09/11/2024

NË GJURMËT E PIKTOGRAMEVE PELLAZGE

0

NGA PËLLUMB  GORICA

Udhëtoj shpesh viseve shqiptare për të qënë jo vetëm përjetues i mozaikut interesant të tyre, por edhe eksplorues në thellësi i të bukurës, të dobishmes, me llojshmërinë e pasurive nëntokësore, gjeografike, etnokulturore, shpirtërore e historike në mënyrën më idilike e të mundshme të shkuarës së trashëgimisë sonë.

Në të dyja anët e “Rrugës së Kombit”, që kalon luginës së Fanit e rrjedhës së lumit me të njëjtin emër, shtrihet treva e Mirditës, në një reliev me një vizion ndjellës bukurish, si amfiteatër natyror i mahnitshëm, që përveç shkëlyerjes për HEC, ndërtime xhepanesh, resorte dhe fabrika të rrënuara minerare, vendet historike; rrënojat antike, ndërtesat e shenjta katolike, kullat epike tepër interesante nga stili arkitektonik, me vlera kulturore historike jo vetëm si banesa familjare, por edhe si karakolle mbrojtje nga pushtuesit, e sot shumica e tyre të rrënuara e të zevëndësuara nga shtëpi të kohëve moderne, dhe qytetthet e Rubikut, Rrëshenit, Kurbneshit e Repsit, që pikëlojnë mes ngjyrave të ndezura të gjelbërimit.

Bjeshkët e Zepës

E ndërsa ecim kuqëlimi i pak reve nga syri i sapo dalur i diellit, të reflekton pamjet e natyrës, që flasin me gjuhë arti. Natyra, si një orakull, i tregon ndodhitë, simbolet dhe misteret madje të shumë kohëve më parë, që i bëjnë rezistencë asaj në nëntokë e çuditërisht një ditë gjejnë një dalje, për të na kujtuar se janë drita të fshehura, të cilat mbajnë ndezur shkëlqimin e kohërave të lashta.

I kthyer në një objekt kureshtje jo vetëm për studiues e historianë, por edhe për adhurues, guri me piktograme prehistorike i zbuluar rastësisht nga njërëz të thjeshtë jo pas punimeve të arkeologjisë në Xhuxhë të Mirditës (Fatkeqsisht, mungojnë kërkime eksploruese arkeologjike prej dekadash në Mirditë), përbën një ngjarje interesante historike, që dëshmon ekzistencën e një qytetërimi të lashtë.

S’duhet quajtur rastësi gjetja e këtij guri në Xhuxhë, që sjell mesazhe hyjnore nga thellësia e një tejkohe të largët, sepse ka ngjashmëri me simbolet e artit shkëmbor prehistorik të zbuluara në zona të tjera të Shqipërisë, si në Lepenicë në vitin 2005, në Malicë të Prespës në vitin 2012, në Bovillë në vitin 2013, i vizatimit të Reçit, etj. Ato njihen si fillesat e shkrimit në tërë shkencën njerëzore dhe datojnë jashtëzakonisht larg në lashtësi, mijëra vite para Lindjes së Jezus Krishtit, ndoshta rreth 5 000 p.e.s., e më shumë.

Fortesa e Batos

Zbulimi i tij e zgjeron zanafillën dhe gjeografinë e qytetërimit prehistorik të Pellazgëve në trevën e Mirditës, të njëjta në Xibër, Blinisht, Orosh, dhe në Rubik, në vitin 2015, në vendbanime shpellash, objekte të epokës së Gurit, Bakrit e deri në formimin e etnokulturës iliro- Piruste, që flisnin gjuhën e tyre, respektonin hyjnitë e tyre, varrosnin të vdekurit në mënyrën e tyre të lashtë e tradicionale, ruajtën veshjen dhe emrat e fëmijëve, respektonin doket dhe zakonet e tyre.

Në Mërkurth të Oroshit, në një shpellë janë zbuluar gjurmë të artit shkëmbor, edhe një sopatë e periudhës së Neolitit. Ndërsa kur gërmohej për hapjen e “Rrugës së Kombit”, në Konaj u shkatërrua një shpellë (sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë), që në faqet anësore të saj kishte shkrime të artit shkëmbor dhe armë, vegla pune e gjahu, shpata prej bronxi, thika, përkrenare ilire, stoli femërore, një thesar i pa çmuar, që nuk dihet se ku përfundoi.

Me Frrok Bardhin

Me Frrok Bardhin drejt Xhuxhës

Udhëtojmë drejt Xhuxhës së bashku me Frrok Bardhin. Me ndjenjën ende të pashuar për vendlindjen e tij, që nuk e harron, dhe e ka me vete kudo, zbulimi i gurit me piktograme dhe historia e lashtë e trevës, e ka bërë më shumë krenar.

– Sa më shumë vitet shkojnë, – thotë Frroku, -aq më shumë kemi mall për vendin ku lindëm, aty ku kaluam fëmijërinë, ku na janë grisur rrobat e ku na janë shqepur shollët dhe ku prehen të parët tanë. Gjurmët e hapave janë këtu e herë i gjejmë e herë i humbasim por të vetëdijshëm se një copëz të shpirtit e kemi mbjellë këtu. Ndaj, të duash vendlindjen dhe të ndjesh veten me pulsin e saj, e të përpiqesh për të kontribuar, është vlerë. Pa njohur kush je e nga vjen, nuk ka krenari dhe nacionalizëm.

Biseda rrjedh këndshëm e dita hijeshohet veçse fjalët e tij janë jehona të vlerave historike, që tregojnë se shpirtërat e bukur flasin me kordat e ndjeshmërisë për trashëgiminë tonë, për çka koha e ngatërruar, ca prej vetes, ca prej të tjerëve, e ca prej fatit, i ka lënë larg. Frroku është njeri i veçantë dhe me një botë të vetvetishme, e cila dëshmon qytetari, humanizëm, intelekt, dinjitet, mirësi, pavarsi në mendime dhe veprime, si një vlerë e shtuar e mirditorëve. Njerëz të tillë i duhen shoqërisë sonë, sepse gjithmonë shquhen aty ku sheshohen “kontradiktat antagoniste” që aspirojnë ideale kombëtare. Ai të tregon grimca nga epikja, tragjikja në kohëra, pëshpërimat e andshme të legjendave, historitë gojore (baladat, përrallat që tregohen nga vendasit), gjetjet e artefaktet, toponimet dhe mitologjinë e këtyre vendeve, dhe ne pa i bërë ndonjë koment rreth tyre e lemë të përshkruaj në një ekspoze të shkurtër, aspekte historike të Mirditës, vendbanimet e lashta, qytezat, dëshmitë e luftrave dhe përpjekjeve shekullore të burrave, që i ruajtën këto troje të paprekura.

Guri i Nuses

Pasi kalon Repsin e heshtur, e të mbytur në rrënoja godinash minerare nuk duhet shumë kohë për të arritur në Xhuxhë (emrin nuk e dinë as banorët e mbetur nga e ka marrë), nëpër një rrugë ngjitje të përpjetë në formë zigzagu, por që ka bukurinë e peisazheve alpine mes pyjeve të përqafuara nga rrezet e diellit, që gërshetojnë degët e pemëve për të formuar tunele gjelbërimi, me fëshfërimën e ëmbël të simfonisë së flladit mëngjesor. Koha e bukur, me pak re, por ajri është aq i pastër se vështrimi kap deri majat më të largëta të maleve, që duket sikur janë bashkuar në një valle përreth luginës së lumit Fan. U shfaq, befasisht, me të gjithë madhështinë e tij, Guri i Nuses, guri i legjendës, mbështjellë prej qindra e qindra viteve me misterin e emrit, për të na mahnitur me grinë e shpatin tejet të pjerrët në një lartësi relative 1700 m. Ecën dhe në mëndje të vjen Udha e Madhe: Shkodër-Prizren që kalonte trojeve të Mirditës me stacion Oroshin në sarajet e Markagjonajve, ku ishte qendra shpirtërore dhe politike e Mirditës (nga shek. XV). Përballë nesh ngrihej hijerëndë Munella dhe nën këmbët e tij Domgjoni me Gurrën unikale, të ndërtuar në shek.V të erës sonë. Në shpatet e ngushtuar nga shkëmbijtë tëposh mes kreshtave sytë kërkojnë zgafellën e burgut të Spaçit, të konsideruar si Gulagu Shqiptar, një skëterrë e rëndë “gjymtuese”, për qindra të burgosur, nga mallkimi i kohës e marrëzive të të marrëve komunistë.

Xhuxha shtrihet nën Malin e Zepës, me lagje të shpërndara sa andej këtej; Birzhëza, Lasha, Melthi, Kroji i Madh, aty ku nënat lindin vetëm djem, që të tingëllojnë aq bukur në shpirt. Për shkak të kushteve të vështira dëshmohet një braktisje gati-gati biblike e Xhuxhës, drejt zonave përreth dhe qyteteve për të jetuar më mirë. Tani ka mbetur vetëm pylli me aromën e tij, qetësia dhe cicërimat e zogjve, së bashku me korin e gjinkallave që zhurmojnë, por edhe ndonjë kumbim zile bagëtish. Bjeshkët e Zepës, janë një mrekulli e gjelbëruar, me livadhe të pamata; lule aromatike e mjekësore, gropa mahnitëse karstike e shpella si guva, shtresa akullnajore mbi 10 m trashësi, ara, ajër të pastër, freski ujërash, që shkëlqejnë teksa gjarpërojnë mes gjelbërimit të drurëve të lartë e të dendur dhe shpateve shkëmbore, që shfaqen më madhështore nga pastërtia e qiellit dhe rrezet e diellit, duke të ofruar liri pa kufi për të provuar një ndjenjë paqeje në shpirt. Ato kanë kuptim edhe pa hulumtuar thesaret e lashtësisë, ku edhe dashamirësia, mikpritja dhe respekti i banorëve janë unike. Po të ngjitesh më lart, afër majave, që ngrihen si piramidë, nga ku hapet një peizazh mahnitës, Sofra e Lekës, Kodra e Kuvendit, Shpella e Manecit, Kepi i Qytezës, Rrethi i Qytezës, dhe më lartë, ku ngrihen antenat telefonike e repertitorë televizivë, t’i qasesh aq afër fortesës së Batos, kësaj kalaje ku luftëtari Bato luftonte romakët, të shfaqen edhe rrënojat e kishave me misticitetin që i rrethon, se ato janë ndërtuar mbi vende ku paganët ju luteshin zotave.

Me Frrok Bardhin te guri me piktograme

Xhuxha frymon lashtësi

Në një faqe kodre tërë gur të rrethuar nga një peisazh parajse një drithërimë magjike të rrëmben, e s’të lëshon për një kohë të gjatë, me tërë energjitë ndjesore të mendjes dhe shpirtit, kur ke përballë gurin, 2.40 cm të lartë, 1.70 cm të gjërë dhe 28 cm të trashë, dhe me peshë 2.5 ton, të zbuluar nga punimet gërryese të nxjerrjes së pllakave në Xhuxhë të Mirditës.

Nga arkeologët ky gur me piktograme është identifikuar si shenjë e një kulture të lashtë, që është praktikuar nga popujt Ilirë të Dardanisë e deri në Trakën e lashtë dhe në Azinë e Vogël. Studiuesit mendojnë se këto simbole i paraprijnë kulturës së Vincës, si mbishkrime mistike. Ndaj këto piktograme janë shumë të hershme dhe datimi i kësaj vepre prehistorike duhet të shtyhen jo pak në kohë. Vendbanimet e asaj periudhe janë shumë të përhapura në territorin shqiptar, të pasqyruara dhe analizuara prej arkeologëve Frano Prendi dhe Adem Bunguri në librin, “Studime për prehistorinë e Shqipërisë”.”Tetë mijë vite më parë në territorin e sotëm të Shqipërisë banonte një popullatë homogjene parailire, e cila në periudhën e bronzit rreth katër mijë vite më parë mori tiparet e qarta të kombit ilir. Këto tipare u fytyrëzuan nëpërmjet fortifikimeve, poçerisë, zbukurimeve femërore, armëve, si edhe elementeve të kultit. Bashkë me këto u krijuan edhe mitet, që i hasim shpesh në mitologjitë: Bleta, Zanat, Shtojzavallet, Hyjnitë qiellore, Zjarri, legjendat, baladat, ritet e bestytet e ndryshme dhe eposet e famshme, të cilat sipas disa gjetjeve në pellgun e Korçës, mendohet se fillojnë me krijimin e famshëm të murimit.

Guri me piktograme në Xhuxhë të Mirditës

Guri me piktograme ndoshta mund të jetë më shumë se një tempull i një shtresëzimi kulturor prehistorik të kohëve pellazge, që kërkon deshifrim e shpjegim të mjaft kodeve ndoshta ende të pathëna e të pakuptuara siç duhet, të simboleve të besimit të Orfeizmit pagan të njëjtat me ato prehistorike të Periudhës së Bakrit (Eneolitikut). Orfeu ishte krijues i shek. 3-2 p.e.s. deri 1-2 e.s., (The Hymns of Orpheus). Ndaj janë para Omerike, megjithëse nuk përmendet as te Homeri, as te Hesiodi – dy autorë të rëndësishëm të kulturës helene dhe asaj europiane. Studiuesit mendojnë se Orfeu i paraprin Homerit dhe Hesiodit. Pra ato janë pellazge, që mund të kenë qenë pjesë e një qendre pelegrinazhi pellazg e fisit të lashtë “Mirmidonas” i cili është si fonemë e emrit Mirditë. Mirmidonasit janë përmendur nga Homeri në Luftën e Trojës si mbrojtjës të saj dhe gjenden edhe në Hartën e Hondius-it.

Në sfondin e gurit të bie në sy harku dhe shigjeta, të cilat përfaqësojnë veglat më të hershme të gjahut dhe luftimeve, që tregojnë qartë karakterin luftëtar dhe inteligjent nga e cila gjalloi raca e sotme shqiptare. Harku dhe shigjeta janë armët e përdorura në një betejë, dhe vendet e rrethuara me nga një kryq në mes janë ato të luftimeve, ndërsa drejtkëndëshi i ndarë në pjesë në të djathtë, përfund gurit, janë vendvarrimet e të rënëve në atë luftë. Është thënë në të gjitha studimet që Ilirët kanë qenë popull luftëtar, karakteristikë që u trashëgua prej arbërve. Pjesa në të djathtë ku paraqitet një drejtkëndësh i ndarë në disa pjesë përfaqëson vendvarrimin e të rënëve në atë betejë, por asgjë nuk mund të thuhet me siguri pa u shqyrtuar nga studiuesit.

Simboli më i veçantë mbi këtë gur ka të bëj me kultin prehistorik të diellit, ndoshta kulti më i lashtë i njerzimit dhe Henës, dy yjet ndriçues shkak i i lindjes ngjallje dhe rringjalljes së krijesave bimore dhe shtazore në tokë dhe rreth saj. Dihet se në atë kohë Dielli konsiderohej Hyjni e botës Pellazge. Këto dukuri kërkonin mbajtjen e shënimeve nëpërmjet shkrimit.

Banorë të Xhuxhës Frrok Bardhi dhe Shkurt Ndreca pranë gurit me piktograme

Atje apo në muze

Për ditë të tëra u end dilema e banorëve të Xhuxhës, gazetarëve, dashamirësve dhe studiuesëve, nëse do të qëndrojë aty ku është gjetur ky simbol i kohëve të lashta apo do mundësohet lëvizja e tij për në muze, që të ruhet më mirë. Në përgjithësi nuk lëvizen nga vendi ku zbulohen, por në çdo vend të botës ndodh që, me përjashtime, për arsye e rrethana të caktuara materialet arkeologjike të lëvizshme, çohen në qëndra të specializuara, ku studiohen e analizohen.

Banorët e Xhuxhës e kombëtarizuan dhe e “noterizuan” shenjtërisht këtë vepër të historisë së lashtë të kësaj treve para se të shkëputej nga aty, edhe me dakortësinë e pushtetit lokal të Mirditës, të shoqëruar me masa të forta sigurie, nga një skuadër policie, që la edhe shijen e keqe për mënyrën e transportit të tij, pa mjetet e duhura, drejt Muzeut Kombëtar. Në mungesë të shtetit tonë për ta ruajtur, kjo ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar nga dëmtimi apo humbja, siç ka ndodhur me shumë pasuri arkeologjike shqiptare, të shiten, të shpërdorohen e të “falen”. Le të shpresojmë se është në vendin e duhur dhe të sigurtë, duke e ruajtur dhe konservuar këtë gjetje krejt rastësore. Pasi dhe atje ku ishte nuk kishte siguri të plotë. Keqdashësit e historisë shqiptare mund ta zhduknin në “drejtim të paditur”, siç kanë bërë me shumë artifakte, të tjera të vjedhura edhe në muzeume, apo duke i shkatërruar piktogramet, stalaktiket dhe stalagmitet në shpella, nga të cilat na kanë mbetur vetëm fotografitë, për të vazhduar me përrallën e njohur “zbulo e tjetërso” për të zbehur historinë tonë mijravjeçare. Ndoshta fqinjët tanë do kërkojnë ta shkatërrojnë atë, si dëshmi e historisë dhe kulturës shqiptare, por ekziston edhe mundësia ta rrëmbenin për ta paraqitur më vonë si zbulim në tokën e tyre.

Nikollë Biba,  banori më i vjetër i Xhuxhës me bashkëshorten e tij

Ndërkohë, lind pyetja: çfarë vlere do të ketë ky gur kur nuk është në vendin e zbuluar?  Kjo vepër e rrallë e mijëvjeçarëve të shkuar duhet të qëndrojë aty ku është formuar në qindra miliona vite të moshës gjeologjike, dhe në mijëravjeçarë të alfabetit misterioz njerëzor, gdhendur mbi të, ku arkeologjia të thotë fjalën e vet e historia të shkruhet në vendin ku u gjet. Do ishte mire që këtij monumenti të historisë njerëzore në fazat e hershme të zhvillimit, dhe që transmeton përmes simbolikave të shenjave të gdhendura mesazhe misterioze të kohës së realizimit, ti ngrihej godina e strehimit në vendin ku u zbulua, të ruhej nga të papërgjegjshmit, nga dielli përvëlues, nga shiu i ftohtë i bjeshkëve apo nga mjegulla e akullt që të bren deri në palcë, me konservimin e tij në këmbë apo shtrirë, duke e kthyer në vend të mirfilltë peligrinazhi për vizitorët, si shqiptarë ashtu dhe të huaj, një muze për të gjithë Mirditën dhe Kombin.

Kjo pllakë e gdhendur guri, për njëmijë e një arsye, nuk duhej të lëvizej nga vendi ku u zbulua pasi ka rëndësi pozicioni, orientimi me horizontin, lindjen ose perëndimin e diellit, thellësia ku është gjetur, relievi, formacioni gjeologjik, gjurmët e rrugëve të hershme apo shenjat e qytetërimit. Ky gur nuk duhet të jetë i shkëputur këtu, por duhet të jetë i shoqëruar me të tjera objekte të kohës së atëhershme ose edhe të më vonshme. Çdo neglizhim do të jetë i pafalshëm për historinë e lashtë të trojeve tona dhe nuk është pak, të mendojmë se këtu kemi ngulime prehistorike, të vërtetuara përmes simbolikës shkëmbore. Nëse do të merret i veçuar dhe do të vazhdohet me teorinë e “gozhdës dhe patkoit”, rezultatet rrezikojnë të shkojnë në drejtime pa rrugëdalje. Ndaj nuk mjafton vullnetarizmi dhe përfundimet e nxituara emocionale empirike, por duhet studim, durim dhe më kryesorja akademikët të lëvizin nga rehatia e kulltukut të tyre, të studiojnë jo vetëm gurin, por duhet të gërmojnë zonën rreth e rrotull, dhe të gjitha zbulimet duhen mbedhur e studiuar në kompleks nga studiuesit e të gjithë fushave, në mënyrë që të jepet një panoramë më e qartë për të arritur rezultatet e duhura, të një zbulimi me shumë interes. Ata si njerëz indiferentë nuk i lexojnë mesazhet e lashtësisë, atje ku zbulohen në nëntokë, por urdhëruan për ta dërguar atë në Muzeun Kombëtar.

***

Janë kufijtë e fundit të ditës, kur dielli fillon e perendon e peisazhi merr ngjyra magjike. Shoh fytyrat e Frrok Bardhit, Nikollë Bibës, Ndue Prengës, Shkurt Ndrecës e të tjerëve banorëve që i takon aty, të cilët e duan Xhuxhën dhe ndjehen krenarë për këtë dëshmi të trojeve tona. Bisedon shumë hapur me ta, për ato që na qetësojnë dhe të tjera që na shqetësojnë në jetën tonë. Xhuxha, jo vetëm për këtë zbulim të lashtë, por edhe në përgjithësi për pasuritë natyrore, ajrin, prodhimet bio dhe qetësinë e saj patjetër kërkon vëmendje që të kthehet në një vend të preferuar për turistët. Jeta bëhet e bukur edhe këtu, me mundësitë për një jetesë normale, duke i promovuar bukuritë, duke investuar dhe mbrojtur nga shkatërrimi. Ndaj pushteti vendor duhet të kryej investime, së pari rrugën, që Xhuxha dhe bjeshkët e saj të jenë të vizitueshme. Është interesante, se, përkundër bisedave, e ndjen respektin e tyre, lexon zgjuarsinë, vlerson burrërinë, fisnikërinë, besën e mikut, me një ngrohtësi të bekuar shpirtërore, që u rrezaton mirësi. Me buzëqeshjet e mbledhura në një tufë ata të përcjellin kënaqësi të padiskutueshme. Edhe pse na duhet të largohemi, më bren dëshira për t’u kthyer sërish këtu, ku simbolet shkruajnë historinë.

Sofra e Lekës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok