03/12/2024

NAIMI, EVROPIANIZIMI I SHQIPTARËVE DHE RIPAGËZIMI HISTORIK

0
Naimi-Buzhala

(Në përvjetorin e lindjes së Naim Frashërit 25 maj 1846 – 1900)

Nga Prend BUZHALA

Kur këndoi Naimi:

“Krujë, o qytet i bekuar…”,

aty ai bëri pagëzimin e ri historik të shqiptarëve…

Naimi me Pashko Vasën themeluan formulën shqiptare për shqiptarinë dhe për Shqipërinë.

Naimi me Samiun, si dhe me rilindësit tjerë , dhanë vizionin për Shqipërinë në të ardhmen, ndërtuan Kultin e identitetit të lashtësisë shqiptare. Po këta rilindës thoshin se kombi ynë është ndër më të vjetrit në Evropë e në botë. Kulti i vjetërisë, si ai pellazgjik, përmendej nga rilindësit si dëshmi e ekzistencës së qytetërimit tonë në Evropë.

1.

Naimi dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare e shek XIX është kthimi i parë, modern, kah Evropa Perëndimore e në Evropën perëndimore. Ishte momenti historik, kur PËR EHRË TË PARË në histori, në skenën e historisë sonë, rilindësit tanë të proveniencës myslimane, e ristrukturuan rikthimin e shqiptarëve në Evropë. Kështu Hoxhë Hasan Tahisini, që ua hapi të parin universitet Perandorisë otomane, ai i porosiste shqiptarët (po edhe të kombësive të tjera) që të studionin në Francë, për të marrë dije iluministe, shkencore e moderne. Edhe vetë ishte shkolluar në Francë, duke kapërcyer formimin osman të njeriut. Ai u formua me dijet e shkencat perëndimore.

Këtë orientim europerëndimor, e fuqizuan më tutje vëllezërit Frashëri. Kështu, janë proverbiale vargjet e Naim Frashërit:

Jak’o dit’e uruar!

Që lind nga perëndon,

At’an’e ke ndrituar

E ne pse na haron?

Dritëz’e jetës!

Edhe e motit

Dhe e së vërtetës,

Dhe gaz’i Zotit,

Ndritëna

E xgjohna.

Janë vargje të poezisë “Përse” të Naim Frashërit, nëpërmes të të cilave ai shqipton idealin e tij të komunikimit me Evropën dhe ku shpreh pikëpamjet e orientimin e tij europerëndimor-shqiptar të kulturës shqiptare të kohës së Rilindjes kombëtare, si dhe idealet demokratike. Aq moderne e bashkëkohore tingëllon mesazhi i tij për demokracinë: “Demokracia dhe liria kanë madhëruar Evropën”, ka shkruar Naimi ynë i madh.

2.

Këtë orientim e përcaktim evropian të shqiptarëve, e kishte artikuluar në sa e sa vepra Sami Frashëri, siç janë alfabeti shqip, gramatika shqipe e titulluar “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, dramën “Besa” me motive shqiptare dhe veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” (që e la dorëshkrim, për shkak se me dekret të veçantë Perandoria otromane ia kishte ndaluar Sami Frashërit shkrimin në gjuhën shqipe!) . Në shqip, hartoi edhe një fjalor por fati i këtij dorëshkrimi nuk dihet. Të shpresojmë se ai egziston akoma dhe se një ditë do të dalë në dritë. Samiu shkruan :”Gjithë pushtetat’e Evropës,..kishin shpresë..e prisnin shpëtimin’e Evropës nga shqipëtarëtë..se nuk kishin trima e burra si Skënderbeu, as kishinë besën’e shqiptarëvet .Shumë herë Ungrëtë/maxharëtë e Papa e futninë Skënderbenë në zjarrt, pastaj hiqeshinë e e lininë vetëm.”

Sami Frashëri, në frymën e iluminizmit europerëndimor, profetizoi të ardhmen e shteteve shqiptare – parashikonte shtetin shqiptar laik:

” Komunitetet fetare të jenë të ndara nga shteti. Myftiu i madh, eksarku e kryepeshkopi nuk duhen të përzihen veçse në punërat e fesë.”

Sami Frashëri, i edukuar edhe në frymën europerëndimore, duke e përvetësuar këtë vlerë filozofike qytetare, shprehet: “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”

Ndërsa Naimi, në frymën e iluminizmit të kohës, këndonte, me mesazhe që vlejnë edhe sot në këtë kohë përplasjesh e urrejtjesh:

“Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,

Butësinë, miqësinë, dashurinë, vëllazërinë…

Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,

Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtarëvet udhën e punës së mbarë,

Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,

Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,

Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,

Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.”

3.

Të gjithë rilindësit Turqinë e shikonin si armike të lirisë, armike të qytetërimit, rrjedhimisht, si armike të kombit shqiptar të pushtuar.

Naim Frashëri veprën e tij epike-lirike “Historia e Skënderbeut” e kishte botuar më 1898, në 400-vjetorin e vdekjes së kryeheroit shqiptar. Naimi ringjalli Skënderbeun në kohën e Rilindjes Kombëtare. Ja një fragment si e përshkruan poetikisht Turqinë:

Naim Frashëri

(25 maj 1846 – 20 tetor 1900)

Në 111-vjetrorin e vdekjes

Qysh të zëmë miqësinë

Me atë që na bën varrë?

Turku vëndet, gjith’ e dinë,

Me ç’djallëzi i ka marrë…

S’e dini ç’kanë punuar

Gjithë mbretrët’ e Tyrqisë?

Sa frone kanë rrëzuar

Me lajkat të dhelpërisë?

Ata djemthitë, që thoni,

Janë shpres’ e Shqipërisë,

Me ç’sy e faqe kërkoni

T’ia dërgoni peng Tyrqisë?

Si të msojnë ligësitë

E të mirat t’i harrojnë,

Të çpikinë djallëzitë,

Pastaj të na mbretërojnë?

Do të marrënë zakonet

E këqija të Azisë,

Pa njeriu si të mësonet,

Më s’i ndahet djallëzisë.

Si të rriten nënë xgjedhë,

Nukë bënenë të lirë,

Pastaj s’e hodhëm dot ledhë,

Po mejtohi që sot mirë.

Ata duhet të mësojnë,

Të bëhenë të vërtetë,

Të lëftojn’ e të gjykojnë

Pas nevojës që të jetë.

Ata e shikonin Turqinë si vend që sjell mbrapambetje, shkatërrim e vdekje. Prandaj shpëtimin e shikonin me sy kah Evropa Perëndimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok