21/12/2024

NGA GOLEMI NË FUSHAT E MYZEQES

0
Bashkim-Saliasi1

Nga Bashkim SALIASI

NË PLAZHIN E GOLEMIT

Jo shumë larg Tiranës, buzë Adriatikut, shtrihet plazhi Golemit me bukurit e lokaleve luksoze dhe ujin e pastër që i japin hijeshi qytetit bregdetar, të Durrësit antik. Para viteve 2000 vija bregdetare e Golemit popullohej nga pishat, kurse tani tek-tuk të sheh syri ndonjë grumbull pishash që i kanë shpëtuar zhdukjes dhe në vend të tyre janë ngritur lokale luksoze dhe pallate shumëkatëshe.

Vitin që kaloi për shkak të pandemisë nuk mundëm të pushonim, por këtë vit me heqen e masave kufizuese jo vetëm banorët e qytetit të Tiranës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe nga Ukraina e largët dhe vise të tjera të Europës kishin zgjedhur midis plazheve të bukur të vendit tonë, Golemin. Nga 1-17 gusht ne zgjodhëm Golemin për të pushuar. Në krahasim me vitet e tjera kushtet ishin përmirësuar, por akoma mbetet për të vënë dorë. Ajo që na bëri përshtypje dhe na la mbresa ishte se çmimet e fruta-perimeve pothuajse ishin të përafërta si në kryeqytet. Në mendje më mbeti vetëm shërbimi jo i shpejtë dhe pastërtia në mjediset e brendshme të lokaleve, (tualetet nëpër lokalet) të cilave duhet t’u kushtohet më tepër vemëndje përsa i përket higjenës.

Parësore për plazhin e Golemit mbetet spërkatja për mushkonjat, që vjen si pasojë e moslargimit të mbeturinave në kohën e duhur, për të cilat Bashkia duhet të jetë më e prekupuar për të thithur sa më shumë turistë dhe pushues vendas dhe të huaj. Uji i pastër, pastërtia, gatimet tradicionale dhe shërbimi janë faktorë kryesor që tërheqin turistët e huaj dhe banorët e rrethinave në plazhin e Golemit.

Plazhi i Golemit frekuentohet rregullisht nga banorët e qytetit të Tiranës dhe  Elbasanit. Shërbimi urban ofron një mundësi të till për njerëzit që nuk kanë mundësi të ndjekin plazhet e rivierës tonë të bukur. Një ditë mu desh të dal në Tiranë dhe kur u ktheva te terminali mora autobuzin për në Durrës. Kur zbrita nga autobuzi linjës Tiranë –Durrës pyeta për autobuzin e linjës urbane Golem-Durrës dhe anasjelltas.

-Nuk ka,- ishte përgjigja…

-Përse nuk ka autobus linje Plepa-Golem, – pyeta për së dyti?!

-Nuk ka mor zotni, sepse shoqëritë e autobuzave të linjave brendapërbrenda qytetit dhe jashtë tij nuk gjejnë gjuhën e përbashkët?!.

-Merr autobuzin e linjës Durrës-Plepa dhe, prej andej, për në Golem merr ndonjë taksi, – më sygjeroj miku im Kadri Tarelli, në Durrës.

Ashtu bëra… Kur arrita në stacionin “Plepat”, ora shkoi shtatë e tridhjetë. Jo vetëm taksi që nuk kishte, por edhe makinat që kalonin në rrugë nuk ndalonin. Lash rrugën automobilistike dhe u ula në pedonale.

Mu duk vetja se isha në një “kryeqytet të Evropës”. Të dy anët e pedonales ndriçoheshin më së miri. Bokset e vendosura në të dy anët e pedonales gati sa nuk çaheshin nga tingujt e fortë. Në të dy anët e pedonales shitësit ambulantë tregëtonin gjithfarë lloje artikujsh ushqimorë artistikë, veshje dhe lodra për fëmijëtë, perime dhe fruta, etj. Kudo buçiste muzika. Vendin e parë e zinte muzika e huaj dhe dhe tek-tuk dëgjoje muzikë shqiptare.

Ecja në heshtje dhe vetëm ecja… Në rrugë dëgjohej të flitej në shumë gjuhët të Evropës, por më shumë veshi të kapte dialektin e gjuhës bullgare, maqedonëse, ukrainse, angleze, etj. Eca gati për një ore e njëzetë minuta dhe vende-vende pedonalet ndërpriteshin dhe ishin pa ndriçim.

-Përse pyesja veten?! –përse nuk çohet një punë e nisur deri në fund këtu te ne, por lihet gjysma-gjysma?! Më në fund arrita në Golem qendër.

-Me se erdhe,- më pyeti ime shoqe?

-Me “makinën e babait”, iu përgjigja.

-Përse erdhe më këmbë? – nuk kishte urban linja Durrës-Golem?- pyeti përsëri ime shoqe.

-Nuk e di si e kanë parë të arsyshme Bashkitë e Durrsit dhe të Kavajës, por ajo që shqetëson pushuesit është se kjo linjë duhet të funksionojë për arsye se jo vetëm që njerëzit kanë halle për të dal në qytetin e Durrësit, por mund të organizojnë dhe vizita turistike në qendrat muzeale të qytetit. Nuk e zgjata, bëra dush dhe pasi darkova u shtriva. Gjumi më zuri shpejt.

-Ishe lodhur jashtë mase, – më ngacmoi ime shoqe në mëngjes.

-Lëre mos e pyet, por fajin ma pati koka se nuk mora një nga linjat e qyteteve të jugut, por zgjodha qytetin e Durrësit duke menduar se shërbimi urban vazhdon në ditët e sezonit të plazhit…

NJË TAKIM MIQËSOR NË GOLEM

Kishin kaluar më shumë se dhjetë ditë dhe në një mbrëmje vonë bie telefoni. Iu përgjigja shokut tim të viteve të rinisë Kujtim Brahimaj që më lajmëroi se dhe ai gjendej në Golem dhe të nesërmen në mëngjes më ftoi të pinim një kafe familjarisht.

Ram dakort që ai të zbriste në Golem, në qendër dhe të takoheshim në një nga lokalet më të afërta. Të nesërmen në mëngjes së bashku me time shoqe rreth orës nëntë u takuam me Kujtimin dhe bashkëshorten e tij Zenepen, në një nga lokalet e FAF-as.

Qëndruam gati një orë. Biseda ishte mjaftë e këndshme. Ime shoqe dhe bashkëshortja e shokut tim, Kujtimit, u miqësuan shpejtë…

Ditët e tjera i kaluam së bashku me vëllain tim Izetin. Nga mesi i gushtit erdhi djali Izetit, Edisoni së bashku me të shoqen dhe vajzën; kishin pushuar në Himarë.

Qendruan një natë në Golem dhe ditën e dytë pas darke u larguan për në Tiranë.

Ditët kaluan shpejtë dhe në fund u kthyem në Tiranë.

UDHËTIMI DREJTË LIBOFSHËS

Pasi pushuam dy ditë morëm përsëri rrugën për në Libofshë. Në mëngjes morëm autobuzin e linjës Kinostudio-Kombinat. Zbritëm te Kisha dhe pasi kaluam kryqëzimin e “21 Dhjetorit” u afruam afër qendrës ku qendrojnë furgonat për në Fier – Vlorë etj.

Fati e solli të takojmë ish nxënësin tonë nga fshati Novaj, Dashnor Laze. Pas përshëndetjes na ftoi për një kafe dhe na tregoi se menaxhonte një makinë dhe një furgon.

Thirri njërin nga shoferat e furgonit e dha porosi që dy vendet e para t’i ruante për ne. U ulëm në kafe dhe Dashi na tregoj se furgoni niset në ora shtatë e tridhjetë. Nuk vonoi shumë dhe furgoni u mbush me pasagjerë. Shoferi qëlloi nga Fieri.

-Nga jeni ju, – pyeti shoferi, pasi zuri vend në sedile dhe nisi furgonin.

-Unë jam nga Skrapari, kurse ime shoqe është nga Fieri.

-Oou, edhe unë nga Sheqi jam dhe i njoh banorët e Libofshës.

-Në Sheq kam pasur një mikun tim, Përparim Hysi e thonë…

-Eee, kush nuk e njeh mësues Papin, burrë i mirë dhe esnaf…

-Po pse është kthyer Papi nga Amerika?, – pyeti ai.

-Ka vite që është kthyer dhe banon në Tiranë…

-Po Lili Dokon e ke njohur?, -i thotë ime shoqe.

-E kush nuk e ka njohur kryeagranom Lilin dhe të shoqen e tij Naxhijen?!. Familje e mirë. Unë kam punuar traktorist në ato vite e dikush shkoj dhe spiunoj te Lili për brigadën tonë. Ai doli për kontroll natën dhe na gjeti në krye të punëve. Neve nuk na tregoj se kishte dal për kontroll, por e morëm vesh nga të tjerët.

Përsëri u ankuan, por ai ua mbylli gojën. I kam kontrolluar tre herë dhe i kam gjetur si jo më mire në punë, – u ishte përgjigjur atyre që kishte mbi krye. I till ishte Lili, specialist i mirë dhe shumë puntor.

U ndam me shoferin e furgonit (te fiqtë), kthesa e Libofshës dhe u ulëm  për të pushuar te lokali ndan rrugës. Hëngrëm një mëngjes të shijshëm të cilën e shoqëruam me një kafe.

Një shofer taksie porsa na pa që morëm drejtimin e rrugës për në Libofshë na u afrua pranë dhe na pyeti nëse donim taksi. U përshëndetëm me të dhe e pyeta sesa kushton taksia deri në Adriatik, ose (Alibejas)?.

Shoferi na tregoi sa duhet të paguanim dhe pa e zgjatur zumë vende në taksi.

NJERËZIT E MIRË LËNË GJURMË NË KOHË DHE HAPSIRË

-Nga jeni,- pyeti shoferi?

-Vijmë nga Tirana,- dhe për mos ta zgjatur bisedën i tregoi; -unë jam nga Skrapari me origjinë dhe ime shoqe nga Libofsha, banojmë në Tiranë.

-Edhe unë këtej nga Sheqi jam, tregoi shoferi.

-Ou,-foli ime shoqe edhe shoferi i furgonit nga Sheqi ishte, kishte punuar traktorist para viteve “90. Bile ai njihte edhe miqtë tanë Lili Dokon dhe mësues Përparim Hysin, mikun e burrit.

-Po ku ka njeri në Sheq që nuk njeh mësues Papin dhe kryeagranom Lili Dokon. U përfshimë në kujtimet e rinisë. Në kodrat e Ardenicës së bashku me time shoqe kishim vjelë rrush kur ishim nxënës të shkollës pedagogjike. Po nuk mbeti pa u kujtuar dhe korrja e misrit dhe vjelja e pambukut në fushat e Vajkanit dhe Semanit në ditët e ftohta të nëntorit që na sillnin në aksion në ndihmë të fermerëve dhe kooperativistëve. Më pas biseda kaloj te moti i nxehtë dhe ndryshimet  që po ndodhnin në qytetin e Fierit ku çdo ditë po ndryshon pamja e tij.

Shoferi përshkroi shumë shpejtë rrugën nga kthesa e Libofshës deri në Libofshë qendër. Në të dy anët e rrugës të binte në sy ndërtimi serave dhe mbjellja e blloqeve me ullinj, portokalle dhe hardhi, parcelat me jonxhë, hamullorët me misër etj. Petova është zona që ka kultivuar me shumicë kodrat me agrume , ullinj dhe vreshta rrushi. Në një moment, kur po kalonin hekurudhën te vendi i quajtur ”Plepi Naqes” më erdhi në mendje rruga që kishim përshkruar kushedi për të sajtën herë gjatë këtyre 41 viteve drejtë Libofshës, Daullasit dhe Alibeasit. Fusha të begata dhe njerëz të mirë dhe puntorë, – mendoja me vete,- i janë përshtatur zonës që kanë zgjedhur për të jetuar. Libofsha dhe zonat që përfshihen për rreth saj kanë një popullsi autoktone dhe ardhacakë nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

-Shumë banorë të Libofshës, -theu heshtjen shoferi, – po kthehen nga emigracioni dhe po investojnë në pronat e tyre…

Në Alibeas arritëm rreth orës nëntë. Të zotin e shtëpisë, Kozma Çako dhe të shoqen Sijen i gjetëm duke pastruar fasulet. Pas përshëndetjes nuk vonoi dhe erdhi djali Kozmait, Tani me të shoqen, Latën dhe  djalin, Xhulion. U ngjitëm në ambientet e brendshme të shtëpisë. Tani kishte bërë  goxha investim dhe ia kishte ndryshuar krejtësisht pamjen godinës. Nga jashtë e kishte veshur me pllaka, kurse në ambientet e brendshme pasi kishte bërë të gjitha punimet e kohës, që nga shtrimi me pllakë, suvatimet e reja, instalimet elektrike dhe çatinë, kishte bërë dhe arredimin e shtëpisë nga e para.

-Ti gëzoni!- uruam bashkë me time shoqe.

Pas kafes së mirëseardhjes, një drekë të përgatitur me shumë shije nga nusja e shtëpisë, që Tani, hera-herës, kur i mungonte ndonjë gjë i thërriste: -O nuse e Tanit, na bjerë… -dhe ajo nuk përtonte t`i përgjigjej me buzëqeshje të shoqit…

Në drekë mori pjesë dhe Altin Mëhillka, djali i kushëririt të Kozmait bashkë me djalin e tij që banonte në Gjermani. Dreka kaloi për bukuri.

Gjatë drekës pyeta djalin e Tanit, Xhulion se si vinte me mësime.

-Mbarova vitin e dytë,- më tregoi dhe në praktikë jam shumë mirë, por në teori në lëndët shoqërore nuk ia them hiç.

-Vëri mendje lëndëve të zanatit, por edhe ato mos i lërë pasdore, – i themi bashkë me time shoqe. Në praktik jam shumë mirë dhe e zbërthej zetorin fije-fije dhe ia riparoj difektet,…por teorinë e kam jo fort qejf…

-Ore, unë i them të mësoj dhe të hidhet tutje, – e ngacmonte i jati.

-Nuk kam qejf, o ba dhe mos më thuaj më, unë do punoj dhe do jetoj këtu në Shqipëri, – ngulte këmbë Xhulio.

-Përse e nxit djalin të shkoj në Itali, kur ai nuk ka qejf të braktisi atdheun?

-Po të dali dhe të shikoj se ç’bëhet jashtë, – ngulte këmbë i jati.

-Kot e ke o ba, nuk kam qejf të shkoj asgjëkundi…

-Ore Tani, djali e ka mirë dhe kini besim se Shqipëria do të bëhet.

Edhe unë kam besim që Shqipëria do bëhet, – foli Xhulio…

-Sa mirë që djali ka besim, – i them Tanit.

-Ere,e, ia fut kot Ti dhe ky, pa e shoh unë se si do bëhet…

Biseda rreth kësaj teme zgjati disi dhe në fund pas një pauze kaluam në temat e ditës mbi kryerjen e punëve të stinës. Pas darke secili shkoi në dhomën e vet për të kaluar vapën dhe pasdite të nisnin nga punët e pa mbaruara të ditës.

NË RRGUGËT E FSHATIT ALIBEJAS

Jeta në fshat!

Ngado që hedh sytë në fshatin e Alibeasit fermerët i shikon duke kryer punët e stinës dhe shërbimet e duhura për gjënë e gjallë që mbajnë në oborrin e tyre.

Në çdo familje në Alibejas rritet dhe mbarështrohet, lopa, delja, derri, patat, roast, pulat e detit dhe pulat shqerake. Nuk ka kohë të lirë për banorin e fshatit, – thotë në bisedën e tij baxhanaku, im Kozma Çako.

-Deri para pak ditësh kishim fushatën e fasules dhe tani po bëjmë pastrimin dhe shitjen e saj sipas kërkesave të banorëve vendas dhe nga qyteti i Fierit. Përveç punëve të stinës ne kemi punët e përditshme, si shërbimet që iu bëjmë lopve, pulave të detit, rosave dhe patave pa lënë mënjanë edhe pulat e fushës. Të gjitha duan trajtim të veçantë. Më pas i vjen radha rrushit, misrit për të korrur dhe zhveshur, jonxhës që korret çdo ditë dhe përdoret si ushqim për lopët dhe më pas vijnë plugimet e vjeshtës. Në fshat punët nuk kanë asnjë herë të sosur…

-Kështu janë punët e fshatit,- ndërhyn në bisedë e shoqja e Kozmait, Sija -dikush do ushqej lopët, dikush do merret me zogjët e fushës dhe të detit, ushqyerjen e pulave, shërbimet që u bëhen perimeve, gatimet etj. Ka shumë punë fshati dhe nuk gjejmë kohë të pushojmë…Pasi ra pak vapa Xhulio nxjerr zetorin dhe mekanizmin e grumbullimit të jonxhës dhe niset për te parcela. Xhulio nuk është më shumë se shtatëmbdhjet vjeç dhe përdor për bukuri mekanikën bujqësore. Në mbrëmje, në perëndim të diellit, Tani mbushi pompën e spërkatjes dhe u nis për në parcelë për të kryer spërkatjen e bimëve.

-Hajde, – më tha dhe u nis me motor duke mbajtur në krah pompën dhe para këmbëve bidonin me uji.

U nisa pas tij, por nuk e dija parcelën se ku do shkonte dhe ndërrova mendje. Fillova të fiksoj në celular tufat e patave, deleve, degën e lumit dhe pyllin që gjendet matanë fshatit Alibeas që dikur rritej fazani, por tani ka me shumicë nepërka dhe gjarpërinj dhe nuk ia mban askujt të futet në brendësi të tij.

Të kënaqej syri kur shikoje parcela me misër me dy kallinj, blloqet me ullinj apo dhe pemët frutore të ngarkuara me fruta si kumbulla, ullinj, fiq dhe rrush.

-Eee, -po mendoja me vete, – figu në Golem shitej me tre deri në pesë mijë lekë të vjetra, kurse këtu e hanë pulat dhe kalbet në tokë…

Në mbrëmje u mblodhëm rreth tavolinës. Kozmai po tregonte për truallin e shtëpisë që gjendet 500 metër më poshtë. Ato shtëpi u prishën para viteve ’90 dhe ndërtuam këto shtëpitë që kemi këtu sipas planimetrisë që u caktua në ato vite nga pushteti popullor.

-Në ato shtëpi, në vitet ’70 ka qendruar për një muaji shkrimtari Ismail Kadare dhe Luan Qafzezi, -ngas bisedën unë.

-Po, në ato shtëpi qendruan shkrimtarët se ishin shtëpitë më të mira në fshat në ato vite dhe kisha dy gjyshet në moshë të thyer që shkrimtarët bisedonin gjatë me to gjatë orëve të mbrëmjes…

-Po shkolla e ciklit të ulët a vazhdon në fshatin tuaj?

-Ka vite që shkolla është mbyllur dhe fëmijët tanë vazhdojnë shkollën në Metaj, – tregoj Tani.

-Vetëm godina e shkollës ka mbetur në këmbë, -tha Kozmaj…- po mirë që na shtruan këtë copë rrugë në kohë fushate se nuk i bie njeriu në mendje për ne, nëse rrojmë a s’rrojmë në këto anë.

Në bisedë e sipër i pyes për Miklarenin, djalin e vogël të Tanit, si shkon me mësime.

-Mirë doli këtë vit që kaloi, të shohim si do ecë më tej. Shkojnë në shkollë me furgon dhe kthehen me të. Biseda vinte nga vinte dhe vërtitej rreth punëve të stinës dhe halleve të fshatit që nuk kujtohet njeri për tu zgjidhur problemet…

NË LIBOFSHË

Të dielën Tani dhe Beni, djemtë e Kozmait, na hipën në motorrat e tyre dhe morëm rrugën për në Daullas te vëllai i time shoqeje, Josifi, dy- tre km larg Libofshës. Në shtëpi na priti kunati, Josif Bardhi së bashku me të shoqen Fanijen.

Beni nuk qendroi se kishte punë, kurse Tani ndenji për drekë. Pasi pim kafenë në shtëpinë e kunatit, dolëm në klubin më të afrtë të lagjes për të pirë ndonjë birrë. Në hapësirat e lulishtes gjetëm një tavolinë bosh. Dham porosi dhe kunati nisi bisedën.

-I shikon këta djem që mbushin lokalin?!

– Po, – i thashë, – i shoh që të gjithë pikan duhan dhe kafe, rrallë tek shoh ndonjërin që ka para ndonjë gotë raki.

-Eee, nuk punojnë, por vijnë dhe e kalojnë ditën te klubi…po t’u thuash për punë pyetja e parë është; – sa paguan? – dhe nuk pyesin se çfarë pune do bëj dhe sa orë do punoj?!…

Biseda nisi shtruar shtruar dhe secili po tregonte për punët e tij të stinës.

-Unë, – tha Tani hoqa fasulen dhe tani kam punë me misrin dhe plugimet.

-Edhe unë,- tregon Sifi,- dua që nga fundi muajit të vjel rrushin, por nuk ka puntorë…

I dëgjoja dhe pyesja veten: -Si ka mundësi që djemtë tanë punojnë në punë bujqësie në Greqi dhe Itali dhe nuk kthehen të punojnë tokat e tyre në Shqipëri?!

Hidhja sytë anë e kënd lokalit të mbushur me djem të rinjë, të cilët shtynin kohën me ndonjë kafe dhe tymosnin cigare…

U larguam nga lokali për në familjen e Sifit. Pas darke Tani u largua për në Alibeas, kurse unë me kunatin dolëm të shikojmë vreshtin me rrush dhe më pas bllokun e ullinjve.

Kunati edhe pse në moshë pensioni përsëri kujdeset për vreshtin e rrushit dhe bllokun e ullinjve pa lënë mënjanë dhe shërbimet në kishën e Daullasit. Hym në vresht. Prodhimi ishte goxha i mbarë, por jetoja me shqetësimin e kunatit se vjelja kërkonte forca pune, por ato nuk i gjeje kollaj në fshat dhe djali që ka shumë vite në Greqi nuk vinte dot për arsye të rinovimit të dokumentave…

Lam vreshtin e rrushit pasi ime shoqe kishte mbushur një qeskë me rrush tavoline (tajgë) dhe shesh të zi.

-Ku e çon atë qeskë me rrush,- e pyes time shoqe?.

-Do ia çoi Melit,- më thotë!.

-Pak rrush kemi në  tarracën e shtëpisë tonë, por do marrësh rrush nga Libofsha dhe ta çojmë në Tiranë?!

-Do ta marrë,- nguli këmbë ime shoqe, – se është nga rrushi i vëllait?!.

-Po mirë, merre, po do e mbash vet në krah… Pai lam rrushtë në shtëpinë e kunatit u nisëm për në bllokun e ullinjëve. Rrugës për te bloku Josifi më tregoj vendin e punës ku kishte punuar para viteve ’90 si roje objekti për ruajtjen e armëve të çetave vullnetare. Në të dy anët e rrugës të binin në sy ndërtesat dykatshe të vendosura në tokën bujqësore dhe dalëngadalë iu afruam shkollës së Daullasit.

-Këtu kam bërë shkollën fillore, -tha ime shoqe.

-E ke bërë motër, por tani ajo u mbyll se nuk ka më fëmijë.

-Si ka mundësi, – pyes pak i çuditur unë, kur Daullasi ka  goxha shtëpi.

-Nuk ka fëmijë, – tha kunati, – e gjithë rinia ka shkuar në kurbet në Greqi dhe Itali.

Bëmë disa foto kujtim nga shkolla, në të cilën ime shoqe ka kryer shkollën fillore në periudhën e fëmijërisë dhe ruan kujtime të pashlyshme. E lamë pas shkollën dhe ecëm drejtë bllokut të ullinjve afër Vanajit. Syri të kënaqej kur shikoje bllokun e ullinjve që ishin mbushur plot me kokrra edhe pse pemët ishin akoma të vogla dhe pak vite kishin që ishin mbjellë.

-Cilët nga këta ullinj ka motra jot?, – i them kunatit me shaka.

-Nuk dua ullinj unë, – foli ime shoqe.

-Po ti sikur kishe një ha tokë për të marrë, kush do ta japi?

-Eeee, – tha kunati, – as që bëhet fjalë, toka është ndarë dhe nuk përfiton njeri më nga toka e babait…

-Ta gëzoni tokën se ne e kemi në Tiranë dhe bëjmë shaka të kalojmë kohën, por nuk po e punoni dot ju që jeni këtu dhe jo të vijmë ne nga Tirana e të merremi me të…

Ecëm për gjithë gjatësisë së bllokut të ullinjëve dhe kunati na shpjegoi se ishin mbjell 80 rrënjë ullinj në distancën e duhur nga njëri-tjetri. Në mes të parcelës kishte hapur një pus 9 m të thellë të cilën e përdorte për të vaditur ullinjtë. Të gjitha rrënjët e ullinjve ishin në prodhim, përveç njërit që ishte tharë…

U kthyem në shtëpinë e Sifit dhe ai propozoi të pinim një kafe te klubi fshatit. U ulëm në klub dhe porositëm kafe, kurse ime shoqe një “bravo” rrushi. Sifi po na tregonte për punët e stinës dhe prodhimin e mbarë të prodhimeve bujqësore të zonës së Libofshës. Nuk qëndruam gjatë dhe pasi lam klubin erdhëm dhe u ulëm në verandë te shtëpia e Sifit. Përballë nesh gjitoni i Sifit, Koli që rrinte në Itali, kishte ardhur me pushime familjarisht. Njihemi me Kolin prej vitesh. Ai u afrua dhe pas përshëndetjes po na tregonte sesi ishte ingranuar me jetën shoqërore në Itali… Ishte i shqetësuar se nuk kishte ujë për të bërë banjë në shtëpi.

-Nuk e di a vjen gjatë natës? – pyeti Sifin.

-Pa merak Koli, vjen që në ora gjashtë të mëngjesit.

-Ishalla vjen se nesër ne jemi për rrugë dhe kemi nevoj të lahemi…

Bisedën me Kolin e ndërpreu thirrja telefonike e Elit nga Greqia. Biseduam me Elin dhe pasi na pyeti dhe i pyetëm për shëndetin dhe shqetësimet e stinës, i treguam për vreshtin dhe bllokun e ullinjve dhe gjendjen e tyre. Eli ka mbi 20 vjet që punon dhe jeton në Greqi. Në bisedë me të na tregoi se e kish të pa mundur të vinte në Shqipëri pasi i duhej të rinovonte letrat që i kishin mbaruar. Na falënderoi që dolëm për vizitë dhe na tregoi se në Shqipëri mund të vij pas vitit të ri…më pas Sifi tentoi të fliste me motrën në Amerikë, por nuk u lidhën dot. Kështu kaluan orët e mbrëmjes dhe ram për të fjetur…

PËRSËRI TE FIQTË

Në mëngjes u çuam herët. Ishte ora gjashtë. Fanija pyeti time shoqe:

-Kur do niseni për rrugë, t`i kthej përgjigje djalit të makinës.

-Pa filluar vapa, – iu përgjigja Fanies nga shtarati ku isha shtrirë.

-Tani po të ketë mundësi djali, të na çoi deri te fiqtë për dhjetë minuta jemi gati.

-Ngrihuni dhe bëhuni gati, se djali tani çoi qumshtin për të dorëzuar te makina e grumbullimit të qumshtit dhe më pas ka punë të tjera?!

-Si të doni, por do mbetet pas orës nëntë, prandaj shfrytëzoni kohën e lirë. Pa e zgjatur u përgatitëm shpejtë e shpejtë dhe paketuam plaçket tona. Nuk vonoi dhe djali erdhi me makinë para portës. Josifi dhe  Fania na përcollën  dhe ne udhëtuam me djalin deri në kthesën e Libofshës. Ai na tregoi se kishte punuar dhjetë vjet familjarisht në Greqi dhe më në fund ishte kthyer në fshat.

-U ktheva në fshat dhe me kursimet e mia ngrita ekonomin time këtu në vendlindje.

Pashë duartë e tij. Gishtat e dorës së djathtë i ishin deformuar…

-Shumë mirë ke bërë! – i them, se jeta nuk bëhet gjithnjë në kurbet.

-Shumë shokë të mi nga fshati ynë që punuan në Greqi dhe Itali janë kthyer dhe kanë ndërtuar sera ku kultivojnë perime gjatë stinës së dimrit dhe në pranverë, verë e vjeshtë shfrytëzojnë tokat në fushë të hapur për kulturat bujqësore dhe perimet. Një pjesë merren me rritjen e lopëve, të derrit dhe shpendëve. Ka dhe nga ata që kanë punuar në Itali dhe kanë ngritur serat e kultivimit të rrushit të tavolinës.

Rruga kaloi shpejt dhe pasi pagova djalin që na solli në shërbimin taksi, u ngjitëm në lokalin në anë të rrugës për të ngrënë mëngjesin dhe pirë kafe.

Dolëm në rrugë. Nuk vonoi shumë dhe rreth orës shtatë e gjysëm erdhi një autobus nga Fieri me destinacion Tiranën. U rehatuam në autobus dhe pas një orë e gjysëm u gjendëm brenda terminalit te Ura e Kamzës. Eh, – mendova,- si vijnë këto punë, para viteve ’90 të duhej një ditë të vije në Libofshë, kurse tani brenda dy – tre orësh shkon e kthehesh në shtëpi.

TE TERMINALI

Terminali gumzhinte nga thirrjet e fatorinot e autobuzve. Zbritëm nga autobuzi linjës Fier-Tiranë dhe pasi morëm bagazhet i them time shoqeje:

-Dalim matanë dhe marrim linjën e autobuzit të Kamzës.

-Jo! – më kundërshtoj ime shoqe, -Ajo linjë është shumë e ngarkuar, por më mirë marrim një taksi. Para nesh po qendronte një burrë i moshuar, i cili  ndiqte bisedën tonë në kërkim të ndonjë pasagjeri…

-U çoi unë, me një tarif më të arsyshme.

-Po sa është kjo tarifa e arsyshme që na propozon? – e pyeta shoferin e taksisë.

-Diçka më pak sesa u marrin të tjerët të taksive,- dhe tregoi shifrën që duhet të paguanim. Ee, – tha imeshoqe, – kjo shifër qënka  më shumë se  pagesën që bëmë në autobusin Fier-Tiranë…

-Po deshe zonjë, është shërbim taksi dhe jo urban, – foli shoferi që ndiqte dialogun tonë. Pranuam dhe dolëm jashtë terminalit në pritje të makinës që e kishte lënë jashtë tij. Pas pesë minutash shoferi mbriti para këmbëve tona. Ishte një makin “Audi” e mbajtur mirë.

Zumë vend në makinë dhe pyetja e parë që bëri shoferi ishte:

-Ku banoni?

-Rrim në Tiranë, te Fresku, ose pranë Fizikës Bërthamore.

– Nga jeni?, – pyeti  shoferi.

-Unë jam nga Skrapari, kurse ime shoqe është nga Fieri.

-Edhe unë nga Sheqi i Fierit jam.

-Çfarë koiçidence, tha ime shoqe edhe kur ikëm shoferi furgonit për në Fier dhe taksisti për në Alibejas nga Sheqi ishin. Edhe ju nga Sheqi ini, po ç`ne punoni taksi në Tiranë? – e pyeta.

-Ne jemi nga Buzi i Tepelenës dhe jemi shpërngulur në Kallm të Fierit, por unë kam qenë oficer dhe kam punuar në Tiranë.

-Ku rrini me shtëpi? – pyeti taksisti, që quhej Hasan.

-Te Istituti i Fizikës Bërthamore.

-Mirë atëherë po i bie nga Paskuqani,-tha ai  dhe drejtoi mjetin për nga ura e Kamzës.

-Kalojmë nga kafe Rremës se del më drejt, -i them Hasanit…

-Tani e di vet, -rrini të qetë – foli Hasani dhe tregoi se shqetësim kishte ardhjen e afganëve, të cilët përndiqeshin nga forcat që kishin fituar luftën…

Në ora dhjetë arritëm në shtëpi…

Ja dhe pushimet mbaruan, tani duhet të mobilizohemi të marrim drutë e dimrit dhe rezervat dimërore…

Urojmë një vjeshtë të mbarë dhe shëndet fëmijve, nipit dhe mbesave…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok