me qytete e parqe, me pyje e lumenj, me tinguj e amësime. Është edhe një hapësirë tjetër etnike pa caqe gurësh e pa kufij kohorë: hapësira shpirtërore. Dhe këtë atdhe të dytë do t’ia mësyjnë ta sulmojnë, ta përvetësojnë, ta lëndojnë, madje edhe ta zhdukin. Të duket sikur nëpër histori kjo hapësirë e  ekzistimit tonë shpirtëror është ngushtuar tmerrshëm. Polemi ynë, krahas mbijetesës fizike, ka dashur, mbi të gjitha, ta ruajë mbijetesën shpirtërore. Rizgjimi ka ndodhur mu në këso ngushticash paragjykuesve të ndryshëm të traditës evropiane, kastriotiane apo tereziane e të botës shqiptare.

Pothuajse në të gjitha veprat autori merret edhe me një komponentë a përbërës të rëndësishëm brenda strukturës së tyre, siç është vetëdija moderne për lutjen që e ka Nëna Tereze, sidomos te poema “Sytë e heshtjes” dhe tek studimet “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, “Testamenti shpirtëror”. Një hapësirë e tillë shpirtëror, ku Nëna Tereze e ka gjetur vetveten, kanë qenë Besimi dhe Lutja. Lutjen ajo e shkruante “të dëshmojë, edhe në këtë formë, pra në formën e shkrimit, besimin e saj të patundshëm në Hyjin krijues dhe në dritën qiellore, si dhe për ta dëshmuar dashurinë e saj të paskajshme ndaj Tij”.[20] Ajo, te besimi e lutja e saj, udhërrëfyes e kishte Krishtin. Këto dy përmasa të kësaj figure, Besimin dhe Lutjen, kundruall botës së krizave morale, sociale, ekonomike a politike, kundruall botës së urrejtjes e të mospërfilljes, autori ka arritur t’i ndriçojë këtë fenomen sfidues të personalitetit të Nënës Tereze. E, thelb mbi të gjitha thelbet e këtij fenomeni, janë dashuria ndaj Hyjit dhe dashuria ndaj njeriut, për të cilin ajo flijohej për çdo ditë. Berisha nxjerr edhe postulate të tjera biblike, të cilat kanë qenë bazë e veprimit të Nënës Tereze: punën që e bënte, e vlerësonte si vullnesë të Zotit; flijimin jetësor e bën bazë të parimit ungjillor; dritën dhe dashurinë e Krishtit e shihte tek të braktisurit e tek të varfrit ndër më të varfrit; kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi, shërbëtor i të gjithëve; dashuria hyjnore është pjesë e jetës, është shndërrim i jetës në dashuri; jeta është jetë, mbroje. Duke qenë “një laps në dorën e Hyjit”, ajo sikur i dërgon Hyjit raporte shpirtërore nga bota e të gjallëve. Lutjen për të hapur udhë shpirtërore, për të krijuar ndjesi shpirtërore, për t’i manifestuar dhuntitë e shërbimit e të paqes:

Fryt i heshtjes është lutja,

fryt i lutjes është besimi,

fryt i besimit është dashuri,

fryt i dashurisë është shërbimi,

fryt i shërbimit është paqja.

Në disa tituj veprash qëndron fjala dritë (te botimet e para të dy romaneve tël tij, si dhe te poema “Ujëvarë drite në zemër, e cila po ashtu është edhe e dramatizuar me titullin “Dritë në zemër”.[21]

Drita, në këtë planet, identifikohet me Diellin. Nëse sfida më e madhe e ekzistencës së vuajtjeve përbën sfidën më të madhe të besimit (të krishterë), atëherë kësaj sfide Anton N. Berisha i përgjigjet me romanin e tij “Dritë në kështjellën e gërbulës – rrëfim i Nënës Tereze”. Dhe, përnjëmend, sa herë përmendim Nënën Tereze, jashtë konfigurimeve zbukuruese, politike a fushash të tjera, atëherë nuk ka se si të mos na shkojë mendja tek betejat e saj me varfërinë e më të varfërve e me punën e saj me të sëmurët e goditur ekstremisht nga gërbula, ku do të përfytyrosh trupa njerëzish të shpërfytyruar nga sëmundjet, fëmijë lakuriq me brinjët jashtë, jetë nëpër trotuare e skaje plot pluhur e mbeturina, nëpër kthina të paimagjinueshme për të jetuar. Vepra e Anton N. Berishës, e paraqitur si rrëfim i Nënës Tereze, e ka hallkën e vet të kësaj rrjedhe narrative pikërisht me filozofinë e vuajtjes e të sëmundjes. Nuk janë të paktë edhe personazhe që, nga një fëmijë i braktisur në rrugë, nën kujdesin e kësaj Nëneje, ata janë bërë njerëz vlerash. Njerëz që çajnë në jetë.

Vetë njerëzit, të ballafaquar me realitetin e tillë, shpesh mund ta shtrojnë pyetjen skeptike: nëse ka Perëndi, përse lejon këso pamjesh e vuajtjesh?

Të pafajshmit viktimizohen, ateistët këlthasin se batakçinjtë, kriminelët e mashtruesit nuk i prek drejtësia hyjnore! Këso dyshimesh shfaqen edhe kundër Nënsës Tereze nga shumë anë. Por pikërisht është Nëna Tereze që na e thotë të kundërtën dhe na e dëshmon të kundërtën, mu në shtjellën e dhimbjes e të gërbulës. Pikërisht, aty ku shfaqet realiteti më i trishtë, tragjeditë e rënda e të skajshme njerëzore, mu aty na shfaqen edhe veprimet më të lavdishme: si krijimi i Qytetit të Paqes, dhe veprimet e ndritshme që përkufizohen metaforikisht te fjala dritë.

4. Shpalimet e  vuajtjes

Ndërkaq, duke e zbërthyer dhe komentuar testamentin e Nënës Tereze, si dhe “errësirën dhe vuajtjen shpirtërore” në dy librat e fundit studimorë, autori na e provon edhe një dimension tjetër të personalitetit të kësaj Nëne; personalitetin dhe botën e saj në dy kulme krejt të kundërta: në atë të lartësimit shpirtëror nëpërmes dashurisë ndaj hyjit dhe ndaj njeriut dhe nëpërmes dilemës e dyshimit në besimin e në Hyjin. Është po ajo klithmë e kryehershme e krishterë, që e shqiptoi Jezusi në kryq: përse po e braktiste Hyji. Dhe kjo vuajtje sfilitëse e dyshimit dhe e spastrimit, ndodh për t’u bërë një me Hyjin, për t’u njëjtësuar me të. Në frymën e kontemplacionit të tillë e të veprimit konkret të saj, Nëna Tereze i kundron njerëzit, jetën, botën hyjnore, ngjarjet dhe gjërat më të nuancuara e më të imëta, sepse “Hyji gjendet në të gjitha.” Letrat e saj, testamenti i saj shpirtëror, lutjet e saj të shkruara… shkrimi i saj, përbëjnë shkallë të lartë meditimi dhe të meditosh në këso nivelesh, është shenjë e pjekurisë së lartë shpirtërore.

Sa e sa shenjtër e profetë të Biblës vuajnë, sa njerëz të drejtë i nënshtrohen padrejtësisht vuajtjes, si Jobi i Drejtë. Dhe nuk e kemi të lehtë ta durojmë heshtjen e Hyjit. Sa shumë na vret, kur e rrokim me mend se Hyji na ka braktisur mu në çastin kur e kemi të domosdoshme ndihmën e tij! Vuajtja sikur na është një mister. A mund të kuptohet vuajtja?! Pikërisht këtu është nyja që i kap këto kulme: vuajtja ndonjëherë është arsye për të dyshuar në Hyjin, por vuajtja është edhe shteg i sigurt ku mund ta takojmë Atë. Mu këtë dimension të misterit të errësirës e të vuajtjes shpirtërore, arrin ta zë me sensin e tij interpretues e zbërthyes studiuesi Anton Nikë Berisha. Ati Brian thotë: “Pa errësirën e saj të brendshme, pa e njohur dëshirën e tillë të dashurisë dhe dhimbjen që nuk është e dashur (nga Zoti), dhe pa identifikimin e jashtëzakonshëm me të varfrit, Nëna Tereze nuk do ta kishte fituar besimin  dhe zemrat e tyre me atë thellësi.” Dashuria ndaj Hyjit dhe përhapja e saj ndaj njerëzve nuk mund të kenë fund, konstaton autori. Është fundi që sjell në fillim! Është ringjallja e njeriut në veprën e dashurisë.

5. Thesari i literaturës tereziane dhe shpalimi i pikave kyçe përmes citimeve

Nëpër të gjitha tekstet ka një shtrirje të gjerë të citateve e të literaturës e që bëhen për të qenë sa më autentik, sa më burimor, sa më afër doktrinave… më gjithëpërfshirës, më esencial. Po qe se i marrim se bashku të shtatë vëllimet, vetëm nurmi i fusnotave e që përfaqësojnë autorë e vepra jo vetëm shqip, po edhe italisht, gjermanisht, kroatisht  e në gjuhë të tjera, e kalon numrin njëmijë. Është dëshmi se, për ta paraqitur nga shumë anë veprën dhe fenomenin Nëna Tereze, do njohur shumë disiplina të dijes e të literaturës, që nga letërsia, teologjia, kulturologjia, antropologjia, politologjia; nga  teoritë e tekstit e të tekstologjisë, nga ato të teorive të ndërliqshme zhanrore etj.

Ky thesar citatesh vjen vetëm në kuadër të tekstit e kontekstit të shpalimeve; vjen si fuqizim i argumentit dhe shtjellimit, si pikësynim për ta paraqitur të plotë të vërtetën dhe figurën e Nësës Tereze dhe për të hapur një shteg të ri diskutimi, përmase, shtjellimi etj. Përfshirja e kësaj literature të tërë citimesh, përbën një punë tejet komplekse, e ku ato përfshihen në bashkëveprim referencash e interferencash, konotacionesh të pasura dhe shenjash ndërtekstuale. Citimet e fuqishme nënvizojnë pikat kyçe, për të vërtetat e rëndësishme, nga ata qindra autorë të shquar të botës e që e vlerësojnë Nënën Tereze, e drejtojnë lexuesin kah njohuritë e reja, ende të pa eksploruara a të parrahura, por lehtësisht të kuptueshme nga lexuesi.

Gjithsesi që lexuesi e gjen këtë fuqi citati edhe te interesimi se kush e ka thënë atë. Është ky një investim i madh intelektual e autorial, i bërë me përkushtim  e durim proverbial. Pa analiza të thella e pa sinteza të mëdha diturore, një komb mbetet i varfër. Nëna Tereze e meritonte një përmendore të tillë të e përjetshme.

Dhe letrar shqipe tashmë e kanë këtë përmendore përjetësie nga pena e Anton Nikë Berishës.

Këto shtatë shpalime paraqesin një këso sinteze e analize, paraqesin një përmbajtje të madhe dhe një strukturë të pasur përmbajtjesore argumentesh, reflektimesh e burimesh,  një botë të pasur  idesh, mesazhesh e njohjesh, ashtu sikundër dhe të katër veprat letrare, romane e poema, paraqesin vlera kulmore artistike.

E pra, autori na e sjell në dritë atë që për ne na duket se e dimë, e megjithatë është e fshehur. E fshehta për Nënën Tereze dhe për fshehtësitë e botës së saj, vjen përmes kaq shumë shpalimesh. Autori na merr përdore nëpër këto shtjellime, duke na futur në procesin e ndërliqshëm të analizave të ideve, të mesazheve dhe të veprimtarisë së Nënës Tereze.

Kemi, pra, kaq shumë shkrime zhanresh të ndryshme për ta zënë përmasën e thellësive dhe gjerësive të personalitetit dhe botës së Nënës Tereze.

Kështu, kur citati lexohet me shpjegimet e shumta burimore, lexuesi e krijon mbresën se autori nuk ka lënë asgjë jashtë këtyre veprave pa thënë; e, megjithatë, Anton N. Berisha sikur e përsërit shpesh thënien e Nënës Tereze, se puna e saj e përmasave botërore është vetëm një pikë në oqean. Kësisoj, shëmbëllyeshëm kësaj përqasjeje mendon edhe autori: se këto shpalime janë vetëm një pikë në oqeanin e universit terezian.

E kjo do të thotë që vepra për Nënën Tereze nuk pushon asnjëherë së shkruari, pikërisht për faktin që këto vepra na vijnë si mendje e hapur në çështjet që nuk janë përfundimtare, që nuk u vihet pikë.

Një shëmbëlltyrë që frymëzon amshueshëm.

Prill – maj 2019


[1] Anton Nikë Berisha, ), Nëna Tereze: jeta është vetë jeta e Zotit në ne,  Sanctae Crucis, Prishtinë 2007, f. 7.

[2] Po aty, f. 8.

[3] Anton N. Berisha, “Nëna e Dritës”, roman,  “Shpresa”, Prishtinë 2004.

[4] Ibrahim Kadriu, “Nëna”, Rilindja, Prishtinë 1988

[5] Ibrahim Kadriu, “Qerrja e dritës”, Zëri i rinisë, Prishtinë 1990.

Ibrahim Kadriu, “Qerrja e dritës & Deri në Oslo”, roman dhe dramë, botimi i Nositit, Prishtinë 2010.

[6] Ibrahim Kadriu, “Shqiptarja e gjithë botës”, UEGEN, Tiranë 2003

[7] Bashkim Kozeli, “Kur Nënë Tereza ishte Gonxhe…”, dramë, SHHB “Nëna Tereze” – Zvicër, SHHB “Nëna Tereze” – Strugë, Strugë 2006.

Për vënien në skenë, sipas:

https://sot.com.al/kultura/%E2%80%9Cnan%C3%AB-tereza-kur-ishte-gonxhe%E2%80%9D-vjen-drama-p%C3%ABr-rinin%C3%AB-dhe-familjen-e-shenjtores

[8] Anton N. Berisha, “Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze”, studim, Fjala Hyjnore, Prishtinë 2005.

[9] Anton N. Berisha, “Nëna Tereze: jeta është vetë jeta e Zotit në ne” (studim, tekste, Testamenti shpirtëror dhe letra të Nënës Tereze), Botues Kuvendi i Motrave të Shën Kryqit në Prishtinë, Prishtinë 2007 

[10]Testamenti shpirtëror i Nënës Tereze”, shqipërimi nga italishtja dhe analiza: Anton N. Berisha, botoi Fjala Hyjnore, Prishtinë 2008.

[11] Anton Nikë Berisha, “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, Sanctae Crucis, Prishtinë 2008.

[12] Anton Nikë Berisha, “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, Sanctae Crucis, Prishtinë 2009.

[13] Anton Nikë Berisha, “Ujëvarë drite në zemër”, poemë, Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agnes Gonxhe Bojaxhiut –Nënë Tereze, Argeta LMG, Tiranë 2009. Botimi i dytë 2010, po aty.

[14] “Lutja është zëri i Zotit në thellësinë zemrës”, zgjedhjen, shqipërimin nga italishtja dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Sanctae Crucis, Prishtinë 2010.

[15] Anton Nikë Berisha, “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”, Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë 2010

[16] Anton Nikë Berisha, “Nëna Tereze në tri shpalime”, Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë 2010.

[17] Anton Nikë Berisha, “Shën Maria dhe Nëna Tereze” (Fjalën paraprake: Imzot Angelo Masafra O. F. M), botoi Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult dhe Fjala Hyjnore, Prishtinë – Shkodër 2013.

[18] Anton Nikë Berisha, “Doracak për Nënën Tereze”, Argeta LMG, Fjala Hyjnore, Tiranë, Prishtinë, Shkodër, 2014.

[19] Anton N. Berisha, “Nëna e Dritës”, roman, “Shpresa”, Prishtinë 2004.

[20] Anton Nikë Berisha, Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze, studim,  Fjala hyjnore, Prishtinë 2005, f. 44.

[21] Anton Nikë Berisha: “Dritë në zemër”, dramë, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok