23/12/2024

Mr. Grant: Skënderbeu dhe George Washington kishin ngjashmëri të karakterit

0
u1_Gjergj-Kastrioti

Nga Gjon Keka

Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit pati jehonë anë e mbanë botës, saqë kushdo që arriti të mësonte për atë periudhë të artë të kombit tonë ndante vlerësimet e tij më të larta për këtë figurë dhe gjithashtu edhe popullin arbëror që ai e ngriti në liri, pavarësie dhe e vulosi me identitet e flamur.

Poashtu edhe udhëpërshkuesit,ambasadorët e vendeve të ndryshme misionarët etj, pasi vizituan Shqipërinë ,e në veçanti Krujën aty ku Gjergj Kastrioti la gjurmët e pavdekshme të tij dhe u bë simbol kryesor i identitet arbëror dhe europian, e kuptuan se kush ishte në të vërtetë vetë Gjergj Kastrioti si udhëheqës e strateg e vizionar, por edhe kush ishte popull i tij i ringjallur arbëror.

Kështu edhe ambasadori pothuajse i parë amerikan në Shqipëri Hugh Gladney Grant i cili shërbeu nga 9 gushti i vitit 1935 e deri më 27 shtator 1939 (C.Record,U.S.Congress, nr.A6633,A6334, botimi vitit 1951)në një mesazh drejtuar popullit të Shqipërisë vlerëson tepër lartë figurën e Gjergj Kastriotit duke e krahasuar atë me figurën e Xhorxh Uashingtonit, ja këtu më poshtë është mesazhi i tij si vijon:

Sa herë që vizitoja qytetet dhe qytezat kryesore të Shqipërisë, gjithmonë u bëja ftesa udhëheqësve civilë, ushtarakë dhe fetarë të komunitetit. Zonja Grant më shoqëronte shpesh në këto turne dhe gjithashtu ajo pritej gjithmonë përzemërsisht nga zyrtarët dhe populli shqiptar…

Shumë herë, zonja Grant dhe unë vizituam fshatin piktoresk të Krujës, i vendosur lart në anën e një prej maleve madhështore të Shqipërisë. Ky fshat i çuditshëm ishte shtëpia e Skënderbeut të pavdekshëm, heroit të madh kombëtar shqiptar. Ishte Skënderbeu ai që më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare si emblemë kombëtare shqiptare. Ishte Skënderbeu ai që mbajti jashtë vendit ushtritë pushtuese turke për më shumë se 20 vjet. Populli mik shqiptar më shprehte pa ndryshim mirënjohjen e tij për poetin amerikan, Henry W. Longfellow, i cili shkroi një poezi me titull, “Skënderbeu”…

Meqenëse nuk e flisja gjuhën shqipe, gjithmonë më shoqëronte një përkthyes shqip, duke më mundësuar të flisja drejtpërdrejt me njerëzit në shtëpitë e tyre… Udhëheqësit myslimanë, katolikë romakë dhe ortodoksë ishin miqtë e mi. Dhe këta miq më nderuan duke vizituar legacionin amerikan në Tiranë si mysafirë të Qeverisë Amerikane. Dhe këtu dua të them se më bëri shumë përshtypje fryma e shkëlqyer e tolerancës fetare midis krerëve dhe popullit fetar shqiptar. Myslimanët, ortodoksët dhe katolikët jetuan dhe punuan krah për krah në Shqipëri pa ato armiqësi të dhunshme fetare që janë kaq të përhapura në shumë pjesë të tjera të botës. Midis miqve të mi të mirë fetarë ishin edhe dy anëtarë të Kishës Protestante Amerikane, Dr.dhe Zonja Phineas B. Kennedy, të cilët banuan për 28 vjet në qytetin e Korçës.

Dua të them me gjithë sinqeritet se, në të gjitha udhëtimet e mia në shumë vende të botës, nuk kam parë kurrë një ndjenjë më të thellë nga ana e një populli për një udhëheqës kombëtar sesa ajo që shfaqi populli shqiptar ndaj të madhit Skënderbe. . .

Më kujtoi qëndrimin tonë amerikan ndaj George Washington-it, udhëheqësit të Revolucionit Amerikan dhe Presidentit të parë të Republikës Amerikane.

Skënderbeu dhe Washington kishin shumë ngjashmëri të karakterit, udhëheqjes dhe arritjeve të shkëlqyera.

Qëndrimi i popullit shqiptar ndaj Skënderbeut është tregues i patriotizmit intensiv të popullit.Kjo dashuri për atdheun ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së gjatë të popullit shqiptar që besohet se është raca më e vjetër në Europën Juglindore…

Shqiptarë, ne amerikanët që ju njohim dhe i njohim shqiptarët që banojnë në Amerikë, kemi shumë respekt për ju dhe vendin tuaj.

Paraardhësit tuaj krijuan reputacionin, dhe ju e keni vazhduar atë,… Flamuri shqiptar, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare dhe përkrenarja e artë e Skënderbeut, do të valojë sërish në direkun e godinave tuaja të qeverisë. Shqipëria do të zërë vendin që i takon ndër kombet liridashëse të botës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok