22/12/2024

MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT

0
Gorica-Muret-ciklopike

Nga Pëllumb Gorica

Më pëlqen të endem midis rrënojave të lashtësisë, sepse aty fshihet historia, ngjarjet, luftrat, jeta në shekuj… Çdokush ka këndvështrimin e vet, por unë jam i dashuruar me vendet historike shekullore, të kredhura në mjegull, për t’i vizituar ato më shpesh.

E hodha vështrimin në kodrat pak të pjerrëta të veshur me gjelbërimin e ullinjve, por edhe të shkurreve, 5 km në lindje të Fushë-Krujës. Peizazhi më përfshiu vrullshëm nga kureshtja për gjurmët e kalasë-qytet antik të Albanopolis në shekujt e II-III pas lindjes së Krishtit. Këtu kanë jetuar Ilirët e fisit të Albanëve. Ndaj emrin kjo kala-qytet e ka marrë nga ata. I vështrojmë muret rrethuese, akropolin, dhomën e senatit, kullat, në një sipërfaqe prej 10 ha, ku jetoi prijësi i albanëve. Natyrisht është e kuptueshme se sot ajo nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse gërmadhë e një rrëmujë gurësh e gropash të hapura (diku shiheshin fragmente muresh, me gurë ciklopik, të murrëtyer e të mbuluara nga ferrat, që qëndrojnë në këmbë), të cilat vajtojnë nga ndëshkimi. Ato rreken të lëshojnë rreze drite prej lashtësisë së largët, të mbushur me jehona legjendash.

Me hapat trazoj heshtjen, edhe pse një zog gushkuq mbi një mur të mbuluar me myshk ja thoshte përhumbshëm për gaz të vet. Prania ime nuk e bezdiste atë. Eja mos ngurro më duket se më thoshte ai zog vetmitar! Po ç’të qëmtoja më parë nga rrënimi i mureve që vetëm gojë nuk kanë të flasin? Ndaj mbylla sytë e përfytyrova shkëlqimin e dikurshëm historik, të kalasë-qytet mbështjellë me tisin e zezë të shkatërrimit në kohëra. Pothuajse më preku një trishtim nga ato që s’kanë të rrëfyer, ku ndjesitë dhe mendimet trazohen me dhimbjen, që edhe kjo kala është lënë në mëshirë të fatit edhe pse ka projekte për rivitalizimin e Albanopolit dhe shndërrimin e tij në një pikë turistike atraktive për turistët vendas dhe të huaj, e cila do ta zbukuronte më shumë krenarinë tonë.

Erdha pranë saj dhe preka me gishtrinjtë e mi gurët e mëdhenj të kalasë. Kalaja-qytet e braktisur trasmeton ftohtësinë drithëruese të vetmisë. Eh, sa thesare të lashtësisë sonë kanë humbur pa lënë gjurmë. Thuajse jo pak kala e ndërtime të vjetra në shekuj, si arkiva të pambarimta, dëshmi autentike të lashtësisë sonë, duke i rezistuar kohës, edhe pse të lakmuara nga babëzia e pushtuesëve i janë nënshtruar shkatërrimeve prej braktisjes së papërgjegjshme të pushtetarëve dhe institucioneve arkeologjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok