15/10/2024

Lamtumirë artistit dhe mikut të madh të Shqipërisë, Jon Karamitru!

0

Nga Entela Binjaku

Më 5 shtator 2021 ndërroi jetë aktori, regjizori, profesori i artit dramatik Jon Karamitru (Ion Caramitru). Artisti i shquar rumun prej pak javësh ishte shtruar në spitalin “Elias” të Bukureshtit ku dhe po kurohej për një sëmundje që e mundonte kohët e fundit.

Njoftimet mediatike për shuarjen e tij ishin sa pikëlluese aq edhe tronditëse! Ky lajm i hidhur solli me vete një ortek mesazhesh ngushëllimi nga të gjitha anët e botës. Iku Karamitru i madh!

Ambasadorë, njerëz të politikës, familja mbretërore, akademikë, kritikë të artit, klerikë, njerëz të zakonshëm e me shpirt të pasur u bashkuan në një pasdite dhimbjeje të pabesueshme!

Më 5 shtator kishte ndalur zemra e  njërit prej artistëve më të dashur të Rumanisë!

Për ata që ndiqnin aktivitetin e mjeshtrit të fjalës dhe të skenës, Karamitru pritej të udhëtonte drejt qytetit të Jashit ku do të merrte pjesë në Festivalin “Mbrëmjet e filmit rumun”.

Aktori i njohur u detyrua të anulojë vajtjen, për shkak të problemeve me shëndetin. Ai u shtrua në spital dhe fatkeqësisht nuk mbërriti kurrë. Për të nderuar figurën e tij Teatri Kombëtar Rumun vuri në dispozicion të njerëzve që nuk mund të ishin të pranishëm në përcjelljen e lamtumirës, librin e ngushëllimeve. Në hollin e Teatrit Kombëtar u krijua një hapësirë e posacme kushtuar Drejtorit, tashmë të ndarë nga jeta, ku njerëzit mund të vendosnin lule dhe kurora.

Biografia artistike e Jon Karamitrut është aq e pasur sa vështirë të gjesh të ngjashëm! Një model frymëzues për shumë artistë të rinj të cilët ai i deshi dhe i mbështeti, një etalon i njeriut të kulturës. Në karrierën kinematografike të Jon Karamitrut numërohen më shumë se 40 filma ku  dhe u nderua disa herë me cmime: 1976- Çmimi i Revistës Kinematografike për Interpretim, 1980- çmimin e Shoqatës së Kinematografisë, në 1984- çmimin special të jurisë për rolin kryesor në filmin Luchian, në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të mbajtur në Costinesti, Rumani etj.

Karriera teatrore nuk njihte kufij. Me më shumë se 60 role të pjesëve nga Shekspir, Çehov, Pirandelo, Buchner, Bernard Shou, Alfred De Musset, Suto Andras, Rolf Hochhuth etj. ai kishte magjepsur me mijra spektatorë. Në vitet  1975, 1979, 1981  1985 u nderua si “aktori më i mirë i vitit”.

Në vitin 1990 Karamitru themeloi UNITER-in që ishte Bashkimi i Teatrove të Rumanisë, institucion me peshë në jetën artistike të cilin e drejtoi për 30 vjet.

Vlerësimet për të gjatë jetës ishin të shumta.

Në vitin 1995 Mbretëresha Elisabeta II e nderoi aktorin rumun me titullin “Kalorës i Urdhrit Perandorak Britanik”. Ai u nderua  “Kalorës i Arteve dhe i Letërsisë në Francë”, në vitin 1997 dhe në 2002 me Urdhrin “Artist i Merituar” në Rumani. Në vitin 2011 Bashkimi i Teatrove të Moldavisë e nderoi këtë figurë të lartë të artit me “Cmimin e Ekselencës”.

Karamitru njihej për miqësinë e ngushtë  dhe mbështetjen reciproke që kishte me  Familjen Mbretërore të Rumanisë. Në vitin 2008 Mbreti Mihai I e vlerësoi Karamitrun me “Kryqin e Shtëpisë Mbretërore” dhe në vitin 2012 me Dekoratën Mbretërore “Nihil Sine Deo”.

Ishte po ai mbajtës i kurorës që fillimet e vitit 1990 kishte udhëtuar drejt Londrës për të parë në skenë Jon Karamitrun dhe aktorët e mëdhenj rumunë të teatrit “Bulandra” në veprën “Hamleti”.  Duke u ndalur tek repertori shekspirian në vitin 2016  aktori i madh u emërua “Ambasador i Kulturës Shekspiriane” në Rumani. Ishte 400 vjetori i Shekspirit.

Revista prestigjoze “Time” e ka vlerësuar Karamitrun si një nga 10 aktorët më të mirë që kanë interpretuar Hamletin.

Ion Horia Leonida Caramitru ka qenë disa herë Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit “Bulandr”a, pedagog në Akademinë e Teatrit dhe Filmit në Bukuresht, ku ka qenë edhe regjisor e aktor.

Në ngjarjet e dhjetorit të vitit emblematik 1989 Jon Karamitru ndodhej mes drejtuesve të protestave anticaushesku të Bukureshtit.

Në 22 dhjetor 1989 në krye të një grupi manifestuesish ai hyri në ndërtesën e Televizionit Rumun dhe ishte i pari që njofti në kanalin e vetëm zyrtar të kohës,  rrëzimin e diktaturës.  Si Ministër i Kulturës gjatë viteve 1996-2000 ai zërin e tij veprës së Emineskut duke u shndërruar në një ambasador të nderuar të teatrit dhe filmit rumun në të gjitha cepat e botës. Si titullar i këtij institucioni ai i dha profesionit të aktorit dhe artistit dramatik një tjetër profil.

Ai mbajti detyrën e zv. Presidentit të ECA (Këshilli i Europës i Artistëve) për Europën Juglindore.

Duke ardhur në rajonin tonë në Maqedoninë e Veriut Karamitru la gjurmë të pashlyera me krijimet e tij regjisoriale në Teatrin Kombëtar në Manastir dhe një numër të madh shfaqjesh në “Verën e Ohrit”.

Me nismën e tij, në bashkëpunim me ish ministrin maqedonas për Kulturë, Blagoja Stefanovski dhe ish ministrin e Malit të Zi për Kulturë, Branislav Miçunoviq – Zhaga u themelua në Maqedoninë e Veriut NETA (New European Theater Meeting).

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar I.L. Caragiale të Bukureshtit, e vizitoi Shqipërinë dy herë. Artisti erdhi për herë të parë në Tiranë në 4 prill 2009 në përurimin e Teatrit të Metropolit ku i ra gongut përurues, i ftuar në atë kohë nga kryetari i Bashkisë Edi Rama. Për herë të dytë  ai vizitoi vendin tonë më 16 nëntor 2009 me ftesë të Shoqatës së Arumunëve të Shqipërisë dhe Ambasadës Rumune në Tiranë.

Presidenti i Shoqërisë së Kulturës Makedo-Rumune Ion CARAMITRU, ishte një mbështetës i fortë dhe  i vendosur i trashëgimisë arumune. Ai lindi në një familje arumune ku nëna vinte nga Selaniku dhe babai nga zona juglindore e Shqipërisë.  Origjina e të parëve të artistit  lidhej me Korçën.

Në vizitën  e parë në Shqipëri Këshilli Bashkiak i Korçës e nderoi Karamitrun me medaljen “Emblema e artë e qytetit”. Në ceremoninë e rastit artisti i madh shprehej se “Korça kishte lënë gjurmë të thella në kujtesën dhe ndërgjegjien e tij njerëzore dhe artistike”.

Në 16 vitet e drejtimit të Teatrit Kombëtar rumun Karamitru dëshmoi aftësi të larta manaxheriale  i respektuar nga bashkëpunëtorët e tij të shumtë.  Ishte pikërisht me këta bashkëpunëtorë me të cilët ai u përshëndet për herë të fundit. Në rrugën për në varreza kortezhi funebër u ndal para Teatrit Kombëtar, në këtë Teatër ku ai i ishte rikthyer edhe skenës në vitin 2008, 44 vjet më vonë nga debutimi i tij në po të njëjtën vend.

Mes qindra duartrokitjesh të zjarrta për minuta tëra, lotëve dhe luleve Teatri Kombëtar përshëndeti drejtuesin e tij, njeriun që e solli këtë institucion në nivelin ku ndodhet sot.

Shërbesa e përcjelljes u mbajt në Kishën e Shën Visarionit në Bukuresht ku morën pjesë familjarë, zyrtarë, njerëz të kulturës, artistë, miq dhe publik i shumtë.

Në përcjelljen e fundit u lexuan mesazhet e Patriarkut te Rumanisë, Këshilltarit te Presidentit të Rumanisë, të ekipit drejtues të Teatrit Kombëtar dhe zv.presidentit të SCMR-së.

Pas nderimeve ushtarake dhe mbajtjes së meshës zyrtare fetare Jon Karamitru u varros në “Rrugicën e Aktorëve” në Varrezat “Bellu”.

Nëse ndodhesh në Bukuresht dhe përmend  emrin e z. Karamitru, befasohesh sa shumë e njohin dhe vlerësojnë njeriun e kulturës,  aktorin gjenial me zë hyjnor!

Në fillimin e vitit 2020 pata mundësinë të zhvilloja një intervistë me mjeshtrin Karamitru. Po shkëpus një fragment nga fjalët e tij: “Në këto çaste përpiqemi të vëmë në vend historinë tonë të vërtetë, që thotë se arumunët janë rumunë në origjinë, që flasin një dialekt të gjuhës rumune, që janë pakicë në shtetet ballkanike. Kam marrë me gëzim vendimin e Shqipërisë për t’i konsideruar pakicë kombëtare aty… Akademia Rumune, Parlamenti Rumun dhe gjithë historia jonë tregon qartë origjinën latine, rumune dhe veriore –danubiane të arumunëve! Shoqata jonë këtë po bën tani, po çgropos historinë e re dhe më të vjetër, punon me Akademinë Rumune dhe me Ministrinë e Jashtme. Së fundmi, prej disa vitesh është votuar në Parlament një ligj që vlerëson rumunët e kudondodhur dhe ku arumunët shfaqen si rumunë dhe janë emërtuar me të gjitha përkufizimet e tyre: cëncar, arumunë, rrëmënj, kuço-vllah etj. E di që në Shqipëri ka shoqata arumunësh që e pranojnë këtë realitet dhe shpreh gjithë falënderimet drejtuar shtetit shqiptar për vendimin historik të ndërmarrë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok