15/11/2024

Nikaj – Mërtur, ku çel lulja përmbi gur

0

(Një guidë në vendin e origjinës)

Nga Mark Kalaj & Davita Çoku

Duke u marrë me historikun e fshatit Kthellë-Epër dhe të familjes time Kalaj. m’u zgjua kureshtja për të mësuar më shumë për rrënjët e mia. Në vitin 2008, në librin Kthella-Epër, pata shkruar: “Gjithnjë, nëpër hullinë e gojdhënës, rreth shekullit 16, në fshat erdhi fisi i kalajve. Ata u pranuan në fshat si të barabartë, në kojrie, pa të drejtë për të hyrë në tokën nën ujë dhe pa të drejtë vathi. Kalajt, me origjinë nga Malësitë e Veriut,(Malësia e Gjakovës), ishin vendosur në fshatin Skuraj, fis me Ukhasanët. Një komandant ushtarak turk, me 12 zaptie, ishin ngarkuar për mbledhjen e taksave nëpër fshatra. Lakmia e tij për vajzën e madhe, i errësoi arsyen dhe kapërceu normat njerëzore, duke i kërkuar vajzën, por jo për nuse. Shtëpia e madhe e Kalajve, mbushur plot 9 djem të rritur, u tërbua. Si do ta kapërcenin këtë kob, ndaj vendosën të hakmerren. Pasi mbushën me kashtë e barot katin e parë të shtëpisë, u çojnë fjalë zaptijeve, të vijnë për darkë për t’i plotësuar dëshirën komandantit.Fëmijët dhe gratë i larguan nga shtëpia. Përgatitja qe e plotë dhe e studiuar mirë. Pas gostisë, ku rakia dhe vera u derdhën lumë, e ushtarët dhe komandanti kishin arritur kulmin e kënaqësisë, në kullë shpërtheu flaka. Kush arriti të largohet nga zjarri, gjeti vdekjen në pritat e ngritura. Asnjë prej të trembëdhjetëve nuk shpëtoi i gjallë… Kalajt ju drejtuan malësisë dhe zunë vend në Shullanin e Arëve Kalaj, në Kthellë-Epër. Kalajt u shpërndanë edhe në Dibër, Mat, Shkodër Kosovë etj. Me siguri, ata, nuk e kishin  menduar  se stërnipi i tyre,  pas më shumë se 400 vite do të kërkonte  rrënjët nga ka ardhë?!

Një detaj i ri për origjinën

Para disa viteve, kur po vazhdoja pushimet në plazhin e Durrësit, marr një telëfonatë. Matanë telefonit dëgjova: “Jam Mark Palnikaj, – më tha, – kam nevojë me të takua”. Profesor Marku ishte një studiues e hulumtues dhe kishte publikuar shpesh në rrjetin social, rezultatet e zbulimeve të tij, por personalisht nuk njiheshim. E lamë takimin tek një kafe në Unazën e re të Durrësit. Ai erdhi me një shok, kurse unë mora me vete vetëm librin Kthella-Epër të cilin mendova t’ia dhuroj.

-Po përgatitem për të bërë një monografi të zonës së Nikaj –Mërturit,- më tha. – Gjatë gërmimit në arkivat e Vatikanit, vura re se për një periudhë 200 vjeçare, Rreth viteve 1500-1700),  Nikaj-Mërturi kishte vetëm 24 shtëpi. Emrat ndryshonin ndër vite, por shtëpitë as nuk ishin shtuar as nuk ishin pakësuar. M’u desh të ndjek familjet që rridhnin nga kjo zonë dhe  gjeta ngulimet e tyre të reja,  në Gjakovë, Pejë, Prizren etj. Ndër ta, ndoqa Gjobardhin, i cili ishte ngulë në Skuraj. M’u desh të takoja një plak 90-vjeçar nga dera e Gjobardhëve në Skuraj i cili më tha: “Ne Gjobardhët e kemi prejardhjen nga Nikajt e Tropojës në Malësinë e Gjakovës. Jemi një fis me Kalajt e Kthellës-Epër dhe me Ukhasanët e Milotit”.

U binda se thëniet e gjyshit tim dhe hulumtimet e Profesor Mark Palnikaj, përkonin në një pikë. Origjina e fisit të Kalajve është nga Nikaj –Mërturi.

Rinjohje me Frrok Vukajn

Thonë se vetëm mali me mal nuk piqen, se njerëzit takohen një ditë. Punoja në shkollën 9- vjeçare nr.2,  në Rrëshen, nëndrejtor. Në shkollë u paraqit profesori i njohur Musa Kraja, i cili shoqërohej nga një person tjetër, të cilin nuk e njoha, por me shkathtësinë që e karakterizon, bëri  prezantimin dhe mori iniciativën për të folur.  Dukej njeri  fisnik, që në veshje, në pamje, në elegancë, por një të folur letrar me theks  karakteristik të Tropojës. Flokët e drejta, të dendura, por të thinjura, trupi i gjatë dhe i drejtë, e tregonin më të ri se mosha që kishte. Kishin kaluar rreth 45 vite, nga koha kur të dy vazhdonim shkollën e mesme pedagogjike “Sh.Juka”, jo në të njejtin vit, por emri i tij më tregonte diçka që e vuri në lëvizje memorien time.

Jam Frrok Vuka,  më mban mend,- m’u drejtua.- Kemi qenë bashkë në pedagogjike.

Me siguri ishte interesuar që më parë, për të gjetur ndonjë nga shokët e tij të pedagogjikes “Sh.Juka” Shkodër.

Mark Kalaj. – ju prezantova unë.

Të kujtoj shumë mirë, Mark, m’u drejtua dhe natyrisht kërkoi edhe mbështetjen time.

Nga ajo kohë u takuam edhe herë të tjera, shkëmbyem numrat e telefonit dhe ruajtëm lidhjen.

Shkas për një lidhje më të fortë u bë motra ime,Davita,  e cila gjatë pushimeve në kavalishencën e ushtrisë në Durrës, para dy viteve, u miqësua , si shoqe pedagogjikese të Elbasanit me Dilën, gruan e Frrokut, një pukjane, nga mësueset e dalluara të zonës së Nikajve, një grua që me qëndrimin, fjalën, sjelljen, të impononte respekt.

Indicje për një guidë në Nikaj-Mërtur.

Kisha shkëmbyer një bisedë telefonike me Frrokun.  Më tha, se kishtë dalë në vendlindje me gruan, Dilën dhe do të qëndronte deri nga vjeshta atje. Një mëngjes,  kur po kthehesha nga kafja e mëngjesit, bije zilja e telefonit dhe përsëri Frroku. Zëri i tij m’u duk më entusiazt dhe i vendosur: “Ka folë dhe Dila me Daviten dhe të mora,  pasi kam dëshirë të vini bashkë me motrën Davite,  të rrimë këndej, pasi është fresk. Kemi  kushte normale për ju dhe bëjmë ndonjë vizitë këtyre malësive. Mos e humb rastin, pasi  në shtëpi jam vetëm unë dhe gruaja, fjetjen e kemi normale, kurse për ushqim, nuk do të shpenzojmë  ndonjë gjë të madhe, ato që kemi për vete, shtëpia e zotit dhe e mikut”.

Të them të drejtën, që kur kisha dëgjuar se prejardhja jonë ishte nga Nikaj-Mërturi, isha bërë kurioz ta njoh këtë zonë, vendin e origjinës time, rrënjët e mia të hershme. Kisha qenë vetëm një herë në vitin 2014, një natë në luginën e Valbonës, por atëherë sapo kishte filluar turizmi i aventurës dhe duhej të pronotoje për fjetje disa kohë më parë, ndryshe rrezikoje të mbeteshe jashtë. Ishte një rast që duhej shfrytëzuar, pasi nuk përsëritesh më, aq më tepër se unë tashmë kam dhe moshë e cila nuk do të më lejonte ta bëja këtë guidë. I përgjigja se do ta diskutoja, por nuk i premtova, për arsyet e mija familjare. Në dilemën mes dëshirës dhe mundësisë, mora në telefon motrën Davite, caktuam datën për nisje , ditën e premte datë 6 Gusht 2021.

Në Luginën e Valbonës

U nisëm me mikrobuz të linjes, nga Tirana për Bajram Curr. në orën 8 të mëngjesit.  Pas një udhëtimi të këndshëm nga Gjakova, arritëm në qendër të Qytetit Bajram Curri në orën 14.00.  Na u shfaq para sysh, një qytet i rilindur, një qendër e rikonstruktuar, me pedonale qëndisur me gurë të bardhë të bjeshkëve, Bacë Bajrami madhështor, shtëpia e Kulturës, shkolla e mësme, qendra e komunës, fasada të pallateve të freskuara, me trotuare të rregulluara me shije, fytyra njerëzish të qeshur. Njerëz nëpër kafene, djem e vajza të gjatë e të hijshëm, tek ecnin serbes. Sapo na lindi ideja për një foto me Bacë Bajramin, shfaqet i qeshur dhe na uron mirëseardhjen Frroku.

Dreka, në një nga restorantet e qendrës, ishte e thjeshtë, por me një dashamirësi nga personeli i shërbimit dhe ushqimi me shije. Frroku kishte porositur Fredin, një djalë të ri të fisit të tij, që do të na shoqëronte me benzin e tij,  për në Luginën e Valbonës. U nisëm pa humbur kohë. Rruga ishte e asfaltuar, e mirëmbajtur dhe ndaleshim aty këtu për të bërë foto e për të shijuar bukuritë mahnitëse të kësaj lugine, që për nga bukuria nuk gjen shoqe tjetër në glob. Pothuaj, gjithë lugina kishte pësuar ndryshime gati të pakrahasuesme. Secili prej banorëve të Luginës kishin rikonstruktuar shtëpitë, i kishin përgatitur për bujtina. Pjesa e sipërme e luginës, ishte bërë një qytet i vërtetë, me bujtina për turistët, ndërtuar me shije, kryesisht me dru dhe të pisura më së miri. Lugina kishte gjallëri. Lëvizjet e makinave ishin të shumta dhe turistë të  huaj dhe vendës ishin plot. Malet e thepisura dukej sikur qëndronin mbi kokë, bora ende ishte prezente, një fllad i lehtë të përtërinte shpirtin. Trofta rritej në rezervat, resortet po merrnin dorën e fundit, U ulëm në hijen e bredhëve dhe në flladin e tyre shijuam kafenë e pasdites. Furgonët pritnin gati për guida më në veri, kurse njerëzit e shërbimit kishin nxjerrë paisjet e tyre edhe në terren të hapur. Pas fotove të aparatëve, u  kthyem në zonën për ku ishim nisur, në Nikaj –Mërtur.

Shtëpia e Frrok Kolë Vukës

Në shtëpinë e Frrokut, makina arriti rreth orës 7 të mbrëmjes. Deri ku ndahej rruga e Lekbibajve me të Mërturit rruga ishte e asfaltuar. Përpara, na doli, duke buzëqeshur, e zonja e shtëpisë, mësuese në pension,  Dila. Na uroi mirëseardhjen. Shtëpia e Frrokut, në hyrje të fshatit Shëngjergj ishte e mirëmbajtur dhe plot dritë. Vitin e kaluar kishte rikonstruktuar çatinë. Na gostitën  me të gjitha të mirat e një tryeze malësie dhe me shpirtin e pastër e me shumë ngrohtësi. Ishim të lodhur, por bisedat na e larguan gjumin deri afër mesnatës. Fjetja ishte shumë e rehatëshme dhe nata e freskët që të detyronte të përdorje batanien.

Mëngjesi i të nesërmes ishte i freskët. Hodhëm krahëve edhe ndonjë bluzë për t’u mbrojtur nga ndonjë ftomë. Dila përgatiti një ushqim karakteristik i zonës, mazë,  (një lloj qulli me miell misri dhe me gjalpë), shumë e shijshme. Nuk munguan gjalpi , mjalti, djathi i dhisë, qumështi i lopës,  kastraveci, speci i skuqur, të gjitha të krahinës, të freskëta dhe me shije.

Guida në krahinë

Shetitja e ditës nisi në rrugën automobilistike të fshatit, një rrugë e pa asfaltuar, nën freskun  e pyllit të gështenjave, arrave dhe lajthive që kishin nisur të piqeshin. Ishte rruga e zakonëshme që kishte bërë Dila çdo ditë për në shkollën e fshatit Shëngjergj.  Ndërkohë ne bisedonim me Frrokun i cili kishte shërbyer si mësues e Drejtor i shkollës së mesme në Lekbibaj për një kohë të gjatë. Ai e njihte mirë zonën, fliste me nostalgji për të, pse jo dhe me mburrje. Përballë nesh, në krahun e djathtë të lumit të Nikaj -Mërturit, vinin me radhë fshatrat e zonës së Nikajve: Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Curraj, Curraj i Epërm dhe Qeresh. Krahu i majtë i lumit, këtu ku ishim ne,  ishte krahina e Mërturit me fshatrat Shëngjergj, Btoshë, Tetaj, Raja, Palc, Salcë dhe Brisë.

Rreth tyre, ngriheshin me shpate të thikëta malet rreth 2000 m të larta si: Mali i Kakisë, Rruku, Maja e Hekurave, Maja e Korës. Curraj i epërm, rrethohet nga Maja e Boshit, Mali i Zhabores etj. E vetmja Qafa e Kolshit e lidh këtë zonë me Luginën e Valbonës. Me krenari  Frroku, thotë se asnjë pushtues nuk arriti të vendosë pushtetin në këtë zonë. Është një zonë katolike, por me mbiemra të ndërthurur,  për arsye të mbijetesës në kohën e pushtimit turk. Një zonë me zgjuarsi natyrale, me njerëz të mençur që kanë dhënë kontribut të shquar në zgjidhjen e problemeve. Zona e Nikaj Mërturit mburret me mendimtarët popullorë: Nikë Mengja, Deli Sokoli, Tunxh Myftari, (Bajrajtari i Mërturit), Kukel Ndou i Currajve të Epër, etj. Shkuam në qendër ku ishin shkolla, ambulanca dhe varret e fshatit. Vetëm banorë kishte pak.

Kjo zonë është shumë arsimdashëse me etje të madhe për dije dhe kulturë. Këtu, në fshatin Gjonpepaj, është hapur edhe shkolla e parë në krahinën e Gjakovës,  në vitin 1917, me mësues Atë Nikoll Kolën. Shkolla dikur kishte gjallëri. Në shkollën e mesme të bashkuar të Lekbibajve, para viteve 90-të kishte mbi 600 nxënës. Nga statistikat e grumbulluara del se në gjithë zonën kanë mbaruar arsimin e lartë mbi 800 vetë. Këtu kanë lindur e rritur, njerëz të përmendur, me kontribute në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe shkencës si: Beqir Ndou, pjesëmarrës në LANÇl dhe zv. Ministër i brendshëm, Filip Meshi, doktor i shkencave veterinare, Kolë Tahiri,  profesor doktor i shkencave pedagogjike, Gjin Ndrepepaj, doktor i shkencave mjekësore, Murat Geci, doktor i shkencave pedagogjike, Lush Përpali, doktor i shkencave ekonomike, Ndoc Paplekaj, doktor i shkencave albanologjike, Zef Mulaj, doktor i shkencave farmaceotike, Marash Hajati, drejtor i RTSH, Gjin Progni, drejtor i qytetit Studenti, Ndue Ukcama, gazetar e drejtor i departamentit “Bota shqiptare” e lista mund të zgjatet pafund. Frroku më dhuroi librin e tij “Rrugëtim arsimdashës i Tropojës”, një libër me vlera studimore e shkencore.

Disa probleme për turizmin

Për nga bukuritë natyrore, Zona e Nikaj-Mërturit,  nuk mbetet shumë prapa luginës së Valbonës, Shpatet e thikëta, uji i lumit, si kristali,  malet e larta, kanionet e ngushta, pyjet e dendura të  gështenjave, të shpardhes dhe të bungës, format e larmishme të relievit, bjeshka ku verojnë bagëtia, e ku çel lulja përmbi gurë,  e bëjnë këtë zonë një bukuri mahnitëse për ta vizituar.  Zona e Currajve –Epër, e Gjonpepajve  kanë një bukuri të veçantë. Këtu ndërthuret forma natyrore e relievit me punën e palodhur të njeriut, me ato pak copa tokash të mbjella me pemë e me bimë të shumta që ja shtojnë bukurinë krahinës. Ndonëse rruga përmes liqenit të Fierzës e ka gjallëruar disi lëvizjen  e njerëzve, Në Luginën e Nikaj –Mërturit,  rrugët nuk mungojnë, bile shkojnë pothuaj në çdo shtëpi, por vetëm deri në qendër të Lekbibajve  rruga është e asfaltuar, pjesa tjetër nga zona e Mërturit, rrugët janë të paasfaltuara. që mund të vizitohen vetëm me makina të larta (fuoristrada) Shtëpitë e fshatit shumë pak, kanë nisur të rikonstruktohen,  për të pritur turistë. Rruga e pashtruar që ka lidhur dy luginat Valbonën me Nikaj –Mërturin), e ka gjallëruar disi lëvizjen, por vetëm një lokal tek stanet është disponibël për turistët. Makinat private të transportit jo gjithnjë plotësojnë nevojat e turistëve të kësaj zone, prandaj  më e mira është të lëvizësh me mjete të larta personale. Gjithë ajo pasuri natyrore e lënë pas doe. Zona është shpopulluar.  Asnjë zile bagëtish, asnjë tufë nuk shihet kësaj zone. Njerëzit duket se janë në dilemë, të pavendosur, nëse do të ingranohen e do t’i ruajnë trojet e të parëve të tyre, apo do të largohen përfundimisht.  Nuk është e lehtë të investosh e të shpenzosh, kur nuk je i bindur se paratë e hedhura do të jenë efikase. Pak parcela arësh janë mbjellë, shumë pak shtëpi duket se janë të vendosura për të qëndruar besnike kësaj zone që ka  rritur breza të tërë. Shpresojmë se do të ndjehet dora e pushtetit vendorë dhe qëndrorë, për t’i dhënë gjallërinë e duhur edhe kësaj zone turistike, duke u dhënë  më shumë mbështetje për investuesit private.

I dashur Frrok Vukaj,

Të falenderoj  publikisht,  për iniciativën që more dhe për mikpritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore. Falenderoj shumë edhe bashkëshorten tënde, Dilën për shërbimin dhe të na fali mundin e lodhjen për të na krijuar kushte sa më të përshtatshme.  Po e mbyllim këtë shkrim, me shpresën se në guidën tjetër, ndryshimet do të jenë të prekshme dhe problemet që ndeshin sot njerëzit për të vizituar këto perla të natyrës shqiptare, do të zgjidhen, me një dorë më të ngrohtë të të gjitha instancave shtëtërore që merren me turizmin në Shqipëri. Shumë të fala dhe përgëzimet tona.

Mark Kalaj – Davita Çoku

Datë 10.08.2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok