22/12/2024

Në kokën e qerosit bëhen të gjithë berberë

0
Shyqyri-Fejzo1

Në vend të fejtonit..

Nga Shyqyri Fejzo

Kur lexoni këtë titull shkrimi, mos vrisni shumë mendjen të kërkoni koka qerosi apo berberë për këto koka. Ti biem “Përmidis pazarit të Durrësit”titull kënge të cilën e këndonte aq bukur artisti Durrsak Qemal Kërtusha, është fjala për ekonominë e vendit tonë. Ajo ka lënguar dhe vazhdon të lëngojë dhe nuk po gjen dot rrugën e saj të zhvillimit normal. Me që bëhet fjalë për berberë, edhe unë, po marr një palë gërshërë me te cilat qethen dhentë, që të pres ato dy tre qime që kanë mbetur pa qethur.

Berberët “profesionistë”, qethën dhe  rruan mirë e mirë kokën e qerosit për mbi 260 uzina, fabrika, punishte etj. të cilat valla kishin prapambetje në teknologji. Ksisoj ato një pjesë u privatizuan, u shitën për skrap etj. dhe paratë nuk dihen nga “fluturan”,deri sa dualën berberë të rinj të cilët qethën e rruan pa lagur fare në firmat piramidale. Minierat, industria nxjerrëse e naftës “u qeth karre, “alla kolonjarçe”që në rrëzë të qimeve.  Të njëjtin fat pësuan teknika, armatimi e krejt logjistika e ushtrisë. Në sektorin e bujqësisë “berberët” inatin e madh klasor revolucionar e nxorën në prerjen e pemëve frutore, vreshtave, prishjen e stallave dhe shitjen e gjësë së gjallë që ishte brenda. Ju turrën dhe i qethën mirë e mirë kombinatet e plehrave kimike e pesticideve.”Gërshërë të forta”u përdorën për shkatërrimin e veprave ujitëse si dhe atyre kulluese duke kthyer zona fshatra e  rajone “si Venecia” që  në  rreshjet e para prag dimri.

Kohët e fundit kanë dalë “berberë” të rinj më të specializuar “që të rrëmbejnë vezët nën klloçkë.”Ndalim vetëm në një moment.

Ne një rubrikë të lajmeve ne tv Klan guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko u shpreh “se ulja e vlerës së këmbimit e Euros në Tiranë, pra në Shqipëri, në nivel të ndodhur për herë të parë në të gjithë historinë e pas viteve ’90 të shekullit te kaluar, është rezultat i performancës së ekonomisë së vendit!” Çfarë ndodhi në Shqipëri që u vërtetua kjo preformancë? Cili ishte faktori kryesor, që u rrit kaq shumë vlera e lekut?  U rrit prodhimi industrial, prodhimi bujqësor e blegtoral, apo “magjistarët bankierë”? Kjo ishte gënjeshtra me bisht e këtij “berberi” që jo vetëm qethi po dhe i rrojti mirë emigrantët në rradhë të parë dhe mbarë popullin që mbaheshin me remitancat  e dërguara nga ata. Vetëm ata ishin pa mjelë dhe Banka i kaloi mirë në shtrungë. Ky  është “berber”o xhan i vëllait!

Ndalim në një fakt. Euro ne daten 13.07.2022 është këmbyer me 117, 3 lekë nga 98.8 lekë që u këmbye sot. Pra, në 100 euro humbja është 18.5 lekë.T’i  biem shkurt dhe drejt për drejt, kjo ka dy arsye: Banka e Shqipërisë mund ta ketë nxitur vetë këtë “qethje” të madhe për të mbyllur gropa e vrima që ka sot ekonomia e buxheti. Dhe arsyeja tjetër mund të jetë një marveshje e mafjes financiare e cila në momentin e saj  më të leverdishëm e mbyti kambizmin me euro “të pista” dhe “berberi Sejko” bënte atëhere gjumin e shqerrave, duke quajtur me vend thënien e Ushtarit të mirë Zhvejk “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë!”

Po të ishte sot gjallë shkrimtari i madh amerikan Mark Twein, nuk do  të mbetej natë da dalë nëpër televizionet e vendit tonë. Ai në gjallje të tij, midis të tjerave pati theksuar se;”Mendimet i japin të mençurit e vendimet i marrin budallenjtë. “

Do ta besonim se lekut në ekonominë e vendit tonë i është rritur vlera në se do rivlerësonim atë  dhe të bënim emetim të ri të monedhës  pra,  ndërrimin e parasë.

Përse duhet ndërruar paraja?

Kjo lloj reforme bëhet nga një vend kur ai kalon vorbuj ekonomik si tonat, gërshetuar me kriza politike. Jemi nga vendet e pakta ku ekonomia informale vepron fuqishm si dhe kambizmi, ku arktime pagesa të konsiderueshme kryhen jashtë arkave të bankës.

Në duart e disa njerzve e grupeve të vecanta të popullsisë ka rënë në dorë në mnyrë të padrejtë një sasi e madhe parash [CASH}, e cila nuk është rezultat i punës tyre, por i makinacioneve të tranzicionit, pa harruar grabitjet dhe vjedhjet banale.

Herë pas here në xhiron ekonomike të vendit ka hyrë një sasi para fallco që duhet marrë në konsideratë, se kanë sjellë pasojat e tyre, si mashtrimin, inflacionin dhe pasigurinë e lekut.

Premjet e parave ekzistuese shpesh kanë qënë të dobëta si 500 lekshe  tre lloj, 1000 lekshe tre lloj etj.Po si mund të bëhej këmbimi dhe shpërndarje e parasë  së re?Është e teprët të themi se ky operacion themelor për paranë kërkon vlerësim maksimal dhe marrje masa e përgatitje serioze e me përgjegjësi. I a vlente që për këtë aksion të madh të bëhej një debat i gjërë dhe të vendoste legjislativi për të gjitha detajet, sasinë e parasë që do të këmbente cdo shtetas, familja, bisnesi etj. Kuptohet, ky proces do të kishte dhe koston e vet sociale, mbasi ligji duhet të prcaktonte dhe kërkesa si  burimi i sigurimit të parave që do kmbente, etj.

Në këtë process, ka ardhur koha, në mos jemi të vonuar, që të bëhet rivlerësim i lekut. Mbase duhej bërë me kurset 1 lek i ri me 11 lek të vjetra ose 1 me 9 lek të vjetra. Kjo do të ishte masa më e rëndsishme për të hequr nga praktika dhe mendjet e njerzve në llogaritjen e mumurimin e parave në para të reja dhe të vjetra. Kemi mbi 50 vjet që llogaritë e bëjmë “lëmsh” me lek të reja dhe të vjetra. Kjo është një anomali kangrenë e cila vihet re kudo, në xhiron ekonomike, buxhetin familjar, bankë, përfshi dhe median. Në atë “shtrungë” po të donte rezultate sesansionale le të  qëndronte dhe SPAKU.

Reforma ekonomike së pari duhet kuptuar e punuar për rritjen e forcës ekonomike të lekut me rritje prodhimi e shërbimesh, me përmirësim rrënjësor të pagave e pagesave,me shpërndarje e rishpërndarje të drejtë …..Po në fund të fundit edhe mbrojtjen e mirëmbajtjen e monedhës. Mund të jemi i vetmi vend në botë që në dasma, në vallen e nuses, shkelin me këmbë kartëmonedha të bankës që kanë Skënderbeun, Ismail Qemalin,Naim Frashërin. Paratë janë të shenjta se në to mëshirohet djersa e puntorit. Por ata që i kanë në tufa dhe i hedhin gjithë kapadaillëk nuk e kanë njohur erën e djersës, ndaj do ishte me vend të njihnin ndonjë nen të  ri të kodit penal për këtë problem.

Këto mendime një pjesë të cilave i shkruam në këtë shkrim, e di që Parlamenti, partitë politike, shteti, nuk e kanë fare për zemër se u preket direkt interesi. Por, një ditë, në këto instanca do të vinë njerëz të rinj dhe ata me frymën e re, dhe  janë aq të ditur sa të vlerësojnë paranë, si prodhohet, si shpërndahet dhe rishpërndahet në vend. Në Ministrinë e finanacave dhe Bankën e Shtetit kanë kaluar mjaft specialistë por nuk e kapën “demin për brirësh”, ndërrimin e parasë. Në se do arrinte këtë objektiv, ministri i Financave do të bëhej vërtet prokuror i lekut, dhe ekonomia e vendit do të lëvizste në katër rrota.

Shyqyri Fejzo Hamburg-Gjermani.Tetor 2024.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok