25/12/2024

Një fortifikatë/kala mesjetare e Kosovës pararojë e pasurive minerale të Trepçës!

0
Gjyteti-i-Rashanit2

Nga Jahja Drançolli

Pranë Trepçës, në pjesën jugore të zonës së fshatit të sotëm Rashan, ruhen rrënojat e një fortifikate të quajtur “Gjytet” ose “Qytet”. “Gjyteti” i Rashanit është një fortifikim i periudhës së hershme bizantine, i ndërtuar gjatë shekujve IV-VI, rreth 5 km larg nga Mitrovica. Në dokumente si fortifikatë e Trepçës, e cila sipas dokumenteve papnore përmendet për herë të parë në vitin 1303. Ka një pozitë të favorshme gjeostrategjike dhe, me një lartësi prej 851 m, ishte pararojë e burimeve minerale të Trepçës, si dhe kontrollonte rrugën kryesore, e cila shkonte nga Municipium DD (qytet antik i Dardanisë, sot te Soçanica) për në Zveçan, Trepçë dhe Llap, si dhe rrugën tjetër Trepça-Vicianum-Novobërdë. Rrënojat e fortifikatës ndodhen në një kodër të pjerrët, nga ku pamja përreth ka qenë gjithëpërfshirëse. Nga kalaja mund të shihni pothuajse të gjithë Rrafshin e Kosovës. Në shek. XIX arkeologu britanik Arthur Evans përmend Municipium DD, si dhe një kështjellë me emrin e tregtarëve raguzanë, “Montagna dell Argento” (“Monte Argentaro”), ndërsa harta e ashtuquajtur “Tabula Peutingeriana”  e përmend me emër “Argentaria”. Bazuar në materialin e ndërtimit, kalaja i përket arkitekturës mesjetare, megjithëse objektet e luajtshme arkeologjike flasin për një vendbanim shumë-shtresor. Trashësia e murit rrethues të fortifikatës është rreth 2 m; ndërsa lartësia e mureve të ruajtura deri më sot është 2-3 m. Fortifikata është e vendosur në majë të një shkëmbi, lartësia e të cilit nga toka lëkundet nga 80-100 m. Anët veriore dhe lindore të fortifikatës kishin mbrojtje natyrore, ndërsa anët perëndimore dhe jugore mbrohen me mure. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen këtu është ekzistenca e një strukture drejtkëndëshe që supozohet të jetë një cisternë. Cisternat, si strukturë kanë depozituar sasi të mëdha uji, të cilat kanë furnizuar këtë vendbanim të madh dhe të rëndësishëm, i cili ndodhet larg rrjedhave ujore!

Burimi: Prof. dr. Jahja Drançolli  “Kosova Archaeological Heritage, in: “Encyclopedia of Global Archaeology, Claire Smith editor  (second edition, 2020, pp. 6300-6328)!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok