04/12/2024

NDAHET NGA JETA GAZETARI, POETI, STUDIUESI, VEPRIMTARI I MIRËNJOHUR, ZEQIR LUSHAJ

0
Zeqir-Lushaj-krye

Ndahet nga jeta në moshën 72 vjeçare gazetari, poeti, studiuesi, shkrimtari e veprimtari i mirënjohur shqiptaro-amerikan, Zeqir Lushaj, nga Tropoja e Alpeve Shqiptare (Malësia e Gjakovës); në tre dekada me detyra e funksione të larta në Tiranë, metropolin shqiptar; për një dekadë ishte i punësuar familjarisht në Nju Xhersi të Amerikës-me pasaportë të shtetësisë amerikane; derisa kthehet përgjithnjë në atdheun e tij- Shqipëri, me banesë e jetesë të kohëve të fundit në Shëngjinin bregdetar të Lezhës e, tashti, prej të enjtes së 11 nëntorit 2021, do të prehet përjetësisht në vendlindjen e tij, Gri e Krasniqes, Tropojë.

1.

Zeqir Lushaj, në 60 vjetorin e lindjes (2009), i botoi 6 vepra: ”Hija e vendlindjes” (vjersha); “Lisi i shkruar” (vjersha); “Vdekja e varreve” (vjersha); “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike); “Pengjet” (vjershërime); “Fjala mbi tel” (tekste këngësh popullore). Në vitin 2016, botoi edhe  6 libra të tjerë: “Si n’kurbet, bre vëlla” (vjersha); “Zbehje e heroizmit” (shkrime publicistike); “Duhama e Valbonës” (vjersha); “Piedestali” (vjersha), “Rrokada” (vjershërime politike);  dhe “Sportit i mbeta borxh” (reportazhe, portrete, kujtime). Ai, kësaj vjeshte të vonë, priste të dalin nga shtypi (botimi) edhe të tjera vepra dorëshkrimore të tij.

Shkrimin e parë e botoi 55 vite më herët, në gazeta “Zëri i Rinisë”, asokohe  maturant në Shkodër (1967), duke punuar e kontribuar me penën e tij të talentuar për mbi një gjysëm shekulli në shtypin shqiptar: në shumë vite gazetar-redaktor i periodikes “Zëri i Rinisë” (1974-‘77, në Tiranë); i të përditshmes “Bashkimi” (Tiranë, kur ishte ndër drejtuesit e FDSH), bashkëbotues i gazetës periodike e përkohore “Paqja” (Tiranë, kur ishte drejtues i LSHMP), redaktor i përgjithshëm në portalin/revistën “Zemra Shqiptare” (Mbretëri e Bashkuar, Londër); bashkëpunëtor i ngushtë i portalit “Voal.Ch” (Zvicër) e i portalit “Limit.Al” (Tiranë); Antar i Bordit Botues të “Gazeta e Alpeve” (gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike, Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Luginë e Preshevës e Sanxhak, Maqedoni e Veriut)). Njiherit është autor edhe i qindra shkrimeve në mijëra faqe në gjithato masmedia shqiptare në Ballkan, Europë e Amerikë.

Zeqir Lushaj, në çdo kohë, pamvarësisht detyrave e funksioneve të tij,  në çdo vendbanim të tij të përhershëm apo përkohshëm si në Tropojë, Tiranë, Nju Xhersi të Amerikës, Shëngjin të Lezhës, mbeti gjithnjë një mik i ngushtë i shtypit, një bashkëpunëtor produktiv i papërtuar e cilësor i tij. Pra, më shumë se nëpunës, ishte një gazetar!

2.

Zeqir Lushaj ka lindur në fshatin Gri të Krasniqes të rrethit të Tropojës, më 8 të marsit 1949. Një ndër tre djemtë e fisnikut dhe sojnikut Sadik Selmani i Grisë, “Qytetar Nderi i Nikaj-Mërturit” të Tropojës. Vllau i tij i madh, mësuesi veteran Nuredin Lushaj, është një “arkiv i gjallë” i krijimtarisë popullore të Veriut të Shqipërisë, me 600 blloqe të vegjël e fletore me shënime, kangë të hershme, urti, doke e zakone…400 pyetje etnografike të zbërthyera, autor i disa librave, dy prej tyre për Njeriun e Mirë, Dervish Luzha-“Nderi i Kombit”.

Vendlindja e tij, Gria, ka shumë personalitete edhe në dekadat e fundit, si: Tahir Sinani- Gjenerali Hero i Tre Luftërave (Kosovë, Lugina e Preshevës, Maqedoni); prof. dr. Petrit Malaj- aktor,”Mjeshtër i Madh”, ish rektor i Akademisë së Arteve Tiranë; Skënder Sherifi- “Mjeshtër i Madh”, poet, gazetar, përkthyes, pedagog universitar në Belgjikë, vëlimi i tij poetik “Love” u cilësue një nga dhjetë botimet ma të mira në gjuhën frënge për vitin 2008; studiuesi Ibrahim Kadri Malaj- autor i një korpusi botimesh tematike e enciklopedike për Tropojën; dr. Nuredin Malaj i SUQU në Tiranë; av. Ram Muja- ish Prokuror i Tropojës në kohën e Tranzicionit; Avdyl H. Matoshi i GA e FSHKESH;  Xhevdet Malaj- publicist e humorist, autor me libra, dhe të tjerë.

Fshati i tij i lindjes, me vrri e bjeshkë, i ka disa lisa monumental të njohur gjithandej, si “Lisi i Grisë” (në bjeshkën e Dikçuerit), “Blini i Grisë”- bash në oborrin e kullës së tij, por edhe vet Zeqir Lushaj ishte, është e do të mbetet një Lis i madh njerëzor, një Lis i çmuar kontributor i Vendlindjes së vet dhe i Kombit të tij. Ai është një lis që veç rritet, është një emër i nderuar që i mbetet Kohës e Botës Shqiptare.

3.

Zeqir Lushaj shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, 7-vjeçaren në Geghysenin fqinjë, të mesmen pedagogjike në Shkodër-kryeqëndren e Veriut (1967), pastaj-pas diplomimit-punoi në tre vite shkollore mësues në Geghysen (sot, ky fshat i madh alpin është i dekoruar “Nderi i Kombit”). Studimet e larta i kreu në IKF, Akademinë e Sporteve të Tiranës (1970-’73), ndërsa stazhin pasuniversitar, në shkollën e mesme të Tropojës (sot, shkolla “Ali Ibër Nezaj”). Më 10 Maj 1974 e mbrojti diplomën me rezultate të shkëlqyera (i vetmi vlerësim maksimal me notën 10 i atij viti akademik) dhe në qershor ’74  emërohet redaktor në “Zëri i Rinisë” (organ i BRPSH) në Tiranë.

4.

Ndërkohë, Zeqir Lushaj, duke studiuar pa shkëputje nga puna shtetërore, diplomohet edhe në arsimin e lartë politik në Tiranë dhe, mbasandej, për vet formatin e tij të madh njerëzor e intelektual, emërohet në disa detyra e funksione elitare të kohës: instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Rinisë (1977-‘84); instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSH (1984-’90); zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i FDSH (1991-’93).

5.

Zeqir Lushaj, në përpjekje për të realizuar shndërrime demokratike në Shqipëri, së bashku me një grup intelektualësh të pavarur, personalitete të kohës, krijojnë Shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, që pas një viti emërtohet: “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe” (e cila pranohet menjëherë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Botëror për Paqe) ku zgjidhet në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj.

6.

Një vit më parë, me 14 të shtatorit 2020, u nda parakohe nga jeta, bashkëshortja e tij e nderuar, një zonjë fisnike, Sabrie Lushaj, që ishte një humbje e dhimtë e madhe për Zeqirin e Familjen e Tij, të afërmit, miqtë e dashamirët e tyre.

7.

Zeqir Lushaj, në çdo vend e në çdo detyrë, në çdo shtet e kontinent, në çdo kohë të vështirë, në çdo kohë-moshe të tij, ishte dhe mbeti Njeri i Mirë, i Fjalës së Mirë, i Penës së Mirë, i Shoqërisë së Mirë.

Tekste të këngëve të shkruara nga Zeqir Lushaj e të kënduara nga këngëtarë të Shqipërisë Londineze e të Kosovës dardane, ishin një hymn patriotik e kushtrimuar për Kosovën drejt Lirisë e Pavarësisë së saj të sotme, ishin e mbeten ndër hitet e këngëve popullore shqiptare.

Librat e tij poetik, poezitë e tyre, janë vlerësuar me çmime, janë interpretuar në skena të veprimtarive, në studio radio-televizive, botuar në gazeta e revista print e online, janë të pëlqyera nga lexuesit e tyre të shumtë e të përhershëm.

Shkrimet e tij, të shkruara në më shumë se një gjysëm shekulli, si: reportazhet, studimet, analizat e komentet, portretet, ravijëzimet, skicat, etj., të botuara në gazeta e revista, në portale, në tre librat publicistik të viteve të fundit, janë një kontribut i çmuar në shërbim të kombit tonë, janë maja arritjesh të tij, janë pjesë e çmuar e fondit të madh shumëshekullor të shtypit shqiptar, për të cilat ka marrë dhe vlerësime e mirënjohje të ndryshme, siç ishte edhe ky më i fundit:  “Çmimi i Karierës” nga ”Takimi i Shkodres, 2021”.

Veprimtaria e tij në fushën e Shoqërisë Civile, si me BRPSH, FDSH, “Bashkimin Kombëtar Shqiptar”, “Lëvizjen Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”, angazhimet e bashkëpunimet e tij me Shoqatën “Tropoja”, me Klubin e Shkrimtarëve e Artistëve të Tropojës, me “Gazeta e Alpeve” (si pjesë e stafit të saj), me Qëndren Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), si një shqiptaro-amerikan dinjitar i përjetshëm, kanë pasë gjithnjë e gjithmonë prirje e ecje drejt së mirës së përbashkët e të përbotshme, me përkushtime kombëtare shqiptare, me veprime e qëndrime njerëzore, qytetare, elitare.

Zeqir Lushaj ka qënë në jetën reale e mbetet në botën hyjnore një njeri me zemër të madhe, me shpirt të pastër, një shqiptar kombëtar i vërtetë; gjithandej e gjithkund i rrethuar nga shoqëria e me rrezatime mirësie si të ishte “një deputet i popullor”apo, përndryshe: i bekuar si “Njeri i Mirë”;  me arritje të mira në të gjitha fushat ku e dha kontributin e tij;  një bashkëshort, prind e gjysh model; një ndër njerëzit emblematik të kohës e botës shqiptare.

8.

Shoqata “Tropoja”, Klubi i Shkrimtarëve e Artistëve të Tropojës, “Gazeta e Alpeve”- (gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike/Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak, Maqedoni e Veriut) dhe Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) e ndjejnë thellësisht e shpirtërisht dhimbjen e humbjen e madhe që na shkaktoi ndarja e parakohshme dhe e papritur nga jeta e bashkëudhëtarit tonë dinjitar elitar, të bashkëveprimtarit tonë çmuar e të paharruar, Zeqir Lushaj, një ndër personalitetet kontributeve të Tropojës e të Kombit Shqiptar, që me jetën e veprimtarinë e tij na la një trashëgimi të çmuar për të sotmen e të nesërmen.

Gjithashtu, njiherit, iu shprehim ngushëllimet tona Familjes së Tij, të afërmve të Tij, miqëve të Tij të shumtë në Shqipëri e Kosovë, në krejt Rajonin Ballkanik Shqiptar deri në Europë e në Amerikë. Ne jemi e mbetemi pjesë e dhimbjes Tuaj të madhe. Zoti iu dhashtë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe për Zeqir Lushaj

Pusho në paqen e merituar, i paharruari Ynë, Zeqir Lushaj!

Shoqata “TROPOJA”,

Klubi i Shkrimtarëve e Artistëve të Tropojës,

“Gazeta e Alpeve”- gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike,

Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS)

 

Tropojë-Tiranë, 11 nëntor 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok