21/12/2024

Nëse s’duam të jemi thjesht zombi, duhet të ngopemi me letërsi – këshillon shkrimtari i madh Mario Margas Llosa

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Shkrimtari i madh Mario Vargas Llosa, laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, autor i shumë veprave mahnitëse letrare, vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Festivalin e Letërsisë në Berlin ku ka folë për peshën dhe fuqinë e madhe të letërsisë, për mundësitë e pafundme që ka ajo për të na treguar se diçka nuk shkon mirë me shoqërinë njerëzore.

Ai në këtë festival ka thënë se diktaturat janë gjithmonë dyshuese ndaj letërsisë, sepse ata e dinë që letërsia është një kërcënim për ta. Këtë të vërtetë shoqëria njerëzore e ka mësuar dhe e ka përjetuar rënd, me një luftë të ashpër mes artit e totalitarizmit, kurse ne shqiptarët kemi arsye më shumë se shumë popuj tjerë ta kuptojmë këtë të vërtetë, meqë kemi jetuar nën terror, ku letërsia e arti vërtet janë konsideruar kërcënim për pushtetin dhe regjimet totalitare.

Më tej Llosa thotë se  “nëse ne si qytetarë nuk duam të jemi thjesht zombi, qenie që pranojnë gjithçka që imponohet nga lart, ne duhet ta ngopim shoqërinë me letërsi”.

Mendimet e këtij shkrimtari të madh janë tejet të vlefshme për secilën shoqëri, sidomos për tonën, që vazhduan të vuajë pasojat e një ligështie morale e kulturore, ku politika e mbrapshtë i është mbivendosë krejt shoqërisë, duke e shëmtuar e duke e larguar përditë e më shumë prej vlerave estetike e humane.

Shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë të ngopet me letërsi, sepse letërsia na mundëson të ëndërrojmë një botë më të mirë, të zhvillojmë ndjenjat e mosgatishmërisë për t’u nënshtruar e për t’u kthyer në zombi.

Për fat të keq, ne tash e sa kohë kemi zhvilluar një raport tejet negativ me kulturën e letërsinë dhe kjo na ka kthyer në shoqëri shëndetlige dhe impotente.

Ne kemi lejuar që vendin e letërsisë ta zë politika dhe ajo na ka ngopë tej mase me dokrra, mllef, urrejtje, ashpërsi. E pasojat manifestohen përditë me dukuri të shëmtuara e helmuese.

Prandaj, në vend se vazhdojmë të ushqemi me dokrra, ta largojmë politikën nga tryeza e përditshme dhe të fillojmë të ushqehemi me letërsi, sepse librat na përmirësojnë shëndetin shpirtëror, na mundësojnë të imagjinojmë një botë më të mirë dhe na edukojnë të mos nënshtrohemi e të kthehemi në zombi.

______________

Hanah Arend shkruan diku se vetëm në shoqëritë e pacivilizuara, ku raporti i politikës me kulturën është negativ, një gram pushtet peshon më shumë sa një tonelatë intelekt.

Mjerisht, duhet të themi se raporti i politikës me kulturën edhe te ne është tejet negativ, prandaj një gram pushtet peshon më shumë sa një tonelatë intelekt, përkundër faktit se kombit tonë njerëzit e kulturës i kanë dhënë më së shumti formë dhe përmbajtje. Pikërisht te ky raport negativ duhet  kërkuar një nga arsyet kryesore pse kemi kaq shumë rrëmujë politike e shpirtërore, por edhe kriza të thella identitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok