25/05/2024

NJË LIBËR PËR BAKRIN NË NJËQIND VJET DHE NJË PROPOZIM PËR TË SOTMEN

0

NGA NDUE DEDAJ

Mirdita, në shekullin XX, u bë kryefjala e industrisë së bakrit në Shqipëri, me kërkimet e para në vitet ’20, themelet në vitet ‘30-’40 (Rubiku dhe Derveni), teksa vitet ’50 sjellin miniera të reja si Kurbneshi e Spaçi, vitet ’60 uzinat dhe fabrikat e bakrit, për të kulmuar në vitet ‘70-’80 një industri e konsoliduar, natyrisht me problemet e një vendi të mbyllur që ecen me “forcat e veta”. Ndërkohë me vitet 90 nis teposhtja dhe rrënimi i kësaj industrie, çka shënon fundin në vitet 2000, ku shekulli XXI mbeti “kacavarur” vetëm në ndonjë minierë si Spaçi, që shfrytëzohet nga një kompani turke, ndonëse Munella rezulton të jetë një hambar i begatë i nëntokës sonë. Por me sa duket nga shfrytëzimi jo korrekt i këtij vendburimi, më shumë në interes të kompanive të huaja, popullsia e zonës dhe shteti shqiptar nuk përfitojnë atë që duhet në kushtet e një partneriteti serioz.

Këtë rrugëtim shekullor trajton libri “Bakri dhe Mirdita në njëqind vjet”, që nuk mund të mos ishte i vëllimshëm, por sidomos i larmishëm për nga prurja, vepër e Ing. Nikollë Gegës, njëherësh Ekonomist, njërit nga profesionistët e spikatur të industrisë së bakrit në Mirditë dhe në shkallë vendi. Për shumë vite drejtues teknik i Metalurgjisë, kryeinxhinier i Uzinës së Bakrit Rubik dhe ekspert i fushës, që e ka ndjekur ecurinë, dinamikën dhe “fatin” e bakrit në kohën e artë të tij dhe në rënien shkatërrimtare në tranzicion, duke qenë përherë një zë i fortë për të gjetur rrugëzgjidhje në kushtet e ekonomisë së tregut për këtë metal kaq të vlefshëm. Në këtë kuptim, libri është sa teknik, problemor dhe historik. Është shkruar me lapsin e mprehtë të inxhinierit metalurg, shqetësimin qytetar dhe profesional të specialistit për mosbraktisjen e kësaj industrie, që u la të shkonte në rrënim; po aq i shkruar me zemër, si njëri nga atë njerëz që kaloi plot një gjysmë shekulli nëpër stacionet e kësaj industrie, jo vetëm në Mirditë, por dhe në Tiranë si specialist dhe përgjegjës sektori në Ministrinë e Industrisë dhe Energjitikës, pa lënë mënjanë pjesëmarrjen në ekipe apo grupe pune në minierat, fabrikat dhe uzinat e tjera të vendit, si dhe jashtë shtetit.

Si rrallë ndonjë autor tjetër, Nikollë Gega, jo vetëm i trajton me kompetencë e përgjegjësi çështjet që lidhën me këtë industri, sidomos atë të shkritrjes dhe rafinimit, por dhe në mënyrë të paanashme, duke qenë kritik me të gjitha qeveritë, pavarësisht kahjes politike të tyre. Parashtrimi, analiza dhe sinteza janë metodat e tij të punës studimore, duke u përpjekur t’i japë librit natyrë shterruese. Ky libër në vetvete është një lloj “polimetali”, që i prek të gjitha anët që kanë të bëjnë me bakrin, si mineral, si metal, si produkt industrial, si pasuri ekonomike e kombëtare, por dhe si përspektivë e mundshme.

Bakri, një madem “popullor”, veçanërisht në Mirditë, në 13 miniera e vendburime, në dy uzina e tre fabrika, por dhe në Pukë, Fushë-Arrës, Kukës, Has, Laç, Shkodër, Korçë etj. Nga libri mësojmë se në prodhimin e përgjithshëm industrial në shkallë vendi, Mirdita për tridhjetë vjet (1960 – 1990) radhitej në dhjetë rrethet kryesore të vendit, krahas Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Korçës, Vlorës etj., ku bakri kishte peshën kryesore, krahas lëndës drusore. Përbën ngjarje prodhimi i kallepit të parë të arit në Rubik, në vitin 1966, ku prodhimi më i madh u arrit në vitin 1979, me 142 kg ar, krahas argjendit, selenit e tij.

Minierat e Mirditës në vitet ’70 të shekullit të kaluar po shtoheshin vrullshëm, ndaj kërkohej një numër i madh specialistësh të gjeologjisë, shpimit, minierave, pasurimit, kimisë, shkrirjes dhe përpunimit të bakrit. Në këtë kohë gjimnazi i Rrëshenit dhe Teknikumi i Rubikut u bënë ndër furnizuesit kryesorë të universitetit të Tiranës me studentë të këtyre degëve, që vinin pas një brezi të parë inxhnierësh, si Frrok Pjetër Gega e Pjetër Tarazhi, që kishin studiuar në Moskë, apo Mark Ndoci në Tiranë.

Njëri nga inxhinierët e rinj të asaj kohe ishte dhe Nikollë Gega, që gjithë jetën ia kushtoi bakrit, ndaj dhe libri i tij është nga më të plotit e interesantët për këtë industri dhe njerëzit e saj të sprovuar, që nga Zef Boriçi, Sulo Klosi, Xhavit Hatibi, Zef Gera, Hajredin Kumbaro, Vasil Pashko, Vasil Terpo, Gjon Zogu, Pal Mark Deda, Todo Manço, Franko Krroqi, Dod Tusha, Frrok Kaçorri (heroi që ra në minierë), Devi Radhima, Nexhmedin Lohja, Ibrahim Bumçi, Refik Bulaj, Lirim Hoxha, Ded Kolndreu, Dod Shtjefanaku, Viktor Doda, Marie Koçi, Kristina Gjeçi, Robert Zonja, Frederik Përdoçi, Ndue Kanari, inxhinieri që bëri karrierë si studiues në Francë etj., krahas drejtuesve, specialistëve dhe mjeshtrave në ndërmarrjet gjeologjike, minerare e metalurgjike në Pukë, Kukës, Shkodër dhe Laç, të përmendur në këtë monografi. Në bakrin e Mirditës, kontribut kanë dhënë dhe specialistë të huaj, austriakë, italianë, rus, kinez, kanadez, turq, francez etj.

Një nga identitetet e Mirditës qe dhe bakri. Ne u rritem nëpër udhët e tij të dyfishta, të mbidheshme e të nëndheshme, rasti e solli të punonim në sonda etj. Ruaj nga fëmijëria një mbresë të çuditshme për heronjtë e kohës, në njërën anë pamja e hijshme e muskuloze të tyre, që na vinte përmes grafikës së propagandës dhe, nga ana tjetër, ata heronjtë e vërtetë që shihja përditë duke shkuar në punë, minatorët, tejet të lodhur, që nuk i shpëtuan silikozës. Një varg punëtorësh vinte çdo mëngjes shtigjeve e tërthoreve për në minierën e Qafë-Vorrëzit (Kaçinarit) dhe po ai vargan kthehej mbasdite vonë, apo në mesnatë, pas turnit të dytë, andej nga kishte ardhur. Në vitet e para pas çlirimit ata kapërcenin katundet e epra për në Rubik, që ishte kthyer në një nga qendrat e para të punëtorisë shqiptare. Pjesë e armatës së bakrit ishin dhe ata, heronjtë e padukshëm të kësaj toke dhe nëntokës së saj, për të cilët nuk flitej, nuk dilnin në televizor, të dënuarit politik të regjimit, që shteti shqiptar i kishte kthyer në minatorë të detyruar të Spaçit e Qafë – Barit, edhe pse ishin klerikë, artistë, mjekë, inxhinierë, akademikë, ushtarakë etj. Prandaj libri është një homazh dhe për atë punëtori të palirí, që cfilitej galerive pa të drejtën për të qenë të paguar dhe të shpërblyer për punën që bënin.

Ing. Nikollë Gega beson se bakri në Shqipëri jo vetëm nuk ka shtërruar, por ekzistojnë mundësi të rikthimit të kësaj industrie, në kushte të reja, natyrisht duke kërkuar investitorë strategjik që realizojnë zinxhirin përpunues në metalurgji, ku si hap i parë sugjerohet riaktivizimi për riciklimin e mbetjeve të bakrit, bronzit, tunxhit, së bashku me ato elektronike, në Uzinën e Rafinimit të Bakrit Rubik, në sinkron me Uzinën e Telave Shkodër. Minerali është nëntokë, por qeveritë mbi tokë nuk e bëjnë dot pronë dhe mirëqenie të shqiptarëve, ku, ndonëse nga specialistët sillen argumente, shifra, përvoja nga vendet e tjera të zhvilluara rreth rivitalizimit të industrisë së bakrit, zëri i tyre nuk dëgjohet nga shteti, që bën shurdhin e madh prej tre dekadash, kur ekonomia e mineraleve duhej të lulëzonte në vendin tonë dhe jo t’i dorëzohej informalitetit. Autori na rrëfen se nuk kanë munguar ofertat nga kompani serioze të huaja, si në vitet 80-të, ashtu dhe gjatë tranzicionit, por nuk janë vlerësuar sa duhet, duke u lënë mënjanë nga institucionet tona vendimarrëse.

Në këtë qasje, libri “Bakri dhe Mirdita në njëqind vjet”, sa ç’është histori e largët dhe e afërt e bakrit, është dhe një “dosje” e qepur mirë me të dhëna të shumta krahasimore, rezervash gjeologjike dhe minerare, argumente dhe propozime konkrete për rivitalizimin e kësaj industrie. Autori duke na njohur me përvojën e vendeve të ndryshme të botës dhe sidomos atyre të rajonit tonë, na bind se bakri nuk është i tejkaluar për qytetërimin dhe ekonominë bashkëkohore, përkundrazi, një metal mjaft i kërkuar. Fakti që kohët e fundit kompania minerare “TETE Albania” që shfrytëzon prej vitesh vendburimin e bakrit në Spaç është deklaruar për nisjen e punimeve të kërkim zbulimit e shfrytëzimit dhe në katër zona të tjera minerare në rajonin e Mirditës, si Perlat, Gurth 1 etj., tregon pikërisht këtë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok