NGA PLAGËT E KOSOVËS TE MESAZHI UNIVERSAL I PAQES

0
SADIKYMERI

SADIKYMERI

Në Katedralen “Nënë Tereza”, romani i Ramiz Selimit u bë objekt i një analize të gjerë letrare nga studiues të Kosovës dhe Shqipërisë. Veprimtaria u shoqërua me interpretime muzikore, deklamime letrare dhe një vlerësim ndërkombëtar për autorin, i cili u nderua me certifikatën “Ambasador i Paqes dhe i të Drejtave të Njeriut”.

Nga Dafina Selimi

PRISHTINË, Tetor 2026 – Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë u shndërrua në një hapësirë të rëndësishme të dialogut kulturor dhe letrar, ku u prezantua romani “Hijet e Shpresës” i shkrimtarit Ramiz Selimi. Veprimtaria mblodhi një numër të madh intelektualësh, akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh, poetësh dhe përfaqësuesish të jetës kulturore nga Kosova dhe Shqipëria, duke krijuar një atmosferë të veçantë vlerësimi për një vepër që trajton kujtesën historike, dhimbjen e emigrimit, paragjykimin dhe qëndresën e njeriut përballë padrejtësisë.

Takimi letrar u përcoll edhe nga mediat televizive TVSH dhe DTV, të cilat pasqyruan një ngjarje që kapërceu kufijtë e një promovimi të zakonshëm libri, duke u shndërruar në një diskutim të gjerë mbi letërsinë, historinë dhe vlerat universale njerëzore.

Veprimtarinë e moderoi Dr. Safet Gerxhaliu, i cili udhëhoqi programin dhe prezantoi referuesit e pjesëmarrësit. Për biografinë dhe rrugëtimin krijues të autorit folën ikonografi Drini Difo dhe akademikja Enkleida Fejzo, duke sjellë para të pranishmëve aspekte të jetës dhe formimit të Ramiz Selimit, si dhe lidhjen e përvojës së tij jetësore me botën letrare të romanit.

Kristaq Shabani: Një vepër që e ngre përvojën historike në art

Referencën kryesore analitike për romanin e mbajti Prof. Dr. Kristaq F. Shabani, poet, shkrimtar, studiues dhe estet, akademik i IWA-së dhe president i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania.

Në analizën e tij, ai e trajtoi “Hijet e Shpresës” si pjesë të një projekti më të gjerë krijues të Ramiz Selimit, në të cilin bëjnë pjesë edhe romanet “Rrënjët e Kujtesës”, “Dëshirë e djegur” dhe “Shpirti i plagosur”. Në këtë cikël, protagonisti Dardan Iliri bëhet figura përmes së cilës përvijohet fati i një brezi të përballur me dhunën politike, humbjen e sigurisë, emigrimin dhe përpjekjen për të rindërtuar jetën në rrethana të vështira.

Prof. Shabani u ndal te domethënia e titullit, ku “hijet” përfaqësojnë dhunën, frikën, traumën dhe humbjet e së kaluarës, ndërsa “shpresa” shfaqet si forca që e mban njeriun në këmbë edhe atëherë kur gjithçka rreth tij duket e pasigurt.

Një nga veçoritë që ai evidentoi ishte karakteri shumë planesh i veprës. Romani ndërthur realizmin, dramën sociale, lirizmin intim, tensionin psikologjik dhe elemente të realizmit magjik, duke krijuar një strukturë që largohet nga rrëfimi tradicional linear dhe i afrohet formave bashkëkohore të romanit psikologjik.

Në këtë kuadër, studiuesi e vendosi veprën në dialog krahasimtar me letërsinë shqiptare dhe atë botërore, duke përmendur autorë si Franz Kafka, Gabriel García Márquez dhe Toni Morrison. Krahasimet nxorën në pah trajtimin e absurditetit institucional, humbjes së identitetit, traumës dhe përplasjes së individit me mekanizmat e pushtetit e të paragjykimit.

Sipas kësaj qasjeje, Dardan Iliri nuk është një hero i idealizuar, por një njeri që përjeton frikë, lodhje dhe pasiguri, pa hequr dorë nga përgjegjësia morale dhe solidariteti me të tjerët. Kjo e bën atë një figurë të besueshme dhe i jep romanit një dimension të fortë njerëzor.

Prof. Shabani vlerësoi gjithashtu kujdesin e autorit ndaj gjuhës shqipe dhe normës standarde, duke e parë gjuhën jo vetëm si mjet artistik, por edhe si bartëse të kujtesës dhe identitetit kombëtar.

Mesazhi që përshkon analizën e tij është i qartë: njeriu mund të humbasë shtëpinë, pasurinë dhe vendlindjen, por nuk duhet të humbasë humanizmin, dinjitetin dhe besimin te e ardhmja.

Enkelejda Fejzo: Çrrënjosja e njeriut dhe tragjedia e humbjes së rrënjëve

Një referencë tjetër me peshë ishte ajo e Prof. Dr. Enkeleida Fejzos, e cila u përqendrua te trauma ekzistenciale dhe politike, te shkatërrimi i lidhjes me vendlindjen dhe te çmimi njerëzor i emigrimit të detyruar.

Në qendër të analizës së saj qëndronte ideja e çrrënjosjes: njeriu që detyrohet të largohet jo sepse dëshiron të braktisë vendin e vet, por sepse rrethanat ia bëjnë të pamundur vazhdimin e jetës në të.

Një nga motivet më domethënëse të romanit, sipas kësaj analize, është shitja e tokës për të siguruar paratë e udhëtimit. Toka përfaqëson trashëgiminë, kujtesën familjare dhe vazhdimësinë ndërmjet brezave, ndërsa bileta e autobusit simbolizon ikjen drejt një të ardhmeje të pasigurt.

Përplasja ndërmjet këtyre dy simboleve e shndërron një veprim ekonomik në një dramë ekzistenciale: për të shpëtuar jetën, njeriu detyrohet të sakrifikojë një pjesë të asaj që e lidh me identitetin e tij.

Fejzo u ndal edhe te atmosfera e frikës, dyshimit dhe përçarjes që krijon dhuna politike. Në roman, dhuna nuk i shkatërron vetëm trupat dhe shtëpitë, por depërton edhe në marrëdhëniet njerëzore, duke cenuar besimin dhe solidaritetin.

Kjo qasje e vendos veprën përtej një rrëfimi për emigrimin, duke e paraqitur atë si një proces të dhimbshëm të humbjes dhe rindërtimit të vetvetes.

Studiuesit dhe krijuesit: një dialog kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë

Në veprimtari ligjëruan edhe Prof. Munish Hyseni, Prof. Prend Buzhala, poetja Vera Çato, gazetarja Mimoza Elezi, e cila i dhuroi publikut emocione dhe Xhevaire Gjelaj, të cilët kontribuuan në zgjerimin e diskutimit mbi veprën dhe rëndësinë e saj letrare e shoqërore.

Prania e studiuesve dhe krijuesve nga Kosova dhe Shqipëria i dha veprimtarisë një dimension të veçantë bashkëpunimi kulturor. Referencat dhe diskutimet e vendosën romanin në një hapësirë të përbashkët reflektimi mbi historinë, emigrimin, identitetin dhe përgjegjësinë e letërsisë për ta ruajtur kujtesën njerëzore.

Një moment i veçantë ishte pjesëmarrja e Xhevaire Gjelajt, e shoqëruar nga katër anëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me akademiket zotin Fazlli Kulliqi-Cekaj, zotin Zymer Lulaj dheme zotin Skënder Hasangjekaj . Me këtë rast, Ramiz Selimit iu dhurua një certifikatë nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve (AAAS), e nënshkruar nga kryetari i saj, Prof. Princ Blessing Lawal, me të cilën autori vlerësohet si “Ambasador i Paqes dhe i të Drejtave të Njeriut”.

Ky vlerësim i shtohet rrugëtimit krijues të Selimit dhe nënvizon dimensionin humanist të mesazhit që përcjell vepra e tij: mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, refuzimin e paragjykimit dhe rëndësinë e paqes e të mirëkuptimit ndërmjet njerëzve.

Muzika dhe interpretimet letrare i dhanë veprimtarisë një atmosferë të veçantë

Programi nuk u kufizua vetëm në analizat akademike dhe diskutimet letrare. Ai u pasurua edhe me tri pika muzikore të interpretuara nga këngëtari Shaban Krasniqi, i shoqëruar nga pianisti Haki Shyti.

Interpretimet muzikore i dhanë veprimtarisë një frymëmarrje artistike, duke ndërthurur fjalën e shkruar me muzikën dhe duke krijuar një atmosferë emocionale në harmoni me tematikën e romanit.

Një tjetër moment domethënës ishte deklamimi i pjesëve nga libri te dy nxënëse të shkëlqyera të klasës XII-të, Elisa Kajtazaj dhe Elsa Kajtazaj, pastaj spikerja dhe moderatorja Mimoza Abrazhda, si dhe aktori i mirënjohur Ismet Krasniqi-Lala.

Përmes zërit të tyre, fragmente të veprës morën jetë para publikut, duke e afruar tekstin me dëgjuesit dhe duke dëshmuar se letërsia mund të shërbejë si urë ndërmjet brezave.

Përfshirja e të rinjve në këtë veprimtari kishte gjithashtu një vlerë simbolike: kujtesa e së kaluarës nuk duhet të mbetet vetëm në librat e autorëve apo në kujtimet e atyre që e kanë përjetuar, por duhet t’u përcillet brezave të rinj përmes artit, leximit dhe reflektimit.

Ramiz Selimi: “Shpresa është guximi për të vazhduar edhe kur nuk i kemi të gjitha përgjigjet”

Pas analizave dhe interpretimeve të studiuesve, fjalën përmbyllëse e mbajti autori Ramiz Selimi. Ai zgjodhi të mos përsëriste vlerësimet që ishin bërë për romanin, por të ndante me të pranishmit disa mendime personale mbi lindjen e veprës, arsyet që e shtynë ta shkruante dhe mirënjohjen ndaj atyre që kontribuuan në botimin dhe promovimin e saj.

Selimi shpjegoi se “Hijet e Shpresës” lindi nga nevoja për të rrëfyer njeriun përballë plagëve të jetës, kujtesës, emigrimit dhe paragjykimit. Përmes Dardan Ilirit dhe personazheve të tjera, ai është përpjekur të paraqesë jo vetëm fatin e një individi, por përvojat e një brezi që u përball me represionin, pasigurinë, protestat dhe largimin e detyruar nga vendlindja.

Për autorin, emigrimi nuk ishte gjithmonë një zgjedhje e lirë, por shpesh një domosdoshmëri e imponuar nga rrethanat historike. Kjo përvojë e brezit të tij u bë një nga burimet kryesore të romanit, duke i dhënë veprës një lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin që ajo përshkruan.

Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri figura e vajzës së varrosur në pyll. Autori e paraqiti atë si simbol të pafajësisë së shkatërruar dhe të një të vërtete që nuk mund të zhduket. Përmes kësaj figure dhe ndërthurjes së reales me simboliken, ai synon të tregojë se letërsia mund të depërtojë në ato hapësira të shpirtit ku fjalët e zakonshme nuk mjaftojnë.

Megjithatë, Selimi theksoi se romani nuk është vetëm një vepër për dhimbjen, por edhe për mundësinë e vazhdimit, për forcën që njeriu gjen për të mos u dorëzuar dhe për shpresën që mbijeton edhe në rrethana të vështira.

Duke shpjeguar kuptimin që ka për të fjala shpresë, autori nënvizoi se ajo nuk është bindja se gjithçka do të përfundojë mirë, por guximi për të vazhduar edhe kur mungojnë përgjigjet dhe siguria për të ardhmen.

Në këtë frymë, ai përcolli edhe një nga mesazhet më të rëndësishme të veprës:

“Njeriu nuk ka nevojë për mëshirë që e zvogëlon, por për drejtësi që ia njeh dinjitetin.”

Kjo ide përmbledh thelbin humanist të romanit. Selimi nuk kërkon që personazhet e tij të shihen vetëm si viktima që meritojnë dhembshuri, por si njerëz me dinjitet, të drejtë për t’u pranuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre pa paragjykim.

Autori bëri të ditur gjithashtu se rrugëtimi i Dardanit vazhdon në romanin e tij të përfunduar, “Në labirintin e paragjykimeve”, ku përballja me paragjykimin dhe kërkimi i vendit të njeriut në shoqëri marrin trajta të tjera. Kështu, historia e personazhit kryesor vazhdon përtej dramës së emigrimit, duke e zhvendosur vëmendjen te sfidat e integrimit dhe te mënyra se si shoqëria e pret njeriun që vjen nga një botë tjetër.

Mirënjohje për të gjithë ata që e bënë të mundur botimin e romanit

Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, Ramiz Selimi shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan që “Hijet e Shpresës” të marrë formën dhe jetën që ka sot.

Ai falënderoi Komunën e Klinës për mbështetjen e pjesshme financiare në botimin e romanit, si dhe redaktoren Violeta Allmuça për punën dhe përkushtimin në përpunimin e veprës.

Mirënjohje të veçantë shprehu për Prof. Dr. Kristaq Shabanin për analizën e thellë të romanit, për mysafirët nga Shqipëria, ndër ta Enkeleida Fejzo, Drini Difo dhe Fatime Difo, si dhe për recensentët Prof. Prend Buzhala dhe Prof. Munish Hyseni për vlerësimet e tyre kritike.

Një falënderim të posaçëm ia kushtoi Dr. Safet Gerxhaliut, të cilin e vlerësoi si mentor të vërtetë për këshillat dhe sugjerimet e dhëna gjatë rrugëtimit të tij krijues.

Autori falënderoi gjithashtu shtëpinë botuese “Ura”, Xhemë Karadakun dhe dizajnerin Altin Qyqalla për kontributin e tyre në realizimin dhe paraqitjen e librit, si dhe mediat dhe gazetarët që kanë përcjellë veprimtaritë kushtuar romanit.

Në fund, falënderimet më të përzemërta i drejtoi familjes së tij: bashkëshortes Sanije, vajzave Dafina dhe Erleta, si dhe djalit Isuf. Për autorin, mbështetja e tyre, durimi dhe dashuria kanë qenë thelbësore në rrugëtimin e tij jetësor dhe letrar. Ai i kushtoi bashkëshortes një mirënjohje të veçantë, duke e vlerësuar si personin që ka pasur meritën më të madhe në rrugën që e ka çuar drejt shkrimtarisë.

Një vepër që e kthen kujtesën në përgjegjësi njerëzore

Prezantimi i “Hijeve të Shpresës” në Katedralen “Nënë Tereza” shënoi një tjetër etapë të rëndësishme në rrugëtimin e romanit, pas veprimtarive letrare në Gjirokastër dhe Tiranë. Pjesëmarrja e gjerë e intelektualëve, vlerësimet e studiuesve, interpretimet muzikore dhe letrare, si dhe certifikata e dhuruar autorit, i dhanë ngjarjes një karakter të veçantë kulturor dhe humanist.

Rëndësia e romanit qëndron në përpjekjen për ta shndërruar përvojën e një brezi të plagosur nga dhuna dhe emigrimi në një dëshmi letrare që kapërcen kufijtë e përvojës individuale. Përmes Dardan Ilirit, Ramiz Selimi sjell figurën e njeriut që, edhe kur humbet sigurinë, shtëpinë dhe rrënjët, përpiqet të ruajë integritetin moral dhe besimin te jeta.

Në një kohë kur kujtesa historike rrezikon të reduktohet në data dhe dokumente, letërsia e rikthen njeriun në qendër të ngjarjeve. Ajo na kujton se pas çdo ikjeje qëndron një histori, pas çdo humbjeje një jetë e tronditur dhe pas çdo shprese një përpjekje për të mos u dorëzuar.

Takimi në Prishtinë dëshmoi se “Hijet e Shpresës” nuk kërkon vetëm të rrëfejë një të kaluar të dhimbshme, por edhe të nxisë reflektimin mbi të tashmen: mbi mënyrën se si shoqëritë i trajtojnë të pambrojturit, mbi përgjegjësinë ndaj kujtesës dhe mbi detyrimin për të ruajtur dinjitetin njerëzor, pavarësisht prejardhjes dhe rrethanave.

Në fund, mesazhi që mbeti nga kjo veprimtari ishte i thjeshtë, por i fuqishëm: shpresa nuk e fshin dhimbjen, drejtësia nuk mund të zëvendësohet me mëshirë dhe njeriu, pavarësisht se sa larg e çon jeta nga rrënjët e tij, nuk duhet të humbasë kurrë dinjitetin dhe humanizmin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok