06/12/2024

MUSA SHEHZADE- LEGJENDË TRIMËRIE

0
Musa-Shehzade

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1870 – e ekzekutojnë më 28. XI. 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari Musa Shehzade u lind më 1870 në Gjakovë, nga babai sheh Hyseni me origjinë nga Bushatlinjët e Shkodrës. Shehzade kishte një biografi të pasur dhe të bujshme. Mësimet fillestare i kishte përfunduar në vendlindje, i kishte vazhdua në Prizren, më vonë kishte shkua edhe në Selanik. Pas përfundimit të studimeve, ai kthehej në vendlindje dhe në Lagjen Marash të Prizrenit, ndërtoi objektin e kultit bektashi, i cili u bë qendër e vendtakimeve të njohura kombëtare.

Duhet thënë se Musa Shehzade ishte një figurë poliedrike mbarëkombëtare, që tërë jetën ia kushtoi atdheut dhe luftës për lirin e popullit të tij. Si patriot që ishte në veprimtarin e tij shoqërore, fetare e politike pati dhe kreu me sukses shumë funksione të rëndësishme. Ishte shtyllë kurrizore për veprimtarin në Lëvizjet Kombëtare Shqiptare në vitet e fillim shekullit 20. Më 1912, Shehzade ishte komandant i forcave shqiptare kur morën Shkupin; ishte delegat nga Prizreni në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912; Ishte prefekti i parë i Prizrenit më 1941; ishte kryetar i parë i Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 1943; ishte nënshkrues i Memorandumit të Kuvendit të Junikut.

Lufta e Dytë Botërore dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, tek shqiptaret zgjoi shpresat për një zgjidhje të drejt të çështjes së tyre në rrethanat e reja të krijuara. Një pjesë e lëvizjes politike e ushtarake, gjatë asaj kohe në hapësirën gjeografike shqiptare ishte në krah të bllokut antifashist. Kjo radhitje jepte shpresë për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Se problemet kombëtare të trashëguara nga e kaluar do të zgjidhen drejt, duke ua njohur edhe popujve të mbetur nën pushtim të drejtën e vetëvendosjes, prandaj forcat e LNÇ-së në Kosovë nxorën Rezolutën e Bujanit (31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944), ku vendosën bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por ekzistonte edhe mendimi tjetër ku merrnin pjesë të gjithë nacionalistët të cilët me kohë kishin hetuar tradhtinë e madhe që po përgatitnin komunistet jugosllav, ngase përvoja historike kishte krijuar bindje tjera, se bashkëpunimi i Lëvizjes Antifashiste me LNÇJ dhe PKJ do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë dhe në trevat shqiptare. Për këtë arsye, ata kërkonin të mbronin me çdo mjet kufirin etnik nga synimet grabitqare serbo-malazeze-bullgare. Përfaqësuesit e këtij grupimi, pas kapitullimit të Italisë, vunë themelet e një organizate në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës. Ata dolën me idenë për thirrjen e një Kuvendi kombëtar në Prizren, i cili do të hidhte bazat për krijimin  e një organizate kombëtare, me mision të ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878.

Takimi përgatitor për mbajtjen e Kuvendit Themelues për Lidhjen e Dytë të Prizrenit u mbajt me 11 shtator 1943, në Prizren. Sipas Qazim Bllacës, Mbledhjen themeluese të Këshillit organizues e kryesoi Asllan Boletini. Në takim kishin marr pjesë: Xhafer Deva, Musa Sheh Zade, Sheh Hasani, Tahir Zajmi, Lukë S. Mjeda, Qazim Bllaca e Pjetër Vuçaj. Në të dhënat autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues ky Këshill quhet Grup nisjatuer i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në ditën e parë këtë Këshill e përbënin patriotët: Sheh Musa Shehzade (kryetar),( i cili me sukses e udhëhoqi komitetin Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej datës 26 shtator deri në Kuvendin e Dytë më 12 tetor 1943), Shefqet Shkupi, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca, Pjetër Vuçaj, Tahir Zajmi, Hevzi Meraku, Luk Simoni, Qemal Balila, Haxhi Fahriu dhe Sokol Dobroshi (anëtarë).

Në këtë takim u vendos që Kuvendi Themeluesi i Lidhjes të mbahet me 16 shtator 1943 dhe vendimet e marra nga ana e delegatëve në mbledhjen e datës 11 Shtatorë 1943, kishin rëndësi të madhe për zhvillimet e mëvonshme politike e luftarake, që përmblidhen në këto pika: a) Thirrje e një mbledhjeje të përgjithshme popullore me shpirtin dhe me frymën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën të përfaqësohen të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit dhe të Ulqinit, përmes delegatëve të zgjedhur nga ana e popullit; b) Për derisa të themelohet e të caktohet një autoritet suprem nga mbledhja e përgjithshme dhe për me mbajt qetësin dhe rendin publik, si edhe me i përgjigj kërkesave që impononin rrethanat e interesat e atdheut; c) Me krijua këshille autonome- ekzekutive ; ç) Ngarkim i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit parashihej të bëhej më së  voni,  deri me 16 Shtatorë 1943. Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit të parë iniciues, anëtarët e saj fillojnë përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit. Konsultohet populli dhe bëhen zgjedhje te rregullta. Gati në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët u caktuan delegatet që të marrin pjesë në Kongres.

Kongresi u mbledh ne Prizren, nga data 16 deri me 20 shtator 1943. Ne te morën pjese 45 delegate te zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresi punimet i zhvilloi në Shkollën “Bajram Curri”. Atë e hapi kryetari i Këshillit organizues, Musa Sheh Zade.  Në të merrnin pjesë: 120 përfaqësues të popullit nga: Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani (Luma), Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës u vunë themelet e Lidhjes.

Punimet e Kongresit i hapi Musa Sheh Zade, duke tregua për arsyen e këtij tubimi, dhe masat e nevojshme që duhet ndërmarr kundër okupuesve të atdheut. Në kryesi të punës së Kongresit u zgjodhën: Musa Sheh Zade- kryetar, Aqif Blyta-Nënkryetar, Prof. Rexhep Krasniqi- Nënkryetar, Bedri Gjinaj – Sekretar. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes se Dyte te Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do te angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Dua vetë pak të ndalem në fjalën e patriotit të madh Musa Shehzade, që e tha në hapjen e kuvendit, citoi: “Tash që kemi të gjitha mundësinat e njij organizimi të përgjithshëm të fuqinavet kombëtare, duhet që ta fitojmë, mbrenda nji kohe të shkurtën, gjithë periudhën qi humbëm gjatë së shkuemes së afërt. Na duhet t’i mendojmë dhe t’i parashikojmë të tana rasat dhe gjasat që mund të na paraqiten gjatë të ardhshës s’onë t’afërt dhe të largtë. Kjo detyrë u bjen, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me vllaznit e Shqipnis së Vjetër, të gjitha Viseve të bashkueme atdheut shqiptar. Duhet të mendojmë, pra, masat dhe mënyrat e mprojtjës s’onë për çdo gjasë dhe për çdo rrethanë. Qëllimi që do të frymëzojë përpjekjen t’onë, nji përpjekje jetë a vdekje, do të jetë nji i vetëm: Sigurimi i njisisë s’onë ethnike. Për këtë qëllim duhet të gatuejmë krejt energjinat t’ona. Ky asht vullneti jo vetëm i popullsinave shqiptare të lirueme dhe të palirueme, por edhe i të gjithë shqiptarve kudo qi janë. Na, po e shpallim haptas, nuk kemi as ma të voglin pretendim mbi asnji cope tokë që nuk asht e jona. Duem, pra, vetëm gjithëçka asht tokë arbënore, e banueme prej njij popullsije shqiptare. Prandej, fqinjët t’onë, nuk kanë shka druejnë prej nesh: Në qoftë se ata janë depërtuem tashma nga kuptimi i drejtësis së vërtetë duhet të kërkojnë, ma parë se na, zbatimin e përpiktë t’asaj drejtësije: Atëherë, dhe vetëm atëherë, ndërmjet nesh dhe atyne, do të mund të vendosen marrëdhanje të nji përzemërsije të pandryshueshme. Na, atëhere, do t’u zgjasim dorën e miqësisë së burrave shqiptarë që, kur apin fjalën, vdesin por nuk zmrapen. Por, në qoftë se këto ndiesina t’ona, sidomos dashunija e jonë për drejtësinë e vërtetë, nuk do t’i detyrojnë fqijt t’onë që të hekin dorë nga pretendimet e tyne imperialiste mbi vendet shqiptare, na nuk do të ngurrojmë asnji çast për të krye të vetmen detyrë që na imponon vetë ndërgjegja kombëtare: Do të luftojmë me mish e me shpirtë për ngadhënjimin e të drejtave t’ona”

Pas 4 ditë pune të madhe u propozua dhe u zgjodh  kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Prizrenit prej 7 vetave:  Rexhep Mitrovica (kryetar), Musa Sheh Zade dhe profesor Kolë Margjini (nënkryetarë), Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca, anëtarë. Pas përfundimit të kuvendit, lidhja filloi me aktivitetet e saja dhe brenda një afati të shkurtër arriti që të themelojë në të gjitha rrethet komitetet e rretheve, ndërsa nëpërmjet tyre edhe ato komunale dhe të fshatrave.

Atdhetari Musa Shehzade dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në vazhdimësinë dhe në organizimin e veprimtarisë të Lidhjes. Më 17-20 janar 1944, u mbajt Kuvendit i dytë i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të Lidhjes II të Prizrenit, po ashtu në Prizren.  Në të u zgjodh udhëheqësia e re: kryetar u zgjodh Bedri Pejani, dhe dy nënkryetar: Musa Sheh Zade dhe Kolë Margjini, ndërsa anëtarët : Xhevat Begolli, Nexhip Basha, Esat Berisha, Asllan Boletini, Muhamet Agolli, Ekrem Jegeni, Rexhë Meta, Mahmut Begu, Kadri Kupi, Sylejman Ashqija dhe dy të tjerë.

Pasi se më 8-10 korrik 1945, Kosova okupohej përsëri nga forcat jugosllave, Musa Shehzade pasi se ishte në moshë, nuk pranon të largohej nga Kosova për Greqi, andaj tjetër rrugë nuk kishte mbetur për të, veç që të kalonte në ilegalitet. Nga forcat jugosllave (OZN-a), pa asnjë aktgjykim e ekzekutojnë më 28 Nëntor 1945, në grykën e Lumëbardhit në Prizren, në moshën 76 vjeçare. Më  4 shkurt 1946, Gjykata e Qarkut në Prizren me vendimin nr. 55/46 e konfiskon tërë pasurin e patriotit të madh Musa Shehzades.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok