07/10/2024

NË MILANO, RRUGË QË RRJEDHIN NGA DUART E MIA…

0

Nga Visar Zhiti

Takimi u bë në shtëpinë muze të poetit dhe piktorit Emilio Tadini, mes pikturave të tij dhe relikeve si vepra arti. Ishin mbledhur bashkë italianë dhe shqiptarë, poetë, gazetarë, dashamirës të poezisë, kishin ardhur dhe nga larg, bashkëvuajtës të Visar Zhitit, miq të burgut, etj, sepse përurohej libri i ri i tij, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, një antologji e gjerë që përmbledh kohë e vende në dy gjuhë, shqip dhe italisht, “Strade che scorrono dalle mie mani”, botuar nga editoria “Puntoacapo”.

Ndërkaq këtij libri iu dha çmimi ndërkombëtar , i njohur në Itali “Camaiore” .

Takimin e çeli poetja Cinzia Demi , anétare e jurisë së çmimit, ajo i uroi dhe mirëseardhjen poetit nga Shqipëria duke falenderuar organizatirët e takimit dhe pastaj u kalua në dialogun mes botueses Cristina Daglio e Visar Zhitit, ndërsa drejtori i botimeve, poeti Mauro Ferrari ndër të tjera shpalosi universalitetin e poezisë së Zhitit.

Pasi lexuan poezi të Visari, në shqip Eda Zhiti dhe në italisht Cinzia Demi, gazetarja Melina Scalise, drejtore e muzeut, diskutoi për forcën parake të fjalës shqipe në këtë libër, – unë jam arbëreshe, – tha ajo, – dhe e kuptoj etimologjinë e shpirtit të fjalës dhe shtoi se do të donte dhe do të programonte që libri “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia” të studiohej nëpër shkolla, që të rinjtë të mësojnë, mbi të gjitha të dinë të ndjejnë dhe të përballen…

Folën dhe nga salla. Padre Gianni Criveller, njohës i thellë i persekutimit të poetëve në Lindje dhe Kinë, tha se vuajtja njerëzore është kthyer në vlerë poetike, po këtë theksoi dhe studiuesja dhe përkthyesja bjelloruse, Lara Putsileva. Folën dhe kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë në Itali, poeti Skender Lazaj duke vlerësuar takimin, përshëndetën, Alban Gjata, Astrit Çela, etj.

Piktori Maurizio Caruso, autori i kopertinës së librit, bënte foto gjithandej. Visari jepte autografe e bisedonte me miqtë, me bashkëvuajtësin, studiuesin Eugjen Merlika, i cili i dhuroi librin e vet më të ri, po kështu dhe poetja Valbona Jakova, ndërsa Laura me një pasardhese të poetit Dom Ndre Mjeda kërkuan të bënin një foto. Julia Pepa si gjithmonë e dashur…

Të gjithë po kujtonin atë që tha Visari, kur botuesja e pyeti se cila do të ishte fjala e vetme që do të përmblidhte poezinë e tij: Dashuria!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok