21/11/2024

NË DITËLINDJEN E IBRAHIM RUGOVËS

0

Në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë

Nga Frank Shkreli

Më 2 dhjetor të vitit 1944, ka lindur Ibrahim Rugova, njëri prej themeluesve dhe ish-Kryetari për një kohë të gjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.  Ibrahim Rugova u rizgjodh me vota dërmuese kryetar i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura nën okupimin serb, në mars të vitit 1998.  Vdiq me 21 janar të viti 2006, u varros me nderime dhe pjesëmarrje të larta shtetërore dhe ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sivjet po e kujtoj ditëlindjen e këtij burri të madh të Kombit, jo me fjalët e mia, por me fjalët e tija: Pasi jemi ende në frymën e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, me kënaqësi po shpërndaj një artikull të Ibrahim Rugovës, shkruar me rastin e 28 Nentorit, të vitit 1968, në një prej gazetave të Prishtinës së asaj kohe.  Titulli i shkrimit është, “Pavarësia Kombëtare -28 Nëndor 1912- 28 Nëndor 1968.

Për ata që mund të kenë harruar, e sidomos për ata fatzezë, shumë prej të cilëve – atëherë e sot — të influencuar nga idetë sllavo-komuniste, ende flasin keq dhe gjithnjë nuk duan të njohin meritat e këtij udhëheqësi unik të Kombit shqiptar – duhet kujtuar se viti 1968 – kur është shkruar artikulli — ishte një periudhë e rendë në historinë e Kosovës, por edhe e lavdishme – ndoshta ndër datat më të spikatura të historisë kombëtare të shqiptarëve.

Ishte viti i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e tyre, demonstrata që fillimisht shpërtheu në Prizren me 6 Tetor, 1968, e që më vonë u përhapen anë e mbanë duke kërkuar të drejtën e përdorimit, lirisht, të flamurit kombëtar dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës.  Demonstratat e vitit 1968 ishin vërtetë një kryengritje popullore e shqiptarëve që shkundi nga themelet regjimin komunist jugosllav të asaj kohe, megjithse demonstratat u shtypën brutalisht nga regjimi komunist jugosllav. Por demonstratat patën edhe suksesin e tyre, pasi çuan në themelimin e universitetit të Prishtinës dhe në miratimin e ligjeve të reja të favorshme për shqiptarët, përfshir Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës.

Ishte pra, në këtë periudhë të tensionuar politike dhe mjaft të rrezikshme për intelektualët e Kosovës, të asaj kohe, siç ishte Dr. Ibrahim Rugova, kur Presidenti i ardhëshëm i Republikës së Kosovës shkruante artikullin “Për Pavarësinë Kombëtare” që po ju sjellim më poshtë në faksimil, të botuar në Nëndor, 1968.  Më thenë të drejtën, mua nuk më habiti fare ky shkrim – pasi bazuar në aq sa e kam njohur Dr. Rugovën, ai ishte një atdhetar i pa lëkundur në mendimet e tija dhe në besimin e tij në vlerat kombëtare, sidomos në pavarësinë dhe bashkimin kombëtar – siç kishte titulluar edhe shkrimin –çrej vitit 1968, pra.

“Viti 1912. Zgjedha otomane  zenë të hiqet.  Ketë e benë ata që me shekuj ndien peshën e saj, peshën e saj të ndyet çkombtarizuese, vëllavrasëse due coptuese. Edhe toka e Memdheut eshte e zgjuar. S’duron më këmbën e ndytë poshtëronjese që fikte njomsitë pa lindë fare. Bota dëgjon për ketë. Ballkani ushton. Trimat ende, në të gjitha anët…”, shkruante ndër të tjera Ibrahim Rugova në nentor të vitit 1968.

Ndonëse shkrimi ishte botuar dy muaj pas demonstratave në Kosovë është kollaj të shihet se Rugovës, “gjuha i shkon aty ku i dhemb dhëmbi”, ndonëse i referohet “kuçedrës së Anadollit”, ai sikur shkruante edhe për situatën e atëherëshme të shqiptarëve nën kuçedrën komuniste të Jugosllavisë: “…nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po, ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë, që i çoi në këmbë prore shpirtrat tonë të djegur për tokën e strëgjyshorëve. S’u harrua porosia e stërgjyshëve. E shpurrëm mëtej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi ketë tokë të dashur…”

“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, ka thenë Ibrahim Rugova. Ata që e kanë njohur Dr. Ibrahim Rugovën gjatë viteve, besoj se e dinë se Dr. Rugovës mund t’ia prisje kokën, por mendimet e tija nuk mund t’ia ndryshonin kurrrë.

Ky shkrim më poshtë, është edhe një provë tjetër për këtë thënje. Lexim të këndërshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok