06/10/2024

NJË FUNDJAVË NË VLORË

0

“Kurse shkrimtari i madh, që si rast përjashtimor, i kishin ngritur monumentin për së gjalli, preferonte të ulej te të varfrit”.

Andersen.

Skicë udhëtimi

Nga Kadri Tarelli

Zgjodhëm ditën e shtunë, 27, vjeshta e parë, 2024, si fund jave, për një udhëtim drejt Vlorës. Ishim një grup shokësh nga Durrësi: Shpendi Topllaj, Zija Beqja dhe unë Kadri Tarelli, që më në fund mundëm të realizojmë këtë udhëtim të dëshiruar prej kohësh.

Si fillim një kafe në Lushnjë, ku na priste miku ynë i ditur, Gëzim Isuf Baruti, përkthyesi i filozofit francez Montenj, “Mishel dë Montenj”, Essai (Ese), vepër voluminoze në tre volume. Volumi i III-të është në botim.

Ndalesa ishte planifikuar e shkurtër, por mikpritja dhe biseda e shtuar, na bëri ta harrojmë kohën që vrapon. Kështu na ndodh përherë, kur hyjmë në brazdat e letërsisë dhe krijimtarisë, ku vështirësitë, mundimet, gëzimet dhe zhgënjimet bëhen gërshet, me mundësinë e botimit dhe andrallave që dalin si gozhda në këpucë. E përgëzuam mikun tonë Gëzimin që po pret me padurim volumin e tretë të filozofit francez të mesjetës, Montenj, ku na ka bërë pjesë edhe ne, duke vendosur në fund të librit, dy shkrimet tona vlerësuese, të Shpendit dhe timin.

Udhëtimi drejt Vlorës nuk zgjati shumë. Për fatin tonë, nuk pati trafik të ngjeshur, siç patëm frikë, megjithëse ishte ditë e shtunë. Ora 09.30 ishim në Vlorë në lokalin “Dy Palmat”, toponim i njohur për vlonjatët, por edhe për ne që e rrahim rrallë jetën e këtij qyteti bregdetar. Vuajtëm disi për parkim, por e zgjidhëm duke pritur pak. Në lokal na prisnin miqtë tanë të vjetër: z. Fitim Haxhiraj, z. Hajro Kapaj dhe znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj (Vivra), shkrimtare dhe studiuese e njohur në letrat shqipe, anëtare e Akademisë shqiptaro-Amerikane, me seli në NewJork të SHBA, personalitet i nderuar nëpër botë, me çmime dhe vlerësime të shumta.

Biseda rrodhi e qetë, siç ndodh mes shkrimtarëve, kur futen nëpër udhët e letërsisë, ku secili tregon: ç’ka bërë, ç’po bën dhe ç’do të bëjë në të ardhmen. Prandaj takime të tilla priten me interes, për secilin nga ne, edhe kur ka kundërshti mendimesh, si pjesë e shëndetshme e çdo bisede mes miqsh. Natyrisht duke ndarë e këmbyer mes nesh, jo vetëm problemet e shkrimtarisë, që nuk janë të pakta, por edhe kënaqësinë e shkëmbimit të librave, si e vetmja pasuri që kanë shkrimtarët dhe krijuesit, veçanërisht krijuesit shqiptarë. Vivra na dhuroi librin e saj më të fundit, “ I shtrenjtë çmimi për jetën”, Novela dhe tregime të zgjedhura. Libër ky që ka tërhequr vëmendjen e Prof Eshref Ymeri, i cili i ka bërë një analizë të bukur dhe plot vlerësim letrar dhe veçanërisht për kumtin shoqëror, moral dhe atdhetar.

Pas gati dy orë bisede, si me dhunë u detyruam të ngrihemi, për t’u nisur drejt Zvërnecit, pikë turistike e njohur dhe mjaft e vizituar, ku unë dhe Zijai shkonim për herë të parë, pavarësisht nga dëshira e jonë e kahershme. Rruga ishte e bukur, gjarpëronte mes pyllit të pishave, që fatmirësisht nuk ishte dëmtuar, siç ka ndodhur nëpër rajone të tjera të vendit. Një kënaqësi më shumë në këtë udhëtim mbresëlënës.

Një vizitë në Manastir, një vlerë e shtuar në këtë udhëtim të shumë pritur, ku vizitorët ishin të shumtë, veçanërisht të huaj. Rrugica prej dërrase, e shtrirë mbi lagunë, që lidh dy brigjet, ishte fantastike. Do mjaftonte vetëm kjo copë udhe mbi ujë, për të thënë: – Sa bukur, u kënaqëm!

Në mbyllje të kësaj vizite, duke u kthyer për te makinat, një e papritur e këndshme: Dikush po na thërriste me emër……. Ishte piktori Caush Vathi, i cili bashkë me dy piktorë të tjerë, kishte vendosur teljaon nën hijen e një ulliri dhe po pikturonte atë pamje magjike: “Manastiri dhe pylli i gjelbëruar”, mbështetur në shpinë të tij.

U përshëndetëm si qytetarë të Durrësit, duke i thënë njëri-tjetrit: Sa mirë kemi bërë që po vizitojmë dhe vizatojmë bukuritë e vendit tonë, që fatmirësisht janë të shumta. Kënaqësia dhe krenaria janë bashkë.

Një drekë mes pishave, ishte kënaqësi më vete.

U ndamë duke uruar njëri-tjetrin: jetë dhe shëndet të mirë për secilin, dhe krijimtari të bollshme, të bukur, të dobishme dhe të pëlqyeshme.

Ju mirëpresim dhe mirë u takofshim në Durrës!

Përgatiti

Kadri Tarelli

Fund, shtatori, 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok