22/12/2024

NËN QERPIKËT E NATASHA LAKOS

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Ndërsa po lexoja poezinë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr” të Natasha Lakos s’di pse në kujtesë më vezulloi një tjetër brilant poetik i saj ku përmenden lotët, madje dhe një borë që po shkrinte, pikërisht poezia :”Nuk më le bora që të shoh” me vargjet e çiltëra gjer në naivitet:  “Nuk më lë bora të shoh/çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura /po ndjej si nën të/ lëviz pranvera./Flokët e borës/bien e shkrijnë në qepallat e mia/ kaq lotë të bukur/ kaq lotë të bardhë/ mund të pikojnë vetëm nga dashuria”. Kjo poezi e shkruar në një moshë të re, në mënyrë të habitëshme ofron një qasje me poezinë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, të cilën duhet ta shfaqim me synimin e vijëzimit të kurbës gati perpendikulare të rritjes cilësore të krijimtarisë së poetes Natasha Lako në dy kohë, përcaktuar si koha e krijimit të këtyre dy poezive. Kjo ka edhe  vlerën e dëshmisë se Natasha Lako është rritur si fidani që bëhet lis dhe jo si shartesa kulturore të ndryshme mbi një trung peme çfardo.

I-Autorja e poezisë “Nuk më le bora që të shoh” sot është ngjitur në Everestin poetik, por ne nuk duhet të harrojmë atë vajzën e imët që lotonte në dritare, pse nuk e linte bora të shihte dike, pse është pikërisht ajo dritarja e shtëpisë korçare vendi nga nisi rritjen dhe ngjitjen e mundimshme poetike Natasha Lako për të ardhur te kuota poetike “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”. Nga poezia: ”Nuk më le bora që të shoh”, janë mbartur (ndoshta duhet të themi se janë zgjatur si degë të një peme dhe kanë frutat) te poezia “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr” një shikim zhbirues në një qiell çiltërsie, por tashmë retë e këtij qielli që përplasen në mendimet e saj me njera tjetrën shkrepin rrufe metaforash që shkarkojnë misterin nëpër vargje. Le ti lexojmë këto rrufe të tanishme dhe ti gjejmë rrënjët e tyre te ata dy sytë e butë që pas dritares përloteshin pse bora nuk i linte të shikonte botën që ëndërronte.   Përtej dallimeve të kuptueshme si pasojë e kohës dhe përvojës jetësore të poetes në momentin e shkrimit të secilës poezi, ka elemente të përbashkëta që lidhin dhe identifikojnë autorësinë e Natasha Lakos te këto krijime, ashtu si si disa tipare që krijohen në fëmijëri mbarten te njeriu në moshë të rritur (sigurisht me ndryshim si pasojë rritjeje, jo tjetërsim identiteti):

Kështu: -Imazhet e natyrës dhe mjedisit natyrorspecifikisht janë përdorur në të dy poezitë si metafora dhe simbole për të shprehur ndjenjat e heroit poetik. Në poezinë “Nuk më le bora që të shoh”, përshkrimet e borës, çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura janë përdorur për të shprehur ndjenjën e vetmisë, ndërsa në poezinë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, qielli, yjet dhe natyra paraqiten për të përfaqësuar një lloj shpërthimi emocional dhe një ëndërr që nuk humbet.

-Emocioni dhe ndjenjat shpirtërore janë thelbësore në të dy poezitë, ku në poezinë “Nuk më le bora që të shoh” ndjenja e dashurisë dhe ngrohtësia shpirtëror përballen me ftohtësinë (e borës) dhe vetminë, ndërsa në poezinë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, ëndërra dhe shpresat për një të ardhme më të mirë përplasen me dhimbjen dhe melankolinë. Në këtë kontekst, përdorimi i metaforave dhe imazheve të forta shfaq ndjenjat dhe emocionet e heronjve poetikë, psh. përdorimi i borës si një simbol i ftohtësisë e vetmisës, dhe përdorimi i qiellit e yjeve si simbole të shpresës dhe ëndrrave, tregon  ndërthurje të ngjashme të metaforave dhe imazheve, por diferencimi bëhet pikërisht te forca e tyre.

-Ndjenja e melankolisë dhe kujtesës, pavarësisht pse poezitë përqendrohen në tema të ndryshme, të dyja shfaqin një ndjenjë të thellë melankolie dhe mos harrimi. Në poezinë “Nuk më le bora që të shoh”, melankolia dhe mos harrimi janë të pranishme në pasqyrimin e pamjes dimërore dhe vetminë që përjeton heroina, ndërkohë që te poezia “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, melankolia është prezent në shfaqjen e një ëndrre që nuk do të vdesë, duke reflektuar një lloj nostalgjie për një kohë të kaluar ose për një ëndërr që nuk mund të realizohet, pra flasin dukuri të ndryshme: reale dhe shpirtërore.

-Forca e shprehjes emocionale është ne dukshmëri lineare kohore mes dy poezive, ku përdorimi i fjalëve dhe imazheve të ngjashme apo që kanë qasje shërbejnë për të përforcuar ndjenjat dhe emocionet e përjetuara në kohët poetike, por dhe dëshmojnë të njejtin “burim”.

-Edhe pse shfaqin perspektiva të ndryshme, të dy poezitë shprehin një lloj misteri dhe një pasqyrim shpirtëror të emocioneve të individit. Ky pasqyrim shpirtëror dhe ndjeshmëria e thellë e poetes janë karakteristika të përbashkëta që e identifikojnë stilin dhe autorësinë e Natasha Lakos.

-Një aspekt më konkret që mund të identifikojë autorsinë e Natasha Lakos në të dy poezitë është stili i saj dhe përdorimi i elementeve të strukturës së poezisë. Natasha Lako shfaq një stil të veçantë që përmban disa elementë të përbashkët ose me qasje të madhe në dy kohërat, pavarësisht përsosmërisë si pasojë e zhvillimit të talentit poetik, përvojës jetësore dhe arsimit e kulturës së shtuar në kohë:

-Imagjinate dhe ngjashmëria metaforike e poetes është vënë disa herë në dukje prej nesh, pasi poetja  përdor metafora dhe imazhe në mënyrë të ngjashme në të dy poezitë (në rastin konkret) për të shprehur ndjenjat dhe ide emocionale.

-Poetja përdor një strukturë të veçantë për të organizuar poezitë e saj, ajo përfshin një qasje të lirë dhe ekspresive ndaj formës së poezisë, duke përdorur shpesh lirikën për të lejuar shprehjen e lirë të ndjenjave dhe ideve, madje kjo është kaq e dukëshme sa që shpesh mjafton të lexohet poezia dhe të kuptosh që është Lako, ndonëse heziton pak te distance kohore e krijimit.

-Veçanërisht stili i Natasha Lakos shquhet për ritmin dhe melodicitetin e tekstit të saj, ku përdorimi i rregullt i rimave, aliteracioneve dhe ritmit të ngadaltë krijon një strukturë sonore që bën poezinë tërheqëse dhe të frymëzuar. Shprehja “krijon një strukturë sonore” nënkupton krijimin e një qasje, afërie të organizuar dhe të arirë në përdorimin e elementit  “zanore” në një tekst, pra poetja përdor teknikat zanore për të krijuar një tingull sa tërheqës aq dhe të harmonishëm në tekstin poetik. Fjala “sonore” në këtë kontekst përcakton që poezia është e pasur me tinguj, zanore dhe melodi, duke e bërë atë të dukshme në mënyrë të jashtëzakonshme për dëgjuesin. Kjo strukturë sonore ndihmon në përcaktimin e një këndi të veçantë emocional për lexuesin ose dëgjuesin. Në esencë, ky koncept fokusohet në përdorimin e gjuhës për të krijuar një efekt të veçantë për publikun që po dëgjon ose lexon tekstin dhe Natasha Lako pak ka ndryshuar në përdorimin e elementit “zanor” në krijimin e strukturave sonore..

Pra, përmes këtyre elementëve të përbashkët, edhe pse poezitë kanë tema të ndryshme dhe janë shkruar në periudha të ndryshme të jetës së autores, ato shfaqin një poete të njohur në rritje, me një stil të vetin që vjen duke u përsosur dhe një aftësi të shkëlqyer në shprehjen e ndjenjave dhe përvojave emocionale që është në rritje si vetë njeriu.

Të kuptojmë, gjendja emocionale në dy poezitë është thelbësore, pasi autorja shpreh ndjenja nëpërmjet simboleve të natyrës dhe imazheve të ngjashme që përforcojnë ndjenjën e vetmisë, vuajtjes dhe shpresës për një liri emocionale, që përshtatet qartë me linjën tematike të poezisë së Lakos dhe përqendrohet në eksplorimin e ndjenjave të ndërgjegjshme të saj. Ajo që duhet të citojmë veçanërisht është fakti se qysh në poezinë e rinisë së saj, Lako, jo vetëm që nuk pati qasje me poezinë e soc. realizmit por shfaq elementë të modernitetit poetik psh. poezia e përmendur më sipër vlerësohet si një poezi moderniste me tipare simbolike dhe jo realiste, duke hapur një shteg të ri në studimin e poezisë së saj.

II-Në qoftë se do analizojmë shkurtimisht dhe krahasimisht disa nga figurat artistike të dy poezive për të krahasuar rritjen cilësore të poezisë së Natasha Lakos në kohën ndërmjet dy poezive do shpreheshim që:

-“Lotër” janë simbol i emocioneve të thella dhe në poezi përfaqësojnë një formë shpërthimi  emocional, një lloj shkarkimi nga ngarkesa shpirtëror e ndjenjave të fshehura, por në mënyrën se si shfaqen te dy poezitë ka ndryshime të dukëshme: te poezia “Nuk më le bora që të shoh” bora që shkrin ngjan me lotë të pastër dashurie, pra kemi nje krahasim direkt, te poezia e dytë janë ëndrrat ato që lotojnë, në kontekst vargu:“një ëndërr, që qan dhe qan e nuk pushon” që është metaforik, pasi shpreh një situatë ku ëndrra për diçka, e cila nuk realizohet, vazhdon të shfaqet dhe të “qajë” (të shprehë nevojën ose dëshirën për të) pa ndalim, e cila interpretohet si një përjetim emocional që nuk mund të ndërpritet apo të zgjidhet lehtësisht. Metafora e “qarjes” shton një element të fuqishëm emocional në varg. Pra nga një kuptimshëmri e drejtpërdrejtë te poezia e parë, kemi një të shprehur metaforik në të dytën. Por jo vetëm kaq, te poezia e parë janë flokët e borës që shkrijnë , pra një ndryshim fizik i kristaleve të borës nga akull në ujë që ofron simbolin e lotëve, te poezia e dytë loton një ëndërr, e cila në këtë varg mund të cilësohet artistikisht si një personazh simbolik ose një element metaforik, term që do të përputhej më mirë me përshkrin e një qenie abstrakte ose një përvojë simbolike që përdoret për të shprehur ndjenja dhe ide emocionale në poezinë e vargut. Pra, ajo (ëndrra) përfaqëson një gjendje emocionale ose një dëshirë shpirtëror që kërkon realizim, por vazhdon të jetë në stadin e parë. Si figurë simbolike, “ëndrra” ka karakteristika njerëzore, duke qenë në gjendje të shprehë nevojën ose dëshirën për diçka, ndërsa si element metaforik, ajo paraqitet si një entitet që komunikon me emocionet dhe gjendjen shpirterore të personit. Në të dyja rastet, “ëndrra” shërben si një element që forcon mesazhin e vargut dhe shton kompleksitet në interpretimin e tij artistik. Pra, nqse te poezia e parë jemi në një teren konkret, në poezinë e dytë jemi në një terren abstrakt, madje jemi në një terren shpirtëror, mirëpo bota ku “flasin” ndjenjat është poezia moderne, element të cilin kurësesi nuk duhet ta harrojmë. Unë do mirëkuptoja çdo lexues që do dëshirronte të sillte për ilustrim vargjet e poezisë: ’Binte shi me diell/ditën e parë të çlirimit/dukej natyra si një njeri/ që qan e qesh prej gëzimit” pse asgjë nuk do ndryshonte në interpretimin e mësipërm, veç tekstit vargor.

-Në qoftë se do shohim në tërësi simbolet e poezisë “Nuk më le bora që të shoh” vërejmë se ato janë simbole natyrore si “bora”, “çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura”, ”pranvera”, “flokët e borës” dhe “lotët e bukur dhe të bardhë” të cilët kanë një mënyrë interpretimi të drejtpërdrejtë, ndërkohë që simbolet te poezia: “Nën qerpikë më ka ngelur një ëndërr”simbolet natyrorë janë përsosur dhe modernizuar si psh: simbolika e puthjes shprehur te vargu ” Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime, si ëndërimi që nuk do të vdesë” shpreh vazhdimësinë dhe intensitetin e ëndrrave dhe dëshirave të heroit, të cilat edhe pse janë të mbingarkuara me dhimbje e trishtim, vazhdojnë ekzistencën përjetësisht, si një pjesë e ndërgjegjes së heroit, pavarësisht elementit natyror si qielli.

-Ndërsa vargu “Dallëndysheve ngjyrë plumbi”na rikujton se dallëndyshja është simbol i një shprese të re dhe lirisë. Cilësimi “me ngjyrë plumbi” sugjeron një atmosferë të errët dhe të trishtuar, pse ngjyra e plumbit simbolizon melankolinë dhe trishtimin. Fraza:”Çikrikut të një pusi të mbyllur”, ku pusi shpesh shfaqet si simbol i fshehtësisë, heshtjes  dhe misterit, ku në këtë kontekst, pusi i mbyllur mund të shprehë një heshtje, mister,  fshehtësi , duke sugjeruar se ka diçka që nuk është e zbuluar apo e shprehur në mënyrë të hapur, por gjithsesi pusi dhe çikriku janë elementë natyrorë.

-Të njëjtën gjë mund të themi dhe për metaforat, ku te poezia e parë: metafora “flokët e borës” shprehet për “ujin e ngrirë”në forma kristalore të bardha që duke rënë nga qielli shkrijnë si lotë dhe cilësohen estetikisht si “lotë të bukur” dhe “lotë të bardhë”, duke sugjeruar formën e bukur dhe të ëmbël të dhembjes, që përjetohet nëpërmjet dashurisë. Po kështu metafora: “Qepallat e mia” si vend ku “flokët e borës bien e shkrijnë” sugjeron se përjetimi i dashurisë ndikon ndjenjat shpirtërore të individit. Shtojmë se metafora e “dashurisë” (kjo është tema kryesore e poezisë),  shprehet e shfaqet si një forcë që mund të shkrijë edhe borën më të ftohtë. Në këtë kontekst, dashuria sjell ngrohtësinë emocionale në jetën e njeriut, duke bërë që edhe momentet më të vështira të përjetohen me një lloj bukurie. Pra dhe metaforat te kjo poezi  janë shprehur në një kuptimshmëri të drejtpërdrejtë, madje dhe në rastet kur shprehen në formë vargore   si: “Flokët e borës/ bien e shkrijnë në qepallat e mia”,apo “Kaq lotë të bukur, kaq lotë të bardhë / mund të pikojnë vetëm nga dashuria”.

Te poezia e dytë metaforat kanë një tjetër dukje si në formë ashtu dhe në kuptimshmëri. Kështu vargu “I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura” është  metaforë , ku përdorimi i fjalëve “stërkala” dhe “kripura” nuk është i drejtpërdrejtë, por përdoret për të shprehur një gjendje emocionale ose ndjesore të heroit poetik. Në këtë kontekst, “stërkala” mund të interpretohet si emocione ose ndjenja të reja që shfaqen në sipërfaqen (si djersa) të trupit të heroit poetik, ato mund të jenë të paparashikueshme e të forta, dhe shoqërohen me një shpërthim emocional. Ndërkohë, “kripa” sugjeron intensitetin e këtyre ndjenjave, duke treguar se ato janë të fuqishme dhe të dhimbshme.

-Po ashtu dhe imazhet poetike  te poezia “Nuk më le bora që të shoh” kuptimshmërinë e kanë të drejtpërdrejtë, si psh:”Çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura”, “pranvera”, “flokët e borës”, “lotët e bukur dhe të bardhë”që janë imazhe të cilat shfaqen si elemente të një peizazhi dimëror plot trishtim, ndërsa te poezia “Nën qerpikë më ka ngelur një ëndërr” kemi një tjetër dukuri të tyre dhe konkretisht: “Merimanga e qiellit” përdoret si një imazh për të shfaqur një atmosferë të misterioze dhe emocionale. Ky imazh sjell  ndjesinë e një hapësire të pafundme shpirtërore të individit, dhe ndihmon në forcimin e ndjesisë së trishtimit të poetes.

-Vargjet: “Mbi të pëgërat e qenve, heshtjes prej ujku, Dallëndysheve ngjyrë plumbi, çikrikut të një pusi të mbyllur” përmbajnë një sërë imazhesh simbolike që përforcojnë atmosferën e poezisë, ku të analizuara veçmas secilën prej tyre, kemi: “Mbi të pëgërat e qenve” paraqet një imazh të ndotur që lidhet me qentë, të cilët zakonisht konsiderohen si simbole të besnikërisë dhe besimit. Përdorimi i “pëgërat e qenve” mund të përfaqësojë një dimension të besimit dhe të shpresës, duke sugjeruar se në një moment të errët ose të vështirë, besnikëria mund të jetë një ndihmesë. Fraza:”Heshtjes prej ujku”, ku ujku është një simbol i forcës dhe pabesisë  dhe heshtja prej ujku mund të shprehë një gjendje të frikshme, një hapësirë ku heroi mund të ndjehet i braktisur apo i vetmuar. Imazhi “I dashuri im kalon përmes” është i rëndësishëm dhe i fuqishëm në kontekstin e poezisë, pse shpreh ndjenjën e lidhjes dhe komunikimit midis heroit poetik dhe dashurisë së tij, duke i dhënë një finish kuptimit poetik Në këtë kontekst,”I dashuri im”përfaqëson një person që heroi(na) poetike e do dhe për të cilin ajo ka ndjenja. Folja “kalon” sugjeron një lloj lëvizjeje ose lidhjeje të ngushtë midis të dyve, lëvizje që mund të përfaqësojë një lidhje të thellë emocionale, një ndjenjë të përjetuarit shpirtërisht, ose një formë kontakti fizik apo komunikimi shpirtëror që tejkalon fjalët dhe shprehjet konvencionale. Fjala “përmes” shpreh  një lloj kalimi, ecjeje, përjetim apo komunikim që ndodh në një nivel më thelbësor, më shpirtëror. Kjo dëshmon se lidhja midis personazhit poetik dhe të dashurit shkon përtej fjalëve dhe ndjenjave të thjeshta, duke arritur në një dimension më të thellë të përvojës njerëzore.

III- Më sipër përmendëm se poezitë e Natasha Lakos shquhen për melodicitetin e tyre, ndaj në synim të sqarimit themi se: poezia “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr” nga Natasha Lakos ka një melodicitet të dukshëm dhe tërheqës në përdorimin e zanoreve dhe ritmit. Melodiciteti në poezi është një aspekt që përcakton se si tingujt, zanoret, ritmi dhe struktura e fjalëve bashkohen për të krijuar një përvojë auditive të veçantë për lexuesin ose dëgjuesin. Ky term shpreh harmoninë dhe elegancën e tingullit dhe zanoreve në një poezi, duke e bërë atë të dukshme dhe tërheqëse për ata që e lexojnë ose dëgjojnë. Është fakt që melodiciteti poetik është më i dukshëm në poezinë tradicionale, romantike dhe klasike për shkak të përdorimit të rimes dhe ritmit. Këto periudha letrare shquhen për përdorimin e strukturave të qëndrueshme të poezisë që përfshijnë rima të rregullta, ritëm të qartë dhe organizim të qëndrueshëm të vargjeve dhe kjo është një ndër arsyet që këto poezi këngëzohen lehtësisht dhe masivisht.

Në poezinë tradicionale, përdorimi i rimës është një karakteristikë thelbësore. Rimat e rregullta në fund të vargjeve ose brenda tyre krijojnë një strukturë të përsosur zanore dhe tingujsh, që i jep poezisë një melodi të veçantë e cila ka ndikuar jashtëzakonisht në perceptimin tonë të poezisë dhe në mënyrën se si e vlerësojmë melodicitetin në poezi. Po ashtu, poezitë romantike shquhen për përdorimin  intensiv të melodicitetit. Përdorimi i rimës dhe ritmit në poezinë romantike shpesh lidhet me përshkrimin e emocioneve të thella dhe të ndjeshme, dhe krijon një atmosferë të zjarrtë e romantike. Edhe në poezinë klasike, përdorimi i rimës dhe ritmit është  tepër i dukshëm dhe i rëndësishëm. Këto forma të poezisë shpesh kanë një strukturë të përcaktuar të vargjeve dhe përdorin rima të rregullta për të krijuar një melodi tërheqëse si pasojë e shfrytëzimit të zanoreve dhe ekuilibrit melodic që ato mbajnë në tekst. Për ta kuptuar këtë mjafton tu kushtojmë vëmëndje teksteve të këngëve popullore me iso toske, ku zanoret “komandojnë” melodinë.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe në poezinë moderne dhe post-moderne, ku përdorimi i rimës dhe ritmit mund të jetë më i rrallë ose më i lirë, ende ka elemente të melodicitetit. Përdorimi i aliteracioneve, asonancave, strukturave të lira vargore, ritmit të lire dhe shfrytëzimit të elementëve zanore për të krijuar struktura sonore janë vetëm disa mënyra alternative për melodicitet në poezinë moderne.

Kështu, në zbërthimin e melodicitetit te poezia e Natasha Lakos shohim se:

-Poezia ka një strukturë ritmike, që përforcon melodicitetin e saj. Vargjet kanë një lëvizshmëri të qëndrueshme dhe  një fluks të qetë, gjë që krijon një melodi të veçantë. Ndërkaq, përdorimi i rimës në fund të vargjeve (“ëndërr” dhe “pushon”) ndihmon në përsëritjen e tingujve, duke krijuar një harmoni në poezinë.

-Përdorimi i imazheve poetike si “merimangën e qiellit shtrihet puthja ime”, “ëndërr”, “stërkala të reja, të kripura” ndikojnë në melodicitetin e poezisë duke e bërë atë të pasur në ndjenjat dhe imazhet që përshkruhen, pasi sjellin një lloj harmonie auditive dhe vizuale. Po kështu përsëritja e frazave “I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura” dhe “Si ëndërimi që nuk do të vdesë” krijojnë një strukturë simetrike që rrit melodicitetin dhe e bën poezinë më harmonike.

-Në poezinë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”, fjalët dhe mendimet janë të lidhura në një mënyrë që krijon një harmoni dhe një strukturë të qëndrueshme, e cila përforcon melodicitetin e përgjithshëm të poezisë. Kjo harmoni dhe lidhja mes fjalëve dhe mendimeve e bëjnë poezinë të jetë muzikalisht e ëmbël për veshin.

-Fjalët dhe frazat në poezi janë përzgjidhur me kujdes për të krijuar një atmosferë dhe imazh të veçantë, ku përdorimi i zanoreve në fjalë  të tilla si “ëndërr”, “qan”, “pushon”, “trupi”,”stërkala”,”kripura”,”merimangë”,”qielli”,”puthja”,”ëndërimi”,”dallëndyshe”, “ujku” ,  “plumbi”, “çikriku”, dhe “pusi” kontribuojnë në melodicitetin e poezisë dhe e mbushin atë me ngjyra dhe imazhe të forta dhe emocionuese. Zanoret që ndikojnë melodicitetin janë: Zanoria “a” te vargu “Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime” sjell një ndjesi të butësisë dhe intimitetit, duke shprehur një moment të përzemërt mes poezisë dhe natyrës. Zanorja “e”,  jo vetëm që mban ekuilibër të vargut dhe të melodicitetit, por në artet gojore e  përfshirë  në iso, është ajo që jep miratimin e tekstit dhe të vijës melodike me atë tingullin eeee të vazhdueshëm.“ Këtu, psh. te vargu “që qan dhe qan e nuk pushon” përcakton një ndjenjë të vazhdueshmërisë (të dhimbjes dhe pikëllimit, duke përforcuar intensitetin e emocioneve të përjetuara) duke vijuar funksionin që ka dhe te poezia tradicionale. Zanorja “ë” e përdorur në fjalën “ëndërr” jep një ndjesi të butë, të ëmbël, ku fjala “ëndërr” shpreh një ndjenjë të pazakontë, një ëndërr që shpesh përcillet me një melodi të butë dhe emocionuese. Zanorja “i” është themelor në gjuhën shqipe dhe ndikon në melodicitetin e fjalëve ku përdoret, psh, fjala “im” e përfshirë në rreshtin “I dashuri im kalon përmes” shton një ndjenjë personale dhe intime në melodi, duke kontribuar në forcimin e këtyre ndjenjave. Zanorja “u”në gjuhën shqipe ka një peshë të jashtëzakonëshme dhe funksion të veçantë në kontekstin emocional që përjetohet. Te artet gojore ajo është e fuqishme dhe tronditëse, psh në logatje, fraza: U, derëziu u” për peshën e madhe të dhimbjes që trasmenton ajo sposton nga vëmëndja strofa brilante të mundëshme. Te bororitja, ai fillim me  “u” të zgjatur në formën “uuuu”, pastaj një ndërprerje  në formën “uhuuuu” paralajmëron për një gjëmë të fortë sa që mund të gremisë botën në humnerat qiellore. Ajo ngjan si një valvul  nga shfryn dhimbja, tensioni i së cilës ka shkuar në ekstrem. Kjo zanore  ka ndikim në melodicitet , psh. në vargun “që qan dhe qan e nuk pushon./I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura” ku:, zanorja “u” përdoret në fjalët ” nuk pushon” që tregon vazhdimin e funskionit të cituar “qan e qan” duke shtuar si element të ri  në melodicitetin  vajtimor të vargut. Te vargu:”I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura”, zanorja “u” përdoret në fjalën “mbushur”duke dhënë një ndjenjë të ekstremit të dhimbshëm, pra kjo zanore  përcakton një gjendje stabiliteti dhimbjeje në vargje, duke shtuar një element tërheqës në melodicitetin dhe forcimin e atmosferës poetike të poezisë.

Pasi kemi analizuar disa prej vargjeve të poezisë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”  të Natasha Lakos, kushdo që ka mbaruar një shkollë muzikore të mesme apo të lartë apo që ka përvojë në aktivitete muzikore tradicionale mund të ndjejë një qasje muzikore të vargjeve të poezisë për të kuptuar më mirë melodicitetin e tyre. Psh., vargu: “që qan dhe qan e nuk pushon” ka një strukturë ritmike të përsëritur dhe një ndjenjë të qëndrueshmërisë së ndjenjave të dhimbjes ose trishtimit. Në një qasje muzikore, ky varg mund të interpretohet me një melodi të gjatë dhe të përsëritur që përforcon ndjenjën e vazhdueshme të dhimbjes. Ritmi i përsëritjes së fjalëve “qan dhe qan” mund të përforcohet në muzikë me përdorimin e një “pattern-i” të përsëritur muzikor ose me zhvillimin e një motivi të ngjashëm melodik.( Pattern-i në kontekstin e muzikës është një shkallëzim ose organizim i strukturës muzikore që përsëritet nëpër një këngë, pjesë muzikore ose kompozim), por kjo është fushë tjetër që del jashtë kontekstit të këtij shkrimi. Nga sa e njoh muzikën dhe sa kam mësuar nga muzika  iso-polifonike  mund të them se në një qasje muzikore për vargun “I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura” mund të kemi përdorimin e një melodie të shtrirë, që shpreh një lloj lëvizjeje apo shtrirjeje melodike nëpër regjistra të ndryshme, (mos u ngatërroni me shtrirjen e iso-s në këngët iso-polifonike). Një kompozim muzikor i bazuar në  vargjet e poezisë “Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr”të Lakos mund të krijojë një përvojë të pasur dhe tërheqëse për dëgjuesit, duhet vetëm kompozitori që ta ndjejë dhe ta notizojë melodinë e cilë është në vargjet poetike. Gjithsesi muzika e nje teksti të tillë poetik do jetë larg tradicionalitetit muzikor që ofron muzikaliteti i poezisë “Nuk më le bora që të shoh” e cila ka një qasje me këngën korçare: “Dëbora mbuloi maletë”, me gjithë diskordancën që ofron rima dhe rrokjet.

Sarandë, mars 2024

 

NËN QERPIKË MË KA MBETUR NJË ËNDËRR

 

Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr,

që qan dhe qan e nuk pushon.

 

I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura,

Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime,

Si ëndërimi që nuk do të vdesë.

 

Mbi të pëgërat e qenve, heshtjes prej ujku,

Dallëndysheve ngjyrë plumbi, çikrikut të një pusi të mbyllur

I dashuri im kalon përmes.

 

Kundërpërfytyrimi, Onufri, 2023 f.11

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok