21/12/2024

Ngërç hakmarrës (V)

0
Vilhelme-Vranari

-Novelë

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj- Vivra

Unë me bashkëshorten time të shtrenjtë në këtë kohë banonim në Tiranën e Re në një dhomë e një kuzhinë.

Atë fundgushti të hidhur duhet të largohesha nga katedra me një rëndesë padrejtësie në shpirt e në mendje. Mblodha sendet e mia, i futa në çantë dhe teksa zbrisja shkallët me përtesë, më doli përballë ajo “Tjetra”, shtriga shpirtzezë, e cila po ngjitej. Me cinizmin e keqdashësinë që e karakterizonte, mbajti këmbët dhe pa pikë turpi, mes një nënqeshjeje ironike, madje e lumtur, më tha:

– Agron, e shikon sa shtrenjtë paguhet mosbindja ndaj Partisë që të ka rritur dhe të ka edukuar me mësimet e saj të çmuara?! Eh, kështu ndodh me kokëfortët si ti. Koka bën, koka pëson. Po t’më dëgjoje mua, do të dilje në pension këtu në këtë katedër. Besoj se nuk ishte çudi që edhe të të ngrinin në detyrë.

U ktheva, e vështrova mirë e mirë, pasi e mata me sy nga këmbët te koka, i thashë:

-Të shohë mirë, se duket se sa e “dëshpëruar”je. Je e ngazëllyer prej lumturisë, ndaj të shkon goja vesh më vesh. Më dëgjo mirë edhe ti mua. Mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët, moj shoqja e partisë. Unë jam i zoti të ha bukë edhe në majë të malit. Nuk mund të matet dreri i malit me breshkën e ugarit, – thotë një fjalë e urtë e mendje’artit popull. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes meje dhe ca tipave si ti, që më nxorën në rrugën e madhe bashkë me ata të partisë tënde që po kërkojnë jetë nëpër spitalet e Evropës. Të gjithë kemi një fund jete…Por më vjen çudi që si ka mundësi dhe u bini ndërkëmbë armiqëve të kombit, kur për t’u mbrojtur prej tyre, keni ndërtuar disa qindra mijëra bunker? Mbaji mend këtë që po të them, se i gjalli nuk vdes kurrë. Hidhe në fund të detit dhe ai përsëri do të dalë në sipërfaqe! Kjo që bëre ti dhe grupi yt intrigant, nuk ka si quhet ndryshe, veçse është mllefi e urrejtja juaj si dhe gjëma e një mëkati të pakryer nga unë. Është rezultet i egoizmit dhe ambicjes suaj të sëmurë.

-Ti flet kështu nga marazi. Mos harro se sot mori fund loja jote si një njeri kundër partisë…Nuk ka më karrierë për ty. Harroje katedrën se ishe si mbret. Lëre pas krahëve zotësinë tënde dhe aftësitë e tua shkencore. Nuk i duhet askujt shkenca pa partinë që na udhëheq. Fal partisë vendi ynë është fanar ndriçues në botë.

-Kjo që bëtë me mua, nuk është as lojë, as luftë për të drejta njerëzore, por armiqësi, smirë e mllef, sepse ti e tillë je, e keqe dhe e pashpirt, ndaj nxinë dhe kurdis vetëm të këqija. Nga gjithë qenia jote buron vetëm ligësi dhe vrer. Ti kujton se gjithë jetën do të të dëgjohet fjala. Mos u gëzo, o i gëzuar dhe mos u hidhëro, o i hidhëruar. Bota rrotullohet si portokalli. Vjen një ditë dhe atëherë do të të shoh me sytë e mi se ç’është në gjendje të japë një pedagog pa njohuri dhe pa kulturë shencore, por me një kurs gjashtëmujor ose njëvjeçar të shkollës së partisë. Ti dhe shokët e tu, njihni vetëm gënjeshtrat e dogmave të marksizëm- leninizmit, me të cilat jeni mbrujtur verbërisht. Këtu do të jemi dhe do të shikosh me sytë e tu, se do të kem karrierë apo jo.

Ajo “Tjetra” e xhindosur nuk e donte veten dhe gjithë inat m’u drejtua:

– I thua tani që u largove, po a je aq i zoti, sa t’i thuash në një ballafaqim diku tjetër?!

– Unë s’kisha frikë nga ty dhe as nga ata të “Tjerët” si ti, kur punoja këtu dhe jo më tani. Ti për mua je “Askushi”. Asnjë njeri si ti, nuk më bën dot gjë se unë kam aq mend, sa për të mos shkelur në dërrasë të kalbur.

U largova për në shtëpi disi i lehtësuar që e zbraza inatin dhe ankthin që më merrte frymën prej vitesh të tëra.

Sa hyra në shtëpi, Rita më pyeti e shqetësuar:
-Pse u ktheve kaq shpejt, shpirt?

-Zemër, më bëj një kafe të fortë, të lutem! E di që je e lodhur së tepërmi, se tashmë je nënë e dy fëmijëve.

Papritur u dëgjua e qara e vajzës sonë të bukur Ema.

-Lere kafenë dhe shko shiko çfarë ka bukuroshja jonë.Atë kohë im bir tre vjeçarë, Albi, erdhi, m’u ul në gjunjë dhe më përqafoi me doçkat e tij të vogla dhe të buta si prej pambuku.

I vogli sikur e ndjente shqetësimin dhe dëshpërimin e të Atit dhe qante e grindej papushim. Nuk e kuptoja se çfarë kërkonte. E mora në prehër dhe po i tregoja një përallëz të vogël që atij i pëlqente.

Me praninë e atyre të treve më iku disi mërzia. Pasi më bëri kafenë Rita, u ulëm ta shijonim të dy në divan.

-I dashur, je shumë i trishtuar. Dukesh sikur të ka ardhur qumështi i nënës në flegrat e hundës. E ndiej se diçka e rëndë të ka ndodhur. Të lutem, më thuaj si është puna.

-Jo i mërzitur, por më duket vetja aq i drobitur, sikur më ka kaluar treni sipër. E dashur, më ka rënë tavani mbi kokë…de po më merr frymën.

-Më thuaj, çfarë halli ke? Çfarëdo qoftë, le ta ndajmë së bashku, që të ndihesh më i lehtësuar.

Eh, e mira ime, e kemi të shkurtër fillin e jetës dhe përsëri duan të na i shkurtojnë. Asaj që ia kshim frikën, ndodhi, zemra ime. Ajo “Tjetra” kishte dy vite që më ishte qepur si guri në trastë. Së fundmi e realizoi synimin e saj shkatërrues ndaj meje. Më transferuan në Vlorë. Tani jemi me dy fëmijë që kanë nevojë për para që të rriten. Gjithashtu edhe ti nuk ia del dot e vetme. Ke shumë nevojë për ndihmën time. Në këto kushte të familjes, papunësia është mohim jete, mungesë të ardhurash ekonomike dhe mohim lumturie.

-Çfarë ke ndërmend të bësh, Agron?

-Vetëm nuk bëj asgjë. Për të marrë një vendim të tillë kërkoj edhe mbështetjen tënde. Sa për vete, kam menduar që të mos shkoj në Vlorë. Veçse e kam të qartë, se

hakmarrja e tyre pa asnjë shkak do të vazhdojë. Ata do të më sulmojnë me çdo mjet dhe mënyrë të mundshme kudo që të jem. Kam frikë se mund të na marrin dhe shtëpinë, prandaj ti bashkë me fëmijët do të ikësh te prindërit e tu.

-Pse flet pa u mneduar mirë? Ti dashke të shkosh dhe të punosh në kombinatin e konservave, në Vlorë, apo….

-Ah, moj zemër. Kokëfortësia është dëm i kokës, e cila nuk vlen për mua se kam përgjegjësi dhe detyrime ndaj teje dhe fëmijëve.

-I dashur, para se të vendosësh, provo të kërkosh punë në profesionin tënd kudo që të jetë.

-Këtë kam menduar edhe unë Rita.

Trokita në shumë dyer, po më kot. Nuk gjeta ndonjë vend tjetër për profesionin tim dhe kërkesa ime ngeli në mesrrugë, sepse kudo ndërhynte ajo “Tjetra”. Dukej hapur se ishin betuar që nuk do të më linin ta ngrija kokën lart.

Pavarësisht se regjimi komunist ishte tepër i egër dhe vrastar, mes syresh kishte dhe njerëz pozitiv, bujar e me zemër të pastër që mundoheshin ta zbutnin deri diku padrejtësinë dhe luftën mohuese ndaj specialistëve të fushave të ndryshme. Sa intelektualë kanë shkuar dëm se nuk kishin përkrahje.Eh, nuk llogariten…

Teksa hyra në një zyrë, aty ishte një burrë, i cili e dëgjoi kërkesën time për punë. Ai mbaroi punë dhe doli para meje. Paraqita kërkesën dhe dola, kur shoh se burri që ishte brenda pak më parë, po më priste dhe më pyeti:

-Çfarë bëtë? Ju premtoi gjë zv/ministri?

-Më falni, po cili jeni Ju që më kërkoni t’ju shpalos dhe t’u besoj problemet e mia tejet personale?

-Ju kërkoj ndjesë, veç mos më keqkuptoni. E dëgjova pjesërisht  bisedën tuaj dhe mësova se ju kanë transferuar në Kombinatin e Konservave në Vlorë. Unë jam drejtor në kombinat e njëkohësisht inxhinier si dhe Ju. Ne po ndërtojmë linjën e salcës në tubeta që është shumë cilësore. Ndaj më duhet një njeri i përgatitur si Ju. Unë do të të ndihmoj edhe për shtëpinë. Dikush nga ndërmarrja që unë drejtoj, transferohet në Tiranë dhe po kërkon shtëpi. Ai shkon në shtëpinë tënde aktuale këtu, kurse gruaja juaj me të dy fëmijët vijnë në banesën e tij. Një rrugë e dy punë, more djalë.  Mendoje. Urdhëro numrin e telefonit tim dhe më jepni përgjigje pasi ta keni biseduar me bashkëshorten. Veproni si ta shihni më të arsyeshme.

Por hakmarrësit e fakultetit, si hijenat e pangopura, s’lanë gur pa lëvizur ndaj meje edhe në zyrën e fundit, ku shpresoja të merrja një përgjigje pozitive. Ajo “Tjetra”me “Të Tjerët”sa herë prishnin punën e dikujt, ndjenin kënaqësi, madje kalonin në ekstazë euforie apo në vetkënaqësi dashakeqe. Veçanërisht luftën nën rrogoz ndaj meje, ata nuk e ndalën kurrë deri sa realizonin synimet e tyre ogururzeza.

Meqë dhe në rastin e fundit ata “Të Tjerët” ndërhynë për të më prishur punë. Së fundmi e pranova propozimin për në Kombinatin e Konservave dhe fillova punë. Kjo ndërmarrje që i përkiste industrisë së lehtë ushqimore ishte ndër të parat në vendin tonë, si nga cilësia dhe sasia. Aty kryesisht punohej për eksport konservash peshku, mishi, frutash dhe perimesh. Rreth 80% të prodhimeve të saj eksportoheshin. Ndaj kërkoheshin edhe njerëz të kualifikuar për një punë specifike në këtë sektor të industrisë së lehtë. Duke vizituar repartet e ndryshme, vija re copa llamarine apo dërrase që shkonin dëm nga prerja e kutive të konservave apo rafteve të reparteve. Atëherë iu futa studimit për racionalizimin e mbeturinave që hidheshin poshtë si mbetje të panevojshme. Punoja me orar dhe pa orar.Dalëngadalë suksesi i një pune studimore dhe matematike dhe fizike të lodhshme, bashkë me një brigadë të vogël punonjësish të tjerë të kualifikuar si

zanatçinjë profesionist, ia arritëm të nxirrnim teorikisht diçka në dritë. Pas çdo suksesi, sado i vogël të ishte ,atyre mjeshtrave në pofesionin e mekanikut, elektriçistit apo marangozit, u shndrisnin sytë nga krenaria, se ishin pjesë e një projekti edhe ata, pa të cilët unë nuk bëja dot asgjë. Dëgjoja pëshpëritje lavdëruese lart e poshtë kombinatit, por nuk u vija veshin, se synimi im ishte tejet i thellë. Kur ta realizoja, atëherë kisha të drejtë të besoja se kisha arritur diçka në jetë.

Agroni është energjik, hulumtues i palodhur, me një vullnet të paparë. Është një talent i rrallë jo vetëm si ekonomist po veçanërisht në matematikën lineare. Me gjithë vëshirësitë që ka hasur, ai u dallua dhe u shqua si shkencëtar.”

Këto fjalë vlerësuese në adresë time dëgjoheshin në drejtori, në grupin inxhinierik, në sektorin e projektimit, nëpër repartet e kombinatit të konservave e deri në institucionet vendore të qytetit bregdetar.

-Agroni sot është modeli i njeriut të së ardhmes. Nuk ke ç’i thua. Është i ditur, i zoti, karakterizohet nga palodhshmëria profesionale dhe mbi të gjitha është fjalëpak e punë shumë. Ai tashmë suksesin nuk e mohon dot, se po bëhet faktor dhe udhëhiqet nga modestia e një intelektuali të mirëfilltë, – e mburrte drejtori i kombinatit atë. Madje mirënjohjen ia shprehu personalisht:

– Profesor, isha i bindur që nuk gabova me personin tuaj, qysh në takimin e parë, atje tek zv/ministri.

-Drejtor, Ju faleminderit, por…Përse duhet të mburrem për atë që kam studiuar? Jo. Suksesi është njëra anë, kurse ankthi i ngërçit hakmarrës pa arsye, ndoshta do të më ndjek e do t’më torturoj deri në vdekje. Nuk jam nga ata që kërkojnë shpaginm hakmarrës ndaj shkaktarëve të dhunës morale, vuajtjeve shpirtërore apo ekonomike. Fatin e çdo njeriu për dëmet që kanë bërë mua apo kujtdo, ia kam lënë kohës, e cila është gjykatësja më e mirë, më e drejtë dhe e pagabueshme e njerëzimit të çdo niveli social apo kulturor. Agroni e quante si detyrë që dijet shkencore nuk duhet të ngelen si ëndrrat në sirtar por duhet të vihen në jetë.

***

Njerëzit me shpirt të zi si katrani, të udhëhequr nga sadizmi dhe nga egua e sëmurë, të cilët nuk janë në gjendje t’i bëjnë mirë as vetes, u duket mrekulli, kur bëjnë pakt edhe me djallin për të shkatërruar dikë që e kanë halë në sy, sepse nuk duan asnjë tjetër më të mirë se veten.

Ata “Të Tjerët” si njerëz pa principe dhe pa moral, gjetën një fundërinë që e përdorën si mashë për të më dëmtuar mua, edhe në Kombinatin e Konservave në Vlorë. Ky veprim i ulët më cingrisi nervat, sikur unë isha objektivi i vetëm i vënë në shënjestrën e plumbit, gjë që më forcoi mendimin se ata “Të Tjerët”, kishin mungesë të theksuar tolerancë, kulture dhe profesioni.

Përherë thosha se edhe djalli që është i zi, diku do të ketë një vend të bardhë, nga ku mund të burojë sado pak mirësi. Më vonë, kur shikoja se ata “Të Tjerët”nuk më linin të mendoja, të studioja apo të aplikoja të rejat shkencore në dobi të ekonomisë kombëtare. Duke i analizuar të gjtha bëmat e tyre, arrita të kuptoj, se ata “Të Tjerët” ishin aq të pandreqshëm, sa nuk ma donin as jetën. Kurse tashmë jam plotësisht i bindur dhe nuk besoj më, se gjendet mbi sipërfaqen e tokës një shembëlltyrë si ajo “Tjetra” apo ata“Të Tjerët”. Ata nuk janë gjë tjetër veçse përbindsha aq të ndyrë e dredharakë, sa hedhin gurin dhe fshehin dorën. Komunizmi me idetë e tij marksiste -leniniste hodhi farën e çmendurisë që e shpërndau në shtet e dobët ekonomikisht dhe politikisht. Fara që mbollën e cila shtohet me shpejtësinë e dritës si bima e krisjes, derisa i helmon dhe i thanë drithërat e bukës që nga rrënja. Çuditërisht këto ide utopiste, pa asnjë dobi zhvillimi social-politik u përqafuan nga njerëzit e paditur, që i marrin gjërat shabllon ashtu siç ua servirin, pa analizuar se ç’të mira do t’i sjellin kombit këto dogma që dhurojnë shterpësi mendore, varfëri materiale dhe shkatërrimin e shoqërisë. Kjo ndodh nga që njerëzit e varfër ekonomikisht dhe mendërisht apo popujt e përulur, nuk shohin tej hundës së tyre, se janë dritëshkurtër, pa horizont dhe nuk janë largpamës.

Një degëzim të tillë krisjeje kanceroze e gjetën edhe në kombinatin e konservave, por nuk u mori luga ujë, pasi unë pikërisht aty dola mbi veten, e cila më shërbeu si armë kundër atyre që më ishin qepur këmba këmbës.

Njohuritë e fituara në mënyrë sistematike në auditoret e universitetit si në Pragë edhe në Tiranë, ishin të pamjaftueshme, ndaj vazhdova studimet, kërkimet dhe mes përkthimit shfrytëzova realizimet e mia shkencore bashkëkohore, kryesisht nga rusishtja, pa mohuar të rejat shkencore nga gjuha anglisht dhe italisht. Paralel me aplikimet e reja në matematikën lineare jashtë vendit si, në Amerikë dhe Oksford, unë guxova dhe me kurajo e vullnet, isha i pari në vendin tonë që ndërmora studimin për aplikimin e metodave matematikore të prerjes së mbeturinave metalike sipas programimit linear. Ky hap i guximshëm imi në fushën e studimeve shkencore për shfrytëzimin e mbeturinave në indiustrinë e lehtë dhe ushqimore, ishte sukses për mua, por mbi të gjitha sillte përfitime të mëdha ekonomike për vendin, duke i dhënë miliona e miliona të ardhura buxhetit shtetëror.

Për arritjet e suksesshme shkencore të vitit 1968, pasi u aprovua nga institucionet qeveritare dhe ato shkencore akademike, mua më emëruan si ekspert në Ministrinë e Financave, e cila ishte qendra studimore e ekonomisë dhe financës për mbarë vendin. Atje punova si specialist i ministrisë deri në vitin 1970. Praktika e prerjeve si metodë racionale sipas programit të matematikës lineare, të studiuar dhe aplikuar nga unë, u përdor në shkallë vendi. Fillimisht unë aplikova në prerejn e kutive të konservave në Kombinatin e Konservave “E. Telman”në Vlorë. Më pas u aplikua në Gjirokastër, Shkodër dhe në gjithë ndërmarrjet shtetërore. Kjo metodë u vu në përdorim edhe në fermat bujqësore, në kombinatin e drurit, në atë të tekstileve dhe kudo ku dilnin mbeturina.

Në vitet 1970-1975, më emëruan pedagog në Katedrën e Financimit të Ekonomisë në Fakultetin  Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Atë kohë, kur filloi lufta dhe dënimet ekstreme brenda gjirit të partisë, mua më degdisën në një fshat të thellë të Përmetit. Për mua dhe familjen time ky dëbim i befasishëm, pa asnjë diskutim ishte internim. Kisha të drejtë vetëm një herë në muaj të takoja të shtrenjtët e familjes sime. Nga fundi i vitit 1975 me kërkesë të profesorëve që dinin të vlerësonin njerëzit e dijeve shkencore dhe të punës mendore, fillova të jap kontributin tim shkencor në Institutin e Studimeve Ekonomike, pranë Akademisë së Shkencave, ku punova deri në vitin 1979. I vlerësuar dhe nën kujdesin profesional të kolegëve të sektorit akademik, profesorëve liberalë, human dhe të kulturuar të universitetit,si, “P.Xh” dhe “I.G”, më dërguan për specializim të mëtejshëm në Rumani, që ishte një shtet me institucione shkencore të konsoliduara shumë më herët se të vendosej diktatura komuniste në vend.

Lufta e grupit të katedrës së Inxhinierisë ndaj meje nga njëra anë dhe sukseset e mia në rritje, nga ana tjetër, ranë në sy dhe shkuan deri në veshin e titullarëve të organeve të larta të shtetit. Ishte diçka e pazakontë, gjithsesi qeveritarët nuk i morën parasysh, se aktualisht ma kishin nevojën. Kjo ngasje, e cila duhej shmangur por s’varej nga unë, ndaj një ndër ditët u bë fakt i kryer për mua. Kur pqapritur kryeministri “Sh” në një takim në Ministrinë e Financës, m’u drejtua:“Dëgjo more djalë, ti je shume i zoti, por ruaju mos të të hanë burokratët e Ministrisë së Financës“. Fal atyre studimeve dhe vlerave që i solli puna ime shkencore, sepse i pari që do të më kishte shqyer ishte vet kryeministri, siç kishte ndodhur edhe me shumë intelektualë të tjerë të specializuar, të cilët ose i kishin burgosur apo i kishin internuar. Pasi ua kishin vjelë të mirat materiale dhe vlerat profesionale, i kishin zhdukur pa nam e pa nishan nga faqja e dheut. Këtë gjë e provova në shpinën time.

***

Vazhdon…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok