14/10/2024

NË RAHOVEC, KU NJERËZIT KANË KULTIN E TOKËS

0

NGA NDUE DEDAJ

Nuk ka nevojë të shkosh në komunë, për të pyetur se me se merren banorët e Rahovecit. Mjafton t’iu hedhësh një sy kodrave plot vreshta dhe blloqe mollësh për të kuptuar se nuk është e rastit që Rahoveci është quajtur kryeqyteti bujqësor i Kosovës. Mustaf Mustafa, bletari 64 – vjeçar, që ka një park me rreth 260 zgjoje, na thotë se këtu nuk mund ta lëshë tokën pa punuar. Dhe nëse ti ikën diku tjetër me banim, në Prizren, Prishtinë, apo në emigracion, toka assesi nuk do të mbetet djerr. Mund të thuash me plot gojën se këta njerëz kanë kultin e tokës, bimës, sidomos të vreshtarisë. Kështu kulti i diellit e hanës, i zotave olimpikë e ka braktisur qiellin dhe ka bërë vend në këto brezare plot me rrush.

Rahoveci është “kantina” më e madhe dhe më e përmendur shqiptare për prodhimin e verës, me disa bodrume të vjetra të traditës, të paktën 7 – 8 të tilla. Në afishe, në kryqëzimet e rrugëve të qytetit prej rreth 30 mijë banorësh, është “skulptura” simbolike e vreshtarisë: veshi i rrushit. Shkurt, këtu njerëzit i falën hardhisë si në vreshtat pjellore të Dionisit në antikitet!

Vreshtat vijnë që nga koha e Ilirisë, me lloje rrushi vendës dhe nga e gjithë bota. Mbase që nga ajo kohë ka mbetur dhe tradita e pirësve të verës e pijetarëve të rakisë në këto anë. Ka qenë poeti mirditas Viktor Gjikolaj, i ndikuar nga Saadiu a Gëte, që në një poezi të tijën brilante ka bërë dallimin mes pijanecëve dhe pijetarëve. Me qenë pijanec është turp, me qenë pijetar je si me thënë brenda një rituali të këndshëm popullor.

Komuna e Rahovecit, qyteti dhe 36 fshatrat, kapin shifrën e mbi 75 mijë banorëve, kadastra e të cilëve përmban 1000 ha vreshtë, gjysma nga sektori i dikurshëm shtetëror. Rahoveci është maja e vreshtarisë, që dikur kishte “sivëlla” dhe Shtojin e Shkodrës. Vreshtat këtu punohen në mënyrën me profesionale, çka ka bërë që vera e Roskovecit të hyjë në tregjet ndërkombëtare, duke fituar çmime në Bruksel etj. Shqiptarët matanë Morinit, me tokat djerr, zaptuar nga ferrat, duhet të vijnë këtu dhe të shohin si bashtina “çlirohet” nga barërat e këqinj, si harliset hardhia, si prodhimi vendas nuk është aspak më poshtë si cilësi se ai i vendeve të tjera.

Por me sa duket administrata asnjëherë nuk është në lartësinë e bujkut dhe në “lëkurën” e tij sa i përket ndjeshmërisë për prodhimin bujqësor. Dodë Ndrecaj, mësues gjimnazi, përkthyes dhe botues, që vetëm pak kilometra më tej, në një fshat të Klinës, ka fermën e tij familjare, tërheq vëmendjen: “Grunajat tona kanë hyrë në fazën e pjekjes dhe korrje-shirjet janë në prag, kurse ministria e Bujqësisë ende nuk ka vënë në lëvizje drejtoritë përkatëse komunale për evidentimin e ngastrave të mbjellura me grurë, lidhur me pagesat e subvencioneve të dyfishuara gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia!?”

Nga bisedat me njerëzit e këtushëm kupton se çdonjëri nga ata ka diçka të veçantë për të rrëfyer. Kemi trokitur në derën e vilës trekatshe të Adem Kryeziut, 93 – vjeçarit që është marrë me pajtimin e gjaqeve në 90-n. Baca Adem ka mësuar vetë shkrim e këndim dhe me rikthimin e lirisë së besimit është bërë “haxhi”, duke shkuar dhe në Mekë. Gjithë jetën ka qenë mik për kokë me mësuesin e njohur Jak Mita në Prishtinë. Te porta na pret i biri, Bajrami, mësues i teknologjisë, dikur i dënuar politikisht për pjesëmarrje në demonstratat e studentëve të Kosovës, në vitin 1982. Në kohën e luftës, më 1999, ka qenë i dëbuar në Tiranë me gjithë familjen, ku nuk e ka lëshuar profesionin, por është marrë me trajtimin e fëmijëve kosovarë që kishin përjetuar trauma, bashkë me veprimtaren e shoqërisë civile Kozara Kati etj. “Na është thënë t’i shkrujmë dhe përmbledhim në botime përjetimet e asaj kohe”, thotë ai. I biri, 16-vjeçar, Argtimi, që i bie kitarës bukur, nuk di asgjë nga ato ndodhi të trishta. Ai tregon me kënaqësi se ka qenë për vizitë me shkollën e tij në Tiranë dhe Shkodër, një praktikë e ndërsjelltë e shkollave këndej dhe andej Morinit, “tra” që tashmë nuk ndan, por bashkon.

Ishte kënaqësi të dëgjoje një personazh të veçantë si Sabahajdin Cena, pedagog i fakultetit të Edukimit në Prishtinë dhe Gjakovë, që pas pensionimit, ndonëse nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me universitetin, është dhe pak fermer. Ai korrigjon punimet e studentëve të gazetarisë, shkruan reçensione për libra të ndryshëm të albanologjisë, por pa harruar asnjëherë historitë e trimave të UÇK-së, jehona e të cilëve është aq e gjallë këtu në Rahovec dhe mbarë Kosovën. “Asnjë shtëpi nuk ka mbetur në këmbë gjatë luftës, janë rrafshuar të gjitha”, çka e kemi parë me sytë tanë në vitin 2000 kur kemi vizituar Malishevën fqinje, Deçanin etj. Në këto troje, liria është kryemotivi i çdo bisedë, herët e vonë. Studiuesi i historisë Nikollë Loka ka ardhur nga Tirana të interesohet se si ka funksionuar administrata shtetërore në periudhën 1941 – 44, duke bërë kërkime për emra të veçantë, si Ndue Pepa, ish – sekretar komune në Gjilan e pastaj në Rahovec. Është një kohë që njerëzit e këtushëm e kujtojnë me admirim, pasi Shqipëria u bë e gjitha bashkë, pavarësisht se ishte një bashkim në rrethanat e pushtimit. Këtë e pohon dhe profesor Sabahajdini, aty në bahçen e tij me mollë e perime, që ai e vadiste si një usta i mirë.

Vemi për një vizitë të shpejtë në shkollën 9 – vjeçare “Isa Boletini”, me mbi 1100 nxënës dhe 72 punonjës mësimorë. Na pret zëvendësdrejtori Nehat Duraku, me përvojë disavjeçarë në drejtimin e shkollave dhe trajnimin e mësuesve me programet e reja. Ndër të tjera, ta tërheqin vëmendjen dhe dy stenda me fotografitë e mësuesve, që nga Lufta e Dytë Botërore e më sot, ku lexon dhe emrin e profesor Ali Hadrit. Në vitin 2008 kjo shkollë kishte mbi 1700 nxënës. Edhe nga një fakt i tillë i shkëputur e kupton se Rahovecit nuk i mjafton begatia e vreshtarisë, që të qëndrojë i tëri në trojet e veta, por të “rrjedhë” ngapak andej nga venë shumë shqiptarë, gjithnjë duke shqiptuar atë formulën “për një jetë më të mirë”.

Rahoveci është një hambar i prodhimet të rrushit e verës, po dhe i përvojës së gjatë e të suksesshme të punës me tokën. Nuk mungojnë pushtetarët në festën e vjeljes së rrushit, verës së re etj., por Rahoveci, më shumë se fjalimet festive të udhëheqësve, meriton statusin e një “shkollë vreshtarie” për shqiptarët dhe me gjërë në rajon, çka nuk bëhet duke pakësuar burimet financiare për vreshtarinë. Nuk dimë sa është e vërtetë, por, këto ditë, vreshtarët e Rahovecit kanë ngritur zërin në media kundër një propozimi të ministrisë së Bujqësisë për uljen ndjeshëm të subvencionit për vreshtarinë, nga 1000 euro për hektarë në 400 euro!?

Çdo vend ku shkel për herë të parë, është si një zbulim për ty. Nga befasitë e Rahovecit është dhe një varrezë e vjetër, e ngjashme me varret e Vuksanlekajt në Tuz. Janë rrasa guri të palatuara, të madhësive të ndryshme, nga krejt të vogla deri në dy metra lartësi, pa asnjë mbishkrim apo simbolikë. Të duket se ke prekur një cak të mugët të fillesës njerëzore. Për kalimtarin, ato rrasa varresh, janë memece sa i përket datimit etj., ndërsa për studiuesit duhet të jetë ndryshe.

Po aty, poshtë rrugës së makinës, nën hijen e do lisave të mëdhenj, është dhe varreza memoriale e të rënëve të UÇK-së, para të cilëve përulemi me nderim, ndërkohë që mendja na vete të komandantët çlirimtarë, që tash për tash gjenden në Hagë, në paliri…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok