22/12/2024

NDRIÇIM I VEPRIMTARISË SHUMËFISH TË RËNDËSISHME TË ABATIT PREND DOÇIT

0
Pergega-Abat-Doci

Rreth librit të Zef Përgegës “Abat Doçi nji djalë Shqypnije”. Publicistikë. Albanian American Institute. Tiranë 2022

“Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandaj në hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.

Atë Anton Harapi

Nga Anton Nikë Berisha

Vijimësi e traditës

Veprimtaria e prelatit të lartë mirditas, abatit Prend Doçit (1846 – 1917), është vijimësi shekullore e punës shumëfish me vlerë të barinjve shpirtërorë arbërorë – shqiptarë, të cilët në veprimin e tyre e patën bazë binomin “Fe e Atdhe”. Kjo veprimtari duhet t’i ketë rrënjët qysh në fillesë të lindjes së krishterimit në trojet e paraardhësve të tyre, ku kaloi Shën Pali, dishepulli i Krishtit, i cili në Letrën dërguar romakëve, shkruan: “[…] që prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15, 19) dhe se në qytetin e Filipit, apostulli e themeloi Bashkësinë e parë të krishterë në Evropë. Atë Anton Harapi “Nji ndër njerez mâ të kulturuem të Shqipnís” (sipas Koliqit) thoshte “Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit […] Atdhetarizmi në kuptimin e krishterë është një virtyt i shenjtë si drejtësia dhe dashuria”[1].

Barinjtë tanë shpirtërorë përmes punës dhe flijimit të tyre e përhapën midis njerëzve frymën biblike, që sublimohet në dy degë të të njëjtin trung: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37) dhe Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39).

Kjo gjë dëshmohet që në librin e parë në gjuhën tonë, të njohur deri më sot – “Mesharin” e Gjon Bdek Buzukut, të botuar më 1555[2], përkatësisht në psalmet – poezitë që i hartoi. Buzuku shkruan se ato ua kushtonte Hyjit[3] dhe njerëzve të gjuhës e të gjakut të tij: e për gjithë njerëzit të mī ņ gjakut sim[4].

Ngjashëm vepruan dhe dy shkrimtarët e tjerë të shquar, pasardhës të Buzukut, Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani. I pari shkruan se poezitë që i kishte hartuar dhe i botonte në veprat “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), ua kushtonte popullit të tij (priftërinjve dhe besimtarëve të Arbënit), në mënyrë që t’i shfrytëzojnë dhe t’i bëjnë të vetat për shpëtimin e shpirtit dhe fitimin e parajsës qiellore: “[…] ishnë për të madhe ndihmë e frujt të shpīrtit t atī populli e aqë mā tepërë të disa priftëne, qi dëshërojnë me i pasunë[5], prandaj vendos që librat nga qyteti i Romës  Nd’ Arbënë me ua dërguom, / Për kishë e për munështīr[6] / Pak ndë mend me i trazuom[7], dhe për “[…] të madhe ndihmë e të nçelët sȳ[8].

Për të njëjtin qëllim edhe Pjetër Bogdani e shkroi veprën e famshme “Çeta e profetëve” (1685), të cilën, kur do ta sjellë atë në atdhe, në Arbëri (meqenëse libri botohej në Itali), do të jetë një qiri për ta ndriçuar atdheun e varfër të Arbrit: “[…] ashtu qi kur të kthenje prej dheut sinë të keshe nji qirí ndezunë ndorë, për të ndritunë atë të vobek dhē t’ Arbënit e të Shërbísë, i silli e madhe pjesë flet arbënisht […][9]”.

Gjithë puna e mirditasit, abat Prend Doçit, qoftë ajo e bërë në atdhe (veçmas në Shkodër e në Mirditë), qoftë në Kanada, Amerikë dhe në Indi (si sekretar apostolik), ndërlidhet ngushtë me traditën që u përmend. Ta ndriçosh këtë traditë, brenda saj dhe figurën e abatit Prend Doçit, siç dëshmohet me veprën e Zef Përgegës, do të thotë të bësh një punë shumëfish të rëndësishme. Rreth kësaj Gadamer shkruante: “Tradita nuk është vetëm një shumë mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, e cila aktualizohet e riaktualizohet në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri[10]” ose, siç theksonte Tomazeo (Tommaseo), “Një popull që nuk e njeh kohën e kaluar është fëmijë ose i pamend. Një popull që e përbuz është i bjerrë[11]”.

Kërkimi dhe zbulimi i fakteve dhe i të dhënave të së kaluarës është një domosdoshmëri për arsye se sa më shumë që ta njohim të kaluarën aq më mirëfilli do të dimë ta çmojmë dhe ta vlerësojmë të tashmen.

Nga 27 tetor i vitit 1888, kur papa e caktoi si abat të Mirditës, Prend Doçi nuk reshti të punojë për të mirën e njerëzve dhe botës sonë, po dhe të njeriut – besimtarit kudo që u ndodh dhe veproi. Puna shumëfish e rëndësishme e këtij intelektuali të shquar u la në errësirë për gjithë kohën sa zgjati sistemi komunist në botën shqiptare. Për këtë Shahin Kolonja pati thënë: “shumë i përmendur, por pak i njohur”. Vetëm pas rënies së sundimit të murtajës së kuqe, siç cilësohej shpesh, filloi të ndriçohet figura e tij. Disa studime monografike e punime që u botuan në dhjetëvjetëshat e fundit, hodhën dritë në veprimtarinë e gjerë dhe cilësore të këtij prelati të lartë, atdhetari e veprimtari të shquar të kulturës, të arsimit, letrar e diplomat. Për ta dëshmuar këtë po i sjell vetëm vlerësimet e Fishtës dhe të Edit Durham, ku shprehen në mënyrë sublime disa nga vlerat dhe veçantitë e abatit, Prend Doçit: “[…] Mundet me u thânë për sigurí se nuk âsht kund nji skaj Shqipnijet, ku burrat e mendshëm e të kalemit mos ta kênë ndie e përmend kêt emën. Kudo ndrit duka e tij, a ndër Parí Kishe, a ndër Krên të vendit, ase ndër njerëz të diplomacís, gjithkund i la ndér vedit e nam kombit të vet…” (atë Gjergj Fishta) dhe “Prend Doçi fliste me një mençuri të rrallë, ndoshta ishte ndër më largpamësit nacionalist shqiptar […] është një nga apostujt më me vlerë të fesë së shqiptarizmës. Abati di shumë gjëra ndër të tjera ka ditur të ngrejë selinë e tij në një nga vendet më të bukura në Evropë […] qe truri i Mirditës, ndoshta personaliteti më i fortë në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Kur pritet të ndodhë diçka me rëndësi, një nga pyetjet e para që bën kushdo, qoftë ky prift, njeri dosido, apo edhe konsull i cilitdo vend është: Po Abati ç’mendon për këtë? Po këtë s’e di asnjëherë askush”. (Edit Durham)

Autori, Zef Përgega, na bën të ditur që në fillim se për ç’arsye e hartoi librin Abat Doçi nji djalë Shqypnije: “Nuk pretendoj të sjell akte shkencore, por një rrëfim shpirtëror të veprimtarisë së gjithanshme të Abatit, pa e shqepur nga Shqipëria dhe rrëfimet e thella që kanë bërë miqtë tanë mirditorë si Ndue Dedaj, historianët: P. Doçi, Luigj Martini, Gjergj Marku etj. dhe për çfarë është shkruar në Amerikë e në Kanada. Synova të kthjellë dritën e syve të mjegullt të diasporës shqiptare në Amerikë për këtë personalitet dhe assesi për studiuesit, që kanë bërë e po bëjnë për këtë Rilindës të madh!”

Krahas ndriçimit të disa fakteve për jetën dhe veprimin e abatit Doçi në atdhe, të vjela nga burime të ndryshme të botuara, por dhe disa të dhëna të panjohura të vjela nga subjekte të ndryshëm, Zef Përgega në këtë libër është marrë me dukuri të ndryshme, me veprimtarinë e abat Doçi nga çasti kur detyrohet ta braktisë, atdheun, Shqipërinë dhe sidomos qëndrimin në Kanada dhe në Amerikë. Së këndejmi, në bazë të fakteve që sjell, mund të them se asnjë vepër më parë nuk e ka ndriçuar punën dhe personalitetin e abatit jashtë atdheut sesa Zef Përgega. Pikërisht në Kanada, në Amerikë dhe në Indi, po dhe pas kthimit në atdhe, abati e përligji në mënyra të ndryshme e vijimisht atë që pati thënë me një rast: “Forca lëvizëse e çdo shqiptari, qoftë mysliman apo i krishterë, është dashuria për atdhe dhe ndjenja e ruajtjes së kombësisë së vet dhe e gjuhës së vet”. Pra, dashuria ndaj atdheut, siç thoshte papa Pali VI, me thellësinë dhe madhështinë e saj, shndërrohet në bukuri[12]  ose siç dëshmohet dhe nga ky mendim: “Çdo gjë që është e përshkuar nga dashuria, bëhet (është) e pavdekshme” (në rastin konkret nga dashuria për atdheun).

Arsyeja pse autori Përgega u mor aq me përkushtim për ndriçimin sa më të gjerë e të thellë të figurës së abatit Doçi jashtë Arbërisë, del në mënyrë të qartë nga këto fjalë të tij: “Prend Doçi e mbolli farën e shenjtë në kopshte të vështira në Newfoundland (në Veriperëndim të Kanadasë), Newbrunswick e Nova Scotia, sa ajo mbiu e ujitur nga dora e Zotit në ata shkëmbinj me fare pak tokë. Me këto fakte modeste që kam gjetur, duke gjurmuar hapat e tij, jam munduar ta paraqes Abatin tokësor, ashtu siç e kanë paraqitur shumë të tjerë, sidomos Át Gjergj Fishta, Át Pashko Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Prend Suli e plot intelektualë të djeshëm dhe të sotëm. Çfarëdolloj fare, edhe ajo që merret prej qiellit, nëse nuk mbillet në tokë e në shpirtra, nuk zhvillohet. Ndërkohë që Abat Doçi ishte vreshtari më i bekuar i farës njerëzore në Fé – Atdhe – Liri dhe Kulturë kombëtare shqiptare! Abati ishte agu i qytetarisë së kombit tonë në bregun perëndimor!”

Ky hulumtim i rëndësishëm i Zef Përgegës lidhet me faktin se dukuritë dhe të kaluarën nuk duhet ndriçuar vetëm nga rrafshi shkencor, por edhe nga ai letrar poetik dhe publicistik nga se ato e plotësojnë njëra – tjetrën; ajo që nuk është në natyrën e shkencës e të argumentit shkencor, thuhet përmes stilit të rëndomtë, rrëfimeve e ngjarjeve, që kanë “notuar” nëpër kohë, janë përcjellë prej një brezi në tjetrin ose prej një individi tek tjetri. Të dhënat e tilla bëhen të rëndësishme veçmas për imtësitë dhe “vogëlsirat”, që nuk mund të sigurohen dhe vështrohen, fjala vjen, përmes argumentimit shkencor.

Fakte dhe të dhëna të shumta nga jeta e abatit në Kanada

Vlera kryesore e librit të Zef Përgegës përligjet, siç u tha, nga faktet dhe të dhënat e vjela nga tri burime të rëndësishme për veprimtarinë e abatit sidomos në Kanada. I pari: nga libra dhe gazeta të kohës, që bëjnë fjalë edhe për abat Doçin; i dyti: nga dokumente në dorëshkrim: letra, tekste të bisedave, predikime e shkresa që rëndom ruhen nëpër arkivat e kishave dhe manastireve dhe i treti: dëshmitë gojore të barinjve shpirtërorë që e kanë njohur, kanë punuar me të ose e kanë takuar abat Doçin në rrethana të ndryshme, pastaj të besimtarëve dhe të individëve që kanë ruajtur kujtime për të.

Duke i mbledhur të dhënat e shumta nga këto tri burime, Përgega ia ka dalë të ndriçojë e të ndërtojë, në pika të rëndësishme, rrjedhën e veprimtarisë së këtij prelati të lartë shqiptar jashtë atdheut, ku ai qëndroi disa vjet. Për t’i gjetur këto të dhëna është dashur jo vetëm këmbëngulje e veçantë, por edhe flijim. Natyrisht, flijimet e tilla me shkas dhe kuptimplote e përcaktojnë rrafshin e vlerave, bëhen pjesë e ndërgjegjes për të tashmen dhe për të ardhmen; forcohet dhe lartësohet fakti se fati i individit është i njësuar me fatin e atdheut dhe si i tillë shndërrohet në shenjtëri.

Të dhënat janë siguruar nga vendet e mjediset ku abati ka kryer detyrën e misionarit të përvuajtur e të përkushtuar, predikuesit të denjë dhe përhapësit të palodhur të Fjalës së Hyjit, të besimit në Krishtin. Krahas kësaj, të dhënat dëshmojnë dhe për dashurinë e madhe të abatit për secilin njeri, pa marrë parasysh përkatësinë dhe ngjyrën. Me një fjalë, edhe në vendet ku punoi dhe e përhapi Fjalën hyjnore, ai mbeti bari shpirtëror me cilësi e virtytet të larta, sikur e përcaktonte Atë Justin Rrota “Meriton çmimin e lavdisë së përjetshme”.

Meqenëse Përgega ka mbledhur një numër të madh të dhënash që dëshmojnë veprimtarinë dhe tiparet e personalitetit të abat Doçit në Kanada, për të konkretizuar vetëm një pjesë të tyre do të duhej shumë vend. Për këtë arsye po sjell vetëm dy.

Mons. White, e cilëson abat Doçin revolucionar të eukaristisë për faktin se ai mendonte e vepronte për një kishë në  lëvizje; një trokitje në derën e tjetrit është një dëshmi e fesë. Eukaristia është përkujtim në të cilën tregohen histori të frymëzuara të së kaluarës e, Doçi ishte pjesë e ngjizur shpirtërisht në të.

Përgega e sjell këtë të dhënë: “Pas shumë telefonatave në Universitetin New-Brunswick më lidhen me znj. Lia në një universitet që ishte më i madhi në atë zonë: “University of Fredericton Neë Brunsëick”. Ajo mori përsipër të hulumtonte e të gjente disa gazeta të vjetra, ku ishte shkruar për abat Preng Doçin. Mirëpo, nga biseda me sekretarinë e katedrales St. John’s Newfoundland mësova, se në shoqatën “Shën Jozefit”, të themeluar nga Doçi, funksiononin katër grupe me nga 10-12 të rinj e të reja. Grupi i parë kishte detyrë të merrej me propagandën fetare dhe fjalën e lirë, i dyti,- me problemet e marrëdhënieve në familje, i treti,- me çështjet dhe fenomenet negative, si droga e alkooli dhe i fundit,- me çështjet shoqërore, aktivitetet artistike e sportive, të cilat i kishin dhënë një gjallëri të veçantë jetës në këtë famulli. Ata kishin themeluar edhe Buletinin, të cilin abat Doçi e kishte pagëzuar shqip “Liria”. (f. 67).

Nga këto dy dëshmi, që po i sjell në vijim, përligjen shumë cilësi dhe virtyte të jetës baritore e intelektuale të Prend Doçit.

Me rastin e mbajtjes se meshës së fundit të abatit, Prend Doçit në Newfoundland, arqipeshkvi John, shkruan:

Ishte mesha e fundit. Kisha ishte mbushur plot. Kishin ardhur nga të gjitha anët. “Sot nuk janë Krishtlindjet, por Krishtlindje na e bëri jetën në fé Atë Doçi. Ne nuk po ndahemi me Atë Doçin, se ai, si meshtar e si njeri, si poet dhe punëtor i veprave të mrekullueshme, në njeriun e në shpirtin e shenjtë ka lënë emrin tek çdo besimtar. Këtë e tregojnë edhe lotët e disa të rinjve të shoqatës “Shën Jozefi” dhe të tjerëve të moshuar, që morën Krishtin në zemër nga Atë Prime Doçi. Siç ka emrin, i pari ai është dhe do të jetë i pari në misionin që i ka ngarkuar Shëlbuesi dhe shëlbim e pastë jetën. Mos na harro në letra!”.

Abat Doçi ishte munduar t’i puthte dorën dhe të përkulej. “Jo biri im. Ne duhet ta puthim dorën dhe mendjen e trupi yt duhet të jetë gjithmonë i drejtë, vetëm në rast kur biem në gjunjë para Jezu Krishtit për të marrë gjunjë e forcë. Ti ke bërë atë që ne nuk mundemi ta bëjmë, por në shembullin e dritës së syve të tujë, do të udhëhiqemi që atje ku është më e vështira, është më e bukura në fe” (f. 70);

Kryetari i shoqatës “Shën Jozefi”, Rober Coleman, me rastin e largimit të abat Doçit nga Newfoundland, i tha këto fjalë: “[…] Ne anëtarët e shoqatës “St. Jozef”, ndjejmë sot një keqardhje për madhështinë e personit tuaj si drejtor i këtij grupimi kishtar, katolik dhe human, që po largoheni nga vendi ynë. Në një kohë nuk mund të rrimë pa bërë vlerësimin e përkushtimit të punës tuaj tepër bujare në mesin tonë. Kur ju jeni thirrur të kryeni detyrën e vështirë të përhapjes së fjalës së Krishtit në viset tona të thyera, ju kurrë nuk jeni tërhequr, por keni shfaqur devocion, zemrën e mirë dhe të bardhë si bora e Newfoulandit në ripërtëritjen njerëzore. Ne jemi ndjerë shumë mirë me ju dhe këshillat e ëmbla të dala prej gojës tënde kanë qenë për ne të vlefshme dhe inkurajuese. Me këtë rast, pranoni një kujtim simbolik nga shoqata që ju e udhëhoqët bashkë me ne, si shenjë e mos harresës dhe kujtesës reciproke. Ne i lutemi Zotit, që Ai t’ju ketë në përkujdesje të vazhdueshme që edhe në të ardhmen të bësh vepra të frytshme, siç i keni bërë ato në mesin tonë”. (f. 41).

Duhet thënë se gjithë veprimtaria e abat Doçit jashtë atdhe është vazhdimësi e asaj që kishte filluar në qendra të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në Mirditë, që vazhdon edhe më me përkushtim kur kthehet në atdhe nga mërgimi.

Në libër Zef Përgega i kushtoi kujdes dhe e vështroi punën e abat Doçit dhe në fushën e kulturës , të arsimit e sidomos të letërsisë. Ai jep të dhëna me vlerë për punën e abatit si themelues i shoqërisë “Bashkimi” (më 1899); ndihmesën e tij për caktimin e alfabetit të shqipes, vendosur në Manastir më 1908, për botimin e librave shkollorë dhe të tjerë. Më gjerësisht Përgega merret me tekstin e disa poezive të hartuara nga abat Doçi: “Një kushtrim Shqyptarëve” të skkruar më 1870, “Shqypnija në robní”, “Një trim asht bâ për të Gjergj Kastria”, “Zânit i kasnecave”, ku ndriçon përmasën atdhetare të teksteve, që në qenësi lidhen me idealin kombëtar të rilindësve tanë. Përmendet edhe teksti i dramës “Jezusi në mesin tonë”, të cilën e shfaqi shoqata “Shën Jozefi”.

Pjesë të teksteve me ngjyrim letrar poetik

Në këtë vepër të Zef Përgegës herë – herë ngjarjet rrëfehen me një stil letrar, që e bën atë tërheqës për lexuesit e shtresave të  ndryshme dhe që përkon me natyrën e llojit të librit.

Po i sjell vetëm tre shembuj për ta dëshmuar këtë:

²

Gjatë kohës që isha student në shkollën e mesme teknike në Tiranë, trashëguar nga Fullsi amerikan, pushimet verore i kaloja i punësuar në Uzinën e Bakrit në Rubik, përballë shkëmbit të bardhë, ku është ngritur kisha e Rubikut në vitin 1272, aq sa të duket sikur Zoti themelet dhe kryqin e saj i mban në prehër dhe i bekon përditë. Një ditë të nxehtë gushti, në repartin e tunxhit, erdhën disa kamionë të mëdhenj dhe të mbyllur. Pasi i paketuam fletët e gjata të tunxhit në arka druri dhe me letër të hollë e të bardhë, i mbështollëm si të ishin fëmijë djepi, u nisën drejt Anglisë. Në fakt, ishte sekret i madh të merrje vesh një gjë të tillë, kur thuhej se Shqipëria nuk kishte lidhje politike e ekonomike me vendet perëndimore.

²

[…] Natë e zezë në Orosh. Lehje e qenve të qelës mbi hije të rënda ujkonjash, që i silleshin sofrës së kryqit si bolla e zezë vezëve të breshkave. Ulërima e tyre dëgjohej larg në pyjet e Oroshit të Mirditës, ku qe projektuar ligësia e krimit në teh të shpatës. Hije të kobshme, që zvarriteshin në barin gjysmë të tharë të livadheve si oaze në sy të qiellit. Bolla e zezë orientale po përpiqej të krijonte me çdo kusht një tymnajë dhe, më pas, të vinte pa bujë ekzekutimi i priftit të ri, që sapo ishte kthyer nga Vatikani, me frymën e parë të shenjtërimit dhe përkushtimit për trojet e të parëve dhe për fenë e tyre, të mbërthyer pas rrënjëve të pemës nëntë shekullore Uldi, të mbjellë nga misionarët benediktinë.

²

Ajo ishte e vogël. Mosha e qumështit dhe e belbëzimit e mbanin të shumtën e kohës në shpërgënj leshi të ngrohtë. Ende kërthinjomë lazdrimesh. Më kujtohet edhe sot djepi i saj. Ishte fëmija i fundit. Nuk e di nëse dhe ne fëmijët e tjerë ishim përkundur në lëvozhgën e këtij djepi, prodhuar me dru mani të butë. Ishte fort i lëmuar, i zdrukthuar dhe të kuqërreme e pati ngjyrën. Mjeshtri me zdrukthin e tij dhe daltën e imtë e kishte rrugëzuar me kallëza gruri dhe rreze dielli. Më kishte rënë radha të kujdesesha për të, për motrën time Vitore të pafat.

[…] Fytyra e saj e bardhë si një engjëll deti, me qerpikë të mëndafshtë, mbështillej nga drita e syve blu si një valëmirë që shpërthente nën harkun e vetullave të holla si një tel lahute.

Në fund po them se vepra “Abat Doçi nji djalë Shqypnije” hedh dritë për një varg dukurish e përbërësish të rëndësishëm të rrjedhës së jetës dhe të veprimtarisë së këtij bariu shpirtëror dhe atdhetari të madh.

Prishtinë,  fillim qershori 2023

 

 

[1] Shih Atë Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 280.

[2] Shih për këtë “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968.

[3] Shih studimin tim Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.

[4] Shih studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.

[5] Pjetër Budi, Parathënia. Në Sporg Og Mennesker 9. Pjetër Budi, Dottrina cristiana (1618). Text. Gunnar Svane (ED.) 1985, f. 2.

[6] Manastir.

[7] Shih Pjetër Budi, Poezi (1618‑1621), Parathë­nia, tejshkrimi, komentet: Rexhep Ismajli, “Rilindja”, Prishtinë 1986, f. 277; shih dhe studimin tim Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

[8] Pjetër Budi, Parathënia. Në Sporg Og Mennesker 11. Pjetër Budi, Speculum confessionis (1621). Text. Gunnar Svane (ED.) 1986 , f. 6.

[9] Po aty, f. XVIII.

[10]Shih Aurel Plasari, Për një histori kritike të letërsisë shqipe. Në “Hylli i Dritës”, n. 5 – 6, Tiranë 1996, f. 42.

[11]Shih Prof. Dr. Simon Pepa, Atë Donat Kurti – dijetar i martirizuar. Në 18 – vjetorin e vdekjes. Në “Phoenix”. E përkohshme kulture. Viti i pestë. Nr. 1 – 3, Shkodër 2001, f. 86.

[12] Papa Pali VI, Lumturimi i martirëve të Koresë, (6 tetor 1968).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok