24/09/2024

Ngërç hakmarrës (II)

0

-Novelë

Pjesa – 2-

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Herë pas here në kujtimet e mia më shfaqet mosha e pafajshme e fëmijërisë, ajo etapë dëlirësie engjëllore e jetës me një pastërti qiellore, e cila është e papërlyer nga ligësitë, si dhe e pashlyeshme nga kasaforta hermetike e kujtesës. Është thjeshtë memorja e ruajtur në trurin tim ende të pazhvilluar, madje pa asnjë shtojcë. Është për t’u çuditur se disa prej atyre kujtimeve më shfaqen shumë më të qarta, tejet të freskëta, ndoshta janë ato që kanë lënë më shumë vragë në trurin tim prej fëmije. Zakonisht kujtimet ruhen edhe nga bisedat, rrëfimet në netët e dimrit pranë oxhakut, nën ngrohtësinë e zjarrit bubulak dhe nën ndikimin e dritë hijve që krijohen nga gjuhët e flakës në vatrën familjare. Është ajo vatër që na mbledh rreth zjarrit duke na dhuruar dashuri dhe mirëkuptim për njëri -tjetrin. Nën afshin e ngrohtë të vatrës familjare, na zë gjumi me ëndrra shumë. Nuk di pse ishin aq të ëmbla bisedat rreth oxhakut, të rehatuar në minderet e ngrohta me flokate të punuara në vegj nga duarartat e artizaneve, nga gjyshet dhe nënat tona. Të moshuarit, mes rrëfimeve të ëmbla apo të hidhura të së shkuarës, rrufitnin kafenë me gllënjka të vogla, duke shpërndarë në dhomën e zjarrit aromën e kafesë së freskët të pjekur dhe të bluar taze. Gjyshes sime i pëlqente më tepër kafja e bluar në gurë, e shtypur me havan druri, sepse mbante më tepër aromë se sa e bluar në mullirin e kafesë. Ne të vegjëlit hapnim sytë dhe veshët për të dëgjuar më mirë.  Ndërkohë kënaqeshim duke shijuar nga një gotë qumësht, apo pekmez mani, rrushi, pse jo dhe prej manaferrash. Gëzimi më i madh për ne ishte, kur gjyshja ime gojëmbël, nxirrte shegë, ftonjë, fiq të thatë, bukëfiqe, dardha dimërore, kumbulla të thara, gorrica, arra, bajame, lajthi dhe mjaltë blete në hoje që i ruante në hambar, në tavanin me dërrasa apo në dollapët e murit që kishte në çdo dhomë. Çuditërisht bisedat e tyre,  rrihnin mendime mbi jetën dhe vështitrësitë e saj, i dëgjonim duke rrëmbyer çdo fjalë që dilte nga goja e secilit. Diskutimet bëheshin më interesante dhe më të zjarrta, kur niste debati mes të rriturve për problemet e kombit. Babai im i mirë shprehte dëshirën e tij të ethëshme për arsimimin e ne fëmijëve. Kërkonte t’i rrëmbente kohës më të mirat e saj në dobi të edukimit tonë.Vija re tim Atë që ishte pesimist dhe shpesh thoshte:“Po jetojmë kohë të vështira dhe duket se presim të vijnë kohë akoma më të vështira. Ndaj nuk dua që fëmijët e mi të rropaten në bujqësi. Duhet të kryejnë arsimin e lartë dhe të kenë një profesion, me të cilin të sigurojnë një jetë normale, pa mungesa të ardhurash për familjet e tyre…”

Gjithë bisedat, porositë dhe këshillat e prindërve, i kam në tru sikur të jenë të ruajtura në një arkiv sekret memorjeje apo në një kompjuter. Veçanërisht këshillat e babait, atij burri të paepur, i cili krenohej për vlerësimin si pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, më 1920. Ata trima nuk i thirri askush, por i ftoi toka e mëmëdhut e larë në gjak ndër shekuj. Ata lanë vatrat e tyre, punët e përditshme dhe iu përgjigjën pushtuesit me çfarëdo mjeti. Lufta e Vlorës ishte një luftë e drejtë e një pakice ndaj një perandorie dyzetmilionshe.  Im Atë ishte i rrahur me vaj e  me uthull, ndaj gjithmonë i vinte pikat mbi ‘I’.

Kujtimet e ruajtura në kasafortën e fshehtë të trurit  qysh nga mosha njomzake e fëmijërisë, më çojnë në disa iluzione të mjegullta, por që duken sikur kanë ndodhur dje. Këto përvoja të hershme mbeten të gjalla dhe të pashyeshme në kujtesën time. Ato në çdo kohë hedhin dritë mbi misteret që lindin në trurin e çdo fëmije dhe fshihen pas çdo rifreskimi të kujtesës. Tani në moshë të thyer kam kuptuar se kujtimet e fëmijërsë janë pjesë e rëndësishme e identitetit të secilit që së bashku formojnë identitetin kombëtar. Gjithë sa mbaj mend ma shton mallin për vendlindjen, kryezonjën time të bukur, përherë e gjelbëruar, e rrethuar nga malet e thinjur, kurse gjymtyrët i shtrin në ujërat e rrëmbyeshme të lumit Shushicë që zbret gjithë këngë e ligjërime. Burimet e këtij lumi zbresin nga zonat e thella të Labërisë, por zanafillën e kanë në Buronjat e Kuçit duke formuar pragje, katarakte dhe ujëvara mahnitëse. Kurse në të dy brigjet e tij, krijohet lugina e lumit të Vlorës, me një gjelbërim të përhershëm. Duket sikur lugina e tij bashkë me ujërat e kristalta, vjen e prehet aty ku jetonin Kaonët e lashtë që kishin ngritur qytetërimin antik. Nërsa unë i malluari për ato troje,  bashkë me Shushicën jemi ulur këmbëkryq në trevën antike dhe kujtojmë me nostalgji atë kohë me bëmat e saj ndër shekuj që janë të pakthyeshme. Gjurmët e shekujve  IV-III para Kr. janë artefakte historike që flasin me gjuhën e së vërtetës, si, sa e sa qyteza antike, sa ura dhe mure kështjellash para historike. Ura e lashtë, së cilës i ka ngelur vetëm skeleti dhe këmbët është ndërtuar në shekullin XVI. Me vlera të rralla si mozaikët e zonës, parqet arkeologjike, mbishkrime, shpellat mahnitëse, ku gjenden gjurmë jete të kohës së gurit. Treva e Shqipërisë Juglindore me vendbanime të hershme të kapura dorë për dore, flet bukur e qartë për etapat historike që i rrëfen kohës së re të vërtetat për autoktoninë pellazgo-ilire në trojet e vendlindjes sime. Sa herë sjellë ndërmend kujtimet e fëmijërisë, më kaplon një mall i patreguar për çdo pëllëmbë toke, për çdo gur e mur. Dua të kthehem pas në vite dhe të çaploj në sokakët me kalldrëm të qytezës sime të lashtë. Më merr malli të rrokullisem në barin e gjelbër nga maja e kodrës dhe të përfundoj në brigjet e lumit Shushicë që shushërin butë dhe ëmbël, kur ujërat e tij derdhen në  Vjosë. Kur dikush apo tekat e natyrës e egërsojnë, ai lumë dëshmi e historisë së zonës, i përgjigjet me tërsëllim, duke marrë me vete dhe pllaka apo gurë me mbishkrime prehistorike që dikur gjendesin në ato brigje të virgjëra. Erozionet dhe ujërat e rrëmbyeshme të përrenjve zhdukën artefaktet me vlera të jashtëzakonshme.  Shumë nga këto vlera arkeologjike u dëmtuan nga hapja e tokave bujqësore. Gjithsesi ato që ekzistojnë, vazhdojnë të ligjërojnë shqipen e lashtë, gjuhën e filllimit të gjuhëve evropiane, atë Pellazgo -ilire, si dëshmi e njerës prej gjuhëve më të lashta. Gjuha pellazge-ilirishte, paraardhësja e gjuhës arbërore dhe shqipes së sotme u ka mbijetuar pushtimeve të gjata të shekujve dhe elminimit nga pushtuesit e huaj.  Ajo vazhdon të mbijetojë për të deshifruar apo shqipëruar gjuhët e vdekura.

Me gjithë zhdukjen e shumë zbulimeve arkeologjike, edhe pse identiteti i vendlindjes sime është transformuar, më pëlqen të shkoj dhe të ulem nën hijen e trungjeve  të rrepeve shekullorë. Pa kuptuar ndër sy më shfaqet fusha e pamatë që krahështrirë në kodrat përreth, kurse këmbët i freskon në ujin e Shushicës. Me sytë e mendjes shoh kohën e shkuar. Teksa gjendem aty i shtrirë dhe pres me padurim të më vijnë në vesh zërat e dashur dhe kumbues të atyre burrave të mbledhur në kuvende për fatet e kombit, të cilët kishin vetëm një fjalë: “Liria për secilin nga ne, është e shenjtë!”

Oh, vendlindja dhe fëmijëria ime janë të bekuara nga Zoti dhe të papërsëritshme, janë identiteti im kaon, për të cilin jam krenar. Ajo të ofron një bukuri përrallore të pakrahasueshme, me natyrën e butë apo të ashpër, që përshkohet nga ujërat gurgulluese që zbresin nga malet e thinjur nga bora. Duket sikur këto male me shpate të thepisura, plot shkrepa e gurra magjike, çdo pëllëmbë toke të fshatit tim manhnitës, të cilën e përkëdhel dhe e puth ëmbël dielli, më bënte me krahë të fluturoja drejt shkollës sime të dashur çdo mëngjes.

Pasi kreva shkollën fillore në fshatin e lindjes, bashkë me moshatarët e mi shkonim larg në një fshat tjetër të zonës që kishte shkollë tetëvjeçare. Në atë godinë vinin fëmijët e tre-katër fshatrave të zonës. Ishte dëshira e ethshme për dije dhe kulturë që nuk na trembte, nuk na stepte, por kam parasysh veten që vrapoja nëpër shi dhe dëborë si një drer kërthi që i ruhet stuhisë vetëm e vetëm për të thithur qumështin e ëmbël të mëmës, që për mua është gjuha jonë e bukur. Vetëm ngrohtësia dhe ëmbëlsia e gjirit të nënës, e rrit foshnjën me dashurinë për dheun e të parëve. Ndaj kam mall për gjithçka që më dhuronte vendlindja, jo vetëm pranverën, verën dhe vjeshtën, po dhe dimrin e egër e të stuhishëm që përfshinë anët tona. Më pëlqente, kur kthehesha në shtëpi si kokosh i lagur, kurse nëna ime e mirë, fillimisht më bërtiste pak, ngaqë kishte frikë se mos ftohesha. Pastaj më ndërronte dhe më ulte pranë vatrës, ku më ngrohej shpirti im i mardhur. Pasi mora dëftesën e lirimit të klasës së VII, me rezultate shumë të mira, një ditë të fundgushtit të gjysmës së dytë të viteve ‘1950, u nisa me babanë për në qytet. Nuk harroj dot lotët e nënës sime. Më pikon në zemër kur e kujtoj atje në fund të oborrit, te porta, mbëshetur në harkun e saj, me dorën në faqe dhe dëneste pa zë.

Kurrë nuk më shqitet nga mendja gjesti i dhembshëm i saj atë ditë, kur përshëndeste me dorë dhe më tundte shaminë e lagur nga lotët. Sa herë që e kujtoj këtë skenë përlotem për mungesën e dhemshurisë së nënës. Ishte diçka e ngjashme, një dhembje e natyrshme si atëherë kur isha fëmijë dhe rrëzohesha. E nga një puthje e ëmbël e nënës, më qetoheshin plagët e shpirtit tim të brishtë. Nuk ka si nëna në botë. Ajo është një dhe vetëm një, e cila gjithë botën e fal vetëm t’i ketë fëmijët pranë.

U larguam me një skodë që vinte nga Memaliaj, duke lënë pas nënën në dëshpërim të thellë dhe ne të dy me kokë prapa.

Së fundmi mbërritëm në qytet.

***

U regjistrova në gjimnazin “Ali Demi”që ishte më i vjetri në qytet. Godina, ku nisa shkollën e mesme ishte një barakë e gjatë italiane, dykatshe e kohës së luftës, natyrisht e shekullit aktual. Nuk e di me saktësi moshën e ndërtimit të saj se cilës kohë i përkiste, luftës së parë apo të dytë botërore.

Drejtori i shkollës pasi më regjistroi, i dha babait një vërtetim që të regjistrohesha në konvikt. Mësimi fillonte pas dy ditësh. U sistemova në konvikt, më caktuan dhomën, zgjodha shtratin dhe lashë valixhen me rroba. Dola me babanë një shëtitje deri në Sheshin e Flamurit. Hëngrëm drekë në restaurantin e hotel “Sazanit”. Atje gatuhej më mirë. Veçse unë isha mësuar me gatimin e nënës sime që i kishte lezet dora dhe po e shtyja me pirun uhqimin si pa dëshirë për të ngrënë. Im Atë më përfshiu me një shikim vledhurazi me bisht të syrit dhe papritur më tha:

-Agron, biri im, këtu nuk ke as nënën dhe as babanë. Djali im i mirë, këtu nuk ke ardhur as në kamp pushimi dhe as në dajo, ku, “ ha Muço dhe pi Muço”. Vetëm në shtëpi tënde dhe te dajot, je si veshka në mes të dhjamit. Askund veç në këto dy shtëpi thua: “Rënça dhe mos u vrafsha”. Kurse këtu gatuhet në kazan për të gjithë konviktorët, njëlloj si në ushtri. Biri im, ke ardhur për të mësuar dhe jo për të kërkuar oreksin. Mësohu të hash gjithçka siç hanë gjithë të tjerët. Do ndjekësh rregullat që të dikton rregullorja e konviktit dhe e shkollës. Çdo mëngjes do ta bësh zgjimin në orën gjashtë. Duhet se s’bën të merresh me fizkulturë dhe vrap së paku gjysmë ore. Kthehu në konvikt lahu, vishu, ha mëngjes në mensë dhe nisu për në shkollë. Nuk dua të merresh me llafe, mos frekuento klubet apo lojërat e fatit. Detyra jote është vetëm studimi. Kur të vijë në shkollë apo në konvikt nuk dua të dëgjojë asnjë ankesë. Nëse e shpërdoron kohën me pingpong apo me baste dhe kinema, do të të marrë prej leckash si skifteri që rrëmben pulën që ka dalë e vetme nga koteci dhe do të çojë në fshat që të bëhesh çoban i bagëtive. Kjo është fjala ime e fundit. Ti më njeh mirë. Babai yt nuk e bën fjalën dy, biri im. Mirëmbetsh, bir dhe fillo shkollën me mendje në kokë! Mos e harro kurrë se unë dhe nëna kemi besim tek ty.

Kur u largua babai, e ndjeva veten si peshku pa ujë. E ndieja shumë vetminë. Më dukej sikur kisha humbur në një humbëtirë të pamatë dhe unë fillikat kërkoja mbështetje diku.

Pas regjistrimit si në shkollë dhe në konvikt, kisha kohë të njihesha me qytetin e Flamurit, ku Ismail bej Vlora, ngriti flamurin dhe shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Isha djalë i ri dhe nuk e njihja fare politikën e Fuqive të Mëdha apo historinë reale përsa i përket shpalljes së pavarësisë. Më duheshin vite studimi dhe përvoje për të njohur gjëmat e shteteve që hiqeshin si miq, por realisht me traktatet e tyre famëkeqe,  na kishin futur thikën pas shpine.

Ato dy ditë që më kishin ngelur të lira, në shëtitjet nëpër qytet për herë të parë u përballa me detin e pamatë. Qëndrimi në bregdet më mbushi me frymë ashtu siç  thithja oksigjenin e pastër të vendlindjes sime, rrethuar  mes malesh. Për herë të parë ndjeva aromën e jodit dhe fluturimin e qetë e të bukur të pulëbardhave gati mbi sipërfaqen e ujit të detit. Ajo që më mahniti ishte perëndimi i jashtëzakonshëm i diellit, në horizontin e largët të brigjeve italiane. Agimet dhe perëndimet në këtë qytet bregdetar, ishin tejet të rralla, të magjishme dhe të pangjashme me njëri-tjetrin. Ndaj që ta shijoja këtë panoramë magjepsëse të qytetit tim, vrapin dhe disa ushtrime çdo ditë vendosa t’i bëj në bregdet. Shumë shpejt u mësova dhe u dashurova me Vlorën që e lagin dy dete. Adriatiku i kaltër që banorëve u fal qartësinë e kthjelltësinë, kurse Joni blu, u dhuron me tepërì bujarinë.

***

Transferimi në Vlorë, ishte diçka e re për mua. Më duhej durim të çmësohesha me jetën e kufizuar dhe monotone të fshatit. Ishte e domosdoshme të përshtatesha me një ritëm të ri jete në një qytet me popullatë më të madhe, i cili ishte përherë në lëvizje dhe me një stil tjetër jetik. Programi i ngjeshur dhe kërkesat e mëdha në përvetësimin e shkencave të ndryshme në shkollën e mesme bënë të mundur që të ambientohem shpejt. Sipas vështirësive të lëndëve, mirëorganizoja kohën e studimit. Kurrë nuk pretendoja të isha më i miri. Puna sistematike dhe vetë koha të jep vendin e merituar. Veç detyrave dhe praktikave mësimore të detyruara, kisha filluar qysh në fshat të mësoja në mënyrë të pavarur gjuhët e huaja, anglisht dhe italisht. Ato vite ishte e detyruar gjuha ruse, madje e kishin futur në programet shkollore.

Për të thyer sadopak monotoninë, shkollë- konvikt, herë pas here me shokët organizonim ndeshje futbolli, volejbolli ose luanim basketboll tek këndi sportiv përballë shkollës sonë. Sipas mundësive financiare shkonim në kinema. Kishim një shoqëri të mirë që e kujtoj me nostalgji. Kur ishte moti i ngrohtë laheshim edhe në det. Gjithmonë isha mjaft i kujdesshëm e nuk harrohesha pas lojës. Nuk qëndroja më shumë se një orë i shkëputur nga studimi. Sa herë që largohesha, shokët më flisnin me shpoti nga pas, po pa të keq më thërrisnin “profesor”.

-Ej,“Profesor”u largove ti? Kujdes se mos gjatë lojës të ka humbur ndonjë formulë apo ndonjë ekuacion me dy a më shumë të panjohira. Fjalëve të tyre thumbuese, u përgjigjesha veç me një buzëqeshje dashamirëse.
Një ditë erdhi babai në qytet.

Më parë u takua me mua dhe më pyeti:

-Agron, si i ke punët me shkollën, me shoqërinë? Më thuaj se çfarë të mungon, biri im.

-Mirë baba, si me shkollën dhe me shoqërinë… Nuk më mungon asgjë. Pastaj po të studiosh sistematikisht nuk krijon boshllëqe njohurish dhe puna ecën mbarë. Kur kam nevojë, kërkoj ndihmën e mësuesëve, të cilët, jo vetëm nuk janë kursyer, por as nuk ma kanë mohuar asnjëherë. Gjithsesi, mësuesit janë ata që thonë fjalën e fundit.

Baba, ajo që më mundon, është se ndiej thellësisht mungesën tuaj. Më djeg malli për ju të gjithë. Mbi të gjitha më mungon fjala e ëmbël, dashuria dhe ngrohtësia e dorës së nënës.

Pas takimit me drejtorin e shkollës, dhe mësuesit e të gjitha lëndëve, babai më përgëzoi për mbarëvajtjen në të gjitha disiplinat shkollore. Më pas, im Atë, u takua edhe me drejtorin dhe kujdestarin e konviktit, ku, edhe aty mori përgjigje të kënaqshme. Madje drejtori i ishte shprehur babait:
-Agronin në çdo kohë e shikon me libra në duar. Kur bëhet zhurmë në mensë, sepse nxënësit studiojnë aty, ai merr librat dhe ulet nën hijen e akacieve, apo pak më tej nën portokalle. Atje do ta  gjesh duke shfletuar fjalorë të gjuhëve  anglisht dhe italisht apo duke mbajtur shënime. Është tip studiues. Nuk bëj gabim nëse djalin tuaj e quaj “Gjeni”. Po ta lënë të lirë dhe t’i krijojnë mundësitë, djali juaj, Agroni, jam i bindur që do të bëhet “Dikushi”, të cilin më vonë do ta nderojnë, duke hequr kapelen në shenjë nderimi dhe respekti.
-Drejtor, ju faleminderit për opinionin që keni krijuar për Agronin! Veçse,  Ju lutem, mos ia hapni syrin shumë. Dëshiroj që im bir të jetë ai djali i thjeshtë që t’ia di vlerën jetës. Vetëm kështu mund të bëhet i zoti dhe të jetë vetvetja.

Babai pasi mbaroi takimet e duhura dhe punët e tij në qytet, më inkurajoi me fjalët:

– Po vazhdove kështu Agron, jam i bindur se do të shkosh me studime jashtë shtetit. I ke të gjitha mundësitë për më të mirën.

Më merrte malli për nënën, motrën, vëllanë dhe gjithë të afërmit. Kisha mall për shokët me të cilët isha rritur. Mund të shkoja ndonjëherë në shtëpi, por nuk doja të humbisja studimin. Në fshat shkoja vetëm në pushimet simestrale. Ditët, javët, muajt dhe vitet kalonin pa e kuptuar. Si në shkollë dhe në konvikt kishim një shoqëri të sinqertë, të çiltër dhe me shpirt të pasur, gjë që më bënte të mos e ndieja mungesën dhe mallin e atyre që më mungonin.

Në verë pasi mbarova vitin e parë të gjimnazit në qytet dhe shkova për pushime në familje, në fshatin tim malor që ishte disi larg nga qyteti ku vazhdoja shkollën e mesme. Gjatë qëndrimit në familje ndihmoja babanë apo nënën në punët e ndyshme. E adhuroja tim’Atë se ishte burrë i matur, punëtor dhe pa fjalë. Si veteran i luftës merrte pjesë kur mblidhej këshilli i pleqësisë së fshatit, pa mbajtur anësi as për njërin dhe as për tjetrin. Banorët sipas tij, qofshin njerëzit e partisë apo ish të pasur, kishin të drejta për të jetuar si gjithë të tjerët. Atë kohë radiot buçisnin për  kooperativën e parë në vend, atë të Krutjes dhe më pas u kolektivizua dhe fshati Risili, pak kilometra nga Vlora. Gazetat propagandonin fushatën për kolektivizimin e bujqësisë duke marrë si shembull Krutjen dhe Risilin, në të cilat kolektivizimi u kishte sjellë frutet e para të zhvillimit ekonomik, të bujqërve në tufë si bagëtia. Vendi ynë duhet të ecte në gjurmët e kolkozeve dhe sofkozeve sovjetike. Ata njerëzit pa tru, të cilëve u mungonte logjika dhe arsyeja ngrinin dorën për të bashkuar ekonominë e tyre private të vogël, pa e ditur se çfarë e ardhme i priste. Propaganda për kolekivizimin, e kishte dëshpëruar babanë dhe shumë pronarë të tjerë, të vegjël apo me më shumë pronë.

Një ditë, gjatë atyre pushimeve, po hanim drekë, babai më thotë: “More bir, këta komunistët qenkan të bijtë e djallit. Duan të na marrin pronat, tokën dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit. Agron, mëso bir dhe mos u kthe më këtu që të bësh argatin. Nuk di si do t’na vejë halli, biri im. Si në Myzeqe, edhe këtu ka filluar fushata për kolektivizimin e bujqësisë. Fshatarin e vret dhe e bën që të vdes para kohe po i more tokën, pa të cilën i duket vetja i humbur, si njeri pa atdhe.” -Ishte një thënie e dhembshme e tim Etit që i dilte si helm nga shpirti i tij i drithëruar. Aty kuptova se babai im ishte i lidhur me pronën si mishi me kockën. Helmi i shpronësimeve i kishte shkuar në zemër dhe në palcë. Rrinte i ngrysur në verandën para shtëpisë, duke fikur dhe ndezur cigaret njërin pas tjetrit dhe ashtu papritur i thirri nënës:

-Grua, na bëj një kafe, se më vonë nuk i dihet nëse do të gjejmë ndonjë pako kafe apo jo. Mos e zijej ujin. Hidhi bashkë ujin me kafen në të njëjtën kohë, se bëhet për merak. Kafja e fortë të mbledh shpirtin e hapërdarë ve të copëzuar nga hallet dhe dertet që na kanë zënë. Çuditërisht nuk paskan të mbaruar.

– Baba i shtrenjtë, kam dëgjuar se komunizmi është një gjellë e paprovuar më parë, të cilën na e kanë servirur pa na pyetur, ndoshta dhe kundër dëshirës së banorëve, por që ne do ta ham me detyrim të gjithë, duam apo s’duam.

– Bir, kjo politikë është si puna e një njeriu të trashë që nuk ka tru, si Muço teleshmani, i cili mbante pasaportën e gruas si garanci martese, kur ajo e kishte braktisur atë me kohë. Kurse ai duke tundur pashaportën, këndonte:“Doni ju apo s’doni, kështu thotë Lala Gjoni; hani, pini dhe këndoni!”

-Edhe ne kështu do të veprojmë, o Atë.

– Si të shohësh do hedhësh valleno, moj nusezo. Edhe ne bashkë me të tjerët kështu do ta provojmë gjellën e komunizmit, shpirt i babait.

***

Vazhdon

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok